Qielli i Ndaluar Pengon Fluturimet e Kosovës

Vetëm shpendët duke ndjekur instinktin natyral të gjetjes së rrugës më të shkurtër mund të hyjnë në Kosovë nga qielli i Serbisë. Aeroplanët-“zogjtë e hekurt” të ndërtuar nga njerëzit për të fluturuar, nuk e kanë këtë fat. 

Shteti fqinj nuk lejon shfrytëzimin e hapësirës së tij ajrore për fluturimet me destinacion ose nisje Prishtinën, pasi për arsye politike Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Sllatinë e konsideron të mbyllur. 

Kjo po zgjat qëndrimin në ajër të aeroplanëve dhe po mban të lartë çmimin e biletave për udhëtarët që me trafik ajror largohen nga kryeqyteti i Kosovës, ose kthehen aty. 

Remzi Ejupi, pronari i Agjencisë “Eurokoha” që dërgon kosovarët nëpër destinacione të ndryshme dhe i kthen ata në atdhe ankohet për këtë bllokim. 

“[Ndalimi] ndikon në çmim, në kohë”, thotë Ejupi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Bazuar në të dhënat e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës udhëtimi nga Vjena për në Prishtinë për ta shmangur hapësirën ajrore të Serbisë kalon në relacionin Hungari-Rumani-Bullgari-Maqedoni-Kosovë, duke zgjatur 30 minuta dhe 376 kilometra më shumë. 

Para shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi fluturimet nga kryeqyteti austriak drejt atij kosovar bëheshin nëpërmjet korridorit ajror që kalonte nëpër ish-republikat e shtetit të përbashkët Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kosovë e Maqedoni. 

Mbyllja e hapësirës ajrore të Serbisë për Kosovën po i shkakton telashe edhe kompanisë sllovene “Adria Airways” që mban linjën e përditshme Lubljanë-Prishtinë. Aeroplanët e saj kalojnë nëpër Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni për të mbërritur në Kosovë. 

“Natyrisht se shpenzimet janë më të mëdha. Duhet të fluturojmë për 20 minuta më shumë dhe përafërsisht mund të them se diku 20 për qind më lirë do të ishte bileta po qe se mund të fluturojmë nëpër Serbi”, thotë Besnik Dalipi, përfaqësues i “Adria-s” për Kosovë. 

Kjo kompani aktualisht një biletë vajtje-ardhje në relacionin Ljubljanë-Prishtinë e shet për një shume prej rreth 230 eurosh. Për rreth 40 euro do të ishte më e lirë bileta nëse korridoret me Serbinë do të ishin të hapura.

Ndërkaq sipas Marrëveshjes së Kumanovës të nënshkruar mes NATO-s dhe ushtrisë serbe më 9 qershor 1999, përgjegjëse për hapësirën ajrore të Kosovës është aleanca veri-atlantike. 

Marrëveshja shpjegon se për arsye sigurie hapësira ajrore e Kosovës është mbyllur. 

“Për arsye të sigurisë, NATO ka mbyllur hapësirën ajrore të Kosovës, duke pezulluar të gjitha korridoret mbi Kosovën”, thuhet në marrëveshje. 

Marrëveshja ka lejuar vetëm dy korridore.

15 vjet pas saj, aeroplanët civilë dhe komercialë për të hyrë dhe dalë nga territori i shtetit më të ri të Evropës duhet të kalojnë vetëm nëpër dy korridore përmes Maqedonisë, njëri është korridor hyrës dhe tjetri dalës. 

NATO-ja ende nuk ka liruar për qarkullim katër korridoret tjera ajrore. Dy që e lidhin  Kosovën me Malin e Zi dhe dy me Shqipërinë. 

Zyra për informim e NATO-s ritheksoi se hapja e hapësirës së lartë të Kosovës është bërë e mundur përmes udhëheqjes së NATO-s në përpjekjet e saj për normalizimin e aviacionit në Ballkan dhe bashkëpunimit të shteteve fqinje dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror.

Kjo zyre tha se NATO aktualisht është duke bërë përpjekje për të përcaktuar një zgjidhje praktike për normalizimin e hapësirës së ulët dhe strukturave të linjave.

Sipas tyre, edhe ky normalizim do të sillte kursime të lëndës djegëse dhe efikasitet të rrjetit për rajonin e Ballkanit perëndimor.

“Në këtë pikë, është shumë herët të themi se kur do të ketë hapje të mëtejshme të korridoreve”, zyra për informim e NATO-s i tha Gazetës Jeta në Kosovë. 

Udhëtimi Tiranë-Prishtinë dyfish më i gjatë 

Kjo ka bërë që aeroplanët e linjës Tiranë-Prishtinë dhe anasjelltas në vend se ta kalojnë për 15 minuta distancën ajrore prej 176 kilometrash mes dy kryeqyteteve, këtë rrugë ta bëjnë për gjysmë ore. 
Rruga më e gjatë ka shtrenjtuar çmimin e biletave duke e bërë udhëtimin nëpër qiell të pakonkurrrueshëm me transportet tokësore. Vetëm kompania “Belle Air” që falimentoi në nëntor të vitit të shkuar, lidhte me urë ajrore dy kryeqendrat e shqiptarëve.  Kompania shfrytëzonte korridoret e lejuara nëpërmjet Maqedonisë.

