Eufori apo Luftë Kundër Terrorizmit

Fakti që shtetasit e Republikës se Kosovës janë të involvuar në luftime dhe për grupe të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste obligon shtetin e Kosovës dhe institucionet që të marrin përgjegjësinë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit ndërkombëtar. 

Por a është vetëm Kosova e përfshirë në këtë kërcënim? Përgjigjja është JO ngase shumë vende janë prekur nga kjo dukuri kriminale – duke përfshirë edhe fqinjët tanë si Serbia dhe shtetet tjera të Ballkanit.

Në letër Kosova duket mirë sepse, nëse e analizon, këtu ekziston Ligji për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit i aprovuar në vitin 2010 dhe amandametuar në 2012, i bërë për shkak të shtyrjes nga SHBA dhe vendeve evropiane.

Mirëpo, në praktikë, përtej letrës, si qëndron situata? Çfarë roli ka luajtur shteti, në këtë rast Qeveria e Kosovës, me institucionet e saj në luftën kundër terrorizmit? Sa të kënaqur jemi ne si qytetarë? Dhe sa jemi të sigurt?

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit kundër terrorizmit i publikuar në vitin 2013 thekson që institucionet e Kosovës kanë pasur njohuri që nga viti 2012 mbi grupe të vogla qytetarësh kosovarë që iu kanë bashkuar luftimeve në Siri. 

Ajo çka bëri qeveria e Kosovës është që disi me panik e shtyri Projektligjin për Pjesëmarrje në Konflikte Jashtë Territorit me shpresë që do t’i frikësojë ata që kanë ndërmend të shkojnë në vendet si Siria për të luftuar. A është dashur që të pritet ky ligj në mënyrë që organet të veprojnë për ta ndalur terrorizmin potencial? A nuk paska pasur ligje tjera si bazë për të vepruar? 

Qeveria ka dështuar të merret në mënyre proaktive me ofrimin e sigurisë për të gjithë ne qytetarët e Kosovës dhe marrjen e veprimeve të duhura në kohë dhe duke minimizuar implementimin e rekomandimeve ndërkombëtare. 

Një fushë ku ka mundur të bëhet më shumë moti, pa aprovim të ligjeve të reja, pa spektakël medial dhe pa pasur nevojë të na tërhiqet vërejtja nga raportet e shteteve të huaja është monitorimi i financimit të terrorizmit përmes transakcioneve të dyshimta.

Kjo ngase financimi i terrorizmit është baza dhe infrastruktura kryesore e grupeve terroriste. Kush paguan, çka paguan, sa dhe kur paguan mund të rrëfejë shumë për rekrutimin e njerëzve dhe aktiviteteve tjera që lidhen me terrorizëm.

Pse nuk ka monitorim të duhur të transaksioneve të kartelave në bankomatet e Kosovës që mund të përdoren nga shtetasit e huaj apo shtetasit e Kosovës me kartela të huaja, fenomen që u përdor në financimin e terroristëve në sulmet e 11 shtatorit? 

Dhe më mirë të pyesim, pse s’ka bashkëpunim apo shkëmbim të informatave në mes të AKI-së dhe Njësisë për Inteligjencë Financiare apo Policisë në fushën e financimit të terrorizmit. 

AKI drejtpërsëdrejti u kërkon bankave informata për transkaksione tw dyshimta në vend se kjo të bëhet nga Policia apo NJIF. Kjo dëshmon që ky bashkëpunim ndër-institucional nuk është në nivel profesional apo nuk ekziston fare. 

Çfarë veprime ka ndërmarrë Qeveria për të pajisur si duhet Drejtorinë Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës për të cilin raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Terrorizmin në vitin 2013 tregon që ka resurse të kufizuara për përcjelljen e personave të dyshuar. 

Si e ka luftuar Qeveria e Kosovës parandalimin e financimit të terrorizmit në Kosovë duke i aprovuar NJIF-it buxhet vjetor prej vetëm 350 mijë euro në vit dhe aprovim vetëm për 5 zyrtarë për departamentin e inspektimit dhe 5 zyrtarë për departamentin e analizave detyrat e të cilëve lidhen me inspektime, analiza, hulumtime dhe asistencë në hetime për institucione tjera të sigurisë?

