Aeroporti i Gjakovës nën Kontroll të PDK-së

Edhe ndërmarrja publike “Aeroporti i Gjakovës”, ende joaktive, nuk ndryshon nga të tjerat përkrah përbërja politike e Bordit të Drejtorëve.

Bordi do të kryesohet nga Naser Canolli. Ai ka të kaluar politike në Partinë Demokratike të Kosovës. Është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në vitin 2013.

Emri i tij ende figuron  në listën e Këshillit Drejtues të PDK-së që gjendet në faqen zyrtare të PDK-së.
Këshilli Drejtues, në bazë të Statutit të Partisë Demokratike është “organi më i lartë i partisë“.

Ai ishte zgjedhur në këtë post të lartë partiak më 18 mars 2013.

Ligji për Ndërmarrje Publike përcakton se nuk mund të jetë anëtar bordi një person që është përfshirë në politikë në 36 muajt e fundit. Nga zgjedhja e Canollit në Këshill Drejtues kanë kaluar vetëm 32 muaj.
Gazeta Jetë në Kosovë më 18 mars 2013 kishte shkruar se si Canolli ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së dhe anëtar i kryesisë së partisë në degën e Prishtinës, derisa asokohe po drejtonte Gazetën Zyrtare.

Asokohe ishte raportuar se Canolli mbante pozitat e nënkryetarit, anëtarit të Kryesisë në degën e PDK-së në Prishtinë, anëtarit të Bordit të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe atë të anëtarit të Komisionit të Auditimit po në këtë aeroport.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka bërë kërkesë Zyrës së Kryeministrit për të pasur qasje në CV-në e Canollit ku shihet shkollimi i tij që përbën arsyetim për emërimin e tij në këtë bord.

Zyra e Kryeministrit ende nuk ka dhënë përgjigje.

Ngjashëm ka vepruar edhe vetë Canolli.

Atij i është kërkuar një koment lidhur me të kaluarën politike dhe emërimin në një bord që ndalon të përfshirët në politikë. Nuk e ka bërë.

Nga partia e njëjtë me Canollin është edhe Nuri Bahtijari i mandatuari tjetër në postin e anëtarit të bordit në këtë ndërmarrje publike.

Në shtator të 2013-ës kishte konkurruar për ligjvënës lokal në Prishtinë. Nuk kishte arritur të zgjidhej.
Bahtijari për dallim prej Canollit komentoi të shkuarën e tij partiake.

“Nuk jam aktiv në politikë,” thotë Bahtijari i cili shton se aktualisht është duke ndihmuar djalin e tij që ka në pronësi një firmë private që merret me fluturime.

Flamur Bahtijari, i biri i tij, drejton agjencinë turistike “AS Travel Club”, ndërsa babai udhëheq që nga viti 2009 Departamentin e Shitjes dhe Procedurave Aeroportuale.

Bahtijari thotë se ka magjistruar në Universitetin e Tetovës në fushën e shkencave juridike, përkatësisht në Të Drejtën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Tregon se ka një përvojë të gjatë në biznesin e fluturimeve.

Gjatë viteve 99-2006 ka punuar si menaxher i lartë dhe drejtor komercial për Kosovë në kompanisë sllovene “Adria Airëays”.

Ndërsa prej vitit 1979 deri më 1998 ka qenë koordinator kryesor për lëmin e komunikacionit ajror në operativën tokësore për pranimin, përgatitjen, përcjelljen e pasagjerëve si dhe në kontrollin e brendshëm financiar në “JAT Airways”, kompania ajrore në ish-Jugosllavi.

Pjesa e LDK-së në Bord

Zenun Shala, tash anëtar bordi në këtë ndërmarrje publike, në shtator të vitit 2013 kishte kandiduar për kryetar të Junikut. Ishte kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nuk arriti synimin e tij.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga Shala një koment lidhur me mandatimin në një trupë drejtuese që zyrtarisht duhet të jetë ‘bord ekspertësh’ përkundër që ka të kaluar politike.

Nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë. Ngjashëm ka vepruar edhe kur i është kërkuar përgjigje lidhur me shkollimin dhe përshtatjen e tij me punën si drejtor në Bordin e Aeroportit të Gjakovës.

Kolege e tij në këtë bord do të jetë Nora Gola.

Ajo i përket një familje me ndikim në LDK, përkatësisht degën e kësaj partie në Gjakovë.
Nora Gola është e afërt e kryetarit të LDK-së për Gjakovë, Luan Golës.

Aktualisht Luan Gola është kryesues i Asamblesë Komunale në Gjakovë dhe kryetar i Degës së LDK-Gjakovë.

Nora Gola nuk ka dashur të flasë për afërsinë e saj me njerëz të politikës nga LDK-ja.
Megjithatë për dallim prej  Zenun Shalës, kolegut të saj, ajo ka pranuar që të flasë lidhur me shkollimin e saj.

Ajo tregoi se është kualifikuar si magjistre e shkencave pranë Universitetit “The Robert Gordon” në Aberdeen të Mbretërisë së Bashkuar.

Ajo më 2007 ka diplomuar për Agroekonomi në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë.

Thotë se ka një përvojë profesionale prej katërmbëdhjetë vjetësh.

Ka punuar për organizatat ndërkombëtare “Helvetas Sëis Intercorporation”, “Danish Peoples Aid”, “USAID” e “Swis Contact”.

Për dallim prej saj që nuk është përfshirë personalisht në politikë, është kolegia e saj Brikenda Kryeziu që e ka bërë këtë.

Brikenda Kryeziu ka qenë deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës gjatë viteve 2004-2007.

Ka qenë anëtare e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Transport, Telekomunikacion, Energjetikë dhe Miniera.

Po ashtu ka qenë pjesë e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme dhe Integrime Evropiane.
Kryeziu ka kryer fakultetin ekonomik në Prishtinë ndërsa gjatë viteve 2007-2009 ka vazhduar studimet post-diplomike për integrime evropiane në Nice të Francës.
Ka punuar në UNMIK si zyrtare financiare prej vitit 2000 deri më 2003. Më pas për nëntë vjet, deri më 2012, ka punuar në Postë-Telekomin e Kosovës në postin e koordinatores regjionale për shërbime postare..

Aktualisht punon në ndërmarrjen publike “Posta e Kosovës”, në postin e koordinatores regjionale për shpërndarje e dorëzim.

Ka qenë anëtare e grupit joformal të grave parlamentare të iniciuar nga Madeleine Albright, ish sekretarja amerikane e shtetit. Kjo nismë është mbështetur nga National Democratic Institute gjatë viteve 2005-2007.

Kryeziu ka qenë anëtare e asociacionit të grave “Jeta Ime”, anëtare e Bordit në Teatrin e Gjakovës.

Aktualisht kryeson bordin e shkollës “Yll Morina” në Gjakovë.

Brikenda Kryeziu nuk ka dashur të flasë për përfshirjen e saj në politikë dhe në Bordin e Drejtorëve të Aeroportit të Kosovës.