Të varfrit mbi para: një plan për Trepçën

Ironia e madhe në varfërinë më të skajshme të Evropës është që ajo ndodhet mbi një nëntokë përplotë me para.

Trepça, që llogaritet të ketë kapacitet për qarkullim miliardësh në vit, së bashku me rezervat tjera të shtrira në territorin e Kosovës, janë potencialisht burimi më i madh i pasurisë për qytetarët e saj.

Por edhe 16 vite pas përfundimit të Luftës, pjesa më e madhe e këtyre qytetarëve ende e luftojnë skamjen pa shpresë në horizont.

Problemet politike me Serbinë kanë bërë që pronësia e Trepçës të mos definohet dhe rrjedhimisht të bllokohet çdo tentim për ta rivitalizuar dhe bërë funksionale atë.

Nuk ka shembull më të spikatur se sa Trepça për të dëshmuar se problemet politike janë burim kryesor i mungesës së zhvillimit ekonomik.

Natyrisht, në çdo vend normal të botës, tentimi i një shteti për t’i vënë duart në një aset i cili ndodhet në territorin e një shteti të pavarur, do të ishte skandaloz dhe i papranueshëm.

Por një absurditet i tillë është krejtësisht normal në klimën politike të Kosovës, e cila karakterizohet me një favorizim dhe tolerim të paskrupullt ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar.

Qeveria e Isa Mustafës e dëshmoi që nuk është aspak ndryshe nga të kaluarat në rrafshin e integritetit dhe karakterit politik, kur ju përkul shpejt kërkesës nënçmuese të Ambasadës Amerikane për ta tërhequr vendimin e marrjes së Trepçës nën kontroll vetëm disa orë pasi e kishte shpallur.

Protestat që u organizuan si reagim i drejtë ndaj kësaj padrejtësie, u rrëmbyen shpejt nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në një akt të dëshpëruar për t’u identifikuar me protestuesit dhe për ta fituar simpatinë e tyre.

Por numri i madh i protestuesve ishte kryekëput rezultat i kauzës, jo i prezencës së lëvizjes VETËVENDOSJE!

Zjarrit të turmës u raportua që i fryn edhe shërbimet e huaja inteligjente.

Por kam frikën se po t’i kapte keqbërësit Policia e Kosovës, po ta kishte një fije efikasiteti ndryshe prej ç’trumpetohet ta ketë, do të dëshpëroheshim nga zbulimi që ata keqbërës nuk janë askush tjetër përveç të rinjtë shqiptarë, të frustruar nga gjendja e rëndë socio-ekonomike dhe mungesa e perspektivës, te cilave i ka kontribuar pikërisht edhe paralizimi i Trepçës.

Nëse në një të ardhme më të mirë për ne Kosova do të arrij ta tejkaloj problemin politik të Trepçës dhe ta marrë atë nën kontroll, do t’i duhet një plan i mirë dhe pragmatik për ta nxjerrë vlerën maksimale prej saj.

Mbi të gjitha, prosperiteti që buron nga Trepça duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm.

Në mungesë të një modeli të mirë, si ai norvegjez, Kosova rrezikon që edhe me Trepçën nën kontroll të mos përfitoj nga ajo, siç ndodhë me Venezuelën e Rusinë, të cilat kanë burime të mëdha të naftës e gazit natyror por standard të ulët të jetesës. Ky shkrim është një tentim modest për të nxitur debat mbi modalitetin më të mirë që duhet të ndiqet për Trepçën.

Pronësia dhe menaxhimi

Pa dyshim, çështja më e rëndësishme pas zgjidhjes së problemit politik është pronësia dhe menaxhimi i Trepçës. A duhet të jetë ajo nën pronësi dhe menaxhim shtetëror, privat,apo të përzier?

Pronësia dhe menaxhimi shtetëror do të sjellë joefikasitet, korrupsion, nepotizëm, dhe degradim kapital, pikërisht ashtu siç po ndodhë me asetet tjera nën kontroll të Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, pronësia dhe menaxhimi privat do ta sjellë efikasitetin por do ta pamundësoj shtrirjen gjithëpërfshirëse të prosperitet sepse ai do t’i takonte vetëm pronarëve privat e jo qytetarëve të Kosovës në tërësi.

