Dr. Albani Gjurmon “Nëntokën” e Kosovës

Etrur Rrustemaj nuk paraqitet njëjtë në disa dokumente të një kompanie britanike më 2012, pasi ai ka ndërruar mbiemrin e tij në Albani. 

Në një dokument që flet për kompaninë Fox Marble, e cila mban të drejtën e pesë guroreve të mermerit në Kosovë, përshkruhet shkurtimisht biografia e tij.

Ajo fillon me emrin Dr. Etrur Albani dhe e përmend nënshtetësinë e tij të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Kosovës. Aty flitet edhe për kohën kur ai ka punuar si drejtor menaxhues në Post-Telekomin e Kosovës, PTK.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Dr. Albani thotë se ndërrimi i mbiemrit nuk është bërë për të fshehur diqka.

“Kam ndërruar mbiemrin nga Rrustemaj në Albani pasi që kam dashur që fëmijëve të mij t’ju lë mbiemër shqiptar,” Albani i tha Gazetës. 

Albani fillimisht ka pasur një firmë të tij në Mbretërinë e Bashkuar me emrin “16 February Limited” të cilës ia kishte ndërruar emrin dhe inkorporuar në “Fox Marble Limited”.

Vitin e kaluar, Fox Marble kishte blerë aksionet e dy kompanive kosovare, “Granit-Shala” nga Istogu – në vlerë prej 3.000 euro dhe “H&P” nga Prishtina në vlerë prej 2.500 euro.

Ndërmjetësuesi Fox-Davies Capital është emëruar për të ngritur 13 milionë funta, gjë që ngriti vlerësimin e kompanisë në 47 milionë funta angleze. 

“Në këtë fazë, ne jemi ende duke bërë marketing dhe për këtë arsye nuk ka asnjë datë të konfirmuar për listim. Unë do të ju mbajë të informuar me ndonjë përparim të mëtejshëm”, Lisa Caires i tha Gazetës JnK, duke mos treguar edhe më tej se kur do të jenë aksionet e Fox Marble të gatshme për publik.

Etrur Albani në një dokument të përgatitur nga Fox Davis përshkruhet si drejtor i Rex Marble – nënpjesë e Fox Marble që funksionon në Kosovë. Por, në shënimet e Agjencionit Kosovar për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) këtë pozitë figuron se e mbanjë Christopher Gilbert dhe Hysen Shahini, ky i fundit edhe me nënshtetësi sllovene. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka tentuar të bisedojë për disa javë me Glibert dhe Shahinin, por ka qenë e pamundur të kontaktohen. I pari nuk gjendet në Kosovë, ndërsa tjetri nuk gjendet në kontaktet të cilat figurojnë në ARBK.

Fox-i me Plan Ambicioz për Mermer

Një dokument 27 faqesh, i përgatitur për marketing të Fox Marble nga Fox Davies, i datës 7 mars 2012, flet për potencialin e mermerit në Kosovë që mund të nxirret nga pesë gurore në Kosovë, të cilat janë në posedim të kompanisë në fjalë.

Kjo është kompania e parë në regjion që do të nxjerr në shitje aksionet e saj në berzën e Londrës.

Dy nga guroret kanë burime të njohura me mermer të bardhë (white breccia) dhe mermer të kuq. 

Kompania thekson se procesi i nxjerrjes së shumicës së mermerit që gjendet në sipërfaqe është mjaft e thjeshtë, por një pjesë e të ardhurave do të përdoret për ndërtimin e një fabrike të re të përpunimit.

Dokumenti thekson se pas Ofertës Fillestare të Publikut (Initial Public Offering), kompania ka qëllim të fillojë operacionet në tremujorin e fundit të vitit 2012, dhe pret të jetë menjëherë fitimprurëse.

Fox Marble ka vlerësuar se kur fabrika arrin prodhim të plotë dhe supozohet shitja e 50 për qind të pllakave të prodhuara, mund të arrihet përfitimi prej 25.9 milionë eurosh, para interesit dhe tatimeve.

Dokumenti i marketingut nga Fox Davies shpjegon në hollësi detajet për potencialin e mermerit në Kosovë dhe për planin e Fox Marble e cila shpreson prodhimin në 2013. 

Resurset e mermerit në Kosovë vlerësohen nga burimet e hartave sipërfaqësore dhe shpimeve të kryera në vitet 1960 dhe një sondazhi të fundit gjeofizik.

