Shfrytëzimi Qindramilionësh

Kishte ndodhur që një zyrtar i lartë i Byrosë Kosovare të Sigurimeve të merrte shpërblim prej 10 mijë eurosh  për të kryer një aksion të veçantë.

Aksioni kishte të bënte me monitorimin e pikave kufitare me qëllim të parandalimit të mashtrimit dhe keqpërdorimit eventual të policave të sigurimit kufitar.

Fituesi i kësaj shume të madhe parash i përket një familjeje të njohur me ndikim të madh në politikë dhe biznes.

Është Gani Thaçi, vëllai i madh i Hashim Thaçit –liderit të partisë më të madhe në vend.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi për këtë rast në tetor të vitit 2012.

BKS-ja nuk pati pranuar të lejojë qasje në raportin e dorëzuar nga Thaçi pas kryerjes së punës që i ishte vlerësuar si e suksesshme si dhe nuk tregoi detajisht se çfarë keqpërdorime e mashtrime janë parandaluar.

Thaçi, që është zëvendësdrejtor në Byronë Kosovare të Sigurimeve, para pesëmbëdhjetë vjetësh ishte protagonist në një artikull të publikuar nga BBC-ja të titulluar “Kosova e mbërthyer nga reketi” dhe tregonte se si gjatë një bastisjeje policore në banesën e tij ishin gjetur para në vlerë të 250 mijë dollarëve.

Artikulli tregonte se atij i ishte bastisur banesa në Prishtinë lidhur me një incident me armë zjarri, por aty i ishin gjetur para të marra nga “shërbime ndërmjetësimi”.
Por vetë BKS-ja që shpërbleu zëvendësdrejtorin Thaçi për parandalim të mashtrimeve, është organizata ndaj së cilës janë të drejtuara kritikat për keqpërdorime e shfrytëzim të bashkatdhetarëve.

Madje Komisioni Kosovar i Konkurrencës kishte gjobitur kompanitë e sigurimeve për shkak të kurdisjes së çmimeve për policat kufitare të sigurimeve.

Kompanitë e sigurimeve që janë anëtare të BKS-së për trembëdhjetë vjet rresht janë duke aplikuar shuma të larta për tarifa kufitare në policat e sigurimeve. Kanë arsyetuar me vite rresht se nuk mund ta zvogëlojnë shumën e pagesës për shkak të pagesës së dëmeve eventuale që duhet të paguajnë dhe me faktin që Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Megjithatë, vendimi i Bankës Qendrore për të zbritur deri në 50 për qind shumën e pagesës për tarifa kufitare demanton arsyetimet e dhëna që gati një dekadë.

Por sa kanë fituar kompanitë e sigurimeve qe trembëdhjetë vjet prejse kanë nisur të aplikohen tarifat kufitare në vitin 2002?

Gazeta Jeta në Kosovë ka shikuar të dhënat e Bankës Qendrore lidhur me të hyrat e e kompanive të sigurimeve.

Të dhënat e BQK-së bazohen në raportimet që vetë kompanitë private i bëjnë te ky institucion që funksionon si rregullator i kësaj industrie biznesi.

Bazuar në të dhënat e BQK-së, del se prej vitit 2002 e deri në mars të vitit 2015 industria e sigurimeve ka mbledhur rreth 130 milionë euro nga tarifat e sigurimit kufitar që kryesisht janë pagesa nga bashkatdhetarët të cilët vijnë gjatë pushimeve në Kosovë.

Ndërsa shuma e dëmeve të paguara është dhjetëfish më e ulët.

Bazuar në të dhënat e BQK-së del se vetëm 10 milionë e 300 mijë euro janë paguar nga kompanitë e sigurimeve në emër të kompensimit të dëmeve.

Beteja e kompanive të sigurimit dhe vendimi i BQK-së

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, më 18 qershor të këtij viti, mori vendim për uljen e tarifave të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë për të gjitha mjetet motorike.

