Vendimi i Rregullatorit të Trenave Shqetëson BE-në

Besim Asllani tregon lëvdatat që i kishin dhënë eprorët e tij në kohën kur punonte në ndërmarrjet publike të menaxhimit të trenave –“Trainkos” e më herët në “Hekurudhat e Kosovës”. 

Mbante pozitën e drejtorit komercial që është e rëndësishme në ndërmarrjet publike.

Edhe pse Asllani ishte vlerësuar pozitivisht nga ish-eprorët e tij kur rrezikohej që “Trainkos-it” t’i bëhej një kompani konkurrente, vlerësimet ishin harruar. 

Ai tash është drejtor i financave dhe përgjegjës për transportin hekurudhor në ndërmarrjen private të transportit të mallrave-“Railtrans”, një kompani konkurrente e “Trainkos-it”. 

Kompania që është në pronësi të biznesmenit Besir Çmega, mori licencë më 18 mars të këtij viti për operim në këtë lëmi nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave (ARH) por iu revokua licenca pas dymbëdhjetë ditëve- më 31 mars.  

Bazuar në faqen zyrtare të “Railtrans” pronari Çmega ishte punëtor i “Hekurudhave të Kosovës” dhe kompania ka zyrë në Prishtinë dhe Shkup. 

Por ndërmarrja konkurrente “Trainkos” që drejtohet nga anëtari i PDK-së Betim Gjoshi dhe  ka punësuar të afërm të njerëzve të njohur në kundërshtim me rregullat, siç është rasti i mikut të Shaip Mujës, dhëndrit të Sabit Gecit dhe vëllait të Muharrem Xhemajlit, arritit të bind ARH-në se “Railtrans” nuk ka reputacion të mirë.

Por më herët vetë Betim Gjoshi,  kryeshefi i “Trainkos-it” i kishte dhënë këtë reference pune- “ Unë gjatë kohës që kemi punuar bashkë, e vlerësoj lart angazhimin dhe punën tuaj”, kishte shkruar Gjoshi me datën 3 dhjetor të vitit 2012. 

Tre muaj më herët një referencë të ngjashme e kishte lëshuar për të parardhësi i Gjoshit. 

“Me duhet të theksoj se z. Asllani ka tejkaluar pritjet e mia, për nga cilësia e kryerjes së punës, menaxhimit, efikasitetit, menaxhimit të suksesshëm të situatave të ndërlikuara në biznes, respektimit të kodit të etikës…”, kishte shkruar më 15 shtator të vitit 2012 kryeshefi i atëhershëm i “Trainkos-it” Ruzhdi Morina.

Një rekomandim të ngjashëm e kishte dhënë edhe Xhevat Ramosaj që ishte drejtor menaxhues në “Hekurudhat e Kosovës” para Gjoshit e Morinës.

 “Aftësitë e tij prej udhëheqësi janë të mëdha”, kishte shkruar Ramosaj më 2010. 

Por vendimi i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për revokimin e licencës së kompanisë “Railtrans” ka shqetësuar Zyrën e BE-së në Prishtinë. 

Kjo zyrë kishte mirëpritur lajmin për licencimin e operatorit të parë privat në tregun e transportit hekurudhor. 

Revokimin e saj e cilëson si jashtëligjor që pamundëson konkurrencë në treg, duke i lejuar pozitë dominuese ndërmarrjes publike “Trainkos”.

“Ky vendim nuk  dërgon një sinjal pozitiv”, tha Syzana Bytyqi –Jagxhiu, zëdhënëse në Zyrën e BE-së në Prishtinë.

Ajo shtoi se kjo tregon edhe njëherë se Kosova nuk është e gatshme dhe nuk ka kapacitet për të “shmangur abuzimet e pozitës dominuese, e cila është një shtyllë themelore e politikës së konkurrencës së BE-së”.

Sipas saj, ky vendim ka ndikim negativ pasi që është marrë pikërisht në kohën kur Kosova ka finalizuar negociatat me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. 

