Vetëshpërblimet Milionëshe

Avdyl Hasani është kryesues i Bordit të Drejtorëve në “Hidromoravë”, ndërmarrjen publike të ujësjellësit në Gjilan.

Kjo ndërmarrje përgjatë viteve 2009-2012 nuk ka ndarë bonuse për bordin e drejtorëve për një arsye të thjeshtë.

“Duke i parë pasqyrat financiare të ndërmarrjes, qe sa vite tregojnë se jemi në humbje, nuk kemi mundur të ndajmë bonuse për bordin”, thotë Hasani për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Në vitin 2009, kjo ndërmarrje ka raportuar për humbje prej 77 mijë eurove, ndërsa në vitin 2010 raporton për humbje më të madhe që shkon deri në 86 mijë euro.

Në vitin 2011, “Hidromorava” raporton përsëri për humbje prej 352 mijë eurosh duke vazhduar në vitin 2012 me humbjen prej 385 mijë eurove.

Ai tha se që nga viti 2008 kur ai dhe anëtarët tjerë të bordit kanë marrë nën përgjegjësi ndërmarrjen, kjo e fundit ka arritur të stabilizohet duke ngritur përqindjen e inkasimit.

Hasani tha se bordi ka vendosur që të ngrejë pagën e punëtorëve për 50 euro në mënyrë lineare për të cilat janë paguar që nga korriku i kaluar.

Por ai shtoi se për këtë është bërë një marrëveshje me punëtorët që nëse nuk e kapërcejnë 70 për qindëshin e inkasimit, atëherë “kthehemi në gjendjen e mëparshme”, duke mos i paguar eurot shtesë të parapara.

Por, derisa anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrjeje rajonale janë shembull i mirë i dorëheqjes nga benefitet kur operohet me humbje, ngjashëm nuk veprohet edhe në Prishtinë.

Të dhënat për bonuse dhe kompensime tjera për bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike janë audituar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. 

ZAP-i ka analizuar rrjedhën e tyre për periudhën 2009-2012 dhe ka publikuar raportin në gusht të këtij viti. 

Auditorët kanë identifikuar tri borde të ndërmarrjeve publike që kanë përfituar më së shumti nga bonuset dhe kompensimet. 


Operimi dhe Bonuset përgjatë viteve 2009-2012 në Postë Telekomin e Kosovës.

PTK-Drejtorët e Pangopur me Bonuse 

Rekordin për vetë ndarje të bonuseve për vitet 2009-2012 e ka bordi pesëanëtarësh i ndërmarrjes publike, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës-  PTK. 

Përgjatë këtyre viteve anëtarët e bordit të drejtorëve u vetëshpërblyen me 385 mijë euro të cilat janë marrë si bonuse edhe përkundër performimit në rënie të korporatës publike të telekomit.

Bonuset merren dy herë në vit –në mars dhe dhjetor dhe miratohen nga Komisioni i Auditimit që përbëhet nga tre anëtarë bordi prej pesë sa janë gjithsej.

Po ashtu ky bord gjatë këtyre viteve ka  pranuar edhe 134 mijë e 132 euro tjera . Këto janë marrë si kompensim për angazhim nëpër komisione të auditimit.

Të gjitha këto para janë marrë jashtë pagës bazë që anëtarët e bordeve marrin nga Qeveria e Kosovës.  

Një kryetar bordi në kategorinë e parë paguhet 850 euro në muaj nga Ministria e Financave, ndërsa anëtarët paguhen  me nga 750 euro.

Sipas ZAP-it , drejtorët e  PTK-së për vitin 2009 kishin marrë 144 mijë euro bonuse e kompensime. Më 2010  kishin marrë  153 mijë e 609 euro. Shumën e ngjashme më 2010 e kishin marrë edhe më 2011.

Më 2012 Drejtorët e Bordit të PTK-së kishin marrë 127 mijë euro bonuse e kompensime. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar treguesit financiarë të PTK-së përgjatë viteve që janë marrë bonuset-2009-2012.

Raporti i vitit 2009 i publikuar në faqen zyrtare të PTK-së tregon se fitimi i pastër për këtë ndërmarrje ishte 44.3 milionë euro. 

