Ambasadori Holandez Hedh Dyshime Mbi Tenderin për “Kosova C”

Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka ngritur dyshime rreth rregullave tenderuese të projektit kosovar të energjisë “Kosova C”.

Bosch i cili ka punuar si shef i prokurimit në një ministri në Holandë, dhe i ka përcjellë trajnimet e Bankës Botërore për prokurim në Uashington, tha për KALLXO.com se nuk është në praktike të BB-së që të përdorë tenderë njëburimorë qysh në raundin e parë.

“Tenderimi njëburimor nuk ka qenë i mundur në bazë të rregullave të Bankës Botërore, përveç në raste të jashtëzakonshme kur është përsëritur tenderi i njëjtë”, tha Bosch për KALLXO.com.

“Ky tender si i tillë, si është publikuar tash, nuk ka qenë në tenderim më parë, sa jam unë në dijeni”, u shpreh ai.

Gazeta Jeta në Kosovë publikoi një hulumtim rreth vendimit të qeverisë së Kosovës për të ecur shpejt përpara drejt ndërtimit të termocentralit të ri të qymyrit të nisur që nga viti 2005.

http://gazetajnk.com/?cid=1%2C986%2C9581

Hulumtimi thotë se pas dhjetë vjetëve të humbur prej se nisi ky projekt Qeveria po përpiqet ta arsyetojë edhe përfundimin e procesit me vetëm një ofertë të dorëzuar, ndonëse Ligji i Prokurimit kërkon konkurrencë në tenderët publikë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka thënë se ka shfrytëzuar procedurat e Prokurimit të Bankës Botërore, e cila lejon një gjë të tillë, ndërsa Banka Botërore është shprehur se procedura ka shkuar me prokurim të Kosovës.