Takimi i ‘Mistershëm’ i Zyrtarit Shtetëror me Biznesmenin

Më 1 tetor të këtij viti Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Lutfi Zharku shpalli fitues kompaninë“Famis Co” në një tender milionësh.

Por disa ditë para këtij vendimi ndodhi diçka në prapaskenë që ministria nuk dëshiron ta komentojë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një foto ku shihet se Bekim Gojani, zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bekim Bytyçi i kompanisë “Famis Co” nga Suhareka janë takuar disa ditë para se kjo kompani të shpallej fituese.

Gojani është angazhuar si anëtar i komisionit vlerëues në tenderin e fituar nga kjo kompani.

Ligji i prokurimit ndalon anëtarët e komisioneve vlerësuese që të takojnë përfaqësuesit e firmave konkurrente në tenderë.

Gojani nuk dha përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se pse në kundërshtim me këtë ligj kishte takuar një biznesmen disa ditë para se të shpallej fituesi i tenderit.

Ai nuk u përgjigj në thirrjet e as e-mailet e dërguara në adresën zyrtare të tij që prej datës 16 tetor të këtij viti.

Bekim Gojani, djathas, gjatë takimit me Bekim Bytyçin e kompanisë Famis Co

 

“Nuk ishte takim, ishte përshëndetje rasti”

Por këtë e ka komentuar Bytyçi i kompanisë nga Suhareka.

“Po ju sqaroj se ky nuk ishte takim por ishte një përshëndetje rasti,” tha Bytyçi nëpërmjet e-mailit në pyetjet se pse e takoi Gojanin më 27 shtator, disa ditë para se kompania të shpallej fituese në tenderin milionësh.

Ai nuk komentoi pyetjet tjera. Gazeta Jeta në Kosovë e pyeti atë se pse e kishte të nevojshme të takohej me një anëtarë të komisionit vlerësues dhe se cilat kritere kishte plotësuar kompania e tij për të fituar tenderin.

Derisa Bytyçi dhe Gojani nuk dhanë përgjgje në këto pyetje, këtë e bëri Ministria e Infrastrukturës.
Kjo ministri ndau në dy lote (pjesë) tenderin për mirëmbajtjen dimërore të autostradës “Ibrahim Rugova” për vitet 2015-2016 dhe 2016-2017.

Loti 1 përshin segmentin Morinë-Gjurgjicë (Malishevë) ndërsa loti 2 përfshin segmentin nga fshati Gjurgjicë –Bresje të Fushë Kosovës e deri tek udhëkryqi i autostradës në Konjuh të Lipjanit.

Kompania “Famis Co” më 1 tetor të këtij viti është shpallur fituese për lotin e parë të tenderit. Bekim Bytyçi figuron si person kontaktues në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Ministria në përgjigjet dhënë Gazetës Jeta në Kosovë deklaroi se firma “Famis Co”, me bazë në Suharekë është shpallur fituese pasi që ka pasur ofertën më të lirë në mesin e konkurrentëve të përgjegjshëm në tender. Oferta e saj peshonte  1 milion e 178 mijë e 744 euro.

Lidhur me takimin nuk komentoi Ministria e Infrastrukturës. Sipas përgjigjës së ministrisë kjo çështje i përket vetë anëtarit të komisionit vlerësues.

“…çdo anëtar i komisionit vlerësues është i obliguar ta nënshkruajë ‘deklaraten nën betim’ dhe është i obliguar ta respektojë”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Infrakturës.

Kjo ministri u pyet edhe për faktin se si ka vendosur që të emërojë në cilësinë e anëtarit të komisionit vlerësues në tender një zyrtar ndaj të cilit janë marrë masa nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP).

Gojani ishte më herët zyrtar prokurimi në këtë ministri. Kishte mbajtur një kohë edhe pozitën e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit të Departamentit të Prokurimit të kësaj ministrie.

Por OShP-ja kishte marrë vendim që t’ia anulojë licencën e zyrtarit të prokurimit pasi kishte gjetur se Gojani nuk kishte përfillur ligjin e prokurimit në gjashtë tenderë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Gojani pas vendimit të OShP-së është sistemuar në një departament tjetër. Tash mban pozitën e zyrtarit për transport në këtë ministri.

