Hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë për Tenderin e Kryeministrisë, Jehonë në Mediat e Huaja

Hulumtimi i gazetarit Parim Olluri ngjalli reagime të shumta në opinionin kosovar, ndërsa tani jehona e tij u shtri edhe jashtë kufijve të vendit.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për këtë hulumtim në të cilin thotë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përdorur Facebook-un për ta mbrojtur pagesën për një kompani të drejtuar nga djali i tij për ta servisuar një nga veturat e tij zyrtare duke nxitur “ankesa për nepotizëm në nëj vend përplot korrupcion”.

Raporti i Reuters i bazuar në hulumtimin e Gazetës Jeta në Kosovë është ribotuar në shumë media tjera ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe në EuroNews.

Reuters raporton se Isa Mustafa erdhi në krye të qeverisë në dhjetor të vitit të kaluar pjesërisht për shkak të premtimit se do ta çrrënjosë ryshfetin që ka dëmtuar zhvillimin e Kosovës që nga koha kur vendi shpalli pavarësinë në vitin 2008.

“Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se zyra e Mustafës pagoi 2.946 euro për një kompani në pronësi të djalit të tij, Besnikut, për ta servisuar një veturë të blinduar BMË X5”, shkruan Reuters.

Duke u përgjigjur të hënën, Mustafa tha se nuk ak qenë në dijeni se kush e ka servisuar veturën, por ai nuk pa ndonjë problem që djali i tij ka qenë fituesi i kontratës, raporton kjo agjenci.

Reuters raporton se komentet në faqen e tij në Facebook kanë qenë gati tërësisht mbështetëse por analisti politik Imer Mushkolaj, tha se Mustafa humbi një rast për të vendosur shembull.

“Ky rast tregon se Mustafa është një nga politikanët që nuk merr përgjegjësi dhe kërkon llogari për një skandal, por mundohet ta mbulojë atë me arrogancë dhe akuza kundër medias dhe kritikëve”, citon Reuters Imer Mushkolajn.

“Sipas artikullit, institucionet shtetërore nuk kanë nevojë të shpallin tender publik për një shumë të tillë të parave, por në vend të kësaj duhet t’i kontaktojnë tri kompani dhe t’ia japin kontratën ofertuesit më të ulët”, raporton Reuters.