Miku i Familjes Grabovci Udhëheq “Trainkos”-in

Ndërmarrja Publike “Trainkos”, që nga data 29 dhjetor e vitit të kaluar udhëhiqet nga Gelor Shala, 35 vjeçar, që bëri përvojë menaxheriale në kompaninë “ITK”  nga Peja ku është hisedar Nazmi Grabovci, djali i vëllait të Adem Grabovcit.

Shala punoi shtatë vjet në pozitën e drejtorit të financave në kompaninë “International Traffic Kosova” (ITK) që fitoi mbi 2 milionë euro tenderë nga Ministria e Infrastrukturës.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në korrik të vitit 2013 se një tender i fituar nga kjo kompani ishte kritikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. ITK-ja ishte shpërblyer me tenderë edhe përkundër që kishte ofertën më të shtrenjtë për 34 mijë euro sesa kompania tjetër konkurrente.

Përveç punës së përbashkët në këtë kompani private, Gelor Shala dhe Nazmi Grabovci kanë edhe miqësi familjare mes vete. Gruaja e Nazmi Grabovcit, nipit të Adem Grabovcit të PDK-së, është nga familja e Gelor Shalës. 

Emërimi i Shalës në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv u bë pas dorëheqjes së Betim Gjoshit nga kjo pozitë më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Gjoshi vendosi që të ushtrojë vetëm detyrën e përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror Zgjedhor.

 “Dorëheqjen e kam dhënë me 17 dhjetor, për arsye se jam nominuar sërish me qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, në Komisionin Qendror Zgjedhor”, tha Gjoshi. 

Ai nga tetori i vitit 2012 mbajti të dy pozitat, duke rënë ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. 

Gjoshi gjatë kohës sa ishte kryeshef ekzekutiv punësoi familjarë të tij në këtë ndërmarrje.

Po ashtu Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në maj të vitit të kaluar se Gjoshi gjatë udhëheqjes së kësaj ndërmarrjeje avancoi në pozitë të afërm të njerëzve me ndikim.

Vëllai i gruas së deputetit të PDK-së Shaip Mujës u avancua në pozitë menaxheriale në kundërshtim me rregullat e ndërmarrjes. 

Dhëndri i Sabit Gecit dhe vëllai i Muharrem Xhemajlit u emëruan në pozita të rëndësishme në ndërmarrje, ndihmës- menaxher përkatësisht shef i njësisë,  përkundër që nuk kanë fakultet të kryer.

Gjoshi deklaroi se avancimet ishin bërë për shkak të performancës së mirë të punënonjësve dhe vendimi i tij ishte në përputhje me rregullat e kësaj ndërmarrjeje publike.

Miqësia me familjen Grabovci

Gelor Shala më herët ishte edhe  anëtar i Bordit të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim të Energjisë , një trup mbikëqyrës me mandat pesëmuajsh, e krijuar nga Qeveria e Kosovës për të kaluar përgjegjësitë nga KEK-u te pronari i ri i KEDS-it.

Por para se të merrte këtë detyre më 19 janar të vitit 2012, ai punoi shtatë vjet në kompaninë “Internacional Traffic Kosova” (ITK). 

Kompania “ ITK”,  është e themeluar në vitin 2008. Kjo kompani merret me sinjalizimin e rrugëve.

Nazmi Grabovci, djali i vëllait të deputetit Adem Grabovci, tha se lidhjet e ngushta familjare që ai ka me Shalën nuk kanë pasur asnjë ndikim, që Shala të zgjidhet në  pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në “Trainkos”.

“Aty nuk ka pasur asnjë ndikim, aty është qysh e ka kapur fati, ai është i suksesshëm dhe ka përvojë pune,” deklaroi Grabovci.

Sipas Nazmiut, lidhjet e tij familjare me Adem Grabovcin dhe Nazmi Grabovcin nuk kanë ndikuar asgjë.  

 “Ademi e unë aty nuk kemi hiq ndikim, ai nuk ka asnjë lidhje, unë e kam  mik Gelorin… Gruaja ime është nga familja e Gelorit,” tha Grabovci.

Gazeta Jeta në Kosovë në lidhje me këtë temë e ka kontaktuar edhe Adem Grabovcin, por ai nuk deshi të komentonte.

“Po çka me intereson mua ajo punë, as nuk e di kush është zgjedh, as kush ka qenë, hiq so ka më intereson, hiq..”, tha Grabovci.  

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar sqarime nga Gelor Shala në lidhje me avancimin e tij në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit, si dhe lidhjet e tij me familjen Grabovci nga Peja.

Por kontakti me Shalën ishte i pamundur.

Ne kemi provuar për katër ditë që të bisedojmë me të, nëpërmjet telefonit zyrtar, atij privat, si dhe mesazhe të dërguara, por në asnjërin prej tyre ne nuk kemi marrë përgjigje.

“Nuk është këtu” , tha për Gazetën Afrim Kuleta, sekretar i ndërmarrjes. 

Ai tha se Shala më shumë po është jashtë zyrës sesa në zyrë.

Anëtarët e bordit të drejtorëve thonë se nuk ishin  në dijeni për miqësinë e Gelor Shalës me familjen Grabovci nga Peja, por, sipas tyre, ai i plotësoi kriteret për t’u emëruar në këtë pozitë.

