Pavarësia e Bankës së Shqipërisë është kthyer në alibi

Çështja e vjedhjes së ndodhur në kasafortat e Bankës së Shqipërisë ka marrë shpejt përmasat e një ngjarjeje shumë më të madhe se sa vetë vjedhja. Nga njëra anë, jemi përballë rrezikut që vjedhja të mos hetohet siç duhet, të mos zbardhet dhe të mbetet një nga shumë vjedhjet enigmatike, shumë të përfolura dhe aspak të qarta në historinë e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, kemi problemin e marrëdhënies politike mes Bankës së Shqipërisë dhe klasës politike në vend, nga e majta te e djathta. Dhe më tutje, kemi problemin e reputacionit që i është cenuar autoritetit monetar, qoftë në funksionin e saj si bankë, qoftë si garantuese e stabilitetit ekonomik të vendit.

Klasa politike nga qeveria te opozita e ka dhënë sakaq qëndrimin e vet, atë të mosndërhyrjes së saj në menaxhimin e Bankës së Shqipërisë në emër të respektimit të pavarësisë politike të bankës apo të moscënimit të reputacionit të saj. Për çudi, opozita ka qenë më ekstreme se sa qeveria në këtë argumentim. Ata po thonë se një sulm verbal mbi menaxhmentin e bankës qendrore është një sulm mbi stabilitetin financiar të vendit. Madje, argumentimi më ekstrem i dhënë nga ish-ministri i financave, Ridvan Bode, ishte që thotë se pavarësia është më e rëndësishme se sa cilësia e menaxhimit të bankës.

Kjo linjë argumentimi është diçka më shumë se sa një alibi apo një justifikim i mbrojtjes së Guvernatorit. Partia Demokratike nuk është e njohur për një shkallë të tillë përgjegjshmërie në lidhje me stabilitetin e vendit. Vetë ish kryeministri Sali Berisha është i mirënjohur për disa tentativa, të suksesshme dhe të pasuksesshme, për shkatërrimin e stabilitetit financiar të vendit. E njëjta gjë vjen edhe për qeverinë e sotme, Partinë Socialiste, e cila, kur ishte në opozitë, kreu një sulm verbal të organizuar kundër Bankës së Shqipërisë pa e vrarë mendjen shumë për stabilitetin financiar të vendit.

Problemi i parë me vjedhjen e 713 milionë lekëve është që vjedhja ka ndodhur pikërisht aty ku paratë ruhen. Dmth, Banka e Shqipërisë ka si qëllim ekzistencial të ruajë thesaret e vendit, qofshin ato para të thata, qofshin metale të çmuara apo bizhuteri. Në një situatë normale, një ngjarje e tillë do të kërkojë së paku rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor dhe administrativ të bankës.

Problemi i dytë është që banka, me Këshillin Mbikëqyrës dhe Guvernatorin, duhet të dëshmojë një shkallë përgjegjshmërie në një rast të tillë, së paku duke kërkuar llogari administrative për çfarë ka ndodhur, duke kërkuar mangësitë që sollën vjedhjen. Këshilli, së paku për atë që është bërë publike, duket se nuk e ka bërë punën e vet. Përkundrazi, anëtarët e Këshillit ngjajnë se janë jashtë loje në këtë çështje. Vetëm një anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, znj. Ermelinda Meksi, ka kërkuar publikisht nxjerrjen e përgjegjësive administrative të BSH. Anëtarët e tjerë nuk e kanë parë të arsyeshme as të shtrojnë pyetjen se si ndodhi vjedhja, si dështuan procedurat e kontabilizimit, mbikëqyrjes e kontrollit.

E treta, pavarësia politike e Bankës së Shqipërisë është e rëndësishme për efekt të politikës monetare. Kjo pavarësi nuk mund të shërbejë si justifikim për moskërkimin e llogarisë administrative.

Banka e Shqipërisë është një institucion i pavarur. Por politika shqiptare që sot po thekson pavarësinë si argument të mosveprimit nuk ka kurrfarë kredibiliteti se beson seriozisht te ky argument.

Politikanët duhet ta respektojnë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë ashtu siç duhet të respektojnë pavarësinë e një numri të madh institucionesh të pavarura. Ata duhet të mësojnë të respektojnë edhe hierarkinë e ligjeve. Qeveria e shkuar është e mirënjohur për sulmin barbar ndaj çdo koncepti institucional, ndërsa qeveria aktuale na bëri të ditur brenda 300 ditëve që nuk është se i njeh shumë mirë konceptet ligjore.

Një numër i madh shqiptarësh duket se besojnë se përgjegjësia morale për vjedhjen bie mbi menaxhmentin më të lartë të bankës. Në fund të fundit, është menaxhmenti përgjegjës për garantimin e mirëfunksionimit të institucionit dhe pikërisht menaxhmentit i bie të japë llogari. Politikanët nga e majta në të djathtë nuk mendojnë kështu. Edhe një herë, ata në grup mendojnë ndryshe nga shumë shqiptarë. Por për të fshehur këtë po argumentojnë me nevojën e respektimit të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Nëse ata thonë një opinion mbi këtë çështje, siç thonë të gjithë shqiptarët, pavarësia nuk preket. Pavarësia preket në rast se politika bën veprime të kundërligjshme. Për këtë arsye, argumenti i pavarësisë dhe i stabilitetit financiar si justifikim për mbështetjen e menaxhmentit të bankës duket qartas që nuk qëndron.

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike.