Banka Për Biznes të Parregullt

Ekzaminerët e Bankës Qendore zbarkuan në Bankën Për Biznes në prill të vitit 2011 gjetën aty abuzime nga disa shefat e bankës dhe i përmblodhën në një raport të klasfikuar si rreptësisht sekret. 

Raporti i siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovës përshkruan se si kompanitë në pronësi të drejtuesve të Bankës për Biznes përfituan nga favorizimet që peshonin qindra mijëra euro dhe si Bordi i Bankës i vitit 2011? kishte rrezikuar stabilitetin financiar të këtij institucioni duke shpenzuar edhe mjetet e rezervës që nuk guxojnë të preken. 

Raporti u dorëzua tek krerët e BQK-së më 12 korrik të vitit 2011 dhe u ndërmorrën veprime ndëshkuese ndaj drejtuesve të bankës private. 

Por, vetëm 15 mijë euro është shuma monetare që u aplikua si ndëshkim ndaj BPB-së. 

Megjithatë zëdhënësi i BQK-së thotë se ishte i drejtë vendimi i rregullatorit të bankave. 

“Reagimi i BQK-së është dëshmuar të jetë në funksion të konsolidimit të bankës në evitimin e mangësive të evidentuara dhe ushtrimin me sukses të aktiviteteve të ndërmjetësimit financiar”, thotë Kada.

Kada shtoi se si masë tjetër u aplikua edhe “detyrimi ndaj bankës që të ri-kompozoj bordin drejtues me anëtarë të rinj, që ishte subjekt aprovimi nga BQK-ja pas shqyrtimit të kritereve të përshtatshmërisë.”, shtoi Kada.

Parregullsitë lidhur me kredinë e kryetarit të bordit të Bankës 

Banka për Biznes më 2011 në krye të Bordit kishte Afrim Govorin hisedarin me më peshë që prej themelimit të saj. Ai posedon mbi 20 përqind të aksioneve në BPB ndërsa 22 aksionarë tjerë ndajnë pjesën tjetër të hises në Bankë. 

Vlera nominale e aksioneve të tij, bazuar në dokumentin –Lista e Aksionarëve të Bankës të korrikut të vitit 2011-ishte 2 milionë e  391 mijë e 611 euro. 

Ai tha se nuk i kujtohet që është shkarkuar me kerkesë të BQK-së dhe nuk i mban mend gjetjet e raportit por kërkoi që pyetjet ti dërgohen me shkrim në të cilat ende nuk ka dhënë përgjigje. 

Ekzaminerët gjetën se pikërisht një kredi në vlerë prej 100 mijë eurosh e marrë më 2008 nga NTSH Media ku ka pronësi Govori ishte klasifikuar si e rregullt në sistemin e bankës përkundër që nuk ishte e tillë.

Konkludohet në raport se kishte vonesa në pagesën e kësteve deri në 83 ditë, përderisa nga banka është klasifikuar si kredi vrojtuese (kredi që duhet të mbahen nën vëzhgim por që nuk rrezikon kthimin e borxhit). 

Ndërkaq rregullat e BQK-së potencojnë se kredi vrojtuese duhet të klasifikohen ato që vonohen prej 30 deri në 61 ditë e të cilat përshkruhen që kanë dobësi të mundshme por që nuk rrezikohet kthimi i tyre. 

Kur kalohet përiudha prej 61 ditësh e vonesës së kthimit kredia duhet të klasifikohet si Kredi Nënstandarde- që rrezikon kthimin në rrjedhën normale.

Pjesë e bordit më 2011 ishin edhe Rrustem Aliaj, Jashar Fazliu, Kareman Limani, Mejdi Rexhepi e Ahmet Arifi. Të gjithë janë edhe aksionarë të Bankës për Biznes. 

Raporti konkludon se Bordi i kryesuar nga Govori nuk kishte arritur të drejtonte bankën bazuar në rregullat e përcaktuara nga BQK-ja. 

Kishte pasur raste kur ishin shpenzuar edhe rezervat e bankës.

“Më datë 12 dhe 13 prill (2011) banka  ka qenë nën minimumin e rezervës së likuiditetit të kërkuar sipas rregullës XVII të BQK-së mbi Minimumin e Rezervave të Bankës”, thuhet në raport. 

Bazuar në këtë rregull BQK-ja përcakton se 10 përqind e fondeve të bankës nuk guxojnë të shpenzohen përfshirë depozitat dhe paratë e gatshme. 

Po ashtu përmendet në raport se fitimi i buxhetuar për fund vitin 2011 është 1 milionë e 27 mijë euro.

“Bazuar në nivelin e pamjaftueshëm të provizioneve specifike për humbje nga kreditë si dhe mangësitë në përcaktimin e provizioneve të përgjithshme, fitimi i buxhetuar për 2011 është optimist”, thuhet në raport.

Bankat obligohet që të përcaktojnë një shumë monetare e cila mund të humbasë gjatë vitit nga mos kthimi i kredive dhe BPB-ja nuk e kishte bërë këtë. 

Bordi po ashtu është kritikuar se i ka lënë në dorë menaxhmentit ekzekutiv që të vendos buxhetin e departamentit të auditimit dhe të përcaktojë kompensimet, trajnimet, seminaret dhe të bëjë punësimet e auditorëve. 

