Bedri Selmani Miliona Euro Borxh Shtetit

Pronari i “Kosova Petrol” Bedri Selmani kishte marrë obligime nga UNMIK-u që të paguante 70 mijë marka në muaj për shfrytëzimin e pompave të karburanteve të naftës tëndërmarrjes kroate “INA”.  Këtë shumë Selmani e kishte paguar nga janari i vitit 2000 e deri në dhjetor të vitit 2001. Pas dy vite pagese të qirasë, Selmani e kishte ndërprerë këtë duke i mbetur borxh shtetit për miliona euro. 

Nga dhjetori i 2001-es e deri më tash Selmani nuk i ka paguar obligimet për 124 muaj ose për më shumë se 10 vjet. Për çdo muaj ai është dashur të paguante nga 35 mijë euro që është vlera e 70 mijë markave që specifikohet në marrëveshjen me UNMIK-un. Vlera totale që ai është dashur të paguante për shfrytëzimin e pompave të karburanteve të INA’s për 135 muaj kap shifrën e 4, 3 milionë euro. 

UNMIK-u që e lejoi Selmanin të shfrytëzojë përkohësisht pompat e INA’s nuk ka dashur të komentojë rreth qirasë së papaguar. Por një zyrtar i lartë i këtij misioni në kushte anonimiteti ka konfirmuar se Selmani ka paguar qiranë për njëperiudhë dyvjeçare dhe pas dhjetorit të 2001-es nuk ka paguar më. 

Pronari i “Kosova Petrol”është pyetur për këtë por nuk ka dhënë përgjigje. Ai në një deklarim të mëhershëm për çështjen e pasurisë së INA’s pati thënë se Kosova Petrol e shfrytëzon atë në mënyrë të ligjshme. 

Bedri Selmani në vitin 2000 kishte marrë leje nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për shfrytëzim të përkohshëm të pompave  për të përmbushur  “nevojat vitale” të atij dimri për naftë në vend.

Përkundër lejes së përkohshme, Selmani, pronar i kompanisë Kosova Petrol, vazhdon t’i shfrytëzojë këto pompa tash e dymbëdhjetë vite. 

Më 25 janar 2000, Gerard Fischer, shef i departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Administratës së Burimeve Natyrore në UNMIK kishte nxjerrë urdhëresën me të cilën lejonte Selmanin të shfrytëzonte pompat e INA’s. 

“Lejimi është bërë si masë për të siguruar furnizimin me produkte nafte gjatë kësaj periudhe vitale të dimrit”, thuhet në urdhëresën e Fischer. 

Këtë pasuri të kësaj ndërmarrje shoqërore që operonte në Kosovë, Selmani e kishte emërtuar Kosova Petrol në të cilën figuron si pronar i vetëm në regjistrat e biznesit në Ministrinë për Tregti e Industri (MTI). 

Ndërkohë Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka bërë një përllogaritje të borxhit të“Kosova Petrol” pasiqë vlerëson se pompat e INA’s e kanë ende statusin e padefinuar. 

“AKP vepron në emër dhe për llogari të atyre ndërmarrjeve statusi i të cilave është definuar si pronë shoqërore. Për shkak të numrit të madh të NSH-ve ende disa ndërmarrje e në mesin e tyre edhe ndërmarrja prona e së cilës shfrytëzohet nga ‘Kosova Petrol’ ka status të padefinuar.  Prandaj edhe çështja e borxhit eventual mund te definohet pas përcaktimit të statusit”, ka thënë Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për Marrëdhënie me Publikun në AKP. 

Kjo agjenci, sipas tij, nuk ka ndonjë provë që Selmani ka paguar në vitet 2000-2001 pasiqë marrëveshja nuk ishte lidhur me pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) por me autoritetet e UNMIK-ut. 

Agjencia e Privatizimit do të nis inkasimin e qerasë pasi të definojë qartë statusin e pompave të INA’s. “Pagesa e qirasë dhe e drejta e AKP-së që ta inkasoj qiranë eventuale ka të bëjë siç u theksua si më sipër me statusin e vete këtij subjekti”, ka deklaruar Kaloshi 

Ndërkohë Agjencia Kosovare e Privatizimit e përshkruan Kosova Petrol’in si ndërmarrje  okupuese të pronës shoqërore në një raport ku pasqyrohen “asetet e uzurpuara nga individë, institucione lokale, institucione qendrore dhe institucione ndërkombëtare”. 

Raporti kallëzon për gjendjen e Ndërmarrjeve Shoqërore dhe është përpiluar në vitin 2011. Aty Kosova Petrol figuron 23 herë si okupues i pompave të INA’s në pika të ndryshme të vendit.

Njëjtë e llogarisin edhe autoritetet kroate si Drejtoria Qendrore e INA’s si dhe Qeveria e Presidenca Kroate pasiqë Ivo Sanader e Stipe Mesiq patën kërkuar nga Qeveria e Kosovës që uzurpatorëve të  iu pamundësohet shfrytëzimi i pasurisë së kësaj ndërmarrje shoqërore. 

Ndërmarrja kroate INA aktualisht shfrytëzon me qira vetëm depot e rezervuarve të naftës në fshatin Bardhosh afër Prishtinës. Një marrëveshje të tillë INA e ka lidhur me AKP-në në prill të vitit të kaluar përmes së cilës ia paguan 22 mijë euro në vit. 

Kjo marrëveshje është ripërtrirje e asaj të para disa vitesh e lidhur me AKM-në e cila kishte obliguar INA’n të paguante qira pasi kjo agjenci ishte titullare e të gjitha pronave shoqërore që gjenden në territorin e Kosovës. 

Këtë mandat tash e ka AKP-ja. 

Përkundër pagesës së qirasë për shfrytëzimin e pronës INA i paguan tatimin në pronë Komunës së Prishtinës pasi ky institucion e njeh këtë ndërmarrje si titullare të pronës. 

AKP-ja që i ka mundësuar kësaj ndërmarrje të shfrytëzojë me qira rezervuarët e naftës nuk e ka bërë të njejtën edhe për pompat e karburanteve që shfrytëzohen nga “Kosova Petrol”. Pompat e kaburanteve sipas AKP-së ende kanë status të padefinuar.