Drogë, Diamante dhe Plumba: Firma Ballkanike e Armëve e Lidhur me Hetime Penale

Korrupsion, shpëlarje parash, fatura të papaguara, shitje të armëve ilegale te islamistët libianë dhe përfshirje në një rreth të kontrabandës së kokainës janë vetëm disa nga akuzat që janë bërë ndaj biznesmenit kontrovers të lidhur me privatizimin e një nga firmave më të fuqishme të armëve në Ballkan.

Montenegro Defence Industries (MDI) ishte shitur pa bujë më 4 mars për CPR Impex me seli në Beograd dhe ATL Atlantic Technology Ltd nga Izraeli për 680 mijë euro.

Një hetim nga BIRN i nisur nga atëherë ka zbuluar se si një diler belg i armëve dhe diamantit, Serge Muller, qe arrestuar vetëm pak orë pasi kishte lëshuar ceremoninë e nënshkrimit të shitblerjes në Podgoricë, përderisa po tentonte të kalonte në Shqipëri.

Burime të shumta thanë për BIRN se si Muller luan një rol drejtues në firmën izraelite dhe privatizimin e MDI-së.

Megjithatë, ATL dhe partnerët e tij e mohojnë se Muller, i cili po dyshohet nga autoritetet belge për trafik të kokainës dhe shpëlarje parash, është zyrtarisht pjesë e marrëveshjes, edhe pse e pranojnë se ai e vizitoi MDI-në tri herë gjatë viteve të kaluara “si një mik” i ATL-së dhe e ndoqi ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.

Petar Crnogorac, pronar i CPR Impex, përballet me problemet e tij ligjore pasi javën e kaluar u zbulua se OKB po hetonte nëse firma e tij Tehnoremont, një filialë e CPR Impex, dhe MDI e shkelën një embargo të armëve duke eksportuar armë për islamistët libianë. Crnogorac thotë se një marrëveshje e tillë nuk ka ndodhur kurrë.

Fundi i festës

Një ceremoni e kushtueshme për ta shënuar shitjen e MDI në Hotel Podgorica më 4 mars qe braktisur pa ndonjë shpjegim në orën e njëmbëdhjetë, me mysafirët e ftuar që të marrin pjesë në një festim të ngushtë të mbajtur në një zyrë të zymtë në selinë e Agjencisë së Privatizimit.
Por ngjarja mori një kthesë dramatike kur Muller u arrestua vetëm pak orë pas takimit.

Muller, një figurë e mirënjohur në kryeqytetin evropian të diamantit, Antverpen, kishte braktisur zyrat e Agjencisë së Privatizimit me një veturë të vozitur nga Crnogorac.

Serbi ishte dashur të zbriste në aeroportin e vogël malazez të Tivatit ndërsa Muller po drejtohej kah kufiri me Shqipërinë për të shkuar në Tiranë ku do ta kapte aeroplanin për Izrael, selia e tij gjatë viteve të fundit.

Muller, 59 vjeçar nuk mundi ta realizojë fluturimin pasi policia malazeze e arrestoi atë mbi bazën e një Lajmërimi të Kuq të Interpolit të lëshuar nga Brukseli një ditë më parë.

Një shtyllë e dikurshme në komunitetin e tregtarëve të diamantit të në Belgjikë, Muller më parë kishte shkaktuar kundërthënie rreth përfshirjes së tij në fushat e minierave të lyera me gjak të diamantit në Sierra Leone dhe marrëveshjeve të diskutueshme të armëve.
Ai tani është në paraburgim në Podgoricë duke pritur rezultatin e një dëgjimi për ekstradim nga i cili ai mund t’u dorëzohet hetuesve belgë për t’u përballur me akuzat e pjesëmarrjes në një rreth trafikantësh të kokainës, duke pasur lidhje me nivele të larta të krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.

“Urdhër arresti kundër Muller thoshte se ai dyshohej për vepra penale të pjesëmarrjes në një organizatë kriminale, trafikim ilegal narkotikësh dhe shpëlarje të parave, të dënueshme sipas Kodit Penal të Mbretërisë së Belgjikës”, tha Gjykata e Lartë e Podgoricës për BIRN.