Më 2010  fitimi ishte 33.3 milionë euro duke shënuar rënie për 11 milionë euro. 

Ngritje kishte pasur më 2011. Ndërmarrja kishte pasur fitim neto prej 46.1 milionë eurosh, ndërsa sërish rënie ishin shënuar më 2012.  Nga 46 milionë tashmë fitimi kishte rënë në 38. 3 milionë euro. 

Bordi i kësaj ndërmarrjeje kryesohet nga Rexhë Gjonbalaj një ish-këshilltar komunal në Pejë i Partisë Demokratike në pushtet. 

Ai ende nuk ka dhënë një përgjigje se pse Bordi i PTK-së mori qindra mijëra euro bonuse e kompensime përkundër performancës në rënie të korporatës.


Operimi dhe Bonuset përgjatë viteve 2009-2012 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

PTK-ja ndiqet nga Aeroporti e “Ibër-Lepenci” 

E dyta është Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP)-Kontrolli Ajror, që ka ndarë 174 mijë euro bonuse për gjashtë anëtarët e bordit nga 2009-2012. 

ANP-ja-Kontrolli Ajror ka raportuar fitim në vitin 2009 prej 10,2 milionë eurosh. 

Ndërkaq në vitin 2012, ANP-ja ka raportuar për herë të parë për humbje financiare prej 1.9 milionë eurosh.

ANP- Kontrolli Ajror ka raportuar humbje për shkak të barrës së pagesave të tokës së shpronësuar para koncesionimit të shërbimeve terminale nga konzorciumi turko- francez, Limak-Aeroports de Lyon.

Zyra e Auditorit ka zbuluar se gjatë shpërndarjes së bonuseve në vitin 2010 ka pasur edhe shkelje të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

ANP-Kontrolli Ajror, ku aksionar është qeveria e vendit, për vitin 2010 ka shpërndarë bonuse në vlerë prej 56,000 eurosh. 

Por  një pjesë e tyre- 27 mijë e 500 euro- është marrë si bonus nga Bordi i Drejtorëve, pa përfunduar ende viti financiar 2010.

ANP-ja nuk është përgjigjur po ashtu në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se pse kanë shkelur ligjin gjatë shpërndarjes së bonuseve. 

Bordi prej pesë anëtarësh i kësaj ndërmarrjeje kryesohet nga Bekim Jashari. 

E treta është ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci”,e cila për këto katër vjet ka ndarë bonuse në vlerën prej 159 mijë eurove.  

Ndryshe nga plani financiar, ku kjo ndërmarrje ka raportuar humbje për këto vite të njëjta, bordi i drejtorëve ka shpërblyer veten. 

Bordi i drejtorëve është shpërblyer me bonuse, përkundër shigjetës financiare që ka shënuar rënie. 

Më 2009 ndërmarrja ka raportuar humbje prej 3,5 milionë eurove,  ndërsa më 2010  ka raportuar fitim prej 2,3 milionëve.

Ndërmarrja me përgjegjësi të ujitjes së tokave në vend, në vitin 2011 ka raportuar sërish  humbje prej 3,9 milionë eurosh duke shkuar edhe më lart më 2012, me humbje prej 4,1 milionë eurosh.

Por bonuset për drejtorët e bordit nuk kanë munguar.

Në auditimin e “Ibër-Lepencit” ZAP-i ka gjetur se në periudhën 2010-2011 bonusi i përcaktuar sipas ligjit është tejkaluar për 5 mijë e 810 euro.

Për vitin 2010-11 është tejkaluar kufizimi i kompensimit në bazë të Ligjit të NP-ve për stimulimin e performancës për drejtorët deri në 100 për qind të honorarit themelor. 

Faton Gjyshinca, kryesues i Bordit të Drejtorëve në “Ibër Lepenc” tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kompensimet për bordin e drejtorëve janë bërë në pajtueshmëri me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

“Performansa e ndërmarrjes ka qenë pozitive për vitet përkatëse të bonuseve”, tha Gjyshinca për Gazetën Jeta në Kosovë.


Operimi dhe Bonuset përgjatë viteve 2009-2012 në Ibër Lepenc.