Deri më tash nëse një bashkatdhetar dëshiron të qëndrojë në Kosovë për 15 ditë obligohet të paguajë 30 euro tarifë kufitare për veturën e tij. Vendimi i BQK-së parasheh  zbritje prej 50 për qind dhe obligon që të paguhen vetëm 15 euro për 15 ditë qëndrim.

Po ashtu parashihet zbritje prej 51% për policat e sigurimit kufitar me kohëzgjatje prej 1 muaji, e cila tani do të kushtojë 20 euro.

Ndërkohë, do të ketë  zbritje prej 49% për policat e sigurimit kufitar me kohëzgjatje prej 2 muajsh, e cila tani do të kushtojë 35 euro.

Bazuar në njoftimin e BQK-së aplikimi i tarifave të reja ka hyrë në fuqi që nga data 1 korrik.
Vendimi është marrë pas kërkesës së bërë nga Rrahim Pacolli, drejtor i kompanisë “Siguria”.

Ai fillimisht këtë kërkesë e kishte dërguar në BKS, por pa sukses.

Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme e BKS-së të mbajtur më 4 qershor kishte pakënaqësi të shfaqura nga disa pronarë të kompanive të sigurimeve.

Pacolli tha se përfaqësuesit e kompanive tjera mbështesnin idenë që të ketë një zbritje të tarifave prej 8 për qind, e jo 50 për qind.

Pacolli thotë se me zbritjen prej 50 për qind, buxheti vjetor i të gjitha kompanive të sigurimeve do të dobësohej për 6 milionë euro.

Ai tregoi mënyrën se si ndahen fitimet ndërmjet kompanive të sigurimit që janë 12 të tilla.

“Duhet paguar shpenzimet e Byrosë si: pagat e punëtorëve dhe shpenzimet tjera, pastaj duhet paguar tatimin në fitim dhe pjesa tjetër ndahet në 12 pjesë të barabarta,” thotë Pacolli. Po ashtu, sipas tij, prej të hyrave nga sigurimet kufitare kompensohen edhe dëmet e mundshme nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Ndërkohë të hyrat e kompanive të sigurimeve nga tarifat kufitare në vitin 2014 kanë qenë në vlerën e 14 milionë e 600 mijë eurove.

Bazuar në të dhënat e BQK-së shuma e dëmeve të paguara për vitin 2014 ka qenë 1 milion e 300 mijë euro.

Vlera e tatimit në fitim e shumës prej 14 milionë e 600 mijë euro llogaritet të jetë diku mbi 1 milion e 400 mijë euro.

Shuma që u mbetet kompanive të sigurimit pas pagesës së tatimeve dhe dëmeve është rreth 12 milionë euro. Një pjesë e vogël e kësaj shume ndalet nga BKS-ja për paga të punonjësve të saj dhe shpenzime tjera.

Përgjysmë më pak para mbesin kur aplikohen tarifa më të ulëta bazuar në vendimin e Bankës Qendrore.

Përgjysmimi i të hyrave, sipas Pacollit, nuk do të duhej të paraqesë problem për kompanitë e sigurimeve. Duhet të mësohen të jetojnë nga produktet tjera.

“Ulja e 50 përqindëshit i zbret nja 6 milionë euro buxhet dhe normal që shkakton humbje të madhe. Por unë mendoj që ne kompanitë e sigurimeve duhet të mësohemi të jetojmë nga produktet e tjera dhe të mos mendojmë për produktet kufitare, për arsye se ky produkt është i përkohshëm,” deklaroi Pacolli.

Por me këtë nuk po pajtohen kompanitë tjera të sigurimeve.

Nëntë drejtorë të kompanive të sigurimeve kanë planifikuar që të enjten më 9 korrik të këtij viti, të mbajnë mbledhje në zyrat e BKS-së për t’i bërë një trajtim ligjor vendimit të marrë nga ana e BQK-së.