Një gjykatë në Antverpen e cila është në dijeni për rastin, tha për BIRN se akuza u përqendrua në ngarkesat e dyshuara të kokainës nga Amerika Jugore në Antverpen dhe në shpëlarje të parave.

Sipas burimit, gjykatësi Bruno De Hous “është duke hetuar të gjitha aktivitetet e Muller në të cilat ai ka fituar, ose ka mundur të fitojë dhe ka shpëlarë paratë e pista, diamante, armë dhe narkotikë”.

Muller gjithashtu akuzohet se ka qenë pjesë e një takimi në Kili ndërmjet anëtarëve të karteleve të drogës dhe një anëtari të organizatës terroriste kolumbiane FARK, thotë i njëjti burim.
 
Muller, i cili po i mohon të gjitha akuzat, mund të mbahet deri në gjashtë muaj në Mal të Zi por avokati i tij tha për BIRN se provat e prezantuara nga Belgjika ishin “të dobëta” dhe ai shpresonte që klienti i tij do të lirohet shpejt. Data e seancës së dëgjimit për ekstradim pritet të caktohet këtë javë.

Muller: ‘Njeriu prapa ATL’

ATL Atlantic Technologies është një kompani e madhe e armëve me seli në Tel Aviv e themeluar në vitin 2009.

Pronari i saj i vetëm dhe kryeshefi ekzekutiv është izraeliti Agmon Shaked, sipas dokumentacionit zyrtar nga Izraeli, por hulumtimi i BIRN zbuloi se firma është e lidhur ngushtë me figurën e fuqishme të Muller, i cili thuhet se ka bërë udhëtime të shpeshta në emër të kësaj firme në vitin e fundit.

Dihet shumë pak për Shaked përveç detajeve të një rasti të vogël në gjykatë në Tel Aviv. 40 vjeçari ishte gjetur se ka lënë një banesë me qera- shtëpinë e tij sipas letrave zyrtare të ATL Atlantic Technology- pa i paguar faturat dhe ishte urdhëruar nga gjykata ta kthente borxhin.

Por burime të shumta dhe dokumente zyrtare thonë se Muller, i cili ka qenë i përfshirë në tregti me armë në 15 vitet e fundit, është së paku një shoqërues i ngushtë i Shaked dhe ATL.

Muller ishte zyrtarisht pronar i degës së ATL-së në Bullgari, ATL Bulgaria, për më shumë se një vit deri në qershor të vitit 2014 kur i shiti aksionet, sipas të dhënave nga regjistri i kompanisë bullgare.

Ueb- sajti i ATL-së gjithashtu shënon një zyrë në Diamond Exchange Building në Antverpen, adresa e disa kompanive të Mullerit, sipas një hetimi nga një gazetar belg në vitin 2012. Adresa më vonë është hequr.

Dhe një ekspert ushtarak serb, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha për BIRN se Muller ishte i njohur në qarqet e armëve të jetë ‘financues’ i ATL-së.

Përkundër zhdukjes së tij nga letrat e punës dhe ueb- sajti i ATL-së, BIRN ka mësuar se ai ishte në zyrat e MDI-së triherë në emër të firmës izraelite me pronarin e CPR Impex, Crnogorac.

Në një intervistë për BIRN, Crnogorac së pari pranoi se Muller ishte “njeriu prapa ATL-së”. Megjithatë, gjatë takimit ai pranoi një telefonatë pas së cilës insistoi që Muller ishte thjesht një mik i firmës.

“Zotëri Serge Muller është në të njëjtën punë sikur edhe ne, ai ka një biznes të rëndësishëm, është shumë me ndikim dhe si i tillë është një anëtar i respektueshëm i komunitetit hebre”, tha më pas Crnogorac në një deklaratë. “ATL Atlantic është tërësisht e drejtuar nga Agmon Shaked i cili i ishte i përfshirë në negociata rreth blerjes së MDI dhe i cili eventualisht bleu këtë kompani krahas meje”.