Por kjo ministri shfrytëzoi zbrazëtinë ligjore që nuk ndalon emërimin e një zyrtari me licencë të anuluar që të jetë pjesë e komisionit vlerësues të tenderit.

“Për  anëtarët e komisionit vlerësues sipas LPP-së nuk kërkohet të jenë të licencuar,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi interpretim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lidhur me takimin e anëtarit të komisionit vlerësues me përfaqësuesin e firmës private “Famis”.

KRPP-ja tregoi se cilat janë mënyrat e lejueshme të komunikimit mes autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve ekonomikë.

“Përveç gjatë vendshikimeve, ose mbledhjeve para tenderimit, të gjitha komunikimet dhe këmbimet e informacioneve ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe një autoriteti kontraktues do të bëhen: (i) me shkrim – në letër, me faks dhe/ose në mënyrë elektronike dhe (ii) në përputhshmëri me të gjitha dispozitat e tjera të aplikueshme të këtij ligji,” thuhet në përgjigjen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Po ashtu, sipas KRPP-së, anëtarët e komisionit vlerëues duhet ta plotësojnë dhe nënshkruajnë deklaratën nën betim ku në pikën 1 të saj betohen se do të mbrojnë nga zbulimi dhe do të ruajnë konfidencialitetin e informacioneve afariste.

OShP-ja anuloi tenderin që shpallte fituese kompaninë “Famis Co”

Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur edhe Organin Shqyrtues të Prokurimit lidhur me veprimin e Ministrisë së Infrastrukturës për të angazhuar në komision vlerësues Bekim Gojanin, zyrtarin që ky organ ia ka anuluar licencën e prokurimit.

“Është totalisht në çështje të autoritetit kontraktues që të angazhojë në komisione ashtu siç e konsideron të nevojshme zyrtarët që ka,” thuhet në përgjigjen e OShP-së.

Por OShP-ja njoftoi se lidhur me këtë tender ka pasur ankesa të kompanive konkurrente dhe se i njëjti është anuluar.

Organi Shqyrtues i Prokurimit më 4 nëntor të këtij viti  mori vendim që të kthejë në rivlerësim këtë aktivitet të prokurimit.

Vendimi u mor pas ankesave të tri kompanive konkurrente. Kompanitë “Arbotec” dhe “RSM Company” me bazë në Prishtinë si dhe “Graniti” me bazë në Istog, dorëzuan ankesa në këtë organ.

Tri kompanitë pretendonin se Ministria e Infrastrukturës kishte bërë shkelje të ligjit të prokurimit.
Pretendimet e tyre u përkrahën nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Paneli shqyrtues konkludoi se kompania “Famis Co” e rekomanduar për kontratë është e papërgjegjshme.

Në vendim renditen arsyet se pse u dha një vlerësim i tillë për këtë kompani.

Ministria e Infrastrukturës kishte kërkuar nga konkurrentët që të aplikonin me staf të ndryshëm për dy lotet (pjesët) e tenderit. Kjo kompani kishte konkurruar për të dy lotet me emrat e tetë inxhinierëve të njëjtë.

Ndërsa kërkohej që kompania të kishte pesë inxhinierë për një lot, ndërsa dhjetë për lotin tjetër. Duheshin gjithsej pesëmbëdhjetë inxhinierë sipas OShP-së.

Po ashtu Ministria e Infrastrukturës kishte kërkuar që firmat të kishin në dispozicion makineri të ndryshme nëse planifikonin të konkurronin në të dy lotet. “Famis” kishte konkurruar në të dy lotet me të njëjtat makineri.

Po ashtu kjo kompani, bazuar në vendimin e OShP-së, kishte ofruar një referencë se një prej inxhinierëve ka kryer projekte të kësaj kompanie gjatë viteve 2012/20113/2014.

Ndërsa Paneli i OShP-së konkludoi se emri i këtij inxhinieri nuk figuron në listat e kësaj kompanie të dorëzuar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Emri i tij, sipas OShP-së, figuron vetëm për muajin qershor të vitit 2015.

Vendimi tregon se gjatë seancës së dëgjimit të palëve i është dhënë fjala edhe përfaqësuesit të Ministrisë së Infrastrukturës.

Përfaqësuesi i MI-së deklaroi se ky aktivitet tenderues është i interesit shtetëror dhe kërkoi që të mos anulohet.

