Ministria e Mjedisit Nuk Mban Premtimin

Premtimet e Naser Bajraktarit, drejtorit të Departamentit të Ujërave në Ministrinë e Mjedisit të dhëna në muajin nëntor në emisionin “Drejtësia në Kosovë” dhe “Jeta në Kosovë”, nuk janë përmbushur.

Drejtori i Departamentit të Ujërave në këtë Ministri, Naser Bajraktari, pati deklaruar se që në fillim të janarit ata do t`i kenë të gatshme të gjitha të dhënat rreth të hyrave dhe borxheve që  shfrytëzuesit e resurseve ujore i kanë ndaj shtetit.

Në nëntor, drejtori i Departamentit të Ujërave, Naser Bajraktari, sekretari Arben Çitaku dhe ministri Dardan Gashi, që të tre kanë dhënë shifra të ndryshme për shumën totale të borxheve.

Këto borxhe sipas deklaratave të dhëna në nëntor të vitit të kaluar mund të kapnin shifrën prej mbi dy milionë eurosh.

Por Ministria e Mjedisit, tash në muajin mars, në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë thotë se ende nuk dihet vlera e saktë e borxhit që kanë shfrytëzuesit e ujit në Kosovë.

“Shifra e mundshme mbi 2 milion euro, mund të jetë e paramenduar së bashku me ambalazhuesit e ujërave, meqë shifra për ta ende nuk dihet. Për shumën që do të ngarkohen kompanitë ambalazhuese, MMPH në bashkëpunim me MZHE, MF dhe ATK  është duke i kalkuluar shifrat për deklarim”, thotë Fadil Maxhuni, zyrtat për informim në këtë ministri.

Përveç që nuk dihet vlera e saktë e borxhit për të gjithë shfrytëzuesit kjo ministri tash në mars demanton deklarimet e bëra në muajin nëntor lidhur me shumën e deklaruar të borxhit nga Naser Bajraktari, drejtor i Ujërave në këtë ministri.

Bajraktari pati deklaruar se në arkën e shtetit që nga viti 2007 e deri më tani janë paguar rreth 800 mijë euro nga shfrytëzuesit e ujërave.

“…ka qenë një deklaratë e gabuar, pasiqë deri më tani janë paguar rreth 280,465.14 euro”, thotë Fadil Maxhuni, shef i Zyrës për Informim në Ministri të Mjedisit.

 “…nuk përjashtohet mundësia e ndonjë llapsusi në prononcim, apo i keqkuptuar ose ngatërruar me shifrën e obligimeve financiare të cilat janë 823.092.53”, shton Maxhuni.

Sipas tij nga vitit 2007 deri më 2014 janë inkasuar 823 mijë euro por deri më tash janë paguar vetëm 280 mijë euro ndërsa borxhe llogariten të jenë edhe mbi 542 mijë euro.

Po ashtu Ministria e Mjedisit, gjegjësisht Departamenti i Ujërave, nuk ka të dhëna as tani, sikurse në muajin nëntor të vitit të kaluar, se sa është numri i shfrytëzuese të resurseve ujore.

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, tani ish-ministri Dardan Gashi, pati deklaruar se në bazë të ligjit për ujëra, në Kosovë numri i shfrytëzuesve që duhet të pajisen me leje ujore është me qindra mijëra.
Sipas Ligjit të Ujërave, neni 110, paragrafi 1 obligohen që 6 muaj pas miratimit të ligjit të gjitha kompanitë në Kosovë duhet t`i paraqesin kërkesë Ministrisë për fitimin e lejes ujore.

Mirëpo, Depertamenti i Ujërave në këtë Ministri nuk ka arritur t`i japë as 200 leje ujore, edhe pse kanë kaluar dy vite që kur ka hyrë në fuqi ligji i ri për ujërat.
Njëjtë sikurse në muajin nëntor edhe sot përgjigjja e zyrtarëve të MMPH-së është se kanë dhënë leje ujore aq sa kanë kërkuar operatorët ekonomik.

“Pjesërisht është i përmbushur, sepse çdo ditë kjo shifër/përqindje mund të lëvizë. Leje ujore kemi lëshuar aq sa janë kërkuar nga të interesuarit e të cilat kanë plotësuar kriteret e parapara”, thuhet në përgjigje të MMPH-së.