Megjithatë një burim i lartë i mirë-informuar në MDI tha për BIRN se Muller ishte prezantuar si‘bosi’ i ATL gjatë atyre tri vizitave në MDI vitin e kaluar.

Crnogorac refuzoi të thotë cilën kompani e përfaqësoi Muller në këto takime dhe hodhi poshtë deklaratat se ai ishte paraqitur si ‘bosi’.

“Si mund ta dijë dikush se çka kemi folur?”, tha ai. “Ishim vetëm tre nga ne në zyrë- Muller, (drejtori i MDI) Zoran Damjanoviq dhe unë. Askush tjetër nuk e di se për çka kemi folur”.

Damjanoviq, drejtor i MDI, fillimisht konfirmoi se Muller vizitoi zyrat e MDI-së në Podgoricë si përfaqësues i ATL Atlantic por më vonë tha se Muller ishte i pranishëm aty si “një mik i kompanisë së Tel Avivit”.

Djali i Mullerit, Benjamin Muller, i cili u takua me BIRN në zyrat e CPR Impex në Beograd, refuzoi të komentojë.

ATL dhe Shaked nuk iu përgjigjen kërkesave tona për të komentuar përderisa BIRN nuk mundi ta pyesë Mullerin drejtpërdrejt rreth përfshirjes së tij me firmën e Tel Avivit.

Lidhja libiane

Pronari serb i MDI-së, CPR Impex po përballet me sfida ligjore.

Firma e tregtisë së armëve me seli në Beograd e themeluar në vitin 2005 ka eksportuar armë në të gjitha anët e botës.

Pronari dhe kryeshefi ekzekutiv i saj, Petar Crnogorac, 35 vjeçar, është biri i drejtorit të marketingut të Zastava Arms, fabrikës shtetërore të armatimit e cila prodhon versionin jugosllav të kallashnikovit.

Crnogorac ishte arrestuar në qershor të vitit 2014 nga policia serbe me akuzat e abuzimit të detyrës rreth një serie të tenderëve ndërmjet viteve 2011 dhe 2013 për të blerë pajisje shtesë të armatimit gjatë të cilëve, dyshohet se mori informata konfidenciale për ofertuesit tjerë.

Ai është liruar nga paraburgimi, por rasti ndaj tij mbetet duke u hetuar.

“Akuzat ndaj meje janë të pakuptimta, dhe kjo është dëshmuar qartë nga dëshmitarët”, tha Crnogorac.

Biznesmeni serb mund të përballet me akuza më të rënda këtë muaj pasi duket se OKB ishte duke hetuar nëse Tehnoremont, një nëndegë e CPR Impex, ka furnizuar me armë islamistët në Libi. Marrëveshja thuhet të jetë arritur në dhjetor të vitit 2014, para se të bëhet privatizimi.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Paneli i Ekspertëve të OKB-së për Libinë filloi një hetim pasi siguroi një “end user certificate” të dyshimtë, një nga dokumentet kryesore të kërkuara për të marrë një licencë eksporti.

Dokumentet tregojnë një listë municionesh, lansuesve të raketave dhe predhave të mortajave që do të eksportoheshin nga Tehnoremont dhe MDI te një zyrtar me emrin Khaled Sherif, me gjasë duke vepruar në emër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Mbiemri i referuar si Sherif besohet se është i mirënjohuri Khalid al- Sharif, një ish zëvendës ministër i mbrojtjes i cili e vizitoi Serbinë në vitin 2013 dhe i cili ishte i afërt me luftëtarët islamikë.

Sharif është një ish- anëtar i Grupit të Luftëtarëve Islamikë të Libisë, është i njohur pasi ishte arrestuar nga CIA, dhe, sipas OKB-së, “ka lidhje të qartë me Operacionin Fajr”, gjithashtu i njohur si Agimi Islamik i Libisë i cili ka vendosur një qeveri paralele në Tripoli.

OKB vendosi embargo armësh ndaj Libisë në vitin 2011 në mënyrë që t’i parandalojë shkeljet e mëtejme të të drejtave të njeriut, megjithëse shitjet për qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të vendosur në Tobruk janë të lejuara nëse ato miratohen paraprakisht nga OKB.