 “ Po më bëni të qesh, ne as nuk e dimë kush është ai, e as s’e di se cilat janë lidhjet e tij familjare dhe as cilës parti i përket,” tha Labinot Halilaj, anëtar i Bordit të Drejtorëve në “Trainkos”. 

Halilaj tha se për ketë temë mund të flasë vetëm sekretari i përgjithshëm i ndërmarrjes dhe se vendimin e tyre nuk ka nevojë ai ta interpretojë.

Halilaj është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës grupi parlamentar i së cilës udhëhiqet nga Adem Grabovci. 

Ai me 5 prill të vitit 2014 kishte marrë pjesë në një tubim parazgjedhor me fshatarët e fshatit Tërdec të Komunës së Drenasit

“Sot ne fshatin Tërdec ku biseduam rreth zhvillimeve te fundit politike dhe kërkesat rreth investimeve kapitale qe ishin shumë të arsyeshme dhe domosdoshme për fshatin, PDK-ja në këto zgjedhje pritet të numërojë mbi 93% te votave ne favorin e saj!”, thuhet në  mbishkrimin që Halilaj kishte vendosur në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë  Eset Cakolli, kryetar i Bordit të Drejtorëve të “Trainkos”-it, thotë se Shala plotësoi kushtet për t’u emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv.

Ai thotë se Shala u zgjodh në këtë detyrë pasi që ishte kandidat që i plotësonte kushtet dhe që mori shumicën e votave të bordit të drejtorëve.

“ Ky ka lidhje me Grabovcin ? Ja unë asgjë nuk di, ju betohem , tash prej juve po dëgjoj,” tha Cakolli.

Ministria kërkon rishikimin e vendimit të kritikuar

Tri javë para se të emërohej në pozitën kryesore në ndërmarrje, Shala kishte nisur punën në “Trainkos” në një pozitë më të ulët. 

Në fillim të dhjetorit të vitit 2014 u punësua në pozitën e Drejtorit të Zhvillimit të Bizneseve . Po ai u avancua lart në ndërmarrje para se ta merrte rrogën e parë nga “Trainkos”-i. 

Ngritja e shpejtë e Shalës po kritikohet nga punëtorë më të vjetër në ndërmarrje.

Liridon Restelica i cili është i punësuar në “Trainkos” në pozitën e zëvendëskryeshefit ekzekutiv, nuk është i kënaqur me avancimet që Bordi i Drejtorëve i ka bërë në “Trainos”.

Ai thotë se me emërimin e z. Shala si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv, u nënçmua dhe u ul pozita e tij . Për këtë vendim, ai as nuk ishte njoftuar nga Bordi.

“Unë si zëvendëskryeshef nuk kam ditur asgjë, nuk di unë se pse jam në këtë pozitë aty, kur nuk njoftohem për asgjë,” tha ai.

Restelica ka edhe dyshime në lidhje me legjitimitetin e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të Ndërmarrjes.

 “Për mu është me rëndësi të dijmë nëse është vendim i ligjshëm. Nëse është i jashtëligjshëm të merren masa dhe të dihet një gjë e tillë,” tha Restelica.

Sipas Restelicës  emërimi i Shalës si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv është i pakuptimtë.

“Ai brenda 3 javëve punë, është emëruar ushtrues detyre i kryeshefit, e ende as stafin nuk e njeh mirë,” u ankua Restelica.

 “Nuk dua të them se ka pasur ose jo ndikime politike, por ky emërim dhe ky punësim ka një prapavijë,” shtoi ai.

Për emërimin e Shalës  në këtë pozitë, kritikë ka edhe Burim Ejupi, nga INDEP-i. 

Për të vetë fakti se në këtë ndërmarrje zgjidhet ushtruesi i detyrës së kryeshefit i cili do ta mbajë këtë post për një ose 2 muaj, deri në zgjedhjen e kryeshefit të ri, është i pakuptimtë ekzistenca e një zëvendësryeshefi.

“Sado që është vendim i ligjshëm, zgjedhja e një ushtruesi detyre, është e pakuptimtë dhe nuk është praktikë e mirë,” tha Ejupi.

“Pse duhet të ketë zëvendëskryeshef?” pyet ai derisa komenton avancimin e një punonjësi që ishte më i ulët në hierarki të ndërmarrjes përkatësisht drejtorit për zhvillim të bizneseve në “Trainkos”.

Në lidhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes “ Trainkos”, është i njoftuar edhe Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. 

Sejdiu deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se pret që rishikimi i vendimit të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Drejtorëve, por nuk tregoi se cilat janë arsyet që e shtynë MZhE-në ta kërkojë këtë.

“Kemi kërkuar  Rishikim te Vendimit mbi UD së KE të ‘TrainKos’-it, dhe jemi ne pritje të procesverbalit nga mbledhja e bordit te drejtoreve , e cila është paralajmëruar te mbahet dhe një nga pikat e rendit të ditës është edhe pika mbi shqyrtimin e shkresës se NjPMNP-së,” tha Sejdiu për Gazetën Jeta në Kosovë.