Pasojat e Ngërçit- Zyrtarët e AKP-së Mbesin pa Paga

Janë bërë njëmbëdhjetë ditë prejse zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor. 

Kjo ka ndodhur për shkak se kjo agjenci nuk ka bord të kompletuar të drejtorëve, nuk ka drejtorë gjeneralë, e as drejtorë departamentesh të cilat kanë përgjegjësinë e marrjes së vendimit për alokimin e pagave. 

“Agjencia Kosovare e Privatizimit është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet qeveritare lidhur me alokimin e kuartalit të katërt buxhetor që mundëson pagesën e pagave, mallrave dhe shërbimeve”, tha Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së. 

AKP-ja është në pritje të krijimit të  Kuvendit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të bordit, pasi më 31 gusht të këtij viti u skadoi mandati dy anëtarëve ndërkombëtarë, duke e lënë bordin tetë-anëtarësh me vetëm tre veta në përbërje dhe me mungesë kuorumi për të mbajtur mbledhje.

Aktualisht në AKP  janë vetëm tre anëtarë vendorë në bord. Dy anëtarë vendorë dhe një ndërkombëtar kishin dhënë dorëheqje në maj të vitit 2013.

Në këtë institucion që nga viti i  kaluar bordi nuk ka qenë në gjendje të miratojë vendime për shpërndarjen e 20 përqindëshit te ish-punëtorët, pa miratimin obligues të tre ndërkombëtarëve.

Qeveria e Kosovës, me ligj të AKP-së, emëron personat dhe Kuvendi i Kosovës i voton.  Por aktualisht nuk mund ta bëjë këtë, pasi që ende nuk ka nisur punën legjislatura e re dhe ngërçi politik ka pamundësuar krijimin e qeverisë së re. 

Kjo situatë sipas Ministrisë së Financave ka çuar deri te mbetja pa paga e punojësve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Të punësuarit në AKP kanë mbetur pa paga, pasi që nuk ka bord funksional të AKP-së, i cili konform ligjit është i autorizuar që të lejojë përdorimin e mjeteve, të cilat i kanë në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Ministrisë së Financave. 

Ministria e Financave deklaroi se ka bazë ligjore që mundëson shpërndarjen e pagave për punonjësit e  AKP-së.

 “Mbi bazën e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, Qeveria është e autorizuar që nga fondet publike, pasi që bëhet fjalë për të punësuar në sektorin publik,  të ndajë mjetet e nevojshme për pagesën e pagave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Sipas kësaj ministrie ligji i buxhetit mundëson që “në rast të ndonjë mungese në mbledhjen e të ardhurave të dedikuara të AKP-së, apo mungesës së mjeteve të cilat janë në dispozicion, të kompensojë këtë deficit nga paratë tjera publike”.