Dyshime për Blerje Të Kurdisura të Traktorëve

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) e Kosovës në emër të subvencionimit të bujqve ka kryer pagesa për blerjen e traktorëve në mënyrë të parregullt. 

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë që funksionon në kuadër të MBPZhR-së, në vitin 2013 për tre traktorë të së njëjtës markë të blerë nga e njëjta kompani ka paguar çmime të ndryshme.

Traktorët e tipit “Tumosan 77 KW”, janë blerë në kompaninë “Agro-Drinia” me bazë në fshatin Piranë të Prizrenit, pronar i së cilës është Fatmir Tulla.

Ndonëse çmimi real i një traktori të këtij tipi në këtë kompani shitet 30 mijë euro bazuar në verifikimet e bëra nga Gazeta Jeta në Kosovë, ministria e drejtuar nga Blerand Stavileci ka paguar për ta çmimin prej 32 mijë deri në 51 mijë euro. 

Gazeta ka siguruar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm faturat e traktorëve që “Agro-Drinia” i ka shitur Ministrisë së Bujqësisë, në bazë të kërkesës për qasje në dokumentet publike.

Në fatura shihet se traktori i markës së njëjtë i blerë me 19 nëntor 2013 kishte çmimin 36 mijë euro, tjetri traktor i shitur me datë 29 nëntor 2014 u shit me çmimin 32 mijë euro, kurse traktori me çmimin më të shtrenjtë është shitur m[ 2 dhjetor 2013 me çmimin 51.900 euro.

Traktori për të cilin Ministria e Bujqësisë kishte paguar 51 mijë e 900 euro sipas përshkrimit në faturë është i pajisur me kabinë dhe klimë- interkoler dhe ka garancion 12 muaj, por përshkrim nuk ka pasur në faturat e dy traktorëve tjerë.

Në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, thonë se deri te problemet kanë ardhur për shkak se nuk kanë pasur çmimore specifike për secilin lloj-markë të traktorëve. 

Drita Bislimi, zyrtare për autorizim të pagesave në AZhB, tha se kanë punuar në bazë të çmimores së brendshme e cila tregon vetëm limitet e agjencisë për pagesa, por jo edhe çmimin për secilin lloj të traktorëve.

“Në çmimoren tonë e kemi çmimin prej 19 mijë deri 51 mijë e 900. Ky është limiti jonë, por pa e specifiku për secilin markë dhe për secilin lloj se sa kushton”, tha Bislimi.

Bislimi tha se fatura të fryra kanë pasur vetëm me pagesat e para, pasi pas kontrollimeve të dyta kur i kanë vërejtur çmimet më të larta kanë filluar me procedura gjyqësore.

“Tash posedojmë listën e çmimeve, që quhet sistemi informativ i çmimeve të tregut e bërë nga një kompani private që ka kontratë me ministrinë për vitin 2013”, tha ajo.

Ndërsa Adil Behramaj, këshilltar politik për media i Ministrit Stavileci, tha se për shkak se fermerët janë pjesëmarrës me mjetet e tyre në bashkëfinancim, procedurat e blerjes me tender të hapur udhëhiqen prej fermerëve.

“Zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë e pranojnë secilën ofertë që u dorëzohet nga fermerët apo agrobizneset mbi të cilën ata deklarojnë se kanë bërë blerjen”, tha Behramaj.

Nehat Veliu, shef i Divizionit të Projekteve për Zhvillimin Rural, tha se AZhB-ja pas pranimit të projekt-propozimeve nga fermerët për një afat prej 45 ditësh,  bën vlerësimin e tyre dhe jep përgjigje pozitive ose negative.

Sipas tij, procedura tjetër është vlerësimi i drejtpërdrejtë i gjendjes në terren dhe nëse ka vlerësim pozitiv lëshohet njoftimi për fermerin fitues, të fillojë investimet.

“Fermeri pastaj bën kërkesën për pagesë. Pas marrjes se kërkesës për pagesë, kontrollohet fatura a është valide, inspektohet puna, mandej fatura përcillet te zyra e autorizimit të pagesave”, tha Nehat Veliu.

Ndërsa Fatmir Tulla, pronari i Kompanisë “Agro-Drinia”, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë, tha se “në tregti është dominante oferta dhe kërkesa”.

