Një Shoqëri më e Hapur Shqiptare

Unë jam hulumtuese dhe analiste e politikave publike. Kam jetuar në Prishtinë, Toronto dhe Berlin. Kam punuar në Gjeorgji, Azerbajxhan, Kroaci e Maqedoni. Gjatë tërë këtij rrugëtimi profesional dhe personal, i kam kushtuar vëmendje të posaçme grave përreth meje, duke u munduar t’i kuptoj parametrat e mundësive dhe limitimeve e të qenurit grua nëpër botë.

Këtë e kam bërë sidomos këto dy vitet e fundit – prej kur jam kthyer të punoj dhe jetoj në Kosovë dhe Shqipëri – duke u munduar ta kuptoj më mirë se kush janë gratë shqiptare? Si jetojnë dhe punojnë ato? Si trajtohen nga shoqëria, politika, mediat? Si po i përballojnë ndryshimeve shoqërore dhe ekononike, ndryshime që po i çojnë ato çdo ditë e më shumë në sferën publike, krah për krah me burrat?

Apo më saktë të them, kush jemi NE gratë shqiptare?

Arsya pse po i shoh me kaq kujdes gratë shqiptare është ngaqë përbëjnë një grup të cilit i përkas edhe unë dhe përmes tyre po mundohem t’i kuptoj më mirë mundësitë dhe limitimet që i kam unë, si grua shqiptare në Ballkan.

Profili socio-ekonomik i gruas shqiptare i ka tri karakteristika kryesore:

E para, shumica prej nesh (pak përtej 50 përqind) jetojnë nëpër vende rurale. Duke marrë parasysh që në Ballkan varfëria është kryesisht rurale, kjo do të thotë se shumica e grave tona jetojnë në varfëri dhe ballafaqohen me sfidat e skamjës që ua theyjnë shpinën dhe nuk i lënë ta çojnë kokën drejtë realizimit të ëndrrës për një të ardhme më të mirë për to dhe familjet e tyre. 

E dyta, ne jemi shumë punëtore, shumë më punëtore se burrat. Sipas INSTATit, gratë shqiptare kryejn 85% të të gjithë punës së papaguar në Shqiperi. Nuk kam të dhëna për Kosovën por besoj të jenë të ngjashme me ato në Shqipëri. Nëse e mbledhim gjithë kohën e shpenzuar në punë me pagesë dhe pa pagesë, çdo ditë gruaja shqiptare punon 2 orë më shumë se burri.
 
Por shumë pak gra kanë një punë me pagesë: vetem 30 përqind të grave të moshës së punës punojnë me pagesë në Shqipëri. Ndërsa në Kosovë, vetëm 10 përqind e grave të moshës së punës kanë një vend pune. Që do të thotë se ne punojmë e rropatemi, shumë më shumë se burrat, por nuk mund ta sigurojmë mirëqenjen dhe pavarësinë ekonomike me atë punë.

E treta karakteristikë e jona është mosha jonë e re. Mbi gjysma e grave shqiptare sot janë nën moshën 30 vjeçare, dhe kontributin e tyre kryesor në ekonomi dhe shoqëri do ta japin në dy-tri dekadat e ardhshme, kur shumica e grave shqiptare që jetojnë sot do të jenë në majat e produktivitetit. Kjo është fantastike, sepse sot kemi më shumë çika sesa djem që mbarojnë universitetin dhe si të tilla ato do të hyjnë në tregun e punës më të kualifikuara se asnjëherë më parë.

Bota po ndryshon dhe shoqëria jonë është në transformim e sipër. Viti 2013 e ka nënvizuar këtë fakt, duke qënë viti më i mirë – dhe njëkohesisht edhe më i keqi – në historinë e gruas shqiptare këto dy dekadat e fundit.

Në 20 vitet e fundit, gruaja shqiptare nuk ka qenë kurrë më e perfaqësuar në politikë dhe jetën publike se sa që është sot. Në Shqipëri sivjet, gratë jane vendosur në shumë pozita udhëheqëse, jo për shkak të kuotave gjinore – se të tilla nuk ekzistojnë në qeveri – por për shkak se ka qenë kuadri më i mirë në dispozicion për ato pozita. Si rezultat, 6 ministre dhe një e treta e gjithë administratës shqiptare janë gra.

Në Kosovë dhe Maqedoni, përmes votës së drejtpërdrejtë, për herë të parë në 20 vitet e fundit janë zgjedhur dy gra shqiptare kryetare komunash, në Tetovë dhe Gjakovë.

Kosova në krye te shtetit e ka një grua, e cila këtë javë kishte marrë aplauz me ovacion gjatë fjalës së saj në TEDXAmsterdam Women.

Por debati mbi mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat – që po ndodhë në gjithë botën dhe vazhdueshëm – te shoqëria shqiptare është i ngjyrosur nga një patriarkalizëm i theksuar që është ruajtur nëpër breza dhe mbahet fort pas familjes tradicionale shqiptare. Patriarkalizëm që po cënohet nga ky debat dhe po manifestohet me dhunë. Viktimë e kësaj dhune ishin 23 gratë e vrara sivjet në Shqipëri, kryesisht nga burrat e tyre.

Në këtë rrugëtim tonin të përbashkët, përgjatë transformimit të shoqërisë shqiptare, ne gratë jemi duke e parë për së afërmi njëra-tjetrën, në kërkim të modelit të suksesit që mund të na frymëzojë dhe ndihmojë të ecim përpara.

Por nuk jemi veç ne që po e shohim njëra-tjetrën. Edhe burrat po na shohin me shumë kujdes gjatë rrugëtimit të tyre të vështirë drejt gjetjës së rolit të ri në një shoqëri që po e sfidon rolin e tyre tradicional dhe një ekonomi ku gruaja gjithë e më shumë po merr pjesë. Ata po e vështrojnë modelin e gruas me të cilën çdo ditë e më tepër po e bashkëndajnë hapësiren publike dhe po mundohen t’i përshtaten asaj. Përmes saj po mësohen edhe si t’u ndihmojnë çikave të tyre të bëhen sikur gratë e sukseshme përreth tyre.

Ka shumë modele të suksesit të gruas, po aq sa ka edhe gra të suksesshme. Përmes tyre ne po e shohiom se si shtyhen limitet e së mundshmës në shoqërinë tonë. Ato duhet të jenë të vëmendshme për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në informimin e debatit për mundësi të barabarta gjinore. Debat që po na çon drejt një shoqërie më të hapur shqiptare. Përfitimet nga kjo hapje nuk u takojnë veç grave por të gjithëve.

Shoqëritë e hapura janë të zhvilluara ekonomikisht, më të të lumrura dhe jetojnë më gjatë. Hajde pra të bisedojmë dhe të ecim së bashku drejt në shoqërie më të hapur shqiptare, për të mirën e të gjithë neve.

(Autorja ishte moderatore e TEDxTirana Women më 6 dhjetor 2013 dhe ky artikull është i bazuar në tekstin e fjalës së saj hapëse).