Zgjerimi i Dyshimtë i Zinxhirit të Marketeve

Zinxhiri i shitjeve me pakicë “Viva Fresh” është zgjeruar në dy vitet e fundit duke hapur markete në Suharekë e Kamenicë por mënyra se si mori pronat në shfrytëzim është duke u kritikuar nga autoritetet. 

Kompania të premten më 24 maj hapi marketin e saj në Suharekë. E themeluar më 2003, pronë e Xhevdet Rexhepit me bazë në Veternik në Prishtinë, ajo pohon se ka 15 pika shitëse në vend që operojnë si hipermarkete dhe supermarkete. Kompania në faqen e saj zyrtare e përshkruan veten si një nga zinxhirët më të fuqishëm të shitjes me pakicë në Kosovë.

Por më 28 shkurt të këtij viti “Viva Fresh Sh.P.K” regjistroi në emër të saj në mënyrë të dyshimtë një pronë në sipërfaqe prej 7 mijë metrash katrorë në Suharekë. 

Në certifikatën e pronësisë thuhet se prona gjendet tek vendi i quajtur “Ara e shirinit/fabrika”. 

Prona i përkiste fabrikës së gomës në Suharekë “IGK Balkan”. 

Prona është regjistruar nga zinxhiri i marketeve si e hipotekuar në një bankë private në Kosovë për një kredi në vlerë prej 2 milionë e 650 mijë eurosh. 

“Viva Fresh” nuk pranoi të komentojnë se si e bleu pronën nga fabrika e gomës në Suharekë dhe pse u regjistrua në kadastër si shfrytëzuese e saj për 99 vjet. 

Edhe zyrtarët e fabrikës së gomës konfirmuan transaksionin por nuk deshën të komentojnë për përmbajtjen e marrëveshjes.

Valmor Bardhi menaxher i IT-së në ndërmarrjen “New Co Balkan” dha përgjigje në emër të drejtorit Muhamet Shala. 

Ai thotë se çdo gjë ka shkuar konform ligjeve që janë në fuqi.

“Sa i përket ndërrimit të veprimtarisë së Ballkanit, ajo (veprimtaria) nuk është kusht që duhet të mbahet, por, megjithatë, ajo veprimtari vetëm sa është përforcuar dhe është zgjeruar me prodhime dhe veprimtari tjera”, thotë Bardhi. 

“Marketi është ndërtuar në sipërfaqe të lirë e jo mbi objektet prodhuese ekzistuese. Nëse na jepet mundësia në hapësirat e lira do të bëjmë edhe investime të tjera”, thotë ai. 

Zyrtari i “New Co Balkan” nuk deshi të komentoi faktin që prona iu shit kompanisë VIVA për 99 vjet ndonëse vetë blerësi i fabrikës ka të drejtë të shfrytëzojë pronën vetëm edhe 89 vite. 

“Për pyetjen e dytë konsultohuni me institucionet që janë kompetente për verifikim të kontratave”, thotë ai. 

Ai nuk bëri publike vlerën e kontratës me “New Co Balkan” e “Viva Fresh”. 

Përgjegjësit e kompanisë “Viva Fresh”, nuk komentuan rastin e blerjes së pronës nga “New Co Balkan” dhe as rastin e marrjes në shfrytëzim të pronës publike në Kamenicë. 

Gazeta nuk ka mundur të verifikojë se sa është shuma e transaksionit mes “VIVA Fresh” dhe blerësit të fabrikës së gomës në Suharekë. 

AKP: Privatizuesit nuk mund të lidhin marrëveshje për 99 vite  

Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për komunikim në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se fabrika e gomave në Suharekë është privatizuar me kushte për vazhdimin e veprimtarisë së saj vetëm përgjatë periudhës monitoruese. 

Monitorimi i ndërmarrjes ka zgjatur tri vjet – nga 2006 deri më 2009.

