Zbulimi Fatal i Policisë së Kosovës

Protesta e së shtunës dhe ndeja fiktive e marijuanës  në Gërmi ishin një rast i artë për të kuptuar se kush punon në njësitë e fshehta të  Policisë së Kosovës.
 
Frika se protesta mund të eskalojë dhe se nuk mund të menaxhohet nga forcat e rendit si dhe fobia që Policia do bëhej horë në media  për shkak se të rinjtë po pinë drogë në park,  i shtyu eprorët e policisë të marrin një vendim pasojat e të cilit do jenë afatgjata.

Vendimi  për t’i nxjerrë në shesh të uniformuar policët civilë të hetimeve u dha një mundësi të mirë të gjithë atyre që planifikojnë të merren me krime të sigurojnë një të dhënë shumë të vlefshme- identitetin e policëve sekretë.

Për vite me radhë policia më e re në Evropë punoi në krijimin e departamenteve të veçanta të hetimeve ku punojnë policë të fshehtë, të cilët nuk mund të identifikoheshin edhe po të pinin kafe me kriminelët e kërkuar.

Procesi i ka kushtuar Policisë së Kosovës qindra orë trajnime dhe  mijëra euro para.

Por pse është duke u hedhur ky mund poshtë nga eprorët e Policisë së Kosovës?

Nuk është vetëm rasti i Gërmisë kur Policia zbuloi hetuesit e saj.

Më ka rastisur të shoh edhe herëve tjera kur hetuesit mund të jenë të identifikueshëm nga njerëzit.

Unë vetëm dy orë  para nisjes së protestës të së shtunës takova  para stacionit Qendra në Prishtinë njërin nga policët e Krimeve Ekonomike.

Ishte në uniformë dhe kishte vënë antiplumb. Dy muaj më parë ky polic ishte caktuar të merrte pjesë në përcjelljen e një doktori i cili dyshohej se kërkonte mitë.

Deri të shtunën polici vepronte në rroba civile dhe për njerëzit afër tij ishte e vështirë që ai të identifikohej.

Por të shtunën hetuesi me nam u filmua tek ecte rrugëve të Prishtinës  me uniformën e policisë. 

Sot nëse hetuesi do  hyjë në një spital për të përcjellë nëse një mjek po merr mitë, të gjithë do ta njohin. Mjeku sigurisht që në sy të njerëzve që i ka parë në televizion me uniformë nuk do kërkoj para.

 E njëjta gjë ndodhi në Parkun e Gërmisë më 20 prill të këtij viti. Në hyrje të parkut policë të njësive të drogave filmohen nga telefonë, kamera e aparate duke kontrolluar makina.

Nuk dihet arsyeja pse ata vazhdonin të operonin të veshur me rroba civile.

Natyrisht kjo ishte një mundësi e mirë për  narkodilerët që ia mësynë Gërmisë.
Ata lehtë identifikuan se kush janë policët e drogave,  çfarë rrobash bartin, si dhe si duken fytyrat e tyre dhe çfarë makinash vozisin.

Është e paqartë se si policët tentonin të mos binin në sy kur veturat e tyre GOLF 5 të njohura se prapa e kanë mbishkrimin “4 motion” qarkullonin çdo dy minuta në
relacionin “Rampa – Vila Gërmia”.

Është e paqartë se si Policia e Kosovës nuk mendoi se dikujt mund t’i interesojë që t’i identifikojë makinat civile të policëve. Dhe nëse dikujt i është dashur kjo atë ka mundur ta bëjë shumë lehtë në një kafe në Gërmi dhe të kuptojë shumë sekrete duke nisur nga makinat e policëve që shërbejnë me to, e ndoshta edhe taktikat me të cilat policët operojnë.

Kështu lindin disa pyetje për eprorët e policisë të cilët ranë pre e postimeve në Facebook dhe një inteligjence të pazhvilluar policore.

A ia vlen barra qiranë që policët civilë të identifikohen?
 
A është e pranueshme që  dilerët e drogës  ta kenë rastin që publikisht ta kuptojnë se kush janë hetuesit që potencialisht mund t’i dërgojnë në burg?

A duhet që hetuesit të merren me kontrollin e turmave të protestuesve, apo seriozisht të nisin të hetojnë shkaqet të cilat i quan njerëzit në protestë? 

A duhet polici i krimeve ekonomike të ketë rolin e parë t’i ruajë institucionet nga protestuesit, apo ky polic duhet të kujdeset që ne të mos kemi institucione të korruptuara? 

A duhet që investimi i madh i Policisë së Kosovës për krijimin e hetuesve të dështojë brenda një jave?

Përgjigjet duhet të mendohen mirë, ndërsa detyrat dihet kush i ndan.  Shpresa ime është se policëve që u ekspozuan nuk do u kërkohet që në të ardhmen të punojnë si policë të infiltruar, përndryshe pasojat janë të paparashikueshme.