Marquez- (Latino) Amerikani që Rizbuloi Botën

Kisha ngarendur i përndjekur, në represion nga liria, pas vitit 1999. 

I përhumbur në hedonizmin bashkëkohor, mundësitë e tij, sepse mendoj edhe hedonizmi është i kufizuar brenda mundësive njerëzore, kisha përjetuar një aksident me absurdin dhe për më shumë edhe në realitet kisha pasur aksident të rëndë trafiku. 

Ishte dimër, kudo, derisa punoja në hulumtim të  idares  së kosovarëve të pasluftës, shihja vetëm bardh dhe zi, të bardhën e borës dhe të zezën e shkrumbit të shtëpive, kisha arritur në fund të botës. 

Pas dorëzimit, në rehabilitim, në kërkim të një fijeje për të gjetur, rikthyer besimin, kisha hasur në thënien e Marquezit: gjithmonë ka diçka për të dashuruar. 

Nuk kisha lexuar asgjë prej tij më herët dhe kisha dëgjuar aq shumë dhe arsyeja kryesore ishte se ai në të 1999-ën kishte pasur një artikull shumë kundërshtues ndaj bombardimeve të NATO-s në Kosovë. 

Sidoqoftë, duke pas dëgjuar aq shumë dhe ndjerë aq thellë këtë thënie të tij, kisha marrë forcën e pakët nga shuarja shpirtërore, nga lodhja prej aksidentimit me absurdin, për të lexuar “Njëqind vjet vetmi”. 

Kur njeriu e lexon këtë libër nuk ka më kthim prapa, harron kush ke qenë, harron kush çka të ka thënë, e vërteta, megjithëse estetizuar në formë letrare, (por a mund të thuhet e vërteta esenciale ndryshe), rrjedh në këtë libër si lum i përjetshëm, të shënjon me bukurinë e tij deri në harrim, të damkos me tragjiken e asaj që e quajmë jetë dhe të shndërron në përhershmëri me thurjet magjike.

Kishte qenë kalim, nga një varësi (obsesion) hedonist, në një tjetër obsesion të besimit në letërsi.

Por më lejoni të tregoj njëherë diçka tjetër: kam qenë në klasë të dytë duke lexuar “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, shtrirë në dyshemenë e dhomës së vogël në të cilën rrinim gjatë dimrit, sepse ngrohej me më pak shpenzime, në katin e dymbëdhjetë të njërit prej soliterëve të Ulpianës, kur kishte ndodhur momenti i përjetimit të magjisë së letërsisë-kalimi në një gjendje tjetër. 

Kisha qenë duke lexuar kapitullin kur “Fatbardh Pikaloshi” si personazh i ndjekur nga një armatë dyshash shkollorë, arrin urëzimin në mes të ëndrrës dhe realitetit dhe bashkë me atë kisha arritur edhe unë kalimin prej njërës botë në tjetrën. Ishte vetë magjia. 

Por kjo magji kishte humbur shpejt, nëpër tërë atë që kemi jetuar dhe jetojmë në Kosovë, edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë edhe tash në liri, nëpër përpjekjen për mbijetesë dhe zhvleftësimin e letërsisë dhe artit në përgjithësi nga uria e njeriut për kënaqësi të atypëratyshme, nga ankthi për ngopje të shkaktuar nga sistemi global i të qeniesuarit, kurrë më nuk e kisha ndjerë këtë.

 Apo për të qenë më i saktë, e kisha ndjerë herë pas here, për shembull me “Prilin e thyer”, me “Kronikë në gur”, etj. Por shumë rrallë dhe zbehtë. Dhe duke iu kthyer fillimit të këtij paragrafi, duke lexuar “Njëqind vjet vetmi” të Marquezit, kisha përjetuar prapë, ishte ringjallur edhe njëherë, harruar nëpër të gjitha përjetimet hedoniste, magjia e letërsisë. Mundësia e hyrje-daljeve nëpër botë. 

Marquez quhet shkrimtar i realizmit magjik, aty ku ndërthuren realiteti me magjinë, ky pra kalimi ndërmjet këtyre dy botëve. 

Duke qenë se edhe hedonizmi ka të njëjtën aftësi, mundësi të kalimit nëpër zona të humbura dhe të harruara nga përditshmëria, kisha gjetur mënyrën më të lehtë të rehabilitimit. Përmes letërsisë. Por ky nuk ishte vetëm rehabilitim, ishte obsesionim, çmenduri.

Dhe këtë çmenduri po e përshkruaj në vijim: i kisha gjetur të gjithë librat e tij dhe të gjitha intervistat e tij dhe çdogjë që ishte shkruar për të dhe i përpija. Flija edhe më pak se në kohërat hedoniste, kënaqesha, harrohesha edhe më thellë se gjatë fazës sime të hedonizmit. Punoja në atë kohë përkthyes në një projekt të bashkimit evropian, aty kishte rregulla strikte të disiplinës së punëtorëve, duhej forcë dhe përqendrim i madh gjatë orarit të punës, etj.

Por unë, ka ndodhur disa herë, i harruar në zonat–pas shpinës së zotit të fshatrave të Kolumbisë, aty prej nga vijnë edhe rekuizitat hedoniste, në Macondo, vendi që e kishte imagjinuar Marquez me gjithë njerëzit dhe ambientin e një vendi , harrohesha duke lexuar, në të vërtetë njëherë përgatisja një termos kafe turke dhe pastaj mbyllesha në dhomën time, deri në mëngjes, deri në kohën kur më vinte koha për t’u nisur në punë. 

Dhe jo vetëm që nisesha me të njëjtat rroba, me të njëjtën pamje siç edhe kisha qenë një ditë më herët pa pas fjetur as një minutë, por me vete e merrja librin e Marquezit të cilin kisha qenë duke e lexuar tërë natën paraprakisht. 