“Pas përfundimit të monitorimit në ndërmarrje dhe pas vendimit për lirimin e saj nga kushtet e marrëveshjes për zotime, agjencia nuk ka kompetenca mbi ndërmarrjen dhe nuk merr përgjegjësi për veprimtarinë e mëtejme të saj”, thotë Kaloshi. 

Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se ndërmarrjet shoqërore shitën për një periudhë prej 99 vitesh dhe se blerësi i një ndërmarrje shoqërore nuk mund ta rishesë për kohëzgjatje të njëjtë tek palët e treta. 

“Sa i përket marrëveshjes së blerësit të kësaj ndërmarrje me palë tjera për shfrytëzimin e pronave e hapësirave, ashtu siç parashihet me kontratë, blerësi e merr në shfrytëzim pronën për 99 vjet, dhe kjo periudhë llogaritet që nga viti 2003, bazuar në Rregulloren 2003/13 dhe ashtu siç specifikohet në këtë Rregullore në fuqi”, thotë Kaloshi.

Ai pohon se marrëveshjet eventuale të blerësve të NSH-ve me palë të tjera mund të përfshijnë periudhën e mbetur. 

“Ndërmarrja e re ‘Ballkani L.L.C’ është privatizuar përmes spin-offit special në valën e katërt të privatizimit, ndërsa marrëveshja për zotime ka përfunduar me 21 korrik 2008”.

Bazuar në të dhënat e AKP-së Fabrika e Gomave në Suharekë është shitur për 1 milionë e 400 mijë euro dhe është nënshkruar kontratë me blerësin me 21 korrik të vitit 2005. 

Fabrika e gomës u ble nga ndërmarrja turke “Ozerband Group”. 

Blerësi ishte zotuar se do të investojë 6 milionë euro për tri vjet dhe se për një periudhë dyvjeçare do të mbajë në punë 375 veta. 

“Blerësi i kësaj ndërmarrje, bazuar në raportet e auditorit që ka audituar nivelin e realizimit të kushteve të kontratës, ka përmbushur zotimet për investime si dhe ka përmbushur zotimin për punësim konform marrëveshjes”, thotë Kaloshi. 

Sipas tij, bordi i drejtorëve i AKP-së, në mbledhjen e mbajtur me datë 16 qershor 2010 ka aprovuar lirimin nga kushtet e marrëveshjes për zotime për ndërmarrjen e re “Ballkan”.

Qeveria lokale e Kamenicës kritikohet për “VIVA Fresh”

Kryetari i Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli kishte takuar vitin e kaluar pronarin e zinxhirit të marketeve “Viva Fresh Store”, Xhevdet Rexhepin përpara se kompania të merrte në shfrytëzim pronë komunale. 

Takimet e zyrtarëve të lartë me përfaqësues të kompanive private shihen si praktika të pazakonshme nga zyrtarë të EULEX-it.

Në rastin e njohur si “Tolaj dhe të tjerët”, aktualisht në gjykim, ish-ministri i shëndetësisë Bujar Bukoshi, në aktakuzën e prokurores së EULEX-it Maria Bamieh, ngarkohet se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme. Bukoshi dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit në këtë akatakuzë.

Takimi i Surdullit ndërkohë ishte zhvilluar në restaurantin ADA në Hodonc të komunës së Kamenicës. 

“Në restorantin ‘ADA’ në Hodonoc jam takuar me kërkesë të një miku, ku kishte qenë pjesëmarrës edhe pronari i kompanisë ‘Viva Fresh Store’ dhe një mik tjetër, ku më njoftuan se kanë interesim për hapjen e një marketi në Kamenicë, sikur edhe në shumicën e komunave të Kosovës”, konfirmoi kryetari i Kamenicës. 

Jeton Biqkaj, shef i grupit parlamentar të LDK-së, më 31 korrik të vitit të kaluar në seancën e kuvendit komunal, propozoi që të miratohej kërkesa e “Viva Fresh” për hapjen e një qendre tregtare në hapësirën e tregut të gjelbër. Biqkaj propozoi që të formohej një komision i cili do të shqyrtonte kërkesën e kompanisë private. 