“Kjo praktikë duhet të ndërpritet”, thuhet në raport. 

Derisa Govori udhëhiqte Bordin në periudhën në pozitën e kryeshefit ekzekutiv atëkohë ishte Vullnet Latifi. 

“Nuk mund të komentoj raporte konfidenciale sepse përben shkelje ligjore dhe etike”, tha Latifi.

Aktualisht Banka Për Biznes drejtohet nga Richiard Beasley, kryeshef ekzekutiv dhe Ardian Jashari që mban pozitën e kryesuesit të bordit të bankës. 

BPB-ja nuk pranoi të komentonte lidhur me raportin e ekzaminerëve.

“Përgjigja nga ana jonë është se raportit të cilit ju i referoheni është përgatitur nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Z. Beasley thekson se përderisa dokumenti është konfidencial, ai nuk do të bëj komente lidhur me këtë çështje”, deklaroi Fitore Iberhysaj asistente ekzekutive e kryeshefit Richiard Beasley.

Favorizimet e bizneseve të aksionarëve tjerë 

Ekzaminerët gjetën se favorzime kishte pasur edhe ndaj kompanisë Getoari nga Prizreni. Ndaj saj ishin bërë përjashtime duke thyer rregullat e operimit bankar. Kompania është pronë e Naim e Omer Besimit  dhe posedon  1.66 përqind të aksioneve të Bankës bazuar në dokumentin e vitit 2011. Kjo kompani ende është hisedare në bankë bazuar në regjistrin e biznesve në Ministri të Tregtisë e Industrisë.

Raporti konkludon se BPB-ja i mundësoi kësaj kompanie marrëveshje ri-programimi të borxhit për pesë kredi – tri kredi në vlerë totale prej 500 mijë eurosh, një në vlerë prej 627 mijë  si dhe një tjetër në vlerë prej 138 mijë euro 

Kjo ndodhi përkundër që kompania nga Prizreni kishte vonesa në pagesën e kësteve deri në 71 ditë që se është kredi me rrezik për mos kthim.

“Kjo praktikë e ri-programimit është në kundërshtim me rregullën IX të BQK-së sipas së cilës ekspozimet kreditore problematike duhet të ri-programohen  me pagesa mujore të kësteve të rregullta”, thuhet në raport.

Naim Besimi, aksionari kryesor në kompaninë Getoari, ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë. 

Po ashtu përmendet në raport se  Banka Private e Biznesit i ka dhënë kredi kompanisë Rima  Enginering me mjete të siguruara nga pjesëmarrja e saj në letra me vlerë.

Mjetet e siguruara nga kjo linjë nuk mund të përdorën për kredimarrës, bazuar në raportin e BQK-së.

Kompania është pronë e Fehmi Azemit që posedonte atëkohe 2.98 përqind të aksioneve të BPB-së vlera nominale e të cilave është 334 mijë e 675 euro.

Kjo kompani morri në gusht të vitit 2010 një kredi në vlerë prej 300 mijë eurosh ndërsa në dhjetor një kredi në vlerë prej 163 mijë euro. 

Azemi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kreditë që i ka marrë ai ishin të miratuara nga bordi i atëhershëm i BPB-së.

“Aksionarët nuk kanë mundur të marrin kredi pa miratim të bordit drejtues”, tha Azemi. 

Ndërkohë raporti i ekzaminimit zbulon kredi të parregullta edhe për kompani të cilat nuk janë në pronësi të aksionarëve të Bankës. 

Ndërkohë raporti përmend po ashtu  kompanitë “Fabrika e Stiroporit –Kosova Plast”, dhe “Fan Sh.P.K”, që nuk arritën që të shlyejnë këstet e kredisë me kohë gjë që përben humbje për bankën.

Të dy kompanitë janë në pronësi të Agim Deshishkut.

BPB i dha kredi Kosova Plast në vlerë prej 400 mijë eurosh në qershor të vitit 2009 ndërsa në dhjetor kompania Fan Sh.P.K morri kredi në vlerë prej 450 mijë eurosh.

Raporti konkludon se e para vonohej deri në 71 ditë në pagesën e kësteve ndërsa e dyta deri në 58 ditë dhe Banka për Biznes nuk i kishte sistemuar si kredi me rrezik për mos kthim.

Agim Deshishku, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, deklaroi se nuk është çështje e tij se si Banka i ka sistemuar kreditë e tij. 

“Unë kurrfarë favore nuk kam pasur. Unë i paguaj kreditë por nuk e di se si i regjistrojnë në sistem të bankës”, tha Deshishku.

Në një rast tjetër mjë kredi në vlerë prej 235 mijë eurosh i është lejuar kompanisë Antika në pronësi të Besim Ahmetaj më 11 janar të vitit 2011. 

Kompania nuk kishte mundur të paguante borxhin kreditor dhe banka i kishte marrë aksionet që pronari i kompanisë Antika i kishte në një kompani tjetër private -Fazita.

“Banka ka marrë si kolateral aksionet e huamarrësit në kompaninë Fazita dhe i ka vlerësuar në shumë prej 642 mijë e  641 euro përderisa sipas procedurave kreditore për biznese aksionet e kompanisë të cilat nuk janë të listuara në bursë vlerësohen si 0”, thuhet në raport. 

Përgjegjës të kompanisë Antika ende nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.