Vendimi i AKP-së Shqetëson INA-n

“INA Zagreb” ka reaguar ndaj vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit që dha me qira pompat e karburanteve të naftës të ndërtuara nga kjo kompani kroate. 

Ata thonë se ky vendim për ta ishte i papritur. 

Marina Burazer nga Zyra për Media e “INA Zagreb-it” tha për Gazetën Jeta në Kosovë  se Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk e kishte njoftuar kompaninë kroate para se të merrte këtë vendim.

Burazer, thotë se u njoftuan përmes medieve dhe se ende as nuk e dinë se kush janë menaxhuesit e rinj që veprojnë në pronat e tyre.

Sipas “INA Zagreb-it”, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vepruar “krye në vete” me dhënien me qira të këtyre pompave, pasi ato janë kontestuese.

“ INA i ka dërguar një letër Agjencisë  duke shprehur pakënaqësi për shkak se bëhet fjalë për stacionet për të cilat ka rast gjyqësor që nëntë vjet”, tha  Marina Burazer.

Ajo tha se “INA Zagreb” ende nuk ka përgjigje nga AKP-ja.

“Në bazë të tenderit publik, u nënshkrua një marrëveshje qiraje me Grupin ‘API’, ku ‘INA’ nuk është njoftuar zyrtarisht”, përfundoi Burazer.

Ajo nuk deshi që ta bëjë publike letrën të cilën e ka dërguar në AKP.

“Kjo letër është sekrete dhe nuk dëshirojmë që ne ta bëjmë publike”, shtoi ajo.

Agjencia Kosovare e Privatizimit tha se atyre u ka ardhur një letër interesimi nga “Ina” në lidhje me lëshimin e pikave të karburanteve.

Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun në AKP, tha se përkundër kësaj Agjencia është  e autorizuar të menaxhojë asetet në pronësi shoqërore.

Kaloshi përmendi edhe ankesën e INA-s dërguar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme nëpërmjet së cilës kërkon që të njihet si titullare e pompave të derivate të naftës që i ka ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë. Këtë kërkesë INA e ka dorëzuar në vitin 2005, por ende nuk është marrë një vendim nga ky organ gjyqësor.

“Mirëpo, AKP-ja në bazë të ligjit, neni 5.1, është e autorizuar që të administrojë këto asete në pronësi shoqërore deri në një vendim të Dhomës të Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, tha Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP.

“IP-KOS” shfrytëzon tash pompat e “INA Zagreb-it” 

Më 28 maj  të viti 2014, pas një heshtjeje dhe mosveprimi të gjatë, Agjencia shpalli tenderin e hapur për 10 pika të uzurpuara deri atëherë nga “Kosova Petroli”.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes një procesi konkurrues dhe të hapur përmes ankandit publik ka lëshuar me qira 10 pika të karburanteve në pronësi shoqërore”, tha Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së. 

Vendimi për lëshimin e tyre me qira është marrë me datën  31 tetor  të vitit 2013 nga Bordi i Drejtorëve të kësaj agjencie.

Hapja e ofertave është bërë me datën katër qershor, ndërsa me 28 tetor dhe mesin e 117 konkurrentëve është shpallur fituese kompania “IP – KOS” sh.p.k që është përfaqësuese në tregun e Kosovës e kompanisë italiane “IP Gruppo API”.

Kjo kompani do të paguajë mbi 51 mijë euro në muaj për shfrytëzimin e këtyre pompave dhe do t’i shfrytëzojë ato për gjashtë muaj me mundësi vazhdimi. 

“Shfrytëzuesi jolegjitim [Kosova Petrol] është njoftuar për ankandin publik dhe nga ai është kërkuar të largohet dhe të lirojë asetet dhe gjësendet e tij”, tha Ylli Kaloshi.      

Kaloshi shtoi se Agjencia Kosovare e Privatizimit është në proces të lëshimit me qira edhe të pompave të tjera të derivateve deri në vendimin e ardhshëm të Bordit të Drejtorëve.

Pikat e dhëna me qira  nga AKP-ja deri më tash janë: Pika te Zona Industriale,  përballë fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë, Pika në Magjistralen Prishtinë-Podujevë, pranë Hotelit “Besiana” në Suharekë, qendra pranë stacionit të autobusëve në qendër të Prizrenit në dalje të qytetit , tani objekti i UNMIK-ut, Prishtinë, rruga e “Jonit” afër ATK-së, Prizren, rruga e Ferizajt afër “Bujanës” si dhe Ferizaj magjistralja Prishtinë – Ferizaj.

Kompania “IP- KOS”, e cila në tregun e Kosovës erdhi në fillim të këtij viti, thotë se “IP-KOS” ka kontratë  me kompaninë italiane te karburanteve dhe vajrave “IP Gruppo Api”.

Atyre  për themelimin e kësaj kompanie që të marrin besimin e Italianëve iu desh që të bashkohen tre biznesmenë që kanë biznese të ndryshme dhe të hapin një të përbashkët, “IP-KOS-in”.