Ky njësit e ka përgjegjësinë që të përgatisë analiza financiare analitike dhe duke iu ofruar ndihmë dhe analiza institucioneve tjera të sigurisë. 

Nëse në këtë formë Qeveria deklaron se po krijon politika për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit atëherë shteti i Kosovës duhet të ishte shembull ndërkombëtar. 

Nga shikimi i buxhetit për vitin 2014 vërehet që Qeveria e ka parë më të arsyeshme t’i  ndajw 1 milion euro për të krijuar ‘fond për kuadro’ se sa të krijojë institucion të fuqishëm me ekspertë për ta luftuar financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave – duke i injoruar kështu rekomandimet për ngritjen e kapaciteteve që përmenden në raportet ndërkombëtare si ato më lartë. 

Miratimi i ligjeve nuk vlen asgjë nëse s’ka zbatim dhe siguria nuk ofrohet me marketing medial.

Viteve të fundit në Kosovë nga vendet e lindjes së mesme kane hyrë mbi 50 milion euro në bazë të të dhënave të poseduara. E vërtetë që një pjesë e tyre vinë për t’i mbajtur familjet kosovare të shumë punëtorëve që punojnë në misione ndërkombtare në Lindjen e mesme, por gjithashtu e dimë që një pjesë e tyre mund të kenë qëllime tjera. Por hetimi i tyre  kërkon resurse dhe specializim në monitorimin e transaksioneve.

Pika 4 e Veprës Penale kundër Financimit të Terrorizmit thotë: 

 “Tentativa për të kryer veprën penale të financimit të terrorizmit apo ndihmesa,mbështetja, lehtësimi ose këshillimi në kryerjen e ndonjë vepre të tillë, do të dënohet sikur vepra të kishte përfunduar” 

Nga kjo, shtrohet pyetja, a do të kemi hetim financiar paralel për personat e dyshuar dhe të arrestuar në rastet e fundit? A do të mundet që Prokuroria e Shtetit Kosovës të ndërlidhë fonde, të paktën edhe shuma të vogla, nga ato që u përmenden më lartë. Raporti i DASh kundër terrorizmit për vitin 2013 thotë që Prokurorët kanë trajnime minimale mbi ndjekjen e rasteve të terrorizmit. 

Qeveria dhe Presidentja do duhej të merreshin me fuqizimin e institucioneve që janë të mandatuara për të parandaluar dhe luftuar financimin e terrorizmit ngase kjo ka prodhuar raste të personave të dyshimtë që është dashur të trajtohen para shumë kohe e jo në mënyrë grupore siç janë arrestuar duke peshkuar për merita personale pas publikimeve të video incizimeve në portale. . 

Këto arrestime janë bërë nën presion kohe për prokurorët dhe zyrtarët e hetuesisë dhe tash, edhe nëse del se disa prej të arrestuarve do të shpallen të pafajshëm, rregulla për “prezumimin e pafajësisë” do të përdhoset ngase mbledhja e fakteve dhe dëshmive kundër të dyshuarve në Kosovë nuk është e nevojshme.  

Qeveria i ka pajisur institucionet që janë me ligj të obliguara të hetojnë terrorizmin me resurse mbijetese apo minimale.

Deri në vitin 2014 në Kosovë kanë qarkulluar komente, opinione dhe ndoshta mite që në fushën e terrorizmit – sidomos atij ndërkombëtar – në Kosovë kjo përgjegjësi i takon Shteteve të Bashkuara dhe nëse diçka do të kishte në këtë drejtim atëherë Shtetet e Bashkuara si dhe CIA do t’i njoftonin dhe zyrtaret tanë që të marrin masa. 

Nga gjitha këto pyetje, del se Qeveria nuk i ka fuqizuar institucionet e veta për të parandaluar financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave. Nëse do ta kishte bërë këtë do të kishim ndjekje të terroristëve potencialë në mënyrë të vazhdueshme. E jo sikurse ndodhën, arrestime spektakolare të 40 të dyshuarve për terrorizëm në prezencën e kamerave televizive që dukej veprim reaktiv i akumuluar dhe i vonshëm. 

Bashkim Zeqiri është analist në BIRN. Ai ka punuar si shef i Njësisë për Hetime Financiare në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, zv-drejtor në Inteligjencën Financiare të Kosovës dhe drejtor për pajtueshmëri ligjore në sektorin bankar në Kosovë.