”Udhëtimi Prishtinë – Tiranë duhet që mos të ketë taksa dhe qeveritë e të dyja vendeve duhen të punojnë në këtë drejtim. Biletat do të jenë më lirë”, thotë Remzi Ejupi. 

Drejtuesi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), Dritan Gjonbalaj, është optimist se korridoret tjera do të hapen shpejt, pasi thotë se ka marrë pjesë nëpër takime të ndryshme në selinë e NATO-s në Bruksel ku është diskutuar për hapësirën ajrore kosovare. 

“Hapja e këtyre korridoreve planifikohet të realizohet përmes iniciativës së NATO-s për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit (BANM)”, thotë Gjonbalaj. 

Por në një hulumtim të Institutit për Studime të Avancuara (GAP), të titulluar “Hapësira Ajrore e Kosovës-Jo Anashkalim” që u publikua në dhjetor 2008, disa muaj pasi vendi shpalli pavarësinë, hulumtuesit kërkonin angazhim të institucioneve kosovare për hapjen e korridoreve tjera që kalojnë nëpër vendin tonë dhe bisedime me NATO-n për transferim kompetencash të kontrollimit të hapësirës ajrore. 

Hulumtimi kishte ardhur në përfundim se për shkak të korridoreve të mbyllura dhe pengesave nga Serbia, fluturimet për Prishtinë zgjasin mesatarisht 30 minuta më shumë, ndërsa aeroplanët nga destinacione evropiane bëjnë 370 kilometra shtesë përgjatë rrugës së tyre të tërthortë drejt Kosovës. 

Kosova ende po plotëson standarde

Korridoret vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe kompetencat nuk janë bartuar te institucionet kosovare, ndërsa Gjonbalaj thotë se periudha kur hapësira ajrore e Kosovës po kontrollohet nga NATO-ja është duke u shfrytëzuar nga institucionet kosovare për plotësimin e standardeve ndërkombëtare të aviacionit. 

Përparim në këtë fushë gjeti edhe Raporti i Progresit për 2013-ën por konstatoi se ka ende moskompletim legjislacioni. 

“Ligji mbi Agjencinë për Shërbimet e Navigacionit Ajror nuk është miratuar ende nga Kuvendi i Kosovës. Në përgjithësi, përafrimi me acquis-in e BE-së për transportin ka vazhduar”, thekson raporti. 

Ligji u miratua më pas në Kuvend më 24 mars të vitit 2014. 

NATO-ja hap hapësirën e lartë

Përderisa mbesin të mbyllura disa korridore të hapësirës së ulët ajrore  që mundësojnë zbarkimin e aeroplanëve në aeroport ka lëvizje progresive vetëm sa i përket hapësirës së lartë që mundëson kalimin transit të aeroplanëve.

Gjashtë muaj pasi raporti i progresit për vitin e kaluar u bë publik, NATO-ja hapi për fluturime komerciale hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Hapësirë e lartë llogaritet kur kalohen më shumë se nëntë kilometra mbi nivelin e detit. 

Kjo hapësirë në të cilën fluturojnë  aeroplanët transit ishte e bllokuar nga viti 1999. 

Para se ta rihapte për trafik këtë hapësirë, aleanca veriatlantike në vitin 2012 ia besoi kontrollin e saj për pesë vjet organizatës hungareze “Hungaro Control”, duke hedhur poshtë interesimet e Shqipërisë, Maqedonisë, Italisë, Austrisë dhe Serbisë, e cila nuk u konsiderua zgjidhje e mundshme. 

“Hungaro Control-i” sipas marrëveshjes nuk do të përfitojë materialisht nga hapësira ajrore kosovare, pasi sipas ligjeve ndërkombëtare të aviacionit shtetet nuk paguhen pse aeroplanët shfrytëzojnë hapësirën e tyre, por vetëm mbulohet kostoja e shpenzimeve të ofruesit të navigacionit ajror. 

“Rihapja e hapësirës së lartë në Kosovë është një shembull domethënës për bashkëpunimin regjional dhe një hap i rëndësishëm që përfiton i tërë Ballkani Perëndimor”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ditën kur aleanca lejoi për fluturim qiellin kosovar më 3 prill të këtij viti. 

Aeroplani i parë që hyri në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës ishte i kompanisë “Saudia” të Arabisë Saudite që nisesj nga ky vend dhe shkonte për në Londër. 

“Eurocontrol-i”, organizata ndërqeveritare që ka 40 shtete anëtare dhe BE-në brenda saj, konstatoi se me “hapjen e qiellit” të Kosovës do të shkurtohen udhëtimet me aeroplanë. 

Dritan Gjonbalaj lirimin për qarkullim të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës, e sheh si shenjë të mirë edhe për hapjen e korridoreve ajrore që lidhin vendin me botën përmes shteteve fqinje. 

Gjonbalaj thekson se nuk ka vërejtur reagim negativ të Serbisë në takimin e dhjetë autoriteteve të aviacionit nga dhjetë shtete të rajonit që u mbajt në mars të këtij viti në Maqedoni. 

“Nuk kam vërejtë ndonjë refuzim apo kundërshtim nga ana e përfaqësuesve të Serbisë, por as përkrahje për hapjen e hapësirë së lartë”, thotë Gjonbalaj.