Komuna e Pejës Reagon Ndaj Shkrimit “Ali Berisha ‘Shqyrton Seriozisht’ Kontratën e Dhënë për Kompaninë e Zyrtarëve të Pejës”

E nderuara redaksi e Gazetës Jeta në Kosovë na vjen keq për formën se si ju e trajtoni lajmin dhe qasjen jo te mirë ndaj informacioneve dhe temave, e në këtë rast na shqetëson trajtimi jo i drejtë i rastit të Kompanisë së Sigurimit Fizik “Magnum” në Pejë.

Ju lutemi ta botoni reagimin e Zyrës së Kryetarit të Komunës së Pejës dhe po ashtu edhe përgjigjen me shkrim që Zyra e Kryetarit e ka dërguar në adresën e gazetares Liridona Hyseni.

Pas bisedës dhe kërkesës suaj për përgjigje në pyetjet në lidhje me Kompaninë e Sigurimit të objekteve të Administratës Komunale, Kryetari i Komunës ka ftuar në konsultim përsëri Zyrën e Prokurimit dhe ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me këtë çështje dhe është konstatuar se Komuna e Pejës nuk ka bërë shkelje ligjore dhe nuk i ka shkelur rregullat e KRPP-së konform rregullores në fuqi të prokurimit.

Me poshtë po ua përcjellim përgjigjen e Zyrës së Prokurimit të Komunës së Pejës:

Siç e kemi njoftuar edhe më parë Gazetën Jeta në Kosovë lidhur më tenderin “Sigurimi fizik i objekteve të Administratës Komunale”, po ju njoftojmë në lidhje më pyetjet e parashtruara nga gazeta e juaj. Së pari ju njoftojmë se përfituesi i këtij tenderi është konzorciumi “Magnum&Kosova Security” nga Peja&Gjilani.

Pas konsultimit me Zyrën Ligjore dhe Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik nr.4 /L-051 të dt.31.08.2011, kemi vërejtur te Neni 4 i cili i trajton  zyrtarët e lartë publik se në komuna zyrtarë të lartë publikë janë sipas nenit 4 alineja 1.10 të këtij ligji: kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komunave, kryesuesit, zëvendëskryesuesit, këshilltarët e asamblesë komunale si dhe të gjithë drejtorët e drejtorive komunale. Në ketë rang hyjnë edhe udhëheqësit e caktuar në alinenë 1.13 të këtij neni dhe ata janë: drejtorët e të gjitha departamenteve, udhëheqësit e financave dhe udhëheqësit e prokurimit publik të të gjitha institucioneve publike. Zyrtarët të cilët janë të apostrofuar nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk i takojnë kësaj kategorie të udhëheqjes. në shërbimet publike edhe pse më menaxhimin e kësaj kompanie është e autorizuar znj. Valentina Morina.

Kurse në pyetjet që i keni bërë dy herë radhazi për licencën e lëshuar nga MPB-ja që i jep të  drejtë kompanive të ofrojnë shërbimet e sigurimit, sipas Komisionit Vlerësues Konzorciumi i cili është shpallur fitues për kryerjen e këtyre shërbimeve në komunën tonë ka poseduar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Kjo është vërtetuar edhe nga Auditori i Përgjithshëm i cili ka qenë në auditim të rregullt në Komunën e Pejës në muajin tetor të këtij viti. Një nga lëndët e  përzgjedhura për t’i audituar ka qenë edhe kjo lëndë, për të cilën auditori nuk ka dhënë kurrfarë vërejtjesh lidhur me çështjet të cilat po i kontestoni ju edhe pse është organi kompetent për  verifikimin e këtyre çështjeve.

Kryetari Komunës së Pejës është i indinjuar se si ju i trajtoni temat pa u siguruar në burime të sakta, prandaj presim sinqeritet nga ju duke e botuar reagimin tonë.

Ju faleminderit për mirëkuptim.

Zyra e Informimit Publik,
Komuna e Pejës.