Për mendimin tim, modeli më i mirë është ai i përzier, në të cilin Qeveria e Kosovës e ruan 49% të pronësisë kurse pjesa e mbetur i shitet një pronari (apo konglomerati) mjaft sa për t’i dhënë të drejtën e menaxhimit. Në këtë mënyrë, 49% e të ardhurave i takojnë automatikisht Qeverisë kurse pjesa tjetër pronarit privat.

Mbi këtë model, Qeveria e Kosovës duhet ta vendosë një taksë të madhe në fitimet e gjeneruara nga 51% e pronësisë private në mënyrë që ta nxjerrë vlerën maksimale të mundshme. Se sa duhet të jetë ajo taksë, varet nga gatishmëria e blerësve dhe negocimit me ta.

Taksa duhet të jetë sa më e lartë që është e mundur, për të gjeneruar të hyra maksimale, por sa më e ulët që është e mundur, për të garantuar që blerësi është kompani apo konglomerat serioz i cili e sheh investimin në Trepçë si profitabil në krahasim me alternativat tjera.

Në këtë kuptim, një taksë e tepruar do t’i trembte ofertuesit serioz.

Nëse ndiqet modeli norvegjez, taksa duhet të jetë 51%. Për shembull: nëse Trepça me të vërtetë ka potencial t’i gjenerojë €3.55 miliard në vit, rreth €1.74 do t’i takojnë Qeverisë nëpërmes pronësisë, kurse rreth €924 milion nëpërmes taksave.

Kësisoj, çdo vit Trepça do të kontribuonte me rreth €2 miliard e 664 milion në buxhetin e shtetit, gati dyfishi i atij aktual.

Ky model do të garantonte që pronari privat ta bëj maksimumin sa i përket gjenerimit të vlerës sepse të ardhurat e tij varen nga përqindja e saj. Ai do ta kishte autonominë e plotë për të marrë vendime dhe në këtë mënyrë dora joefikase e shtetit nuk do t’i përziej.

Mbi të gjitha, do të ruhej nxitja e pronarit për të bërë investimeve kapitale në vazhdimësi, nxitje e cila mungon në rast të koncesionimit. Pronari do ta kishte gjithashtu fleksibilitetin e shitjes dhe përfitimit kapital nëse do të ishte i pakënaqur, si dhe shkalla e taksave do të mund të negociohej çdo vit varësisht nga nevoja.

Qeveria do të mund të shtonte kushte tjera pastaj, për shembull sa i përket kushteve të punës për minatorët dhe mbrojtjes së ambientit. Megjithatë, këto kushte do duhej të ishin minimale në mënyrë që të mos rriten kostot dhe të zvogëlohet fitimi.

Konservimi i mineraleve

Çka në lidhje me konservimin e mineraleve? A nuk do ta shtjerrë pronari privat Trepçën për një vit dhe t’i mbledhë plaçkat e të zhduket nga Kosova?Ligjërisht, pronari do ta kishte të drejtën ta bënte këtë, por vlera kapitale e Trepçës do të shndërrohej menjëherë në zero.

Pronari do të pasurohej nga shitja e menjëhershme, por do ta privonte veten nga fitimi në të ardhmen kur ndoshta çmimet dhe rrjedhimisht qarkullimi i tij do të ishte më i madh. Pronarët e minierave, prandaj, synojnë ta rrisin apo zvogëlojnë nxjerrjen dhe shitjen e mineraleve varësisht nga kërkesa globale në treg. Ata shesin më shumë kur çmimet e mineraleve rriten,kurse e konservojnë dhe mirëmbajnë minierën kur çmimet ulen.

Vlera kapitale e Trepçës pra, e cila sot llogaritet të jetë rreth €1.76 trilion euro, mund të rritet më shumë falë konservimit të saj.

Ky mekanizëm organik i tregut për konservimin e resurseve nën menaxhim privat e shpjegon pse edhe pas më shumë se 200 vite të përdorimit të mineraleve në botën e industrializuar, ato nuk janë shterrë  ende. Për më tepër, në rastet kur sasia e mineraleve zvogëlohet dhe çmimi i tyre rritet si rezultat, kjo i stimulon kërkimet për burime të reja, të cilat pastaj i shtohen sasisë totale dhe i kthejnë çmimet në nivelin fillestar.