Tulla nuk tregon pse kompania e tij ka shitur të njëjtin lloj të traktorit me çmime të ndryshme por thotë se koha e shkurtër që kanë pasur në dispozicion fermerët i ka shtyrë të pranojnë ofertat e kompanisë së tij.

“Shumë prodhues të traktorëve nuk kanë pasur në llager (stok) të kësaj fuqie 77 KW, por me mundësi furnizimi 90 ditë e më shumë, çka nuk iu ka përshtatur fermerëve”, tha Fatmir Tulla.

“Kompania jonë ka ofertuar dhe furnizuar fermerët në procedurën e faturimit dhe dëshmisë mbi pagesën e qindpërqindttë nga ana e fermerit në llogarinë tonë bankare”, u shpreh ai.

Ndërkohë në raportin e auditorit shkruan se duke pranuar oferta me kosto të ndryshme për produktin e njëjtë, për Ministrinë zvogëlohet vlera (e arritur) për para dhe mund të rezultojë në marrëveshje të fshehtë dhe oferta mashtruese mes fermerëve dhe operatorëve ekonomikë.

Auditori i rekomandon ministrisë që të rishikohen politikat dhe kontrollet në proceset e miratimit të granteve në mënyrë që të sigurojë kontroll të arsyeshëm mbi të gjitha ofertat para se ato të pranohen.

AZhB-ja kërkon hetim për “Agro Drininë”

Më 26 shkurt 2014, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka bërë kërkesë në Administratën Tatimore të Kosovës që të bëhet hetim ndaj kompanisë “Agro Drinia”.

Adil Behramaj tha se të gjitha ato oferta të cilat janë në shpërputhje me çmimin e tregut adresohen ose në ATK, ose tek organet përkatëse për krime ekonomike për t’u hetuar.

“Ndërkaq fermerit apo agrobiznesit, granti investiv i ekzekutohet në përputhje me çmimin e tregut dhe jo mbi bazën e faturave apo ofertave të fryra që mund t’i sjellin”, tha Adil Behramaj.

Zyra për Informim e Ministrisë së Bujqësisë ka ofruar kërkesën me të cilin i është drejtuar Administratës Tatimore të Kosovës, për rastin e traktorit që është shitur 51 mijë e 900 euro.

Në këtë dokument thuhet se pas super-kontrollit nga Divizioni i Kontrollit me urdhër të kryeshefit ishte konstatuar se në hapësirat e pronës së njërit nga fermerët fitues të subvencionit nuk ndodhej traktori për të cilin ka marrë grant investiv nga AZhB-ja.

Raporti gjithashtu thotë se traktori i njëjtë është gjetur në njërën prej firmave si ofertuese, në këtë rast “Agri Bau”.

“Duke pasur parasysh dyshimet e bazuara, kërkojmë nga Administrata Tatimore e Kosovës, konform autoritetit tuaj që ndaj firmës ‘Agro-Drinia’ nga Prizreni dhe ‘Agri Bau’ me seli në Prishtinë të iniciohet hetim dhe të merren masat konform ligjit”, thuhet në letrën që kryeshefi Elhami Hajdari i ka dërguar ATK-së.

Valentina Bytyci- Sefa, zyrtare për komunikim me publikun në Administratën Tatimore të Kosovës, tha se pasi që e kanë pranuar kërkesën menjëherë kanë filluar ta trajtojnë këtë rast.

“Hetuesit tatimorë kanë pasur edhe takim me Kryeshefin e AZhB-së, ku e kemi njoftuar me hapat që janë ndjekur në këtë rast dhe kemi kërkuar bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe bashkëpunimi ka qenë i mirë”, tha ajo.

Naim Berisha zyrtar nga kompania “Agri-Bau” tha për Gazetën Jeta në Kosovë se AZhB-ja nuk ka pasur asnjë arsye që t`i bëjë thirrje ATK-së për hetim të kësaj kompanie. 

Sipas tij, traktori në fjalë dhe disa traktorë tjerë u janë shitur fermerëve dhe kompanive tjera.

“Për shitjen e mëtutjeshme nga këto kompani ne nuk kemi asnjë lloj  përgjegjësie”, tha ai.

Berisha tha se pas auditimit nga ATK-ja janë njoftuar se nuk është gjetur ndonjë parregullsi në kompaninë e tyre.

Ndërsa kompania Agro Drinia ende nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës për hetime nga tatimorët.