Në Gjueti të Kanuneve Shqiptare

Gjëja e fundit që do më shkonte në mendje kur fillova universitetin në degën juridik, qe mbrojtja e diplomës me të drejtën kanunore shqiptare. Por ja që në fund të vitit të tretë të studimeve, ktheva sytë nga ato libra të lashtë me shpresën për të nxjerrë në dritë diçka të re.

Me ta ndarë mendjen, nisa atë që ishte fillimisht kërkim dhe u kthye më pas në gjueti të kanuneve shqiptare. Pesë janë kanunet themelore të së drejtës sonë dokesore në Shqipëri, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut, i Labërisë, Kanuni i Dibrës dhe ai i Lumës. Së paku, këto janë identifikuar nga studiuesit dhe hedhur në letër, gjë që përbën një farë kodifikimi rudimentar të asaj që ka qenë përgjatë të gjithë ekzistencës së vet një përmbledhje rregullash dhe ligjesh gojore. Botime të tjera përmbajnë variante të këtyre kanuneve në zona të ndryshme.

Kanuni i Lekë Dukagjinit, i botuar për herë të parë në vitin 1933 dhe kodifikuar mjeshtërisht nga At Shtjëfen Gjeçovi, është libri që mund të gjendet kudo, që nga libraritë e mëdha deri te shitësit e librave të përdorur në trotuare. Ai është gjithashtu kanuni që njihet gjerësisht dhe që shumë mund ta mendojnë si përfaqësuesin më dinjitoz të fjalës “Kanun”.  Një kopje të tij e sigurova lehtësisht në një librari të Tiranës sapo përmenda se po kërkoja kanune. Një shitëse ma zgjati në dorë duke m’u justifikuar se ai i Labërisë kishte mbaruar por mund të vinte pasdite furnizimi. Të nesërmen nuk e pata të vështirë të ble edhe Kanunin e Labërisë, kodifikuar nga profesor Ismet Elezi dhe i botuar në vitin 2006.

I treti në radhë qe Kanuni i Skënderbeut, më pak i rrahur por i njohur për ekzistencën e tij. Ai është mbledhur e kodifikuar kohë më parë në vitin 1936-1966 nga Dom Frano Ilia, burgosja e të cilit vonoi por nuk pengoi, botimin e Kanunit që u bë në vitin 1993 në Romë të Italisë. Arrita ta shtie në duar këtë kanun me anë të një të njohure, e cila më tregoi se e mbante në shtëpi në të njëjtin vend me Biblën dhe se e konsideronte njëlloj të shenjtë.

Gjuetia

Kanuni i Dibrës filloi për mua një gjueti të mirëfilltë. Kur lexova për të për herë të parë në librin “Kanun” të Xhafer Martinit, mendova se do ta gjeja po me aq lehtësi sa të tjerët. Isha gabuar. Koha po kalonte dhe çdo librari e madhe apo e vogël, si dhe çdo shitës librash më kishin ngritur supet për këtë titull. Një ribotim i vitit 2007, Kanuni i Dibrës rezultoi të ishte një pyetje, përgjigjen e së cilës jo vetëm që askush nuk po ma jepte, por kishte edhe nga ata që e vinin në dyshim.

“Unë jam nga Kukësi, kam vite që merrem me shitje librash dhe nuk kam dëgjuar kurrë për një Kanun të Dibrës”, më tha një librashitës në zonën e Parkut Rinia në Tiranë. Detajet e mia për autorin, botimin, shtëpinë botuese dhe referencat, ai i vuri në dyshim me një ngërdheshje të lehtë.

“A je e sigurt se nuk të kanë vënë në lojë?” pyeti ai me një lloj sinqeriteti të përzier me ironi, teksa vazhdoi t’i shërbente një tjetër klienti, që miratoi po ashtu se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për këtë kanun.

Megjithatë, shitës librash më të rrahur me këto libra të vështirë ma pohuan të paktën ekzistencën fizike të këtij kanuni. Ashtu si një gjuetar që ndjek prenë e tij hap pas hapi, e gjeta veten duke u endur sa në një librari në një tjetër dhe tanimë hapat e mi përpara çdo fashe librash të rreshtuar në rrugë u ngadalësuan me shpresën se do të mund të gjeja atë që kërkoja. “Jo”, “Jo” dhe “Jo” këto ishin përgjigjet e atyre që i kërkoje Kanunin e Dibrës. Vetë dibranët e rinj nuk e kishin idenë se ekziston një rregullim i tillë zakonor i cili na qenka botuar.

Shkrimtari Agron Tufa, i cili ka bërë një parathënie për Kanunin e Dibrës të Xhafer Martinit, iu përgjigj me përzemërsi interesimit tim për gjetjen e këtij libri, por pa sukses. Një kioskë librash pranë Muzeut Historik Kombëtar e kishte mbajtur librin për disa kohë, derisa e kishte shitur dy vjet më parë.