“Pa kritere për bonuse” 

Sipas ZAP-it, politikat e kompensimit të çdo ndërmarrjeje publike duhet të përcaktojnë kriteret që e mundësojnë matjen e performancës së Bordit të Drejtorëve. 

 “Kriteret e vendosura në shumicën e këtyre deklaratave për pagesat stimuluese janë pjesë e rregullt e punëve të cilat iu takojnë BD-ve dhe komisioneve të auditimit, të cilat duhet paguar sipas honorarit themelor dhe nuk duhet paguar edhe përmes bonuseve”, thotë raporti i auditorit të përgjithshëm. 

ZAP-i në raportin e tij thekson se nuk e ka bërë vlerësimin nëse NP-të kanë pasur të drejtë për të përfituar bonuset, në bazë të fitimit apo humbjes së periudhave audituese.

“Qëllimi i auditimit ishte bërë për të vlerësuar dhe analizuar sistemin e pagesave të bordeve të drejtorëve nëpër NP-të qendrore dhe dhënia e rekomandimeve për të ndihmuar në përmirësimin e sistemit të kompensimit”, thuhet në raport.

Auditorët kanë konkluduar se ndërmarrjet publike kanë hasur në vështirësi në hartimin e deklaratave dhe politikave të kompensimit përmes të cilës përfitohet e drejta në bonuse. 

“Sfida kryesore në hartimin e këtyre deklaratave është vendosja e kritereve përmes të cilave duhet të bëhet matja e performancës”, thuhet në raport. 

Auditori në raport paraqet se si anëtarët e bordeve të drejtorëve përveç angazhimit si anëtarë të rregullt të bordeve të NP-ve, kanë qenë pjesëmarrës në komisionet e auditimit në disa komitete tjera brenda një muaji. 

Edhe këtë vit auditori i përgjithshëm rekomandon qeverinë për emërimin e anëtarëve të rinj për bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve publike të cilëve iu ka skaduar mandati që më shumë se dy vjet.

Qeveria e Kosovës mori vendim në dhjetor 2011 duke u vazhduar mandatin bordeve të drejtorëve deri në zgjedhjen e bordeve të reja.

Monitoruesit Shtetërorë të Pashpresë

Ramadan Sejdiu, zyra e të cilit monitoron ndërmarrjet publike thotë se bordet dhe ekzekutivet e ndërmarrjeve janë ‘familjarizuar’ mirë me njëra tjetrën, sa që këta kanë nevojë për më shumë punëtorë – që iu takon edhe me ligj – të kryejnë mbikqyrjen edhe më mirë.   

Kështu thotë Sejdiu duke iu referuar menjëherë raportit të zyres së auditorit të përgjithshëm e cila sivjet rekomandoi këtë njësi për më shumë mbikqyrje në Ndërmarrjet Publike (NP).

Sejdiu, i cili është në krye të njësisë që nga viti 2009, kur edhe u formua njësia me ligj, thekson se raporti i auditorit është më i besueshmi – në raportimet për përformansën e ndërmarrjeve publike.

Në zyren e tij në ministrinë e zhvillimit ekonomik, ai ka të gjitha raportet nga ndërmarrjet publike (NP) por që më shumë i beson vetëm raportit të auditorit të përgjithshëm për performansën e tyre operative ose financiare, shtoi ai. 

“Edhe auditorët e brendshëm të ndërmarrjeve nxjerrin raportet, por unë pres raportin e auditorit të përgjithshëm. Ne atë e marrim për bazë”, tha Sejdiu.      

Sejdiu thotë se njësia e tij do të ketë mbikqyrje më të madhe nëse punësohen më shumë njerëz. 

“Me rastin e themelimit të kësaj NJPMNP, qeveria me vendim më 2008 lejon 12 vende pune dhe në vend që tani pas 6 viteve ky numër i të punësuarve të shtohet në 20 ai kurrë nuk është miratuar për financim më shumë se 7 të punësuar. Sa për dijeni, kur NP-të ishin nën administrimin e ish AKM-së, për monitorimin e tyre angazhoheshin 25 staf lokal dhe 15 ndërkombëtar”, tha Sejdiu.