Kreu i panelit të ekspertëve, Simon Dilloway, ka kërkuar kopjet e kontratave, nëse ato ekzistojnë, nga Serbia deri në fund të muajit në mënyrë që të konkludojë nëse embargo është shkelur.

Në Mal të Zi, prokurori i shtetit i tha BIRN-it se e ka hapur një hetim për këto dyshime.

MDI dhe Crnogorac kanë mohuar akuzat, duke thënë se ata nuk kanë bërë eksport armësh.

Crnogorac tha për BIRN pavarësisht se janë bërë diskutime për shitjet në Libi, asnjë marrëveshje nuk është arritur dhe si rezultat i kësaj nuk ka pasur nevojë për të kërkuar leje nga OKB.

Një nga pak kushtet në shitjen e MDI ishte edhe ai se ofertuesit nuk duhet të jenë gjetur në thyerje të sanksioneve të OKB-së.

Nxitimi i Lindjes së Mesme në armatim

Shitja e MDI-së hap stoqet ish- jugosllave të pajisjeve për konsumatorët e rinj, sipas një burimi nga dilerët e armëve.

Me lidhjet e veta në eshalonët më të larta politike në Mal të Zi, qasje në armatimin e epokës së Jugosllavisë dhe lidhjet direkte në portin e Bar në Mal të Zi, MDI ka luajtur rol të madh në industrinë e armëve në Ballkan që nga koha kur ajo u nda nga Yugoimport SDPR e epokës së Jugosllavisë.

Por firma po përpëlitej për ta mbajtur stafin e vet të ekspertëve pasi që financat ishin zvogëluar nga pronari, qeveria malazeze.

MDI u paraqit për privatizim te kryeministri Milo Gjukanoviq, i cili u pajtua që ta hedhë firmën në Pazar.

Drejtori Zoran Damjanoviq u lidh drejtpërdrejt me CPR Impex, një partner i ngushtë tregtie për disa vjet, i cili solli ATL-në në garë në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tenderit për të ardhura së paku deri në 5 milionë euro, në vitin 2013.

Konsorciumi ishte, në fund, ofertuesi i vetëm, duke ofruar 680 mijë euro me një premtim për t’i investuar edhe 400 mijë të tjera.

Një burim i lartë në MDI tha për BIRN se firma malazeze është “një lojtar i vogël në biznesin e madh global të armëve të ATL-së”.

“MDI dhe CPR (Impex) janë të dobishëm pasi që ende kanë qasje në sasinë e madhe të tepricës jugosllave të armëve në Bosnjë, Mal të Zi dhe Serbi dhe… në Shqipëri- dhjetëra mijëra tonë municioni dhe armë të cilat mund të shiten në vendet e botës së tretë”, tha ky burim.

MDI më parë ka tërhequr kundërthënie për lidhjet e dyshuara me zonat e konflikteve.

Dokumentet e publikuara nga OJQ-ja belge ‘International Peace Information Service’ në vitin 2013 detajojnë importin ilegal të armëve nga Zimbabve në Mal të Zi përderisa raportimet në shtypin malazez në vitin 2012 flisnin se marrëveshje të dyshimta mund të jenë arritur nga MDI për të shitur armë në Siri dhe Libi.

Firma ka mohuar fuqishëm këto akuza, duke thënë se dokumentet janë të falsifikuara. Por me konfliktet që po shpërthejnë në Lindje të Mesme- përfshirë Libinë, Jemenin, Sirinë dhe Irakun- është koha e përshtatshme për dilerët e armëve, sidomos atyre në Ballkan dhe Evropën Lindore.

Eksperti i armëve Aleksandar Radiq tha për BIRN se këto firma kishin qasje në llojet e pajisjeve të nevojshme në zona të tilla të luftimeve.

“Shtetet e Lindjes së Mesme shpesh kanë nevojë për burime të lira të sasive të mëdha të armëve të dobishme për t’i pajisur njësitet me aftësi të limituara. Këto lloje të armëve vijnë nga Ballkani dhe Evropa Lindore”, tha ai.

