Zhvillim Ekonomik apo Mashtrim Optik

John Selvaggio, drejtori i kompanisë amerikane të fluturimit “Song”, teksa po u drejtohej punëtorëve të tij në një emision televiziv, konkurrencën ekonomike e shpjegonte me një anekdotë. 

“Dy burra ishin duke shëtitur, kur përpara u del një luan i uritur”, thoshte drejtori për të vazhduar se në kërkim të daljes nga situata fatkeqët ishin shikuar sy më sy, ndërsa njëri prej tyre ishte ulur që të lidhte atletet. 

Gjithnjë sipas anekdotës tjetri e kishte pyetur: Pse po i lidh, a mendon se mund të vraposh më shpejt se luani? Jo, i ishte përgjigjur lidhësi i atleteve-po e bëj këtë gjë për të vrapuar më shpejt se ti që luani të të kap ty e jo mua. 

Drejtori vazhdonte të theksonte më tutje se këtë logjikë duhet përdorur kompanitë për ta mundur konkurrencën. 

Njësoj duhet të ndodhë edhe me shtetet, por Kosova nga aspekti ekonomik ende nuk është ulur për të lidhur atletet, derisa shtetet fqinje e parakalojnë me lehtësi. 

Termi zhvillim ekonomik përdoret shumë në shoqërinë tonë  nga shtresa të ndryshme shoqërore  deri te elitat politike, madje-madje këto të fundit në deklaratat e tyre  dhe kryesisht gjatë  fushatave zgjedhore bëjnë premtime megalomane për rritje ekonomike, por një vështrim analitik i periudhave të kaluara dëshmon se sa pak është bërë në këtë fushë. 

Po ta ndjekim shembullin e anekdotës Kosova për nga zhvillimi ekonomik ndodhet përballë luanit, derisa të tjerët kanë ikur prej tij. 

Fillimisht sektori energjetik që luan rol te rëndësishëm për zhvillim ekonomik  të vendit  edhe pas privatizimit nga konzorciumi turk Çalik-Limak në maj të vitit 2013, ende nuk është stabilizuar. 

Vazhdojmë të ballafaqohemi me reduktime të energjisë elektrike dhe duket se kemi të bëjmë më shumë me ndryshime kozmetike sesa substanciale në këtë fushë,  ku edhe  sipas raportit  të Bankës Botërore dhe IFC-së “Doing Business 2014” Kosova nga vendi 120 sa ishte në vitin 2013 ka renë në të 121-in, -1↓

 Mosfurnizimi i rregullt me energji elektrike ka ndikim shumë të madh në ushtrimin e aktivitetit ekonomik dhe përveç kësaj edhe ngritja e çmimit të energjisë do t’i shfaqë efektet negative të saj.

Krahas kësaj ekonomia joformale vazhdon të jetë  një konkurrent jo i drejtë në treg.   

Në sektorin financiar  kemi rritje të ekspozimit ndaj rrezikut kreditor ne krahasim me vitin 2012. Sipas Raportit të BQK-së për vitin 2013,  numri i Kredive Joperformuese ( NPL) ndaj gjithsej kredive arriti në 8.7 %. 

Sektori më i ekspozuar ndaj rrezikut kreditor është i ndërmarrjeve  në kuadër të të cilave tregtia dhe prodhimtaria kanë shënuar përkeqësim të portofolit kreditor.  Sektori i prodhimtarisë ka shtuar kreditë e këqija nga 11.2% sa ishte në 2012 në 15.2 %. Edhe në tregti ka ndodhur e njëjta gjë. Kreditë joperformuese janë rritur nga 10.5% në 12.2%  në vitin 2013. 

Sipas raportit të BQK-se për vitin e kaluar edhe në sektorin fiskal kemi rënie të të hyrave buxhetore për 0.5%  arritën në vlerë rreth 1.3 miliard euro  dhe rritje të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore në 3.1% arrit në vlerë rreth 1.5 miliardë euro . 

Shpenzimet qeveritare për investime kapitale gjatë vitit 2013 shënuan rënie prej 3.8% dhe në anën tjetër rritja e shpenzimeve rrjedhëse (pagave dhe mëditjeve, mallrave e shërbimeve, subvencioneve dhe transfereve) pa përfshirë pagesat e borxhit, shënuan rritje prej 7.6%  krahasuar me vitin paraprak.

Edhe pse kemi pasur rritje te pagave për sektorin publik kanë ndodhur edhe rritje të çmimeve, të cilat i kanë prekur edhe shtresat tjera që nuk janë të punësuara në këtë sektor, çka nënkupton se për disa nuk vërehen ndryshimet edhe pas rritjes se pagës,  e disa tjerë me vështirësi  i përballojnë ngritjet e çmimeve.

Rritja e pagave ne sektorin publik ngjalli reagime edhe te punëtoret e sektorit privat ku të njëjtat kërkesa kishin edhe ata, por kemi të bëjmë me dy grupe të ndryshme të punësuarish, ndërsa të punësuarit në sektorin privat ballafaqohen edhe me mungesë të ditëve të pushimit,(festave zyrtare), si në sektorin publik, moskompensim për punë në ditë festash, madje edhe me vonesa në marrje të pagave.

Sipas raportit të BQK-së të tremujorit të parë 2014 projeksionet tregojnë një rritje të aktiviteti ekonomik  për vitin 2014 me një normë reale të rritjes së PBB-së prej 4.0%, pra 0.4%  më pak se në vitin 2011. 

Përveç këtyre që i përmendëm segmentet që kontribuojnë në  zhvillimin ekonomik si infrastruktura ligjore,arsimimi, sundimi i ligjit krijimi i kushteve të të bërit biznes për thithjen  e investimeve të huaja etj , janë disa prej  copëzave të mozaikut qe pasqyrojnë imazhin e Kosovës ne raportet ndërkombëtare.

Në bazë të tyre përcaktohet pozita ndërkombëtare e Kosovës në raport me vendet tjera. 

Vendi ynë nëse e përfundojmë me anekdotën e fillimit, duhet në së pari të ulët për të lidhur mirë  atletet dhe  pastaj  të ngre kokën, të shikojë përpara e të vrapojë sa më shpejt që të mundet për të zënë të tjerët, së paku bile fqinjët. 

Autori është analist financiar në BIRN.