Përtej Zgafelleve dhe Palaçove

Një shtet që ka ligjet e botës së lirë por ekonominë e botës së tretë  është  natyrshme që do të ketë probleme hibride. Protesta në mbështetje të “Trepçës” dhe nënave kosovare ishte nevojshme, e natyrshme dhe plotësisht  e moralshme. Çka nuk  është e moralshme dhe e ndershme është shfrytëzimi i mllefit të shoqërisë, i akumuluar ndër vite dhe përdorimi i tij për të ardhur në pushtet, madje qoftë edhe përmes dhunës. Dëmtimi i pronës shoqërore dhe asaj private nuk legjitimohet dhe është i papranueshëm për një shoqëri demokratike.

Problemi 1

Jabllanoviq është një palaço dhe provokues dhe kalibri i tij intelektual ndoshta do t’i  siguronte një pozitë të një mësuesi të dobët në një shkolle fillore diku në një fshat të Shumadisë. Qeveria e Serbisë sigurisht e di këtë dhe mu për këtë arsye e ka deleguar atë brenda Qeverisë së Kosovës për të bërë atë që pikërisht po e bën për mrekulli. Të provokojë, ofendojë, të shtiret së nuk di çfarë ka ndodhur në Kosovë, ta quajë luftën e Kosovës konflikt, pra me fjalë tjera të jetë kandili destabilizues brenda një qeverie edhe ashtu të brishtë. Një qeveri e destabilizuar dhe një Kosovë në gjendje alarmi është baras më një palë më të dobët në dialogun që do të vazhdojë në Bruksel. E dialogu do të vazhdojë patjetër! 

Sigurisht, kryeministri  i Kosovës, Isa Mustafa i vetëdijshëm që shkarkimi i Jabllanoviqit mund të jetë goditja e ajsbergut për kabinetin e tij, mundohet ta qetësojë situatën duke luajtur rolin e pronarit të cirkut që kërkon falje për gegat ofenduese të palaços së sapopunësuar në cirk. Në vendet e perëndimit një politikan i tillë do të ikte vetvetiu pa i kërkuar askush dorëheqjen, në vendet me më pak demokraci këtë gjë do t’ia kërkonte kryeministri, ndërsa në Kosovë gjithçka mund të ndodhë. 

Problemi 2

Gjithë kësaj i rri kërshëri problemi i “Trepçës”, nyja më e ndërlikuar ekonomiko-sociale në Kosovë, sado që ka zëra brenda Kosovës që thonë të kundërtën dhe thonë se problemi i “Trepçës” është i thjeshtë, veçse i neglizhuar. 

Kjo e dyta mund të jetë e vërtetë, por e para assesi. Personalisht më pëlqen ideja se “Trepça” është në Kosovë prandaj e Kosovës, kjo sa e logjikshme aq edhe e leverdishme për ne. Megjithatë, fatkeqësisht problem i “Trepçës” është shumë më i komplikuar dhe për qartësimin e tij Kosova ka bërë pak, për të mos thënë asgjë. Pas luftës një pjesë e kombinatit “Trepça” (i cili shtrihet edhe në Serbi dhe Mal të Zi) thjesht është lënë në duar të disa punëtorëve që janë munduar të nxjerrin xehe për të fituar bukën e gojës, ndonëse në opinion publik nuk është bërë asnjëherë e ditur nëse  minierat e “Trepçës” ashtu siç po punojnë sot po sjellin të mira ekonomike për  Kosovën, apo nëse “Trepça” si disa ndërmarrje tjera publike është një barrë ekonomike për buxhetin e Kosovës. Për këtë më së miri besoj flet fakti që “Trepça” është bërë gati të falimentojë. Prandaj leverdia ekonomike nga “Trepça” duket se është e pamundur pa investime direkte të huaja të cilat nuk do të vijnë për sa kohë që ekzistojnë me qindra borxhlinj dhe dhjetëra pretendues mbi pronësisë e saj.  

Veprimtaria e “Trepçës” nga viti 1989 deri 1999 është shumë më e komplikuar sesa duam ta besojmë dhe për këtë nuk është bërë asnjë hulumtim nga pala kosovare deri më tani.

 Studimi më serioz që është bërë nga periudha e pasluftës është ai i Grupit Ndërkombëtar të Krizave i vitit 1999. Në këtë raport mund të lexoni se si pronësia e “Trepçës” është bartur nga një institucion i Serbisë te tjetri. Kuptohet, krijimi i gjithë kësaj mjegullnaje rreth pronësisë së “Trepçës” nuk është i rastësishëm. Qeveria e Jugosllavisë së asaj kohe kishte marrë para të majme nga kompani të ndryshme për të siguruar pajisje të reja të mihjes dhe plasman në tregun ndërkombëtar të xeheve (më e rëndësishmja ajo e vitit 1997 me kompaninë greke “Mytilineos” e vlefshme 519 milionë dollarë amerikanë të asaj  kohe). E goditur nga embargoja ekonomike qeveria e Millosheviqit menjëherë pas largimit të embargos në vitin 1995 kishte bërë një sërë marrëveshjesh me kompani të ndryshme nga vende te ndryshme të Evropës (gjatë viteve ‘90 kompani të ndryshme nga Suedi, Greqia, Polonia e Franca kishin bërë marrëveshje me qeverinë e Jugosllavisë së Milloshviqit rreth “Trepçës”), kuptohet në dëm të “Trepçës” e në këmbim të parasë së gatshme për të cilat kishte shumë nevojë ekonomia e rrënuar e ish-Jugosllavisë. Të gjitha këto kompani ekzistojnë sot e kësaj dite dhe kërkojnë me të drejtë hakun e tyre. Se çështja e “Trepçës” do kujdes janë  edhe këshillat e Brukselit dhe ShBA-ve për të pasur kujdes rreth këtyre pretendimeve. Kjo situatë logjikisht çon në përfundimin që “Trepça” edhe pse në Kosovë dhe e Kosovës duhet patjetër të sqarojë çështjen e borxheve dhe pretendimeve tjera para se të bëhet plotësisht e Kosovës dhe operative. 

Të ndodhur para këtyre  dy problemeve jo shumë të ndërlidhura për nga natyra dhe rëndësia (njëri palaço tjetra një ndër minierat më të pasura në Evropë) unë besoj të fokusohemi te kjo e dyta. Pra të punojmë që të zgjidhet lëmshi i “Trepçës”, sidomos tani që koha më nuk pret. Rrëzimi i qeverisë me protesta të dhunshme mund të duket si zgjidhje për dikë, por si shoqëri që ka kaluar fazat e para të demokracisë dhe ka mbajtur pesë palë zgjedhje në nivel vendi , kjo duket si opsion arkaik. Prandaj dëmtimi i pronës shoqërore (disa restorante  private u demoluan gjithashtu) në emër të luftës kundër korrupsionit dhe “tradhtisë kombëtare” është njësoj si ta thyejmë televizionin për shkak se nuk na pëlqen programi televiziv i një filan kanali. Unë them më mirë është të ruhet televizori dhe të ndërrohet kanali. Qeverinë e kemi rastin ta ndërrojmë çdo katër vjet me votë.