“Mendoj kjo çështje është diskrecion ekskluzivisht i pronarëve pse kanë vendosur te themelojnë një kompani qe ka për veprimtari tregtinë me karburante. Kjo është një veprimtari e lejuar tregtare ne Kosove”, tha Bujar Shatri, drejtor në këtë kompani.

Shatri deri para pak kohësh ishte drejtor i Operacioneve të të Hyrave në Doganën e Kosovës.

Kjo kompani ka punësuar deri tani 39 punëtorë, ndërsa ka shpallur konkurs edhe për punëtorët e rinj.

Ndërsa lidhur me vendimin e AKP-së ka reaguar edhe kompania “Kosova Petrol” që i shfrytëzonte këto pompa deri më tash. 

“Kosova Petroli’ përmes një komunikate për media njoftoi se këto pompa i shfrytëzonte që nga janari i vitit 2000 dhe kjo i lejohej në bazë të një vendimi të UNMIK-ut.

” Gjatë kësaj periudhe 14 vjeçare, ‘Kosova Petroli’ ka bërë investime disamilonëshe dhe e ka siguruar pozicionimin e vet në tregun afarist të derivateve të naftës”, thuhet në komunikatë.

Ata gjithashtu thonë se të gjitha asetet që janë krijuar e që janë: objektet nga themeli të ndërtuara, mjetet e punës, vendet e punës dhe kryesorja që është tregu afarist që të gjitha së bashku janë 80 % të aseteve të “Kosova Petrolit”.

“Kosova Petroli” nuk pretendon në pronën e tokës, e cila është ende e kontestueshme në mes të kompanive të jashtme dhe AKP-së, por ne theksojmë që asetet i takojnë “Kosova Petrolit”, thuhet më tutje në komunikatë.

Problemi në mes “INA Zagreb-it” dhe “Kosova Petrolit”

Ankesat e kompanisë kroate INA ndaj autoriteteve në Kosovë janë të vjetra që një dekadë e gjysmë.

Përveç kompanisë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë kroatë e  llogarisin “Kosova Petrolin” si uzurpator të pasurisë së tyre. 

Njëjtë e llogaritë edhe AKP-ja, e cila e përshkruan këtë ndërmarrje si okupues të pronës shoqërore në një raport ku pasqyrohen “asetet e uzurpuara nga individë, institucione lokale, institucione qendrore dhe institucione ndërkombëtare”. 

Raporti kallëzon për gjendjen e Ndërmarrjeve Shoqërore dhe është përpiluar në vitin 2011. Aty “Kosova Petrol” figuron 23 herë si okupues i pompave të INA-s në pika të ndryshme të vendit. 

Gazeta Jeta në Kosovë  në shkurt të vitit 2012, kishte zbuluar se dy njerëzit më të pushtetshëm të Kroacisë në vitin 2005 kishin kërkuar nga autoritetet kosovare kthimin e pompave të karburanteve të “INA-s”. 

Kërkesat e para shtatë vjetëve të ish-presidentit Stipe Mesiq dhe ish-kryeministrit Ivo Sanader nuk ishin zbatuar nga institucionet vendëse.

Bujar Dugolli, atëherë Ministër i Tregtisë dhe Industrisë pas vizitës së Mesiq-it në Kosovë, në korrik 2005, i kishte shkruar Joachim Ruecker-it, shefit të Shtyllës IV të UNMIK-ut dhe Jasper Dick-ut, drejtorit menaxhues të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), duke kërkuar që pompat e karburanteve të INA-s të mos shfrytëzoheshin më ilegalisht nga “Kosova Petroli”.

 Kjo, sipas Dugollit, vinte pas kërkesës së Mesiq-it. 

Pas këtyre shkëmbimeve, megjithatë, vetëm një mbledhje ishte mbajtur në bordin e AKM-së ku ishte folur për këtë temë. 

Bujar Dugolli, i cili atëherë ishte pjesë e këtij bordi, nuk ka dashur të komentojë tash rreth kësaj çështjeje. Por takimin ku është diskutuar për problemin e aseteve të INA’s e ka konfirmuar përfaqësuesi tjetër i Qeverisë së Kosovës në Bordin e AKM-së, Haki Shatri, ministër i Ekonomisë dhe Financave në atë kohë. 

“Vetëm një herë në korrik ose shtator të vitit 2005 është diskutuar kjo çështje në Bordin e AKM-së. Është folur për statusin e pazgjidhur të saj. Më nuk është diskutuar”, ka thënë Shatri, duke shtuar se nuk i kujtohen arsyet pse kjo temë më nuk është kthyer në rendin e ditës të agjencisë.

Më shumë rreth Kosova Petrol:

Mesic e Sanader Nuk e Lëkundën Kosova Petrol’in

Bedri Selmani Miliona Euro Borxh Shtetit

Aplikacione të Pasuksesshme të Biznesmenit të Fuqishëm

Shteti e Çon në Gjyq Kosova Petrol-in

Zvarritja e Shtetit Dështon Afatin e Kryerjes së Rrethrrotullimit

Punëtorët Kërkojnë Rrogat e Papaguara Nga Kosova Petrol-i