Avancimi i Familjarëve të Njerëzve me Ndikim

Altin Podrimçaku, vëllai i gruas së deputetit të PDK-së Shaip Mujës, u avancua në pozitë menaxheriale në ndërmarrjen publike “Trainkos” vetëm shtatë muaj pasi që kishte nisur një praktikë pune aty.

Ai u emërua nga kryeshefi Betim Gjoshi më 27 dhjetor 2013 në postin e menaxherit për transport të udhëtarëve. 

Avancimi i tij u bë përkundër që nuk ka tre vjet përvojë pune në këtë ndërmarrje. 

Përmbushja e këtij kushti kërkohet nga rregullorja e brendshme për përshkrimin e vendeve të punës në “Trainkos”- ndërmarrjen publike që menaxhon operimin e trenave.

Ngjashëm si Muja, edhe Gjoshi i përket Partisë Demokratike të Kosovës dhe e përfaqëson atë në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Podrimçaku, i afërmi i Shaip Mujës, ia  ka zënë vendin Fitim Kajtazit i cili thotë se e menaxhoi suksesshëm për tre vjet këtë sektor në ndërmarrje. 

Përveç avancimit të Podrimçakut, vendimi i 27 dhjetorit që kishte për qëllim risistemin e zyrtarëve në 5 vende pune në kompani, përfshin edhe avancimin e Ardit Gagicës, dhëndrit të Sabit Gecit në  pozitën  e ndihmës-menaxherit të transportit të mallrave.

Po ashtu i njëjti vendim i Gjoshit bëri që të avancohet edhe Haxhi Xhemajli, vëllai i Muharrem Xhemajlit kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. 

Gagica e Xhemajli nuk kanë të kryer fakultetin dhe të dy ishin kandidatë të PDK-së për këshilltarë komunalë në zgjedhjet e vitit të kaluar. 

Gagica nuk fitoi votat e duhura për ligjvënës lokal në Skënderaj, ndërsa Xhemajli nuk arriti të fitonte në Drenas.

Por Gjoshi përveç avancimit të familjarëve të njerëzve të njohur, ka avancuar në ndërmarrje edhe familjarë të tij.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në shkurt të këtij viti se dy të afërm të tij janë punësuar në ndërmarrjen publike që menaxhon trenat e Kosovës, prej se ai është bërë kryeshef ekzekutiv i “Trainkos-it”. 

Aty është punësuar Riga Arifi, si asistente e kryeshefit ekzekutiv, si dhe Burim Ahmeti, i cili është në cilësinë e vozitësit në këtë ndërmarrje. 


Ardit Gagica

Avancimi i Podrimçakut 

Altin  Podrimçaku, vëllai i gruas së deputetit të PDK-së Shaip Mujës, ishte angazhuar fillimisht më 7 qershor të vitit 2013 si praktikant në pozitën agjent i marketingut. 

Pas tre muajve, më 7 gusht, ai lidhi marrëdhënie pune për këtë pozitë.

Por katër muaj pas nënshkrimit të saj ai u avancua në pozitën e menaxherit të sektorit të transportit të udhëtarëve.

Podrimçaku i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kjo pozitë përkon me shkollimin e tij-fakultetin ekonomik dhe se ai është duke treguar rezultate të mira në punën e tij. 

Kjo sipas tij ka ndikuar në avancim, e jo afërsia me Shaip Mujën. 

Ndërkaq parardhësi i tij Fitim Kajtazi thotë se ai u degradua përkundër që nuk kishte vërejtje nga eprorët e tij për mungesë efikasiteti. 

“Më kanë ulur në pozitë pa paralajmërim”, tha Kajtazi, të cilit që nga 27 dhjetori i është caktuar pozita si shef i njësisë së dispeçerëve. Thotë se nuk i është bërë as vlerësimi i përformances nga eprorët e tij.

Kajtazi ishte punësuar me 3 mars të  vitit 2008, kur kjo ndërmarrje ishte e përbashkët me “Infrakosin” duke u njohur me emrin “Hekurudhat e Kosovës”.

Ai më pas gradualisht ishte ngritur në pozitë, deri te menaxher i Sektorit për Transportin e Udhëtarëve në qershor të vitit 2011.

Është ankuar në Bordin e Drejtorëve për degradimin e tij, por nuk ka gjetur përkrahje. 

“Ata më thanë se është vendim i Kryeshefit dhe se ai ka këto të drejta”, thotë Kajtazi. 

Kryeshefi Betim Gjoshi mbron vendimin e tij. 

Thotë se Kajtazi ishte neglizhent në punën e tij dhe se i janë shqiptuar vërejtje me shkrim e me gojë. 

Por kur Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga ai që të shohë vërejtjet me shkrim Gjoshi tha se ato mund t’u jepen vetëm organeve kompetente për hetime të mundshme. 

