Yjet Nuk Shndrisin Më Mbi Grand

Ka vite që kur një nga pesë yjet e hotelit që simbolizonin luksin e kohës së komunizmit fikej e ndizej si pasojë e problemeve teknike. Ai yll simbolizonte edhe problemet e privatizimit të këtij hoteli që më vonë u rikthye si pronë e shtetit. 

Që nga java e kaluar asnjë nga këto yje nuk janë mbi katin e 13-të të Hotelit Grand, në brendësi të të cilit gjendet edhe apartamenti luksoz ku ka fjetur ish lideri i Jugosllavisë Josip Broz Tito, në të gjallë të tij. 

Kësisoj yjet e njërit ndër hotelet më të hershme në Kosovë janë hequr nga divizioni i turizmit që operon në kuadër të Ministrisë për Tregti e Industri.

Përgjegjësit kanë kërkuar nga të gjitha hotelet në vend që të aplikojnë për certifikatën e vlerësimit. 

Ky dokument është një vlerësim shtetëror për cilësinë që ofron një biznes hotelier dhe që përcakton se sa yje duhet të ketë një hotel. 

Por hoteli në qendër të Prishtinës për të cilin koha ka ecur mbrapa viteve të fundit, vendosi të mos aplikojë fare. 

Rrahim Fazliu, drejtor i hotelit i emëruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që e administron Grand-in,  tregon për arsyen se pse e bënë këtë. 

“Na thanë që ose të aplikojmë për certifikatë ose t’i largojmë yjet. Ne kemi vendosur për këtë të dytën pasi që kemi qenë të bindur se ata do t’i hiqnin dy apo tre yje”, tha Fazliu. 

MTI ende nuk ka dhënë një koment se a do ta kishte lejuar Grand-in të mbante ndonjë yll nëse do të kishte aplikuar.

Fazliu shtoi se hoteli mund t’i rikthejë yjet pasi që të futet në një proces privatizimit që do të sillte investime në Grand.

Hotel Grand Prishtina filloi punën më 5 shkurt 1980. Që nga atëherë, nuk ka pasur investime dhe tani është në nevojë për ndryshim në hotelin më të madh në vend ku sot edhe më të vegjlit i bëjnë konkurrencë të madhe.

Punëtorët e hotelit thonë se ky vend po i përngjan anijes Titanik dhe për çdo ditë e më shumë po fundoset. 

“Nuk jemi më pjesë e protokolleve shtetërore për të akomoduar mysafirë të veçantë”, thotë Arben Shala, recepsionisti i Grand Hotel Prishtina.

Në këtë hotel kanë fjetur me radhë kuadrot e ish-Jugosllavisë duke përfshirë edhe Mareshalin Tito. 

Pas luftës në Kosovës, aty kaloi natën edhe Kofi Anan, ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Diplomati i njohur anglez, Chris Patten po ashtu ishte akomoduar në këtë hotel me rastin e vizitës së tij në Kosovë në vitin 2004. Ai e pat vlerësuar Grand-in si ‘hotelin më të keq në botë’ dhe ‘pabesueshëm i zymtë’.


Ambienti brenda Grandit

AKP vendos për ritenderim të hotelit

Zhvillimin e Grand-it e pengoi edhe kontesti pronësor i krijuar tash e tetë vite nga një proces i dështuar privatizimi.

Më 10 gusht 2006, Hoteli Grand u privatizua dhe kaloi në pronësi të kompanisë kosovare “Unio Commerce” me drejtor Zylqif Berisha i cili pagoi 8,1 milionë euro për blerje të tij. 

Më 31 maj 2012, Agjencia Kosovare e Privatizimit mori vendim që t’i tërheqë aksionet e Berishës mbi asetet e “Hotel Grand” Sh.P.K për shkak se privatizuesi kishte dështuar t’i përmbushë obligimet nga Marrëveshja e Zotimit.

Sipas kësaj marrëveshje, privatizuesi ka pasur për obligim që të investojë 20,2 milionë euro dhe punësimin e 270 punëtorëve gjatë gjashtë muajve të parë dhe 540 të tjerë në fund të 12 muajve, të gjitha këto para 13 tetorit 2009. 

AKP thotë se Berisha  ka përmbushur vetëm 8.32  për qind të zotimit për investimit dhe vetëm 79.5 përqind të zotimit për punësim.

Berisha nuk u pajtua me vendimin  e Bordit të Drejtorëve të AKP-së dhe dorëzoi ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në aktgjykimin e Dhomës… të cilën e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, Berisha ishte arsyetuar se investimet nuk i kishte bërë për shkak të paqartësisë së pronës.

Selim Pacolli, vëllai i zëvendës kryeministrit në largim Behxhet Pacolli, me kompaninë “Mabetex” dhe Remzi Ejupi me kompaninë e tij “Eurokoha” pretendojnë që nga fillimi se kanë hise në Grand Hotel Prishtina.

Bazuar në këtë aktgjykim ata pretendojnë se janë pronarë të 60 për qind të aksioneve (40 përqind Pacolli dhe 20 për qind Ejupi) të hotelit.

Mirëpo, Dhoma e Posaçme me aktgjykimin e fundit, nuk i ka njohur si pronar Pacollin dhe Ejupin në Hotelin Grand. 

