Korridoret Moderne me Dhoma të Mjerueshme

Autostrada 600 milionëshe Prishtinë- Shkup e cila nisi të ndërtohet para tri javësh, po proklamohet të bëhet edhe një “korridor i zhvillimit ekonomik”.

Do e analizoj të ashtuquajturin koridor duke u bazuar në përvojën e autostradave e rrugëve që kemi ndërtuar në kohën e pasluftës në Kosovë – me shpresë që kanë do të ngjallin zhvillim ekonomik. 

Nëse e anlizojmë zhvillimin ekonomik të Kosovës nga viti 2007 e deri në vitin 2013, vërejmë që, edhe pse buxheti shtetëror është rritur çdo vit, nuk ka pasur ndonjë përparim të dukshëm ekonomik.

Konkretisht, nga 680 milionë euro sa ka qenë buxheti në 2007, në 2014 ka arritur ne 1 miliard e 500 milionë euro. Prej këtij buxheti, për 6 vite rresht janë ndarë mesatarisht 27% e buxhetit për çështje ekonomike – që është goxha ndarje e majme. 

Por, a janë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme këto mjete? A e kanë zhvilluar me të vërtetë ekonominë dhe mirëqenien sociale? 

Apo, po na mjaftojnë korridoret – e kurrsesi s’po mund të futemi në dhoma.

Kur e kalkulojmë që 80% të buxhetit për çështje ekonomike i kemi ndarë në “shpenzime kapitale” që kryesisht fjala është për investime në autostrada (e pjesërisht në subvencione dhe zhvillime tjera ekonomike) rezultati po del se mbetëm duke pritur korridoreve të shtruara.

Për ta ilustruar, po e analizoj vetëm buxhetin e 2013 ku prej 330 milionëve buxhet të ndarë për çështje ekonomike 265 milionë janë shpenzuar vetëm për infrastrukturë, 23 milionë për bujqësi, 5 milionë janë shfrytëzuar nga Ministria e Tregtisë dhe 37 milionë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Por a ka reflektuar ky investim në ndonjë formë zbritjen e deficitit tregtar?

Nëse e analizojmë deficin tregtar prej 2007 e deri në 2013 e kemi pak-a-shumë të njëjtën situatë.

Edhe pse u premtua se “Rruga e Kombit”, ky koridor i rëndësishëm, do na e ndërrojë situatën, importi na mbeti 88% e eksporti vetëm 12%.

Dhe ironia më e madhe, përkundër faktit që autostrada me Shqipëri nuk na solli përfitim të qartë ekonomik, ne prapë vendosëm të ndërtojmë një autostradë të re 600 milionëshe që na çon te shteti fqinj Maqedonia i cili edhe me rrugën e “keqe” që e kemi tash në vitin 2012 e mban vendin e parë për import nga ana e Kosovës. E në 2013 është Serbia ajo që eksporton më së shumti në Kosovë edhe përkundër faktit që malli që e konsumojmë nga këto dy shtete nuk na vjen nëpër autostrada moderne. 

Apo ndoshta, qëllimi është që t’ua lehtësojmë këtyre dy shteteve fqinje qarkullimin dhe sjelljen e mallrave te ne.

Pasi autostrada po llogaritet si koridor i zhvillimit ekonomik, pse shkëmbimi tregtar nuk u përmirësua dukshëm me Shqipërinë ose shtetet e tjera të cilat e shfrytëzojnë këtë autostradë?

Pse po ndërtojmë një autostradë të re në drejtim të shteteve tona fqinje të cilat çdo vit po na e zvogëlojnë eksportin e produkteve tona atje?

Pjesëmarrja totale e prodhimeve të Kosovës me eksport në Maqedoni ishte 11% në vitin 2007, ndërsa në vitin 2013 ne marrim pjesë vetëm 9% me produktet tona në tregun maqedon. 

Me Serbinë, në vitin 2007 kishim pjesëmarrje në eksport me 12% e në 2013 kemi pjesëmarrje vetëm 5% – përkundër dialogut me Serbinë.

Ndoshta ne ekonomistët jemi të krisur e po i shoshisim gjërat ndryshe e po mirremi me cikërrima por s’po mund të shkruaj këtë koment pa e pasur parasysh jo shtetin fqinj por kojshinë tim. Kur flasim për autostradën e re, kojshija im më tregon se komplet familja e tyre nuk kanë pasaporta. Kur unë çuditem dhe i pyes po si është kjo e mundur, çka bëni kur ju duhen, ata më thonë se nuk u duhen asgjë se s’kanë para të shkojnë askund. 

Kushedi sa familje ka në Kosovë që e kanë po të njëjtin fat. Edhe pse mua po më pëlqen autostrada sepse shpesh shkoj në Shkup pyetja është se sa minuta vozitje do të m’i shkrutojë kjo autostradë e re? 

Si duket, hiq më shumë se 15 minuta.

Kur mendoj se ku do të mund t’i shpenzonim këto të holla, 15 minuta kohë e kursyer nuk po më çon kurfarrë peshe. Kjo sepse unë do të nisesha 15 minuta përpara që të arrij në Shkup nëpër autostradë të vjetër nëse më duhet të shkoj atje. 

Nuk ishte qëllimi im të shkruaj e të ndjell urrejtje kundër një projekti, por nuk po mund të gjej përgjigjen në një pyetje.

A nevojiten me të vërtetë këto autostrada që të dukemi se ne po bëhemi modernë me infrastrukturë, që po e rregullojmë “korridorin ekonomik” e në anën tjetër dhomat që do të duhej të lulëzonin për shkak të atij korridori të ri i kemi të tmerrshme? Deri kur do të vazhdojmë ta gënjejmë kështu vetveten?

(Autorja është analiste financiare për KALLXO.com)