Vlerësohet se gjenden rreth 91.3 milionë metra kub të burimeve të treguara (Indicated resources) dhe nga burimet e supozuara (Inferred resources) flitet për 235 milionë metra kub të gurit dekorativ. 

Foto lart: Makineria për procesimin e blloqeve në Carrara, Itali që do të përdoret edhe në Kosovë nga Rex Marble – Fox Davies

Po ashtu, edhe vlera e tyre ndahet sipas burimeve në fjalë. Sipas dokumentit, Golder Associates ka nxjerrë vlerën e përafërt të burimeve të treguara të mermerit në tokë në vlerë prej 16.5 miliardë eurosh.

Fox-i shpreson për të përfituar shumë edhe nga përdorimi i rrjetit ekzistues të hekurudhës po ashtu edhe të autostradës. 

Në dokument, Fox-i ka përmendur se guroret janë në afërsi të rrugëve të asfaltuara dhe transporti i blloqeve të mermerit dhe pllakave të përpunuara, përgjatë infrastrukturës rrugore ekzistuese përmes Shqipërisë në portin e Durrësit, do të jetë në distancë prej rreth 250 km.

“Kjo është e vlerësuar se mund të marrë rreth pesë orë me kamion”, thuhet në dokument.

Rrugët alternative janë në dispozicion nëpërmjet Selanikut ose duke përdorur lidhjen hekurudhore nga Prishtina, përmes Serbisë, në Vjenë. 

Fox thotë se ekziston një infrastrukturë e mirë e rrugëve në Kosovë. “Zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës është planifikuar nëpërmjet investimit prej mbi  600 milionë euro nga ana e OKB-së për ndërtimin e autostradës dhe përmirësimet gjatë viteve të ardhshme”, thuhet në dokument.

Ndërsa, kompania parasheh rrezikun e kundërshtimit nga banorët e Suhogërll-it për shkak të krijimit të pluhurit dhe zhurmës, pasi që të vendoset punishtja. Megjithatë, kompania thekson se ‘mund të jetë në gjendje të ofroj 30 vende pune që mund të ndihmoj në relativizmin e banorëve.

Biznesmenë të Mëdhenj të Përfshirë

Personi kryesor i angazhuar në Fox Marble është Christopher Gilbert, i cili mban pozitën e shefit ekzekutiv. 

Gilbert është një biznesmen i njohur i cili ka ngritur dhe shitur shumë kompani nëpër botë në sektorë të ndryshëm, e sidomos në sektorin e muzikës me kompani të incizimeve.

Vitin e kaluar, Gilbert iu kishte thënë mediave në Londër se edhe James Caan, yll i emisionit të BBC-së “Dragon’s Den” përmes kompanisë së tij “Hamilton Bradshaw Capital Partners” kishte investuar “një shumë të pazbuluar në kompani”. 

Biznesmeni i njohur anglez, me origjinë nga Pakistani, Caan kohë më herët ka folur edhe për udhëtimin e tij, pas lufte në Kosovë.

“Në vitin 2000 kam vizituar Kosovën me Yusuf Islam (ish Cat Stevens) dhe isha i tmerruar nga vuajtjet që pash atje. Unë zgjodha një fshat ku jetonin 600 fëmijë dhe u dhash një ndihmë mujore familjeve për t’iu ndihmuar që ata të rindërtojnë jetët e tyre”, Caan citohet t’i ketë thënë asianenterprise.biz.

Edhe një emër tjetër i përfshirë në kompani është Sir Colin Terry,  me rang të lartë ushtarak në Forcave Mbretërore Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar. Sir Colin ka kaluar 37 vite në këto forca ku ka arritur gradën e Air Marshal. Në Fox ai mban pozitën e drejtorit jo-ekzekutiv.

Komisioni Kosovar Pret Hapa Konkretë 

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në Kosovë (KPMM) kishte mundësuar hapa më të shpejtë për Rex Marble në nxjerrjen e licencave për hulumtim të terrenit në Kosovë për mermer.

Xhevdet Kastrati, anëtar i bordit qeverisës në KPMM, i tha Gazetës JnK se komisioni i ka lëshuar licencat për hulumtim kompanisë Rex Marble e cila pas hulumtimit që ka bërë ka aplikuar për licenca të shfrytëzimit.

“Personalisht, edhe unë jam për t’ia dhënë licencat por me një afatizim”, tha Kastrati, duke shtuar se pas fitimit të licencave të shfrytëzimit, kompanitë duhen të fillojnë punën pas tre muajsh.

