Sheshi Që Ndez

Është një rrugë në Paris, e quajnë Muftar (nuk më kujtohet germëzimi i saj në frëngjisht) dhe e tëra është në kalldrëm. Udhërrëfyesi i cili më kishte treguar këtë rrugë në atë moment priste që unë të fascinohem nga struktura e saj, por për mua ishte diçka që kisha parë tërë jetën time në Kosovë.

Duke u habitur nga pandjeshmëria ime ai, i vendosur të më fascinonte, më kishte treguar pastaj se të gjitha revolucionet e Francës kishin filluar nga ajo rrugë e Parisit. Ai më tregonte se të moshuarit, tradicionalistët dhe konservativët besonin se rruga, duke qenë ndryshe, përmbante një mallkim në vete që kohë pas kohe ndizte të keqen e njerëzve.

Një i ardhur në Prishtinën menjëherë pas luftës dhe i vendosur në një prej banesave në “Nëna Tereze”, i dalë për herë të parë në ballkon kishte thënë i nemitur nga “bukuria” e këtij sheshi: “s’ka pas faj Tita që ka rrnu’ k’tu”.

Sheshi “Nëna Tereze”, me gjithë dardhat e saj dhe punën e pamohueshme që është bërë, është një shesh krejtësisht i zakonshëm si qytet provincial i shteteve postkomuniste. Nuk ka asnjë pikë, qoftë kulturore aktuale apo arkitekturore historike që do të mbetej në mendjen e vizitorit të saj.

Është tërësisht i vërshuar nga dinamika e ankthit për mbijetesë, megjithëse nën ngjyrat dhe ofertat trendi dhe për pak minuta të lë nën mëshirën e të qenët në fillim, nën kulturë, nën prani të shkëmbimit “metropolitan”, kozmopolitan. Të lë nën ankth të vogëlsisë.

Por në të vërtetë sheshi “Nëna Tereze” është gjigant në përjetimet e tij. Vetëm disa dekada më herët kanë parakaluar aty serbët dhe shqiptarët, Fadil Hoxha dhe Adem Demaçi i ri, Rrahman Morina dhe studentët, Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugova, çetnikët dhe UÇK-ja.

Dhe vetëm pak ditë më parë kanë parakaluar edhe me traktor të marrë nga arat e edhe me tupan e surle simpatizuesit e PDK-së. Por menjëherë dhe ditën tjetër kanë parakaluar kundërshtarët politikë të tyre të LDK-së dhe AAK-së në acarim e sipër.

Si duket kushdo në Kosovë që ka diçka për të promovuar, apo edhe festuar, apo edhe revolucionarizuar e bën këtë në këtë shesh.

Dhe nëse jemi pak më të durueshëm dhe e njohim, afirmojmë dhe pranojmë mençurinë e popullit, jo pse është shqiptar, as post-thaçian, por vetëm pse përmban në vete tërë përvojën njerëzore si çdo popull tjetër, këta parakalues doemos duhet të kenë një kuptim në parakalimin e tyre. Apo parakalimi i tyre duhet të jetë një e vërtetë e jona pavarësisht distancës dhe ftohtësisë me të cilën e shikon një prishtinas.

Ndoshta parakalimi është borxhi që ka Prishtina ndaj pjesës tjetër të Kosovës: Prishtina si qytet është hapësirë e izoluar me dekada për banorët e tjerë të Kosovës, megjithë studentët që kanë studiuar dhe janë vendosur në Prishtinë, si prindërit e mi. Është borxh paksa i çuditshëm duke qenë se gjithmonë ka pasur liri të lëvizjes për të gjithë, do të thotë nuk ka pasur internime.

Andaj kur ai burri ishte ngritur dhe kishte dalë në ballkonin e tij për herë të parë, mbi sheshin “Nëna Tereze” ai kishte parë (e di këtë se kam parë të njëjtin vizion) kaosin në të cilin ai kishte shansin për të jetuar në Prishtinë. Për të nisur të gjithë së bashku, edhe një herë, jetën kolektive që e quajmë qytet.

