Mos ma merr atë që më takon!

E drejta e gruas për trashëgimi pronësore është e drejtë themelore që garantohet me ligj, por në vendin tonë ende janë në fuqi  ligjet e pashkruara, të cilat në mënyrë kategorike i diskriminojnë  gratë nga të drejtat e garantuara. Sipas këtyre ligjeve që tashmë janë bërë mentalitet, trashëgimia familjare iu ndahet vetëm burrave, ndërsa grave nuk iu ndahet asgjë. Ato nuk po konsiderohen të barabarta si pjesë e familjes.

Që nga ekzistenca e tyre gratë shqiptare janë shkelur nga ndarja e trashëgimisë familjare. Atyre shpesh nuk u është ndarë asgjë nga trashëgimia e familjes sepse janë konsideruar si derë e huaj që s’meritojnë të trashëgojnë asgjë.

Kjo e ka përcjellur edhe këngëtaren nga Suhareka Safete Mustafa. Safetes i është mohuar e drejta për trashëgimi në familjen e burrit nga vjehërri dhe kunetërit pas vdekjes së bashkëshortit të saj.
Ata e kishin larguar pa pikë dhembshurie nga shtëpia në të cilën jetonte me bashkëshortin e ndjerë  dhe dy vajzat duke u vendosur vetë në të.

Rast tjetër është edhe ai i Afërdita Statovcit. Afërditën dhe nënën e saj, 1 muaj pas vdekjes së babait (para 27 viteve), axha i saj i kishte larguar nga shtëpia e tyre me dhunë. Ajo së bashku me nënën e sëmurë qe 10 vite janë duke u përballur me gjykatë e me familje të babait, për të përvetësuar pronën e babait të saj. Këta janë vetëm dy shembuj të  asaj se  në vendin tonë grave nuk iu jipet ajo që u takon. Lëre që s’iu jipet por edhe u merret në mënyrën më të keqe duke rënë në kundërshtim me ligjin që atyre  ua garanton këtë të drejtë.

Ligji për Familje thotë se “Tërë pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së bashkimit famijar i cili përfshin bashkëshortët dhe fëmijët e tyre të ngushtë konsiderohet të jetë pasuri e përbashkët e të gjithë anëtarëve që kanë marrë pjesë në fitimin e saj.”
Ky ligj ua garanton grave të drejtën për trashëgimi, por  fatkeqësisht në shumicën e rasteve po mbetet vetëm në letër sepse po praktikohen ligjet e pashkruara.

Ajo që vazhdon të praktikohet është metoda e vjetër: burri është shtylla e shtëpisë dhe ai duhet të trashëgojë pasurinë ndërsa gruaja vendin e ka te burri.

Janë gjithnjë burrat që triumfojnë brenda familjes si në pasuri dhe pothuajse në ҫdo aspekt, ndërsa gratë privohen si të mos jenë pjesë e tyre. Mentaliteti se nese grave iu ndahet trashëgimia, pasuria e familjes shkon diku tjetër është i palogjikshëm dhe aspak i drejtë. Nese atyre iu ndahet pjesa e tyre, familja nuk humbë asgjë sepse edhe atyre u vjen pasuria nga një grua tjetër.

Zbatimin e zakoneve dhe ligjeve të pashkruara për rregullimin e marrëdhënieve familjare gruaja e vuan më së shumti, por nuk mund t’i fajësojmë vetëm prindërit apo vëllezërit për mosndarjen e pasurisë në mënyrë të barabartë. Fajtor është edhe vetë ajo që nuk interesohet t’i mësoj të drejtat që ia përcakton ligji, por pajtohet me atë që i ofrohet.

Gruaja shpesh konsiderohet si rob shtëpie, puno te baba, puno te burri, pa pasur të drejtë askund. Mendoj që kjo ka ndodhur për dy arsye: 1. Për faktin se ajo nuk konsiderohet si vazhdimësi e familjes dhe 2.

Nga mungesa e vetëdijes dhe njohurive për të drejtat që i takojnë. Këtë e dëshmon edhe një studim i kryer nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore ku  thuhet se 20.01 % e grave pranojnë se ju mungon vetëdija dhe njohuritë për të drejtat e tyre rreth trashëgimisë. Ёshtë koha që t’i thuhet STOP kësaj. Gratë duhet të zgjohen nga gjumi, të informohen, t’i kërkojnë dhe të luftojnë për të drejtat e tyre.

Vetëdijësimi, informimi dhe kërkimi e pasurisë nga ana e tyre është kushti i parë që ato duhet të ndjekin.

Gratë  në Kosovë duhet të vetëdijësohen dhe të luftojnë me ҫdo kusht ҫoftë edhe për një grimcë tokë sepse kjo u garanton atyre mirëqenie më të mirë si pjesë përbërëse e shoqërisë që janë. Shteti dhe organet kompetente duhet të luftojnë në zbatimin e ligjit për trashëgimi  që një ditë edhe ne të jemi pjesë e shteteve që respekton ligjin u ndanë pronën dhe i konsideron burrat dhe gratë të barabarta në ҫdo aspekt.