“E mbaj mend atë libër, e kam pasur në shitje për një kohë të gjatë, por dikush e bleu dy vite të shkuara,” mu përgjigj librashitësja, e cila po lexonte edhe vetë një libër.

Nga informacionet e njëpasnjëshme rashë në gjurmë të një magazine librash në zonën e “21 dhjetorit”  në një ndërtesë thuajse të rrënuar e cila shërbente për disa zyra po aq të rrënuara. Korridore të errëta, dyer të zverdhura dhe të krisura, pak njerëz dhe një qetësi absolute, e bënin këtë vend një lokacion ideal për librat enigmatikë të Zafonit, por një pengesë më shumë për gjetjen e librit që po kërkoja.

Në katin e dytë, një hije njeriu u duk në fillim të korridorit. “Këtu nuk do ta gjesh Kanunin e Dibrës,” m’u përgjigj shkurt një burrë në moshë, pa më konfirmuar nëse ekzistonte një magazinë e mirëfilltë librash apo nëse isha në vendin e gabuar.

“Do të kenë dalë për një kafe,” më sugjeroi roja te porta ku qartësohej se mund të hynin vetëm personat e autorizuar. U largova me mungesën e dëshirës për ta kthyer kokën mbrapa në atë vend të errët që të jepte të ngjethura. Për të njëjtin vend ku gjenden libra të vjetër dhe shumë të vjetër, mes librarëve të librave të vjetër ekziston shprehja: “Kur të hysh atje, duhet të marrësh kundërgaz me vete”!

E vazhdova gjuetinë e Kanunit në dritë të diellit, por pa nxjerrë asgjë në dritë. Derisa një natë ndalova për të pyetur pa asnjë shpresë në një librari në zonën e “Sheshit Uillson”. Pas një kërkimi prej disa minutash, librashitësi ma zgjati atë libër që më kishte bërë t’i vërtitesha Tiranës për disa javë. “Ma porositi një vajzë para një viti, por nuk erdhi për ta marrë. Libra të tillë janë shumë të vështirë për t’u gjetur sepse autorët i botojnë zakonisht për një rreth të ngushtë dhe me shpenzimet  e tyre” më sqaroi ai. E bleva librin pa e menduar dy herë.

Kërkimit tim duhet t’i kishte ardhur fundi atë natë, por trashëgimia jonë juridike fatmirësisht nuk është kaq e vogël. Kanuni i Lumës, u kthye në sfidën time të ardhshme. Biblioteka Kombëtare në Tiranë, më ofroi informacionin e nevojshëm, por nuk mund të më siguronte asnjë kopje sepse në uebsajtin e saj qartësohej se për banuesit jashtë Tiranës kërkohej një burokraci dokumentacioni që hante kohë, të cilën unë nuk e kisha.

Për të siguruar Kanunin e Lumës, m’u desh t’i kthehesha librashitësit të mësipërm, por fati nuk ishte me mua në këtë rast. Pas një kërkimi intensiv të shtëpisë botuese, arrita të gjej dhe të kontaktoj me një pjesëtar të stafit. “Të drejtën e librit e ka vetëm autori dhe asnjë shitje nuk mund të bëhet pa autorizimin e tij, por unë do ta kontaktoj nëse është dakord të ta shesë një kopje” ofroi ai.

Përpara se të më vinte miratimi i kërkesës sime për të blerë një kopje të këtij libri po aq të pagjetshëm në libraritë e Tiranës, u futa në mendime për faktin se si kanunet shqiptare, të cilësuara si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, ishin privatizuar në këtë mënyrë nga kodifikuesit e tyre dhe personat përgjegjës për botim.

A është vallë kaq e vështirë të sponsorizohet dhe të sigurohet nga shteti ynë, vendi ku kanë pasur dorë të lirë sundimi dikur këto kanune, botimi i vazhdueshëm i kanuneve shqiptare?

Në një pasdite vonë, më erdhi në celular kontakti i autorit, i cili iu përgjigj pozitivisht interesimit tim. E takova të nesërmen në mëngjes akademikun Shefqet Hoxha në dyert e Bibliotekës Kombëtare ku shkëmbyem disa fjalë vlerësimi, unë nga ana ime për punën e tij të shkëlqyer dhe ai për interesin që unë po shfaqja.

Teksa ecja rrugëve të kryeqytetit me padurimin për të shfletuar këto kanune kaq interesante, më shkrepi në kokë një mendim: A ishte në gjueti kanunesh ndonjëri nga qindra kalimtarët që shkonin qetësisht në rrugën e tyre? Nëse po, sa kohë do t’i duhej të shtinte në duar, ato që mua më mprehtën shqisat e ‘gjuetisë’?