“Kërkojmë nga paneli shqyrtues që të mos anulojë këtë aktivitet të prokurimit, sepse i njëjti do të shkaktonte dëme dhe pasoja të pallogaritshme për qytetarët tonë dhe do pajtohemi me çfarëdo vendimi me përjashtim të anulimit të aktivitetit,” tha përfaqësuesi i ministrisë bazuar në këtë vendim.

Kjo kërkesë është përfillur nga Paneli i OShP-së që nuk aprovoi rekomandimin e ekspertëve shqyrtues për anulimin e tërësishëm të këtij aktiviteti tenderues.

Paneli i OShP-së arsyetoi vendimin duke marrë për bazë afrimin e stinës së dimrit dhe nevojën për të kontraktuar sa më shpejt kompani private që mirëmbajnë autostradën.

Arsyet e anulimit të licencës së Gojanit

Organi Shqyrtues i Prokurimit edhe para tre vjetësh kishte marrë një vendim që përfshinte Bekim Gojanin, zyrtarin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompaninë “Famis Co”.

Organi Shqyrtues i Prokurimit më 29 shkurt të vitit 2012 mori vendim për anulimin e licencës së zyrtarit të prokurimit Bekim Gojanit  dhe shqiptimin e gjobës në vlerë prej 10 mijë eurosh për Ministrisnë e Infrastrukturës.

Gojani atëkohë mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit të Prokurimit.
OShP-ja konkludoi se Gojani ka kryer shkelje të rënda të Ligjit të Prokurimit Publik.

Sipas vendimit të OShP-së, kjo ministri nuk ka respektuar vendimet e këtij organi lidhur me gjashë aktivitete tenderuese.

Në një prej tyre bëhet fjalë për kompaninë “Famis Co” nga Suhareka. Kjo kompani ishte rekomanduar për dhënie kontrate në tenderin “Sanimi i Rrugës Regjionale R-105 Klinë-Brojë”.

Oferta e saj peshonte 2 milionë e 166 mijë euro. Por kjo shumë  ishte për 200 mijë euro më e lartë sesa vlera e parashikuar e ministrisë për realizimin e këtij projekti.

Bekim Gojani kishte deklaruar para panelit shqyrtues të OShP-së se në Ministrinë e Infrastrukturës kishin rënë në konkludim se duke pasur parasysh konfiguracionin e terrenit oferta e “Famis Co” përbente vlerë reale për ekzekutimin e projektit.

Por Gojani kishte shtuar se gjatë takimeve me sekretarin e ministrisë dhe kabinetin e ministrit kishin shqyrtuar mundësitë e anulimit të këtij tenderi.

E kishin bërë këtë. Kishin arsyetuar vendimin për anulim duke njoftuar se të gjitha kompanitë e përgjegjshme në garë kishin tejkaluar vlerën e paraparë për këtë projekt e që ishte mbi 1 milion e 900 mijë euro.

Planifikonin që të nisnin aktivitetin tenderues që nga fillimi.

Por kishte pasur ankesa nga kompanitë konkurrente që kishin kundërshtuar anulimin dhe parapëlqenin rivlerësimin e ofertave. Më pas, sipas Gojanit, ministria ishte njoftuar me vendimin e OShP-së për rivlerësimin e tenderit.

Ai para panelit kishte arsyetuar moszbatimin me kohë të urdhëresave të vendimeve të OShP-së.
Kishte thënë se fajet i kanë komisionet vlerësuese të aktiviteteve të prokurimit.

“Ne si zyrë e prokurimit jemi nën presion konstant për shkak të afateve ligjore. Mirëpo nuk mund të ndërhyjmë në punën dhe vlerësimet e komisioneve vlerësuese. Andaj këto komisione shpesh nuk e kuptojnë rëndësinë e respektimit të afateve dhe urdhëresave dhe vendimeve. Kështu që ndonjëherë rivlerësimet i kanë zgjatur jashtë afatit të lejuar të OShP-së, gjegjësisht të dispozitave ligjore të LPP-së,” kishte deklaruar Gojani.

Ministria e Infrastrukturës pas vendimit ndëshkues të OShP-së ishte detyruar të shpallte fituese një kompani tjetër private që kërkonte më pak se 2 milionë euro për zbatimin e këtij projekti. Vlera nën 2 milionë euro përkonte edhe me planifikimet për shpenzim në këtë projekt të Ministrisë së Infrastrukturës.