Gjoshi deklaroi se sistemimi i Kajtazit është bërë konform Rregullores për Marrëdhënien e Punës dhe Rregullores për Përshkrimin e Vendeve të Punës. 

Por Rregullorja për Përshkrimin e Vendeve të Punës kërkon që zyrtari që emërohet në pozitën Menaxher i Sektorit të Transportit të Udhëtarëve të ketë tre vjet përvojë pune në hekurudha.

Podrimçaku ka vetëm gjashtë muaj përvojë.

Por Gjoshi thotë për të se është person që ka treguar gatishmëri për t’u ballafaquar me sfidat e transportit të udhëtarëve, njeh gjuhën angleze dhe ka të kryer fakultetin ekonomik.

Ndërsa Deputeti i PDK-së z. Shaip Muja, nuk deshi të komentojë në lidhje me këtë temë, duke thënë se miku i tij i përket moshës madhore dhe se ai mund të përgjigjet vetë.

Avancimi i dhëndrit të Sabit Gecit 

Vendimi i Gjoshit përfshiu edhe avancimin në detyrë të Ardit Gagicës, dhëndrit të Sabit Gecit,  një ish-komandanti me ndikim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar për  krime lufte në fund të vitit 2013. 

Gagica fillimisht ishte punësuar në “Trainkos” në teknikën informative (IT) në vitin 2013, për t’u ngritur brenda shumë pak kohësh si zyrtar i kontrollit deri në dhjetor të vitit 2013, kur edhe u avancua në pozitën ndihmës-menaxher i transportit të mallrave.

 “z. Gagica është ndër punëtorët më aktivë në kompani. Procedurat e punësimit përmes konkursit publik janë kryer ende pa u punësuar  unë në ndermarrje dhe ai ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me konkurs dhe nuk ka pasur asnjë ankesë”, tha Gjoshi. 

Kryeshefi i “Trainkos-it” shtoi se vendimi i tij për avancimin e Gagicës bazohet në përformancën e treguar nga mbikëqyrës të tij dhe duke pasur për bazë rëndësinë që ka sektori i transportit të mallrave. 

Por njeriu që ka pozitë të lartë në sektorin e rëndësishëm, nuk ka ende fakultet të kryer.

Përfundimi i studimeve bachelor është bazik për një vend pune të rëndësishëm në ndërmarrje publike. Nëpër të gjithë konkurset publike kur kërkohen nëpunës nëpër ndërmarrje publike, kërkohet shkollimi superior.

Gagica konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se ende është student i vitit të tretë në Fakultetin Ekonomik Të Universitetit të Prishtinës. 

Por Gagica thotë se avancimi i tij është për shkak të disa rrethanave.

“Mendoj qe avancimin në vend të punës e kuptoni edhe ju tani se si bëhet,  vetëm atëherë kure tregon sukses, besueshmëri dhe përformancë të mirë në vendin e punës”, thotë Gagica.


Haxhi Xhemajli

Avancimi i vëllait të Muharrem Xhemajlit 

Haxhi Xhemajli është avancuar më 27 dhjetor në pozitën shef i Njësisë së Mbështetjes dhe Përkrahës në kuadër të Sektorit të Logjistikës. 

Ka qenë mbikëqyrës i automjeteve më herët. Ai është vëllai i Muharrem Xhemajlit të OVL-UÇK-së. Haxhi Xhemajli ka pranuar për Gazetën Jeta në Kosovë se aktualisht është student në vitin e parë në fakultetin juridik. Por thotë se posedon një certifikatë profesionale të marrë në Gjermani dhe se ka treguar rezultate në punën e tij në “Trainkos” duke merituar avancimin. 

Ka të shënuar në profilin e tij në Facebook se ka kryer një kurs në Gjermani gjatë viteve  2009-2010, përaktësisht në VHS Ëedel, i quajtur  “Integracionkurs” dhe që ka për specializim arsimimin e të rriturve. 

Kryeshefi Gjoshi thotë se Xhemajli u punësua në kompani para tij. 

“Procedurat e punësimit janë kryer përmes konkursit publik dhe ai ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me konkurs dhe nuk ka pasur asnjë ankesë”, thotë Gjoshi. 

Por Gjoshi ishte ai që e avancoi në pozitën e shefit. Thotë se e bëri këtë për shkak të performancës së mirë që kishte Xhemajli. 

Kurse Muharrem Xhemajli, kryesuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës,  tha se ai  nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë ngritje në detyrë të vëllait të tij.

“Unë vetëm e di që ai punon në ‘Trainkos’, asgjë ma shumë… nuk kam as ide në cilën pozitë pune është”, thotë Xhemajli.