Shqipëria - tigri ekonomik i Ballkanit

Kjo është Shqipëria? Oh zot, paskemi marrë fund!” tha gjyshja ime 86 vjeçare e cila kishte udhëtuar 36 orë me një kamion ushtarak në veri të Shqipërisë gjatë disa ditëve të vranëta dhe me shi në prillit të vitit 1999.

Ajo ishte një ndër gjysmë milioni kosovarë që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë konfliktit të asaj pranvere. Edhe refugjatë të tjerë ndanë të njëjtën ndjenjë të dëshpërimit pasi zbarkuan nga kamionët dhe gjatë gjithë rrugës ishin ndeshur me ndërtesa dhe shtëpi të rrënuara, rrugë të paasfaltuara dhe të rrezikshme ne prapavi të të cilave ngreheshin malet me gjithë madhështinë e tyre.

Këto qëndrime negative të këtyre refugjatëve ishin mbresa të rastit, mirëpo në atë kohë ato pasqyronin realitetin në Shqipëri, ku njerëzit ende po kthjelleshin nga makthi i komunizmit dhe nga pasojat e piramidave financiare në vitin 1997—një ndër skemat më të mëdha piramidale në histori që plandosi vendin e tërë në kaos dhe la të vrarë mbi 2,000 persona.

Por, siç ndodh edhe me shumicën e gjërave tjera shqiptare, historia e Shqipërisë gjatë 15 viteve të fundit është një histori e ekstremeve.

Që nga debakli ekonomik i pësuar në vitin 1997, Shqipëria ka kaluar nëpër transformimin më dramatik ekonomik në Evropë. Shumë njerëz befasohen me faktin se Shqipëria është në krye të 26 shteteve të Evropës lindore sa i përket rritjes ekonomike për kokë banori gjatë 25 viteve të fundit.

Para disa javëve, ekonomist i shquar serb Branko Millanoviq publikoi në faqen e tij në internet një artikull të quajtur “Për kë ra muri? Balanci i gjendjes së tranzicionit në kapitalizëm.”

Millanoviq kishte përdorur të dhëna statistikore të rritjes ekonomike për kokë banori për të vlerësuar zhvillimin e shteteve të Evropës lindore ghjate viteve 1990–2013. Në krye të kësaj liste të Prodhimit të Brendshëm Vendor (PBV) për kokë banori printe Shqipëria me 3.9 për qind, pasuar nga Polonia me 3.7 për qind, Bellorusia me 3.5 për qind dhe Armenia dhe Estonia me nga 3 për qind secila.

Rritja konstante e BPV-së së Shqipërisë është reflektuar fuqishëm edhe në normën e ulët të papunësisë, e cila shënon 14.5 për qind, krahasuar me 31 për qind në Kosovë—shifër kjo që është vetëm shifër zyrtare [Norma reale e papunësisë ka gjasa të jetë mbi 40 për qind], 31 për qind në Maqedoni, 28 për qind në Bosnjë dhe 24 për qind në Serbi.

Edhe pse një pjesë e kësaj rritjeje të vrullshme të ekonomisë Shqiptare mund të sqarohet me faktin se Shqipëria kishte filluar nga zero, megjithatë transformimi ekonomik i tillë nuk mund të sqarohet me vetëm këtë element bazik aq më tepër për një shtet i cili pothuajse u vetëshkatërrua plotësisht në vitin 1997.

E gjithë kjo na bën ta pyesim veten: ç’farë në të vërtetë bëri Shqipëria për ta stimuluar një rritje ekonomike me kaq vrull brenda një kohe kaq të shkurtë? Transformimi i sektorëve kryesorë të ekonomisë solli ndryshime fundamentale duke krijuar një efekt zingjiror pergjatë gjithë sistemit.

Gjatë dy dekadave të fundit qindra e mijëra njërëz u zhvendosën drejt qyteteve në kërkim të vendeve të punës, gjë që rezultoi me një urbanizim kaotik të qyteteve, por në të njëjtën kohë kjo krijoi kushtet bazë për stimulimin e aktiveteve ekonomike dhe kërkesa për shumë shërbime të ndryshme.

Në ndërkohë, shteti ndërhyri dhe ndihmoi në menaxhimin e këtij mjedisi afarist duke privatizuar ndërmarrjet shtetërore, rregullimin e infrastrukturës ligjore per ndërmarrësi, si dhe stimulimin e investimeve me anë të politikave fiskale, sidomos në uljen e tatimeve, tarifave doganore dhe eliminimin e barrierave tjera tregtare. Tutje, shteti huazoi para dhe investoi në infrastrukturë, energji, rrugë dhe projekte të tjera. Këto kredi shtetërore rriten borxhet publike, mire ato poashtu krijuan kërkesë më të madhe për shërbime dhe siguruan vende të punës një numri më të madh njerëzish.

Investimet tjera në energji dhe turizëm përshpejtuan edhe më tej motorin ekonomik. Firmat e sektorit privat më pas u kyçën dhe filluan të ofrojnë shërbime nga më të ndryshmet, nga konsulencat tek sigurimet dhe nga inxhinieria tek financat.