MSA-ja, sipas saj, është një demonstrim i rëndësishëm që Kosova është duke punuar drejt miratimit të standardeve evropiane. 

Arsyeja e revokimit të licencës 

Dëshmi që kishte bindur Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave për ta revokuar licencën ishte ankesa  në lidhje me “reputacionin e personave  përgjegjës të kësaj kompanie hekurudhore si dhe  kompetenca profesionale”.

“Nuk i ka kthyer të gjitha pajisjet që i ka marrë për vendin e punës, e të cilat kanë qenë në pronësi të punëdhënësit (Trainkosit) si laptop,  telefon mobil etj.)”, ishte ankesa e “Trainkos-it” e dorëzuar në ARH. 

Asllani thotë se është absurde që kjo dëshmi e “Trainkos-it” të merret për bazë për revokimin e licencës.

“Atë telefon dhe atë laptop i kam kthyer tash. Por i kam mbajtur deri me tani, sepse me kanë dhënë leje për t’i mbajtur”. 

Ndërsa ankesa tjetër kishte të bënte me një aksident që kishte ndodhur në “Hekurudhat e Kosovës” në vitin 2010 dhe vërejtjen që e kishte marrë Allsani në atë kohë.

“…personi në fjalë vërejtjen e ka marrë për shkak të papërgjegjësisë lidhur me aksidentin hekurudhor të datës 02.03.2010. Në këtë aksident hekurudhor, me lëndime  të lehta trupore  kanë pësuar 10 udhëtarë”, shkruan në arsyetimin e ARH-së për revokimin e licencës.

“Çdo vit ndodhin aksidente në hekurudha, dhe arsyetimet janë të paqëndrueshme” tha Asllani.

Afrim Kuleta nga Zyra për Informim e “Trainkos-it”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se u ankuan ndaj vendimit të ARH-së pasi që kompania “Railtrans” nuk ka reputacion të mirë për të qenë pjesë e tregut të menaxhimit të trenave. 

“Kemi vlerësuar se kompania ‘Railtrans’ nuk i ka plotësuar kërkesat e këtij ligji (Ligjit për Hekurudhat e Kosovës) për t’u pajisur me licencë”, deklaroi Kuleta.

Ndërkohë Avdylkadër Muçaj, kryesues në Departamentin Ligjor  të Licencimit në ARH, thotë se faktet e dorëzuara nga “Trainkos-i” ishin të rëndësishme. 

Sipas tij ARH-ja nuk ka qenë e informuar lidhur me këto dëshmi në kohën kur ka licencuar kompaninë konkurrente.

“ARH-ja nuk bën hulumtime ex officio (sipas detyrës zyrtare), sepse nuk ka mandat të tillë.  Por ARH-ja bazuar në Rregulloren e Licencimit 01/2012 neni 30, mund të hulumtojë ndonjë shqetësim apo ankesë”, thotë Muçaj.

Muçaj thotë se për ta nuk kanë rëndësi pretendimet e “Trainkos-it”, por faktet që ata kanë sjellë te ARH-ja.

“Brenda së njëjtës ankesë, ‘Trainkos’ ka pretenduar se ‘Railtrans-i’ ka probleme financiare dhe është e zhytur në borxhe. Si rezultat, nuk e plotëson njërin nga kushtet e licencimit siç kërkohet për përshtatshmërinë financiare. Një gjë e tillë nuk është mbështetur me fakte dhe ARH-ja nuk e ka marrë parasysh”, deklaroi Muçaj. 

Edhe pse Muçaj thotë se e gjithë kjo ishte konform ligjit, rregullorja e licencimit nuk përmend askund se një kompanie mund t’i revokohet licenca vetëm pse ka në mesin e saj punonjës që kanë pasur vërejtje në të kaluarën. 

