Shqetësimi i BE-së për Parregullsitë e Prokurimit në Kosovë

Projekti që peshon 2 milionë euro e gjysmë i Bashkimit Evropian për të ndihmuar institucionet kosovare të prokurimit ishte ndërprerë për një periudhë tremuajshe, zbulon Gazeta Jeta në Kosovë. 

Pezullimi i projektit “Përmirësimi i kapaciteteve administrative në fushën e prokurimit publik të Kosovës”, ishte bërë  në muajt shkurt, mars dhe prill. 

Drejtori i sektorit për bashkëpunim në zyrën e BE-së, Christof Stock i kishte dërguar një letër tre ministrave në largim për të ndërmarrë hapa për rregullimin e tri çështjeve që kishin të bënin me sistemin e prokurimit. Gazeta e posedon këtë letër.

Kërkesa e tij përfshinte emërimin e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, emërimin e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit si dhe miratimin e listës së artikujve që mund të bliheshin nëpërmjet tenderëve të centralizuar.

Në letrën e 29 janarit 2014, Stock kishte thënë se nëse qeveria nuk i adreson çështjet e kërkuara, atëherë “BE-ja do të nënkuptojë se Qeveria e Kosovës nuk është e përkushtuar për një sistem efikas dhe transparent të prokurimit publik”.

Stock në letër i ishte drejtuar ministrit në largim të financave Besim Beqajt dhe kishte mbajtur të njoftuar edhe  ministren në largim të Integrimeve Evropiane Vlora Çitakun dhe ushtruesin e detyrës së ministrit në largim të  Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikajn.

Por Zyra e BE-së në prill  të këtij viti  vendosi të shfuqizojë vendimin për pezullimin e projektit.

 “Në ndërkohë Kosova ka kompletuar bordin e OSHP-së dhe kemi pranuar zotime të forta nga ministri i Financave se edhe AQP-ja do të kompletohet”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së BE-së në Prishtinë dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.  

Zyra e BE-së thotë se është e zotuar për funksionim transparent dhe efikas të sistemit të prokurimit në Kosovë.

“Kjo është me rëndësi për zbatim të lehtë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe kjo është arsyeja se pse BE-ja vazhdimisht jep ekspertizën dhe këshillat e saj si dhe ndihmën teknike për autoritetet kosovare”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Zyra e BE-së. 

BE-ja që nga viti 2009 i ka zotuar 2,5 milionë euro fonde duke përkrahur autoritetet e prokurimit në Kosovë, si Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP), duke ofruar trajnime për stafin, trajnime për gazetarë, vetëdijësim publik dhe aftësimin e stafit të AQP-së për tenderë qendrorë.

Pas shtatë muajsh emërohet bordi i OShP-së

Gjatë kohës së pezullimit të projektit, anëtarët e OShP-së emërohen në mars të këtij viti- pas shtatë muajsh mungese. Qeveria e Kosovës i propozon emrat, ndërsa Kuvendi i Kosovës i voton. Herën e parë, më 19 shtator 2013, Kuvendi kishte votuar kundër propozimit të qeverisë.  

Më 26 mars, Kuvendi ka miratuar emrat për Bordin Drejtues të OShP-së duke riemëruar Hysni Hoxhën edhe për një mandat pesëvjeçar si kryetar i bordit.

Hoxha vjen nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai ishte asamblist në pushtetin lokal në Prizren i Partisë Demokratike në pushtet. Ai në një deklarim në emisionin Jeta në Kosovë në maj të vitit 2012 kishte thënë se është i pavarur në punën e tij dhe se partia nuk kishte ndikuar asnjëherë tek ai. 

Anëtarët tjerë të bordit janë emëruar:  Ekrem Salihu, Tefik Sylejmani, Vjollca Kurtishaj dhe Bajram Zogiani.

Pas emërimit të bordit të OShP-së, zyra e BE-së në Kosovë i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ishin të brengosur me zvarritjën e këtij procesi. 

“BE-ja është e brengosur rreth procesit të emërimit të anëtarëve të OShP-së dhe është për të ardhur keq që ky proces ka shkaktuar pezullim të gjatë të aktiviteteve të OShP-së, me efekte negative në proceset e tenderëve dhe ankesave të dorëzuara nga operatorët ekonomikë”, tha zyra e BE-së.

Mirëpo, Stock në letrën e tij kishte shprehur brengën se projekti 2,5 milionë euro duhej të shfrytëzohej në mënyrë sa më efikase nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka kërkuar që qeveria të emërojë edhe drejtorin e AQP-së dhe të përpilojë listën e artikujve që do të bliheshin nëpërmjet tenderëve të centralizuar.

Konkursi i dytë për drejtor të AQP-së është mbajtur më 11 mars 2014, por që ende nuk është emëruar askush. 

Në listën e ngushtë janë: Mursel Rracaj, ushtrues detyre i drejtorit dhe Behxhet Rukiqi dhe Behram Abazi të dy nga AQP-ja po ashtu.

Ministria e Financave që ka përgjegjësinë e funksionimit të AQP-së, ende nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me dy pikat e papërmbushura-zgjedhjen e drejtorit të AQP-së dhe përpilimin e artikujve që do të bliheshin nëpërmjet tenderëve të centralizuar.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për mosfunksionimin e AQP-së për tenderët qendrorë të cilat mëtojnë të kursejnë edhe buxhetin e vendit. 

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të AQP-së Mursel Rracaj thoi se AQP-ja ka përgatitur një listë në bazë të planifikimeve përfundimtare të autoriteteve kontraktuese që kanë dorëzuar për vitin fiskal 2014.

Rracaj thotë se ende nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Financave e udhëhequr nga Besim Beqaj.

“Nuk e di pse”, thotë Rracaj për mungesën e aprovimit të listës së tyre.