Dilerë të armëve thanë për BIRN se firmat perëndimore u larguan nga furnizimi me armë të vogla për këto konflikte kundërthënëse, duke lënë bizneset nga Ballkani dhe shtetet ish- sovjetike t’i mbajnë linjat e furnizimit.

Deputeti opozitar malazez, Velizar Kaludjerovic, bëri thirrje që të gjeturat e BIRN-it të hetohen nga komisioni parlamentari sigurisë dhe mbrojtjes, anëtar i të cilit është ai vetë.

“Çështja e kontrabandës me armë nga Mali i Zi duhet të hetohet thellësisht sepse afera e fundit është vetëm njëra nga shumë të tilla në 10 vitet e fundit”, tha ai.

“Është koha të largohen ose të konfirmohen dyshimet rreth veprimit ilegal”, u shpreh ai.

Kërkesa e Rabinit

Kreu i komunitetit hebre në Mal të Zi pa dashur ka qenë i zhytur në rrëfimin prapa shitjes së MDI-së dhe lidhjeve të saj me Serge Muller.

Jasa Alfandari ndoqi nënshkrimin e kontratës së shitjes më 4 mars pasi Ambasada e Izraelit refuzoi ta dërgojë një përfaqësues për ta shënuar investimin e kompanisë nga Tel Avivi, ATL Atlantic Technology, në Mal të Zi.

“Unë pyeta pse duhet të shkoj në ceremoni dhe ata (MDI) më thanë se kështu ka insistuar kompania izraelite”, tha kreu i komunitetit hebre në Mal të Zi, që i numëron rreth 100 anëtarë.

Ngjarja kaloi pa incidente dhe vetëm pas dy javësh Alfandari zbuloi se Muller, të cilin nuk e kishte takuar asnjëherë më parë, qe arrestuar vetëm pak orë pas ceremonisë.

Lajmin ai e mori në një letër nga shefi i rabinëve të qytetit izraelit Eliat, rabini Yosef Hecht, i cili kërkoi nga Alfandari që ta ndihmojë Mullerin ta vëzhgojë festivalin hebre të Pashkëve që filloi të premten e 3 prillit dhe mbaroi më 11 prill të këtij viti.

Kush është Serge Muller?

Serge Muller bëri emër në biznesin e diamanteve në Belgjikë, duke iu bashkuar kompanisë së familjes së tij S. Muller and Sons Diamonds NV, një firmë e famshme në Antverpen, dekada më parë.
Për vite të tëra ai u morr me biznesin e diamanteve anekënd botës-nga Kanadaja në Afrikën e Jugut- duke krijuar pasuri të konsiderueshme dhe një rrjet ndërkombëtar të kompanive.

Kompania e tij më e njohur, Rex Mining, ishte inkorporuar në vitin 1990 në Kanada, me një licensë për të tregtuar diamante në Belgjikë dhe aksione në Afrikë të Jugut dhe Sierra Leone, një vend i njohur për të ashtuquajturin ‘diamante të gjakut’- xhevahirët e tregtuar ilegalisht për armë të destinuara për përdorim të luftërat brutale civile.

“Ne asnjëherë nuk kemi bërë ndonjë lidhje direkte ndërmjet Mullerit dhe ‘diamanteve të gjakut’”, tha për BIRN gazetari belg dhe bashkëautori i librit ‘Diamanti i Zi’, Salvatore di Rosa, i cili hulumtoi tregtinë ilegale të gurëve të çmuar.

Por Di Rosa shtoi se me gjasë Muller, ndoshta pavullnetshëm, kishte “bërë biznes me njerëz që merreshin me to”.

Ishte marrëveshja e arritur në Sierra Leone ajo që e solli Mullerin në vëmendje të botës.

Roli i Mullerit në tregtinë e vrazhdë të diamantit në Sierra Leone është dokumentuar në “The Heart of the Matter” (Thelbi i Problemit), një raport i bërë nga OJQ ‘Partneriteti Afrikë- Kanada’ i cili solli në vëmendje çështjen e diamanteve të përgjakur për herë të parë në vitin 2000. Sipas raportit, Rex Mining punuan buzë biznesit të diamantit, duke ofruar një ‘element anarkik’ në këtë industri.

