Gruaja që po e Sfidon Kryeministrin

 

Në dhjetor të vitit 2013 Shpend Ahmeti për të parën herë i dridhi themelet e LDK-së duke e marrë kështu qeverisjen e Prishtinës për herë të parë në historinë e saj (edhe të LDK-së edhe të Prishtinës). 

Këtë të diel udhëheqësia e LDK-së mund të pësojë edhe një përmbysje tjetër.

Për herë të parë një person po e sfidon Kryeministrin në kandidimin e tij në krye të partisë. Shto faktin që ky person është femra më e votuar në Kuvendin e Kosovës. 

Një ndodhi e tillë do ta shkruante historinë e secilës parti jo vetëm në Kosovë por në Ballkan, Evropë e më gjerë. Në historinë e kandidaturave për kryetar partie, nuk ka asnjë rast që një femër ka marrë guximin t’i dalë përballë kandidaturës së një Kryeministri të vendit. 

I vetmi rast që njihet kur dikush ka marrë guximin dhe ka kandiduar kundër një kryeministri është rasti i Margaret Thatcher e cila duke u përgatitur për kandidaturën e saj të katërt – ka pasur si kundër kandidat Michael Heseltine . 

Megjithatë për hir të së vërtetës duhet thënë që  ky i fundit është përgatitur mëse 1 vit që t’i dalë përballë kandidaturës së Thatcher dhe prapë nuk është e sigurtë nëse do të kishte fituar apo jo – sepse Thatcher vendos të japë dorëheqje pas mandatit të tretë me radhë.

Ndërkaq ajo që do të ndodh të dielen është që për herë të dytë LDK-së mund t’i dridhen temelet – por kësaj radhe më fort’ dhe më zëshëm sepse dridhja do të vije nga brenda e jo nga jashtë sikur në rastin e Prishtinës. 

Dridhja do të vijë si pasojë e guximit të Vjosa Osmanit për të sfiduar jo vetëm personin e Isa Mustafës – por për të sfiduar institucionin e Kryeministrit dhe monopolin e mendimit brendapërbrenda LDK-së. 

Ky guxim për të sfiduar Kryeministrin i ka rrënjët më thellë sesa vetëm në dëshirën e Vjosës për fitore. Ky guxim i cili në një botë utopike nuk do duhej të konsiderohej si guxim aspak por thjeshtë si shprehje e dëshirës për kandidim – vjen si pasojë e një mentaliteti të mykur brendapartiak. 

Nevoja për të fituar duke u thirrur në adresë të gabuar e ka penalizuar LDK-në dhe i ka dhënë Vjosës jo vetëm mundësinë por edhe domosdoshmërinë për të kandiduar e shpëtuar këtë parti që  tashmë ka rrezik të humb edhe fuqinë si partia e dytë në vend. 

Ajo çka Vjosa është duke bërë po e bën me stil. 

Vjosa ka nisur karrierën e saj në gusht të vitit 2006 kur emërohet si këshilltare për çështje ligjore dhe ndërkombëtare e Presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu. Prej gushtit 2009 zgjedhet shefe e stafit të Presidentit të Republikës, ndërkaq edhe sot vazhdon ta këshilloj Presidenten Jahjaga në çështje ligjore dhe marrëdhënie ndërkombëtare. 

Osmani më 2014 ishte zëdhënëse e shtabit të fushatës zgjedhore të LDK-së. Isa Mustafa ishte kryetar i shtabit dhe shef i saj.

Në vazhdën e aktivitetit të saj, Vjosa ka marrë pjesë edhe në procesin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu ka qenë pjesë e grupit të juristëve që e kanë përfaqësuar Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. 

Ajo doli kundër linjës së shefit të tij kur LDK dhe PDK u morrën vesh për të bashkëqeverisur. 

Osmani dhe një grup i deputetëve të LDK-së dolën publikisht kundër koalicionit me partinë që e kishin kundërshtuar për vite me rradhë.

Megjithatë sfidën kryesore Vjosa e ka të dielen. 

Nuk ka aspak rëndësi nëse Vjosa do të marrë shumicën e votave të dielen apo jo. Unë konsideroj që nëse do të ketë process të lirë e demokratik të votimit – Vjosa do të fitojë bindshëm, megjithatë fare lehtësisht mund të ndodhi e kundërta. Sido që të jetë, ajo që ka rëndësi është të shohim procesin zgjedhor të brendshëm në LDK, qëndrimin ndaj kandidaturës dhe frikën në sytë e pionerëve. 

Kjo ka rëndësi më shumë se gjithcka tjetër sepse janë pikërisht këto problematika që janë duke e formësuar të drejtën e përfaqësimit dhe lirinë e shprehjes brendapërbrenda LDK-së. janë këto problematika që kanë ulur përqindjen e përkrahjes së LDK-së viteve të fundit. Pikërisht këto problematika janë ato të cilat kanë bërë që këtyre ditëve faqet e gazetave dhe kuadrot e mediave të stërmbushen me përkrahjen për Vjosën. 

LDK-ja është  sfidë në vete. Kryeministri aktual është sfidë në vete. Ndërkaq Vjosa Osmani ka vendosur që ta sfidojë këtë sfidë furishëm. Për vete, për përkrahësit e saj brendapartiak, për votuesit e saj dhe për të gjithë ata që besojnë se ndryshimi është akoma i mundur. 

Margaret Mead ka thënë: “Kurrë mos besoni se një grusht i vogël i njerëzve që duan s’mund ta ndryshojnë botën. Sepse realisht – ndryshimi gjithmonë nga një njeri ka nisur”. 

Të shohim nëse e diela do ta kurorëzojë nismën e Vjosës për ndryshim apo jo.