Rregullorja saktëson se nuk duhet të licencohet një kompani që ka për drejtues njerëz që kanë qenë të dënuar nga gjyqi në të kaluarën.

Po ashtu edhe  udhëzimi administrativ për licencimin e operatorëve të hekurudhave  nuk përmend penalizmin e  një kompanie vetëm pse një punëtor ka pasur vërejtje. 

“Kur operatori  nuk plotëson kriterin e kompetencës profesionale, atij i jepet deri dy (2)  muaj kohë, për zëvendësimin dhe emërimin e personave të tjerë”, thuhet në këtë udhëzim administrativ.

Kjo kohë nuk i ishte lejuar kompanisë “Railtrans”. Por Muçaj thotë se vendimi për revokim është bazuar në nenin 93 të Ligjit për Hekurudha. 

“Kur organi licencues nuk është i kënaqur me atë ndërmarrje hekurudhore e cila nuk I plotëson më tutje kërkesat e këtij ligji, duhet të suspendojë apo ta revokojë licencën”, thuhet në këtë nen që i jep mundësinë ARH-së për të revokuar licencën. 

Por ligji saktëson në nenin 92 se bartësi i licencës duhet të plotësojë këto kushte: përgjegjësit e saj të mos jenë të dënuar nga gjyqi dhe kompania të mos jetë e bankrotuar.

Ndërkaq Besir Çmega, pronarë në Railtrans, thotë se është vendimi i rregullatorit që ka dëmtuar reputacionin e kompanisë së tij. 

“Revokimi është dashur të jetë hapi i fundit që ata do të duhej ta ndërmerrnin. Fillimisht është dashur të më njoftonin mua dhe unë e kisha larguar nga puna një person që nuk ka reputacion të mirë”, thotë Çmega.

Por, sipas tij, Asllani nuk është personi që nuk ka reputacion të mirë. 

 “Unë e mbroj Asllanin pasi që është person me vlera dhe ka menaxhuar mirë edhe në Trainkos. Por ky vendim përveç dëmeve financiare neve kanë mbetur edhe 30 veta pa punë dhe na është dëmtuar reputacioni”, thotë Çmega. 

Kallëzim penal e padi civile 

“Railtrans” pas revokimit të licencës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës më 14 prill të këtij viti. 

Pretendon se “Trainkos” i udhëhequr nga njerëz të PDK-së në krye me kryeshefin Betim Gjoshi që është përfaqësues i kësaj partie në KQZ ndikuan tek Avdylkadër Muçaj që kompanisë “Railtrans” t’i revokohet licenca. 

“Te dy vendimet për licencën e ‘Railtrans-it’ janë marrë nga ARH-ja dhe nuk lidhen me emra të përveçëm”, i tha Muçaj Gazetës Jeta në Kosovë. 

Ndërkaq “Trainkos-i” nëpërmjet zyrës për informim deklaroi se si arsye e dorëzimit të ankesës në ARH ishte fakti se  “’Railtrans-i’ nuk ka reputacion të mirë për të qenë operator në menaxhimin e transportit hekururdhor”. 

Përveç kallëzimit penal, kompania “Railtrans” më 14 prill të këtij viti  ka ngritur edhe padi civile ndaj Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. 

“ Kemi humbur afër 1 milion e 200 mijë euro, për shkak të kontratave që i kemi nënshkruar, pasi e kemi marrë licencën”,  tha Allsani.

Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka konfirmuar se padia është pranuar, por nuk ka saktësuar se kur do të shqyrtohet.

“Çështja do të procedohet brenda prioriteteve ligjore. Është lëndë e vitit 2014”, tha Ibrahimi. 

Ndërsa ARH-ja thonë se nuk janë të shqetësuar në lidhje me këtë padi.

“Përderisa ARH-ja vendimet e veta i ka të bazuara plotësisht në ligj, nuk është e shqetësuar nga procedurat ligjore. Përkundrazi, ka besim të plotë në drejtësi”, deklaroi Avdylkadër Muçaj.