Borxhet ndaj KEK-ut, ATK-së e Doganës deri në fund të 2008-ës | Grafika: KALLXO.com

Falja e Borxheve Peshon Afër 400 Milionë €

Vendimi i 6 shkurtit 2015 i Qeverisë së Republikës së Kosovës për faljen e borxheve për qytetarët dhe bizneset, duke filluar nga paslufta e deri në vitin 2008, i bie që borxhi i cili do të falet, të paktën në tre sektorët më të mëdhenj – KEK, ATK dhe Dogana, është afër 400 milionë euro.

Këtë hap qeveria e pa si shumë të rëndësishëm, i cili do t’u ndihmojë qytetarëve të vendit, sidomos shtresat sociale. Kështu e kishte cilësuar edhe vetë ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Ai ishte zotuar se do të themelohet komisioni i cili brenda një muaji do ta hartojë një raport për nivelin e shumës së borxhit të falur.

Por, pas një muaji Qeverisë i ra ndërmend që faljen e borxhit ta kushtëzojë me shlyerjen e obligimeve prej 1 janarit 2009 e deri më 31 dhjetor 2014.

Prej tri kompanive të mëdha – KEK, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), KEK-u prinë për nga shuma e borxhit që qytetarët kanë ndaj saj.
Sipas Drejtorit për Shërbimet e Korporatës Elektro Energjetike (KEK), Edmond Nullshi, vlera e borxhit të përgjithshëm figuron të jetë rreth 347 milionë euro.

“Vlera e borxhit total deri më 31.12.2008 figuron të jete rreth 347 milionë euro”, tha Nulleshi.
ATK-ja pason KEK-un për shuma e borxhit që ia kanë qytetarët dhe bizneset. Zyrtarët e saj hezituan të japin shifrën e saktë të borxhit, nën arsyetimin se janë duke e pritur nga Qeveria versionin përfundimtar të ligjit për faljen e borxheve.

Megjithatë, nën supozimin se nëse inkasohen të gjitha borxhet prej janarit 2009 deri në dhjetor 2014 shuma e borxhit që i nënshtrohet faljes është 40 milionë euro nga borxhi bazë.

“Administrata Tatimore e Kosovës është në pritje të versionit përfundimtar të ligjit për faljen e borxheve… Duke pasur parasysh këto kushte nuk mund t’ju japim një shifër të saktë të borxheve  që do të  falen”, thuhet në përgjigjen e ATK-së dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

“Nën supozimin se nëse inkasohen të gjitha borxhet për periudhën  janar 2009 deri në dhjetor 2014, sipas kushtëzimit nga vendimi i Qeverisë, atëherë nga kjo mund të falen mbi 40 milionë euro nga borxhi bazë”, shton më tej ATK-ja.

Në këtë drejtim, Dogana e Kosovës llogaritet se shuma e borxhit i cili do t’i nënshtrohet procedurës për falje është mbi 6 milionë euro.

“Borxhi i cili është evidentuar nga Dogana e Kosovës për këtë periudhe është 6,070,401.21 euro”, tha zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Vendimi për faljen e borxheve ka defekte”

Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, në parim e vlerëson si të dobishëm, për shkak se, siç thotë ai, e tejkalon problemin që ka qenë pezull mbi borxhlinjtë dhe atyre që i kërkojnë ato borxhe.
Megjithatë, Rexhepi thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej ta kishte një qasje selektive ndaj borxhlinjve.

“Qeveria do të duhej ta kishte një qasje selektive, meqenëse nuk janë të njëjtë të gjithë borxhlinjtë”, thotë Rexhepi. “Nëse dikush ka bërë biznes, e ka rritë kapitalin dhe nuk ka paguar obligimet tatimore, apo ndaj shërbimeve publike, atëherë nuk ka arsye t’i falet borxhi”, shton Rexhepi.

Rexhepi thotë se Qeveria përmes faljes së borxhit nga paslufta e deri më 2008 po synon ta inkasojë borxhin nga 2009-a deri më 2014. Por ai thotë se Qeveria këtë nuk e ka të lehtë.

“Qeveria duket se me vendimin për faljen e borxheve synon të arrijë një qellim krejt tjetër – që t’i merr paratë për borxhet nga 2009-2014. Këtë nuk e ka lehtë, meqenëse, pa dyshim se borxhet janë të mëdha dhe borxhlinjtë e kanë vështirë t’i paguajnë ato”, thotë eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi.

“Prandaj, krejt kjo e sjell në dyshim edhe implementimin e vendimit për faljen e borxheve deri në fund te vitit 2008”, shton ai.

Për Berat Thaqin – hulumtues i lartë në organizatën joqeveritare GAP, thotë se çdo vendim që ulë koston e jetesës së qytetarëve është i mirëseardhur. Por ai thotë se nuk ka pasur diskutim publik për këtë punë.
“Duke parë se Kosova është shteti me standardin më të ulët në rajon, në parim çdo vendim që shkon drejt uljes së kostos së jetës për qytetarin e Kosovës është i mirëseardhur”, thotë  Thaqi.

“Paraprakisht nuk ka pasur një diskutim publik lidhur me këtë vendim dhe nuk është sqaruar me ndonjë dokument se si do t’i ndikojë ky vendim financiarisht në ndërmarrjet publike dhe komunat”, shton ai.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës më 5 shkurt mori vendim që t’i falë të gjitha borxhet e qytetarëve ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike që nga periudha e pasluftës deri më 31 dhjetor 2008.

Për këtë gjë ministri i Financave, Avdullah Hoti kishte paralajmëruar se do të formohet një komision i cili brenda një muaji do ta hartojë një raport për nivelin e shumës së borxhit të falur.

Por pas një muaji, Qeveria doli me idenë se borxhi do t’i falet të gjithë qytetarëve dhe bizneseve nga paslufta deri më 2008, nëse të njëjtit i shlyejnë borxhet nga janari 2009 deri më 31 dhjetor 2014.