Dhe jo që e merrja, por lexoja në çdo moment pauze, në ëmbëltoren “Korzo”, në ëmbëltoren “Elida”, lexoja çdo pauzë dhe vështirë për t’u besuar por punën e kryeja në afat dhe me përpikëri. 

Nuk më thonin asgjë për “ikjet” e mia gjatë orarit të punës me libër në dorë, kishte njëlloj aure në mua, njëlloj gjendje të ndryshuar që ata nuk kishin guximin, apo nuk donin ta shpërthenin.

Ishte aura e krijuar nga të ndjerit e vetmisë kolumbiane. Vetmisë që aq shumë i ngjante vetmisë shqiptare: me të qenët i injoruar nga tërë bota, me përrallat dhe rrëfimet e bestytnitë magjike, misterioze dhe të pashpjegueshme me gjuhën që e zotrojmë, me të qenët i mashtruar, tradhtuar dhe shfrytëzuar nga tjetri.

Aty ishte e vërteta ime (Sabri Hamiti ka një roman të quajtur me të njëjtin titull “Njëqind vjet vetmi”, sigurisht e ka shkruar i ndikuar nga të ndjerët e kësaj që po e them këtu), aty ishte edhe arsyeja e aksidentimit tim të parakohshëm me absurdin e bashkëkohësisë. 

Pak muaj më vonë, kur kishte ardhur pranvera duke qenë se kisha krijuar shprehinë e të lexuarit në kafene të Prishtinës (përvojë që më ka dhënë shumë përjetime të rëndësishme, nga reagimet e të tjerëve kur më shihnin me libër në dorë), derisa isha duke e lexuar një tregim të këtij shoku, tanimë ishte shok i imi i jetës (dhe në këtë moment të këtij shkrimi e kuptoj secilin që do të më marrë për të degjeneruar apo diçka të këtillë dhe kjo doemos do të jetë për shkak se nuk e kanë lexuar Marquezin), në përfundim të tregimit isha ngritur doja të ikja diku, të harrohesha, të mos e shihja botën dhe në atë moment e pata takuar një shok. 

Më pyeste se ç’kisha, ishte aq e dukshme tronditja ime, ishte gjendje tjetër, tregimi fliste për një grua që mbyllej në një çmendinë dhe të jetuarit në Kosovë se si më lidhej (dhe ky është efekti i bukurisë së Marquez-it, shpërthimi i imagjinatës) si ajo çmendinë dhe se si më dilte vetja një i çmendur, ishte aq i thellë impakti i leximit të tij. 

Dhe shoku përballë meje me të cilin po shikohesha në atë moment, priste i habitur për një përgjigje timen. Ç’mund t’i thoja, se sapo kisha lexuar Marquezin dhe isha i tronditur, t’ia thoja këtë një kosovari; apo t’i thoja se më dukej vetja se po jetoja në një çmendinë. Prisnim aty përballë njëri tjetrit dhe për një moment i pata thënë : “jam high” duke dashur të shkëputja çfarëdo kontakti me atë. 

I pata thënë, sepse e dija që do të zhdukej nga aty, se kurrë më nuk do të më fliste, sepse doja të mishërohesha, apo veçse isha mishëruar në thurjen magjike të Marquezit.

Marquezi ka thyer botën imperialiste. Në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, kur bota njihte apo kishte vetëm një të vërtetë, atë të farkëtuar nga vendet e pasura të të ashtuquajturit Perëndim, ai kishte tronditur botën me krijimin e tij, me besimin e tij, kishte thyer të vërtetën e xhamtë të Perëndimit me një të vërtetë tjetër, assesi të vërtetë të re, por një të vërtetë unike, ashtu si janë njerëzit, unikë. 

Ai kishte hapur rrugën për dekonstruktimin e tërë botës sipas farkëtimit të Perëndimit, duke i hapur rrugën të gjitha të vërtetave që ekzistojnë, e janë aq sa ka njerëz. Me qëllim po e quaj të vërtetë kur më e përshtatshme politikisht do të duhej të quhej përvojë, por problemi është se përvoja njihej në botën paramarkeziane, nuk njihej e vërteta që sipas këtij shkrimi është mbizotërimi i përvojës dhe këtë kurrë më parë nuk kishin mundur ta arrinin asnjë nga popujt, njerëzit jashtë të vërtetës imperialiste. 

Ka shpresë, besoj, prej se kam lexuar Marquezin (megjithëse shumë shqiptarë mund të ironizojnë me mua në këtë pikë) besoj se ka shpresë për njerëzimin. Dhe besoj se ka shpresë për një Marquez kosovar, mungon vetëm një moment, momenti i mbizotërimit të përvojës kosovare në tërë peshën që e ka.

Në një prej kapitujve të “Njëqind vjet vetmi” të Marquezit bie shi, bie shi pandaluar për katër vjet me radhë. Dhe derisa e lexon, teksti i shkruar me paramendim nga autori duke imituar reshjen e shiut, fjali për fjali, kuptim për kuptim, njeriu (ai brenda lexuesit) kthehet prapa, prapa kur s’ka pasur strehë ndaj shiut, as shtëpi, as xhaketë të padepërtueshme nga shiu, por as vietnamka (xhaketa ushtarake të ushtrisë amerikane të popullarizuara gjatë luftës së Vietnamit), dhe për një moment e ndjen njeriu brenda lexuesit, esencën e të qenët në botë.

Marquez, ose vendi ku ka lindur dhe jetuar ishte zbuluar nga Perëndimi dhe Marquez me punën e tij, me pasionin e të përkiturit të tij, me dashurinë e tij, rizbuloi botën.