Muller gjithashtu ishte i përfshirë në furnizimin me armë në Sierra Leone. Në vitin 1998, ai shiti motorë, pjesë dhe municion për helikopterin e vetëm luftarak shtetëror, të cilin qeveria e përdori për ta luftuar Frontin e Bashkuar Revolucionar (RUF), armatën rebele të Sierra Leones, në një luftë 11 vjeçare që nga viti 1991 deri në 2002.

Ai është cituar në një artikull të Washington Post të botuar në vitin 1999 të ketë thënë se “marrëveshjet e armëve nuk kishin lidhje me aktivitetet e Rex Mining”.

Por besohet gjerësisht se puna e armëve ishte e lidhur me koncesionet në fushat e diamantit në Zimmi dhe Tongo.

Sipas raporteve vjetore të Rex Mining, të cilat ende mund të gjenden në ueb-sajt, lufta solli probleme të mëdha të sigurisë për aktivitetet minerare të firmës. Pastaj në vitet 2003 dhe 2004, qeveria e Sierra Leones anuloi marrëveshjet e qirasë duke thënë se Rex Mining nuk i është përmbajtur kushteve të marrëveshjes origjinale.

Muller dështoi që ta informojë hisedarin e vet kanadez me problemet rreth licensës dhe, në vitin 2009, Ontario Securities Commission e urdhëroi atë që të japë dorëheqje nga Rex Mining për një periudhë 10 vjeçare dhe t’i paguajë shpenzimet e gjykatës në shumë prej 40 mijë dollarëve kanadezë.

Ai u kthye në Sierra Leone në vitin 2012, përderisa vendi po ziente nga zgjedhjet, përsëri për ta furnizuar qeverinë me armatim.

Një nga kompanitë tjera të tij në Sierra Leone, Amylam, i shiti armë kineze në vlerë prej 5 milionë dollarëve amerikanë strukturave policore paramilitare- Divizionit të Shërbimeve Operacionale.

Marrëveshja ngriti shqetësime nëse armët do të përdoreshin për ta siguruar fitoren në zgjedhje për Presidentin Ernest Bai Koroma dhe nxiti kritika nga OKB, sado që ajo nuk ishte e paligjshme.

Amylam ishte gjithashtu e përfshirë në një rast gjyqësor ne Afrikë të Jugut për shkak të dyshimeve për cilësitë dobët të armëve.

Ortaku i tij në biznes, Petar Crnogorac, tha për BIRN se para se të arrestohej në Mal të Zi, ai është marrë në pyetje nga Agjencia e SHBA-ve Kundër Drogave dhe policia belge.

“Avokatët e tij na thanë se z. Muller ishte intervistuar nga policia belge në shtëpinë e tij në Zvicër në gusht të vitit 2012 kur ai dha informata të detajuara rreth të gjitha aktiviteteve profesionale”, tha ai.

“Gjithashtu, me vullnetin e tij, ai shkoi në ShBA për t’u intervistuar nga agjenti special Michael Menzer nga Administrata Kundër Drogave”.

Dokumentet e gjykatës nga Belgjika të siguruara nga Salvatore di Rosa tregojnë se firma e Muller, Rex Mining, ishte e lidhur me një rast të madh të dyshimtë të kontrabandës me kokainë.
Trafikantët e dyshuar ishin liruar nga apeli, por Muller ishte listuar si një “palë e interesuar” dhe doli që policia gjeti një diamant rozë 10 karatësh me vlerë rreth 500 mijë euro në një vend të sigurt të lidhur me grupin.

Gjithashtu doli se Muller i huazoi anëtarit drejtues të grupit, i emëruar si Bruno M., një shumë prej 1 milion euro.

Muller ishte poashtu i njohur për sponsorimin e Diamond Bullet, një çmim letrar flaman për romanin më të mirë kriminal në gjuhën holandeze.

Rrëfimi i tij mund të jetë temë për shumë shkrimtarë që ai i ka ndihmuar për t’i promovuar veprat e tyre në dekadën e fundit.

Kthesa e fundit në përrallën e tij reale të jetës mbetet e pashkruar.