Pacolli lëshoi një kumtesë për media duke njoftuar për takimin e planifikuar të tyre.
Edhe kompania e Pacollit për trembëdhjetë vjet rresht fitoi miliona euro nga tarifat e larta kufitare.

Aktualisht në Kosovë operojnë 12 kompani të sigurimeve të cilat janë: “Croatia Sigurimi”, “Dardania”, “Elsig”, “Siguria”, “Illyria”, “Insig”, “Kosova e Re”, “Sigal”, “Sigkos”, “Sigma”, “Scardian” dhe “Prisig”.

Këto kompani janë pjesë e BKS-së e cila ende nuk është anëtare e  Këshillit të Byrove Evropiane. Për këtë arsye në Kosovë nuk vlen kartoni i gjelbër që është certifikatë sigurimi për automjetet e vlefshme në të gjitha vendet anëtare.

Këshilli i Byrove pranon në gjirin e saj vetëm byro të një shteti që është anëtar i OKB-së.

Pse tarifat kufitare nuk u zbritën më herët? 

Fatmir Gashi, zëvendësguvernator i BQK-së, në Emisionin “Jeta në Kosovë” dha arsyetimet e tij se pse deri më tash nuk janë zbritur tarifat kufitare.

Gashi, para se të bëhej një nga drejtuesit e BQK-së, ka qenë drejtues i kompanisë private “Dardania”.

Sipas tij tarifat kanë qenë të larta pasi që nuk është ditur se sa do të jetë shuma e kompensimit të dëmeve që do të paguajnë kompanitë e sigurimeve.

Gashi tha se është dashur të kalojë një kohë për t’u informuar se sa është mesatarja e dëmeve që do të paguajnë kompanitë.

“Premitë nuk janë vetëm me fitu kompanitë. Është edhe një pjesë për fitim të kompanive, por premi parësore ka qenë për mbulim të dëmeve. Pas analizës 4 vjeçare e funksionimit të këtij ligji dhe këtyre premive krahasim me dëmet, është parë që ka hapësirë për zvogëlimin e këtyre premive,” tha Gashi.

“Nga viti 2006 – 2014,  92 milionë është marrë premi e sigurimeve prej policave kufitare. Janë paguar dëme 8 milionë dhe rezerva kanë mbetur 4 milionë euro. Nëse i shikojmë edhe shpenzimet operative që i ka Byroja, na jep mundësinë e zvogëlimit të çmimeve,” tha Gashi.

Ndryshe, në Emisionin “Jeta në Kosovë’, Pacolli, ka premtuar se që nga 1 korriku 2016 edhe Kosova do të bëhet me karton të gjelbër. Ndërkaq Vlora Obërtinca, drejtoreshë e Fondit për Kartonin e Gjelbër në BKS tha se kanë një fond prej 4 milionë eurosh i cili është ngritur ndër vite dhe është mbledhur nga  dhjetë kompani të  sigurimeve. Ky fond është i nevojshëm për anëtarësim për kartonin e gjelbër.

Ajo tha se BKS-ja është e gatshme për t’u bërë pjesë e sistemit të kartonit të gjelbër.

Derisa BKS-ja ende nuk është anëtarësuar në kartonin e gjelbër dhe kompanitë private vazhdojnë betejën mes tyre për zbritjen apo jo të tarifave të shtrenjta kufitare, këto kompani përballen me një padi në gjykatë.

Kryqi i Kuq i Kosovës ka paditur kompanitë e sigurimeve në Gjykatën Themelore të Prishtinës pasi nuk po e respektojnë Ligjin për Kryqin e Kuq të miratuar më 2010.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në dhjetor të vitit të kaluar se kompanitë e sigurimeve janë obliguar që të ndajnë një për qind të fitimit për këtë organizatë.
Kryqi i Kuq pretendon se është dashur të marrë mbi 1 milionë euro prej 2010-ës e deri më tash.