Komisioni i formuar vendim të kuvendit komunal obligohej që të hapte procedurë konkurruese për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.

Ankandi publik për dhënien në shfrytëzim të pronës publike ishte hapur nga komuna dhe ka pasur tre aplikues dhe fitues ka dalë “Viva Fresh”. 

Më 31 gusht të vitit 2012 kuvendi komunal mori vendim që t’i japë pronën në shfrytëzim kësaj kompanie. 

Shaip Surdulli me përfaqësuesin e Viva Fresh në inaugurimin e marketit, Kamenicë – Foto e autorizuar: Rajonipress

Vendimi parasheh që Viva Fresh të marrë në shfrytëzim për një periudhë 10-vjeçare me kompensim, me mundësi vazhdimi, një sipërfaqe prej 5 mijë e 880 metrash katrorë si dhe 3 mijë e 480 metra katrorë hapësirë parkingu. Vendimi parasheh që hapësira e parkingut të jetë në shfrytëzim të përgjithshëm publik. 

Kuvendi e miratoi kërkesën e kompanisë private më 17 vota pro 5 kundër dhe 1 abstenim. 

Në procesverbalin e seancës së Kuvendit Komunal të datës 31 gusht të vitit 2012 shihet se kishte pasur kundërshtime nga këshilltarë komunalë.  

Besnik Rrudhani (LDK), kryetar i komisionit për dhënien e pronës në shfrytëzim, pohoi në këtë seancë se VIVA Fresh ofroi më shumë se sa dy konkurrentë tjerë që ishin në garë. 

VIVA ofroi çmimin prej 1 euro për metër katrorë, shumë investimesh 846 mijë e 250 eurosh dhe punësimin e 85 vetave. 

Bajram Dërmaku (PDK) theksoi se grupi parlamentar i këtij subjekti nuk do të votojë për këtë pikë të rendit të ditës duke pohuar se Kamenica ka mjaft markete.

“Për këtë arsye dhe për të mbrojtur bizneset lokale ne si grup parlamentar nuk do të votojmë për këtë pikë”, pohoi Dërmaku. 

Një tjetër këshilltar komunal i PDK-së Enver Morina pohoi në seancë se komisioni nuk ka sjellë dokumente për të informuar këshilltarët se çfarë ka ndodhur me ankandin publik për dhënien e kësaj prone në shfrytëzim. 

Rrudhani e kundërshtoi duke thënë se komisioni ka sjellë në kuvend një procesverbal dhe raport mbi ecurinë dhe procedurat e ankandit. 

Rrudhani pohonte se “Viva Fresh” do të paguante 1 euro qira për metër katrorë. Kompania ka marrë 5 mijë e 580 metra katrorë në shfrytëzim që i bie 5 mijë e 580 euro qira në muaj. 

Por, kryetari i komunës pohon se kompania do të paguajë më pak.

“Komisioni komunal i formuar nga kuvendi komunal e ka udhëhequr procedurën  dhe në kuvend e ka propozuar ofertuesin më të favorshëm ‘Viva Fresh Store’. Kuvendi ka marrë vendim që qiraja të zbatohet vetëm për sipërfaqen e objektit 2400 metra katrorë, që sipas rregullores komunale 1€/m2, i bie që qiraja mujore të jetë 2400 euro për muaj”, thotë Surdulli. 

Surdulli nuk dha shpjegime se pse është marrë vendim që qiraja të zbatohet për një pjesë të sipërfaqes së dhënë në shfrytëzim nga Komuna. 

Kryetari i komunës pohon se interesi publik i komunës nga kjo qendër tregtare është punësimi  70 vetave si dhe rritja e konkurrencës që sjell çmime më të lira për kamenicasit.