Shkumbin Gashi- Njeriu Politik i Tenderëve

Gazmend Muhaxheri kishte ardhur në pushtet duke akuzuar ish-pushtetin e asaj kohe në Pejë se i kishte shkaktuar dëme të mëdha komunës me keqpërdorimet me tenderë.  

“Këta me tenderë kanë bo dame të mëdha dhe nuk i kanë kryer punët qysh duhet” kishte deklaruar Gazmend Muhaxheri në debatin parazgjedhor ‘Jeta në Kosovë’.

Por  vetëm dhjetë muaj pasi Muhaxheri erdhi në pushtet, ai i harroi akuzat që ia kishte bërë pushtetit të kaluar dhe përveshi mëngët duke vepruar pothuajse njëjtë.

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë” zbuloi se Muhaxheri vendosi kontroll politik mbi zyrën e prokurimit duke punësuar aty njerëz të partisë së tij.

Ai këtë kontroll arriti ta realizojë duke emëruar si kryetar dhe anëtarë të komisioneve vlerësuese nënkryetarin e komunës dhe nënkryetarin e degës së LDK-së në Pejë, Shkumbin Gashin. 

Anëtari i rëndësishëm i LDK-së u bë pjesë e komisioneve vlerësuese në shtatë tenderë komunalë.

Ky veprim i krerëve të pushtetit lokal në Pejë paraqet shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ligji i Prokurimit i cili rregullon procedurat të cilat duhet ndjekur  gjatë shpenzimit të parasë publike, nuk lejon që zyrtarë politikë të përfshihen në procesin e vlerësimit të tenderëve, fazë kjo e rëndësishme e prokurimit në të cilin vlerësohet nëse kompania tenderuese i ka plotësuar ose jo kriteret e tenderit.

Këto komisione caktohen nga menaxheri i prokurimit në konsultim me kreun e komunës.

Gazmend Muhaxheri i konfirmoi emisionit “Drejtësia në Kosovë” se ai vetë e ka emëruar Gashin në pozitën e kryetarit dhe anëtarit të komisionit vlerësues  dhe se ky emërim sipas Muhaxheri nuk mund të shihet si ndërhyrje e politikës në procesin e tenderimit.

“Jo në asnjë moment nuk ka pasë ndërhyrje politike. Jemi mundu mos me i  leju procedurat  që kanë vazhduar. Jemi mundu me i ndal praktikat e vjetra”, thotë Muhaxheri.

Por Avdyl Islami, ekspert i prokurimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik në një prononcim për emisionin “Drejtësia në Kosovë” ka thënë se  stafi politik nuk mund të emërohet në komisione të vlerësimit të tenderëve.

“Stafi politik nuk mund të emërohen në Komisione për arsye se ata konsiderohen zyrtarë me autorizime të posaçme dhe ka mundësi dyshimi se mund të kenë ndikim te anëtarët tjerë në vendimmarrje”, tha Avdyli.

E kur Muhaxheri u sfidua me faktin se  vendimi i tij për ta emëruar Gashin në komisionet vlerësuese mund të ishte në kundërshtim me ligjin, Muhaxheri nuk u duk shumë i shqetësuar.

“Nuk e kam këtë informatë se është shkelje e ligjit. Nuk e kemi shkelë livadhin… Kemi bërë një shkelje procedurale”, ka deklaruar Muhaxheri.

Megjithatë, Muhaxheri gjatë intervistës pranoi se dikush nga stafi i tij e kishte këshilluar që të mos e emëronte Gashin në komisionet tjera të tenderimit për shkak se mund të vlerësohej si ndërhyrje e politikës në tender.

“Ndërkohë është tërhequr vërejtja se nuk bën me qenë i emëruar politik, duhet të jetë dikush tjetër dhe atëherë janë caktuar  zyrtarët administrativë që marrin pjesë në procesin e prokurimit, ndërsa  Shkumbin Gashi do i mbikëqyrë procedurat e prokurimit”,tha Muhaxheri. 

E Gashi nuk deshi ta komentojë veprimin e tij.  Ai i tha se se për këtë çështje do të deklarohet kryetari i komunës.

Reagimi i opozitës

E zyrtarët e opozitës në Pejë përfshirjen e Gashit në komisionet vlerësuese e shohin si ndërhyrje të politikës në tenderë.

“Mendoj se nuk është mirë. Është shkelje e cila duhet të ndërpritet, ka ndërhyrje të plotë në proces të prokurimit. De fakto kriteret e vlerësimit janë duke u caktuar në baza partiake”, thotë Iliriana Gafurri asambliste e AAK-së.

Veprimi i Muhaxherit vlerësohet i kundërligjshëm edhe nga ish-drejtori i Shërbimeve Publike dhe tani asamblisti i AAK-së Naim Sahitaj.  

“Është shkelje ligjore dhe na befason sjellja e kryetarit, për ne është një gabim i rëndë për shkak se të emëruarit politikë nuk guxojnë të jenë në komisionet  e  vlerësimit të tenderëve”. 

Ai tutje shton se duhet të vazhdohet me procedura të hetimit të kësaj lënde nga ana e prokurorisë.

Kur është fjala për hetimet  e kësaj lënde, ngjashëm mendon edhe Lëvizja “Vetëvendosje”.

“Është ndërhyre e politikës dhe duhet të vazhdohet procedura në prokurori dhe në gjykatë”, thotë Mevlude Idrizi asambliste e AAK-së 

Lista e tenderëve ku Shkumbin Gashi ka marrë pjesë në vlerësim:

Tenderi i sigurimit fizik të objekteve të komunës.

Vlera: 188 mijë euro.

Kryetar i komisionit: Shkumbin Gashi.

Tenderi për asfaltimin e rrugëve: “Halil Caka”, “Lumi Surdulli”, “Shote Galica”, “Nora Kelmendi”

Vlera: 46 mijë e 295 euro.

Kryetar i komisionit: Shkumbin Gashi.

Tenderi për asfaltimin e rrugës në Fshatin Zllopek

Vlera: 41 mijë e 958 euro.

Anëtar i komisionit: Shkumbin Gashi.

Tenderi për asfaltimin dhe kubëzimin e disa rrugëve në Bashkësinë Lokale “Dardania”.

Vlera: 53 mijë e 607 euro.

Anëtar i komisionit: Shkumbin Gashi.

Tenderi për dhënien me qira të objekteve në kuadër të Komunës së Pejës

Anëtar i komisionit: Shkumbin Gashi.

Tenderi për asfaltimin për ndërtimin e rrugëve “Ahmet Shala”, “Papa Kristi Negovani”, “Selim Ukshini” dhe “Ali Hysi”

Vlera  43 mijë e 839 euro.

Anëtar i komisionit: Shkumbin Gashi

Tenderi për Asfaltimin e  rrugëve “Qerim Begu”, “Ardian Kelmendi”, “Demë Pozhari” dhe “Tefik Çanga”.

Vlera  48 mijë e  375 euro.

Anëtar i komisionit Shkumbin Gashi.