Tërë kjo veprimtari ekonomike në sferën private duhej përkrahur me kapital, i cili ishte i mjaftueshëm dhe mund të sigurohej lehtë nga bankat private në Shqipëri. Lehtësia e kredimarrjes për investime ne Shqipëri e bënë që vendi të renditet ne 20 vendet e para në raportin me influence “Doing Business” të Bankës Botërore për vitin 2014.

Ndërkohë, remitancat nga diaspora Shqiptare ndihmuan mijëra familje me investime të vogla por edhe shtuan kërkesën për më shumë gjëra të ndryshme, duke nxitur kësisoj konsumin edhe më të thellë në sektorë tjerë.

Në sfond të tërë kësaj qëndronte Banka e Shqipërisë e cila luajti një rol kyç në sigurimin e një mjedisi stabil financiar, me inflacion të ulët, si dhe me rregullim adekuat të kapitalit nëpër banka private. Sistemi stabil financiar dhe inflacioni i ulët ngritën besimin e investuesve në valutën kombëtare, duke i mundësuar kësisoj firmave dhe bizneseve qasje të duhur në kapital dhe kredi.

Këto zhvillime në nivele të ndryshme bënë të mundshme lindjen e firmave, krijimin e vendeve të punës dhe zgjerimin e tregut vendor të konsumatorëve. Rritja e punësimit në Shqipëri u ndihmua edhe nga fakti që tregu i punës është i lirë dhe gëzon paga fleksibile. Kjo nënkuptonte se kurdo që ekonomia të ngadalësohej, pagat binin, gjë që u mundësonte firmave që të ruajnë nivelin e punësimit, ndërsa fuqia punëtore u përshtatej kushteve të reja ekonoimike. Ky lloj baraspeshimi ndihmonte në mbajtjen e produktivitetit në nivel me pagat dhe punësimin në kushte relativisht stabile krahasuar me vendet tjera.

Çfarë mësimesh mund të nxjerr Kosova nga Shqipëria? Së pari, Kosova nuk ka sistem monetar, andaj këtë opsion vendi nuk mund ta shfrytëzojë. Por, Kosova mund të tregojë më shumë vendosmëri për zhvillim ekonomik në mënyra më pragmatike, duke krijuar një mjedis më funksional për biznese në të cilën firmat private mund të rriten më lehtë.

Kosova ka shënuar përparim në disa fusha, veçanërisht në nisjen e bizneseve të reja, megjihatë zbrazëtira mes legjislacionit të miratuar dhe realitetit mbetet e gjerë. Vazhdon të jetë e vështirë për firmat që të kenë qasje në kredi me norma të arsyeshme të interesit, gjë që pengon rritjen sepse firmat duhet të kenë kapital për ta investuar në bizneset e tyre.

Tatimet janë ende të larta, sigurimi i lejeve të ndërtimit është proces tejet i rëndë burokratik, ndërsa edhe zbatimi i kontratave dhe tregtia ndërkufitare lënë shumë për të dëshiruar.

Përveç kësaj, Kosova mund t’u ndihmojë të rinjve, të përkrahë rritjen e punësimit, duke përmirësuar legjislacionin që rregullon tregun e punës. Sigurimi i një mbrojtjeje më të fuqishme për punëtorë mund të rezultojë me më pak largime nga puna dhe mund t’i inkurajojë firmat që të investojnë më shumë në stafin e tyre.

Edhe pse Kosova nuk ka mekanizma të zhvlerësimit të valutës për të ruajtur konkrrueshmërinë e pagave, ajo mund të punojë në azhurnimin e tatimit të punësimit dhe sigurimit social, për tu ndihmuar firmave në mbajtjen e një nivel konkurrues të pagave të punonjësve të tyre. Për më tepër, ajo mund të shqyrtojë dizajnimin e përfitimeve më efektive nga mospunësimi dhe krijimin e masave adekuate stimuluese për kërkim të punës.

Të gjitha këto reforma standarde afatshkurtra do duhej të realizohen krah për krah me reformave më afatgjata arsimore, politike, juridike dhe institucionale. Edhe pse përfitimet nga investimet në rrugë dhe infrastrukturë nuk vërehen lehtë në aspektin afatshkurtër, ato janë të rëndësishme në aspektin afatgjatë sepse ndihmojnë në integrimin e vendit me fqinjët e vet dhe në lehtësimin e tregtisë rajonale.

Marrë këtë parasysh, sektorët tjerë të ekonomisë, përfshirë arsimin, shëndetësinë, energjinë dhe mjedisin, janë po aq të rëndësishëm për rritje afatgjate. Përfundimisht, problemet më të mëdha të Kosovës janë të thella. Politikanët duhet të ndjekin një vizion transformues për vendin dhe të angazhohen me vendosmëri dhe pasion në më shumë fronte, për ta shtyrë vendin në një drejtim më të sigurt dhe më stabil.