“Palët ndërhyrëse [Pacolli e Ejupi] nuk kanë pasur asnjë raport materialo-juridik me të paditurën (AKP) por vetëm një marrëveshje mirëkuptimi për blerjen e aksioneve me paditësin (Zelqif Berisha)” thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykimin e 17 korrikut 2014, Dhoma e Posaçme në Gjykatën Supreme në lidhje me AKP-në vendosi në favor të AKP-së e cila tërhoqi aksionet e pronarit të ri mbi asetet e hotelit.

Ylli Kaloshi, zyrtari i lartë për marrëdhënie me publikun në AKP, thotë se në një prej mbledhjeve të ardhshme të AKP-së pritet të vendoset lidhur me ri-tenderimin e Grand-it.

Ndërkohë biznesmeni Zylqif Berisha ende nuk ka dhënë një koment për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. 


Kur yjet ishin mbi Grand | Foto: Njomza Salihi

“Kam krijuar një Mini-Grand”

Përkundër kontestit pronësor të zhvilluar përgjatë viteve është lëvizur në kryerjen e disa punëve.

Në suitën presidenciale janë bërë disa renovime të vogla si ndërrimi i perdeve dhe disa dritave, por që ende mbetet shumë larg standardeve për të mirëpritur persona të rëndësishëm.

Suita presidenciale ka dy dhoma gjumi, të dyja të vogla, dhe në mes ka një dhomë pritje me pamje nga sheshi Zahir Pajaziti, dy banjo, në njërën me xhakuzi dhe kabinë dushi. 

Kapaku i ujëmbledhësit në banjon me xhakuzi është i tëri i ndryshkur. Dhe kjo është një nga gjërat që mund të vërehen lehtësisht nëpër dhomat e hotelit.

Kati i 12-të i hotelit, më i kërkuari nga mysafirët siç thotë stafi i hotelit – për shkak të pamjes që ofron – ka mbetur në gjysmë të renovimit e cila kishte filluar që nga viti 2006 kur ishte privatizuar hoteli.

Kuzhina e hotelit nuk funksionon por aktivizohet vetëm kur hoteli ka organizime, si mbrëmjet e maturës. Kuzhina duket larg standardeve dhe nuk është investuar në të.

Recepsionisti Arben Shala mban mend se në atë kohë të gjithë punëtorët e hotelit mbanin shpresa se me ardhjen e pronarit të ri, gjërat do të ecnin për së mbari.

Shumë renovime të premtuara janë ndaluar për shkak të kontestit pronësor që doli në mes.

“Me ardhjen e privatit, rrogat tona u përgjysmuan, nga 500 në 250 euro”, thotë ai duke shtuar se pas një kohe, për tetë muajt e fundit ata nuk kishin marrë rroga. 

Edhe në raportin e punës për vitin 2013 të Agjencisë Kosovare të Privatizimit përmendet se privatizuesi [Zylqif Berisha] nuk kishte paguar punëtorët për tetë muaj rresht. 

Berisha ende nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me këtë. 

Ndërkaq në ditën e vizitës ekipit të Gazetës Jeta në Kosovë, më 13 gusht, Shala tregoi se atë ditë hoteli kishte pesë mysafirë, katër nga Bosnja dhe një nga Franca.

Hoteli në katin e tretë kishte lëshuar dhomat e saj me qira për disa kompani vendore por edhe të huaja, si India Charter.

Ndërkohë drejtori Rrahim Fazliu i tha Gazetës Jeta në Kosovë se statusi i hotelit duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe të ndërmerren investimet. 

Fazliu tha se në vitin 2013 hoteli kishte fituar rreth 110 mijë euro të pastra. Ai shtoi se sivjet deri në korrik kanë pasur 1,300 fjetje, 27 mbrëmje të maturës dhe 10 dasma. 

“Kemi të hyrat vetanake që janë të mjaftueshme për rrogat e punëtorëve”, tha ai. “Kam krijuar një mini Grand”.

Prej se AKP ka marrë hotelin nën administrim direkt në maj 2012, shumë hapësira të hotelit në përdhesë janë lëshuar me qira. Aty është vendosur një pikë shitëse e PTK-së, disa butiqe e restorante, shtëpi mediale, shërbime ligjore e të kontabilitetit dhe në javën e kaluar është hapur një diskotekë e re.

Për vitin 2013, AKP-ja në raportin e punës për këtë vit të publikuar në faqen zyrtare, ka raportuar se nga qiradhënia e aseteve ka krijuar të hyra mujore në vlerë prej 33.097 euro dhe se ka nisur t’i paguajë punëtorët. 

Isa Rexha, 55 vjeç i cili u punësua në këtë hotel në vitin 1980 dhe punon si auditor i brendshëm, thotë se gjendja në këtë hotel është stabilizuar që nga marrja nën administrim të AKP-së.

Ai thotë se 92 punëtorë që punojnë për momentin marrin rrogat mesatare prej 300 euro dhe hoteli paguan me rregull pagesat e rrymës dhe të tjera.

“Puna po shkon mirë dhe rrogat i marrim më së largu me të pestin”, Rexha i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Pamja aktuale e hotelit është e zymtë, por Rexha shpreson se hotelit do t’i kthehet shkëlqimi i dikurshëm.


Ndoshta duke parë, “tollovinë” e krijuar në Grand, dikush është përkujdesur të shkruaj mbi yje “Hej – flej, flej”