Elegji për Mediat?

Zakonisht të tjerët flasin për ne, por ne nuk flasim shpesh për vete. Ose nuk kemi dëshirë apo thjesht nuk duam të prishim punë më njëri-tjetrin. Sidoqoftë edhe këtë vit po shënohet Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit. Në aspektin ndërkombëtar në vlerësimin e fundit të organizatës amerikane “Freedom House”, e cila vëzhgon lirinë e shprehjes në tërë botën, për vitin 2014 ka vlerësuar se ka rënie të standardeve të lirisë në Kosovë. 

Kosova vazhdon të radhitet në mesin e 59 shteteve të botës që janëpjesërisht të lira. 

 Edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitit 2014 vlerëson se në Kosovë ende vazhdojnë kërcënimet dhe sulmet, edhe nga zyrtarët e policisë dhe ata publikë ndaj gazetarëve. Raporti thotë se rastet e  gjuhës së urrejtjes vazhdojnë të jenë prezente, kryesisht në internet, duke përfshirë edhe ato në media sociale. Raporti i Progresit 2014 vlerëson se “Qëndrueshmëria ekonomike e mediave nuk është e siguruar. Kosova nuk ka rregulla efektive për transparencën e pronësisë së medias. Kjo rezulton në përqendrim të tepruar dhe shkelje të pavarësisë. Reklamat qeveritare kanë pasur ndikim në politikat redaktuese të disa mediave”. 

Po ashtu thotë se “Duhet të vendosen kushtet për lirinë e shprehjes dhe medias”. Po çka po bëjmë ne për të përmirësuar këtë? A janë kërcënimet, shantazhet, pengimet e paditë ndaj gazetarëve problemet e vetme të fundit në vendin tonë? A janë paratë e financat rreziku tjetër kryesor?

Ne jemi duke parë që tashmë media të mëdha botërore duke mos mundur të qëndrojnë financiarisht mirë, po i përshtaten industrisë më të re globale. Sot rrjetet sociale janë platformat kryesore të shpërndarjes së lajmit. Sot për më të rejat informohesh në Facebook e Twitter. Sot për t’iu përshtatur tregut global media të mëdha botërore kanë vendosur që nga shtypi të kalojnë vetëm online, e ka të tilla që kanë forcuar shumë praninë në web e në rrjete sociale. Kësaj as ne në shtetet që na rrethojnë në Balkanin Perëndimor nuk kemi qëndruar pa iu përshtatur.

Ne kemi parë që media të ndryshme në Kosovë janë forcuar në prezencën e tyre online, por jo edhe në shtyp! E keqja është që në Kosovë janë hapur aq shumë portale saqë më nuk dihen as pronarët e vërtetë të tyre. Sepse këtë nuk e deklarojnë në impresum të portalit.

Por t’i kthehemi 3 Majit-Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Nuk mjafton që vetëm njëherë në vit të kujtojmë a kemi, a jo, liri të shtypit nëKosovë. Nuk mjafton vetëm të ulemi në tryezë e të themi se i kemi punët keq me lirinë e shtypit dhe se vendet në rajon janë më mirë ose më keq se Kosova. Ne duhet të jemi aktivë gjatë tërë vitit. Edhe vitin e kaluar pata shkruar që është koha që zëri i gazetarëve të jetë i fuqishëm dhe shumë profesional për të gjithë ata që tentojnë të kërcënojnë, frikësojnë, joshin dhe shantazhojnë gazetarët e lirë, të cilët shkruajnë e raportojnë për tema si korrupsioni, krimi i organizuar, radikalizmi fetar, tenderët e bizneset më të ndryshme duke ofruar fakte dhe të vërteta që janë në të mirë të publikut. Por fatkeqësisht, kriza morale që i ka kapluar pjesët tjera të shoqërisë sonë nuk i ka lënë të paprekur edhe gazetarët. Sot në mesin tonë ka të tillë që shkruajnë e raportojnë edhe për qëllime e agjenda të ndryshme. Çuditërisht kemi parë të tillë që flirtojnë herë në gazetari, e herë në pushtet.

Prandaj, sot gazetarët duhet të bëjnë çmos që të sigurohen që të mos humbin besimin dhe respektin në punën e shenjtë që e bëjnë. Ajo që është më brengosëse sot në mediat e Kosovës, është fakti që politika ka arritur të shtrijë dorën mirë në këto media. Madje duke përçarë ato dhe duke kontrolluar ato, qoftë përmes reklamave apo edhe përmes pronarëve të tyre. Duke i bërë gazetarët tifozë të partive. Me të drejtë publiku po fillon t’i identifikojë mediat që janë të afërta ose me pushtet ( Qeverinë apo partitë në pushtet PDK e LDK)  apo opozitë   (me partitë politike LVV, AAK e NISMA).  Ndërsa është bërë zakon që ato media që nuk i shërbejnë pushtetit  klasifikohen nga politika si tradhtarë, spiunë e të paguar nga të huajt. 

Me këtë, politika ka arritur të përdorë sistemin “përçaj e sundo”.

Në vend se mediat dhe gazetarët të merren me raportime hulumtuese dhe të funksionojnë si pushtet i katërt që mbikëqyr pushtetin, ata po merren me njëri-tjetrin, sepse po porositen të sulmojnë kolegët e tyre nga bosët e tyre politikë. Kjo po ndikon në humbjen e kredibilitetit dhe respektit ndaj gazetarit dhe medias prej qytetarit të thjeshtë. Ky kredibilitet do të arrihet kur ne kemi një Asociacion të gazetarëve qëështë më mirë i organizuar, që qëndron mirë financiarisht, që mbron interesat e të drejtat e secilit gazetar në Kosovë. Kjo do të ndodhë kur të shohim qëKomisioni i Pavuar i Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të jenë më afër me hapat e trendet globale të gazetarisë së shkruar, televizive e me digjitalizim. Por mbi të gjitha mendoj se Kosovës i duhen gazetarë e kuadro të arsimuar mirë që dalin nga shkollat e gazetarisë. 

Prandaj duhet forcuar këto institucione, sepse tregu medial në vend po rrëshqet në duar të biznismenëve me të kaluar të dyshimtë, që i ikin pagesës së taksave të shtetit, e që informimin publik nuk e kanë për mision por pasurimin e tyre. Mes tjerash qëllimi i tyre është luftimi i kundërshtarëve politikë e biznesorë, duke hyrë medoemos në treg qoftë me web portale apo televizione kabllore.