Kastrati i referohet ligjit për miniera e minerale për këtë çështje ndërsa të njëjtën gjë nuk e kishin bërë kur duheshin të fillonin punët në terren që në janarin e kaluar.

“Na kanë thënë se për shkak të motit të keq që ka qenë gjatë dimrit, ata nuk kanë mundur të fillojnë punën. Iu kemi dhënë afat edhe për tre muaj tjerë”, tha Kastrati.

Rex Marble kishte fituar katër licenca për shfrytëzim më 31 tetor 2011 me afat deri në vitin 2036. Lokacionet për shfrytëzim ishin në Bukovik (Gjilan), Cervenicë, Zatriq (Rahovec) dhe Antena.

Kastrati thotë se kompania në fjalë ka revokuar licencën me dëshirë të vetë në Zatriq të Rahovecit për shkak se nuk kanë gjetur mermer të mirë.

“Mirëpo kompania në fjalë duhet të na sjell një analizë të tyre për Banjë të Pejës. Ata kanë licencë edhe atje ndërsa vendi është i pasur me ujëra termale. Analiza duhet të tregojë qartë se shfrytëzimi nuk do të prek këto ujera”, tha Kastrati. 

Por, Kastrati nuk fsheh edhe dozën e dyshimit që ka për këtë kompani. “Neve po presim që t’i sjellin këto analiza dhe ata duhen të nisin punën. Ata ose duhet të fillojnë të investojnë, ose dyshojmë që janë tregtarë licencash”, tha ai.

Rrustemaj në Media

Etrur Rrustemaj (Albani) ka qenë drejtor gjeneral i Post-Telekomit të Kosovës (PTK) nga viti 2003 e deri më 2008. 

Në vitin 2007, ndërmarrja publike PTK nënshkruan një kontratë me Zvonko Veselinoviqin në vitin 2007 për vendosjen e antenave të saj në veri të vendit. Ajo ishte bërë publike në tetor 2011 nga faqja “Lajme Shqip”. Po ashtu, Zvonko vetë kishte marrë pagë nga PTK si roje antene atje.

Veselinoviq supozohet të jetë njeri i fuqishëm në veri të vendit  dhe që udhëheq shumë aktivitete kriminale. Ishte arrestuar nga policia serbe vitin e kaluar dhe pas një muaj ishte liruar.

PTK-ja i ka paguar atij 1.000 euro në muaj në emër të gruas së tij, Ljiljana Bozoviq, si qira për mbajtjen e antenës në pronën e tyre.   

Albani kishte dhënë dorëheqje në janar 2008 nga pozita e drejtorit gjeneral të PTK-së. Menjëherë pas largimit të tij, nënshkruhet marrëveshja ndërmjet PTK-së dhe Dardaphone nga pasardhësi, Shyqri Haxha, i cili kishte thënë se “biznesi” që është duke u hetuar nga EULEX-i si kontratë e dëmshme kishte qenë i përgatitur para se ai të vinte në detyrë.

Naim Rrustemaj, njëri nga vëllezërit e Etrurit, i cili ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovë, PDK në mandatin e kaluar, i kishte shtruar pyetje në një seanca parlamentare, në qershor 2009, kryeministrit Hashim Thaçi të sqarojë incidentin ku vëllai i këtij të fundit, Gani Thaçi akuzohej se kishte sulmuar (grushtuar) Etrur Rrustemajn.  

Po ashtu, emri i Rrustemajt është shtjelluar edhe nga Agim Hoti, i dënuar për rastin e tentimvrasjes ndaj ish kreut të ART-së, Anton Berishës, i cili ka deponuar në EULEX një deklaratë.  Hoti, po ashtu i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se Etrur Rrustemaj dhe Agron Haradinaj i kishin premtuar 100 mijë euro për të ekzekutuar ish-Shefin e ART-së.

Rrustemaj mohon akuzat dhe thotë se nuk e njeh Hotin. “Nuk e njoh dhe asnjëherë nuk e kam takuar. Nuk e di kush është ai,” tha Albani.

Ndërsa, EULEX nuk ka dashur të komentojë nëse ka pranuar akuzën e Hotit. “Misioni nuk konfirmon apo mohon nëse një individ apo institucion është apo nuk është nën hetime”, Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, i tha Gazetës Jeta në Kosovë.