Por në thënien e tij doemos duhet ndjerë, unë e ndjej, pushtetin e tij, apo nënshtrimin e një qyteti të tërë nën ballkonin e tij. Vetë ballkoni sigurisht ka qenë (pa dashur të nënçmoj) një pamje  e re për atë, një arritje.

Qyteti duhet marrë se të merr. Qyteti duhet rrethuar se të rrethon. Çdonjëri opsion negativ nga këta që u numëruan doemos shënjojnë deformimin, depersonalizimin, shndërrimin dhe krejt në fund nga ankthi dhe përballja me një botë mundësish “të pafundme” të Prishtinës – çorodinë.

Edhe më thellë qyteti, sidomos si ky i Prishtinës i cili rrënohet për frustrimin apo pakënaqësinë e gati secilit, është njëlloj zone ku arrihet – sheleveku – Është sistem i cili nuk ka fund kënaqësie, nuk ka fund fizik, nuk ka fund refuzues, nëse arrin ta penetrosh.

Dhe penetrimi është më i thellë kur nuk ndjen për atë, kur nuk ke raport ndërveprimi me atë. Në këtë mënyrë krijohet raporti sadist – mazohist, i përkryer për të konfirmuar veten si të pushtetshëm.

Sa herë zgjohem të shtunën në mëngjes nuk arrij të besoj zbrazëtinë në parkingun e veturave, në çdo ditë tjetër ai është një chaos- utterly, frikësues. Kanë shkuar ata që e kanë penetruar Prishtinën tërë javën, të lodhur për të raportuar/bartur në vend çorodinë më të fundit të “prishtinalive”. Sa më e madhe çorodia e të tjerëve, aq më të pastër para fisit (ende jemi duke psikanalizuar), aq më të fuqishëm në misionin e tyre të ruajtjes së nderit dhe me këtë vazhdimit biologjik dhe psikik të fisit.

T’u kthehemi pas tërë kësaj parakaluesve të ditëve të fundit: cili ishte misioni  i tyre, porosia, mesazhi i tyre përbashkues, pavarësisht partive dhe pozitës, pushtetar apo opozitë?

Sipas psikanalistit Lacan e tërë shoqëria njerëzore është pre e njëfarë – phallusi – të cilit i nënshtrohet bota (në një imagjinatë majtiste mund të jetë vetë kapitali) dhe tërë jetët tona jemi në kërkim të posedimit të tij. Dhe shumë çuditshëm, sa më thellë që penetrojmë në zonën, në shelevekun, e quajtur qytet, aq më afër phallusit jemi, ai është aq më i posedueshëm. Kapitali do të jetë i joni sa më gjithëpërfshirës parakalimi.

Por asgjë nuk e shpreh kotësinë e këtij qëllimi të njeriut, sesa përfundimi i parakalimit të këtyre vdekatarëve të zakonshëm, tubimit të këtyre parakaluesve, pa ndonjë arsye në udhëkryqin te katedralja: shikonin të nemitur parakalimin e veturave që “shllajfitnin” gomat.

Dhe prisnin, ashtu më dukej, zbulimin e kapitalit, phallusit para tyre. Kapjen e tij, për atë, në lumturinë e përjetshme. Dhe për më shumë policia, simboli më akut i shtetit për të cilin kishin ardhur prej çdo pjese të Kosovës, ua rregullonte ambientin, ua lëshonte rrugën, ua krijonte hapësirën. Por ata megjithatë “nuk” donin asgjë.

Ndoshta të kesh jetuar një të diel në Prishtinën krejtësisht të mjerë dhe të vogël dhe të pa lidhje me botën, pa mundur të kthehesh diku tjetër, parakaluesit do të kishin ditur çka duhej bërë.