Përdorimi i te hyrave

Çështje e rëndësisë së veçantë është gjithashtu edhe mënyra se si do të përdoren të hyrat për të garantuar prosperitet gjithëpërfshirës. A duhet t’i shpërndahen ato €2 miliard e 664 milion secilit qytetar në konto çdo vit (€1,461)? Apo të shfrytëzohen në mënyrë strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit?

Mendoj që rreziku primar që ekziston me shpërndarjen e të hyrave është ai i dëmtimit të vullnetit apo nxitjes për të punuar. Nëse të hyrat shpërndahen falas, do të dekurajohet vullneti i përfituesit për të qenë produktiv. Kjo po ndodh pikërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, ku produktiviteti i qytetarëve ka rënë dukshëm pasi një pjesë e të ardhurave nga nafta iu është dhënë falas nga shteti. Kjo i ka zvogëluar shkathtësitë e tregut të punës si dhe i ka bërë këto vende tejet të varura në të ardhurat nga nafta.

Është e rëndësishme prandaj që shpërndarja e të ardhurave nga Trepça të bëhet në një mënyrë që nuk e ka këtë efekt të padëshirueshëm. Deri në një masë, kjo shpërndarje duhet t’i dedikohet shtetit social, i cili i ka këto efekte, por të cilat menaxhohen nëse ai kufizohet në një nivel të vogël. Siç tha Guvernatori i Ëisconsin Scott Ëalker në mënyrë elokuente: “Masa e suksesit të një shteti nuk është sa njerëz varen prej tij, por sa nuk varen më prej tij”.

Pjesa dërrmuese e të hyrave duhet të përdoren për shpenzime infrastrukturore, shfrytëzimi i së cilës nuk e dëmton vullnetin për të punuar, në mënyrë që ekonomia e Kosovës ta ndërtoj ambientin për zhvillimin e saj industrial. Qeveria mundet gjithashtu t’i suspendoj të gjitha taksat për një periudhë të caktuar e të financohet vetëm nga të hyrat e Trepçës; edhe ashtu shpenzimi qeveritar ka nevojë të zvogëlohet.

Kjo do ta stimulonte fuqishëm krijimin e bizneseve të reja dhe punësimit, pas së cilit kthimi i vetëm një pjesë të taksave kur këto biznese të forcohen do të ishte i mundshëm.

Investimi i fondit dhe borxhet

Në mënyrë që Qeveria të garantoj prosperitet të qëndrueshëm nga Trepça, ajo duhet ta krijoj një fond, prapë sipas modelit norvegjez, në të cilin i investon të hyrat e saj. Pa fond nuk do të ketë qëndrueshmëri dhe rrjedhimisht prosperiteti i Trepçës do të flaket pa u lënë diçka gjeneratave të ardhshme.

Nuk e kam të qartë se kush duhet ta menaxhoj atë; në Norvegji ai menaxhohet nga një pjesë e bankës qendrore, besim të cilin nuk e kam në atë të Kosovës. Por është e qartë që fondi duhet t’i investoj të hyrat nga Trepça në bono, aksione, patundshmëri, metale të çmueshme, apo investime alternative si fonde të pronësisë private apo të mbrojtjes kapitale, varësisht nga rreziku dhe kthimi që ato ofrojnë.

Fondi mund të jetë gjithashtu burim i pensioneve, në mënyrë që pensionistët e Kosovës të jetojnë një jetë më të dinjitetshme.

Çështje tjetër e padefinuar është ajo e borxheve që Trepçës. Është e qartë që borxhet nuk duhet të kthehen pa u bërë një proces i paanshëm dhe objektiv i verifikimit të tyre. Por për mendimin tim, Trepça nuk duhet fare të obligohet t’i kthej borxhet.

Ajo duhet të filloj nga zero. Së pari, një pjesë e borxheve të saj janë marrë nën okupim, për të cilat Kosova nuk mund të mbajë përgjegjësi kategorikisht.

Së dyti, kreditorët e Trepçës me shumë gjasë veç i kanë shlyer borxhet nga librat e tyre duke u bazuar në standardet e kontabilitetit dhe i janë përshtatur humbjeve. Dhe së treti, meqë një Trepçë funksionale nuk do të varej fare nga huamarrja, venitja e vlerësimit kreditor si rezultat i mospagimit të borxheve nuk do të kishte efekt negativ për të.