Bota Sipas Matematikës

Prej vitit 2000, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) synon të vlerësojë njohuritë dhe aftësitë e nxënësve të moshës 15 vjeç nga vende të ndryshme të botës përmes testit Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA). Në testin e fundit në vitin 2012, rezultatet e të cilit u publikuan para disa ditëve, më shumë se 510,000 studentë nga 65 ekonomi të ndryshme u testuan në matematikë, lexim dhe shkenca. OECD i dha theks të veçantë matematikës sepse e konsideron si “parashikues të fortë të edukimit universitar dhe suksesit në të ardhmen”.

Testi bëhet çdo tri vite dhe ka synim t’i shërbejë ndër tjera edhe politikëbërjes në sektorin e edukimit. Të dhënat e testit përdoren gjithmonë e më shumë për të vlerësuar ndikimin ekonomik të kualitetit të edukimit në të ardhura dhe rritje, si dhe për të kuptuar çka i shkakton dallimet në cilësi.

Rezultatet e testit, megjithatë, nuk treguan aq shumë të reja prej vitit 2009. Lihtenshtajni, Zvicra dhe Holanda shënuan rezultatet më të mira në Europë. Rezultatet e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe u renditën në mes dhe nuk dalluan shumë prej testeve të kaluara. Suedia pësoi rënien më të madhe në matematikë përgjatë 10 viteve të fundit, me ecuri të ngjashme edhe në dy fushat tjera. Katari, Kazakistani, dhe Malajzia ishin vendet ku rezultatet në matematikë treguan përmirësimin më të madh. Rezultatet gjithashtu treguan që mesatarisht djemtë dalin më mirë se vajzat në matematikë, vajzat janë të më të mira në lexim, kurse dy gjinitë treguan rezultate të ngjashme në shkenca.

Kosova nuk ishte pjesë e testit, kurse Shqipëria tregoi kryesisht ngecje. Nxënësit shqiptarë morën mesatarisht 10 pikë më shumë për fushë si dhe u ngritën për 9 vende në matematikë, por treguan regres për 3 vende në lexim dhe për 4 vende në shkenca.

Ajo që edhe u prit në masë të madhe ishte dominimi i vendeve të Azisë Lindore – Kina, Singapuri, Hong Kongu, Taivani, Koreja e Jugut, Makau, si dhe Japonia – pa dallime të mëdha në rënditje në tri fushat. Sistemet e edukimit në këto vende janë të ndërtuara rreth pritjeve të mëdha kulturore për sukses si dhe testeve tejet të vështira të cilat përcaktojnë në mënyrë përfundimtare karrierën. Si pasojë e kësaj, në vendet e Azisë Lindore është krijuar një shoqëri tejet e obsesionuar me suksesin në edukim, ku nganjëherë nxënësit kalojnë deri në 16 orë në ditë duke mësuar e ku nuk kanë munguar as vetëvrasjet për shkak të stresit dhe turpit nga dështimi. Nuk është çudi pra që ka pasur thirrje në Perëndim që mos të ndiqet modeli aziatik fare sepse është konsideruar që një sakrificë e tillë e skajshme, edhe pse e suksesshme, megjithatë nuk e vlen.

Rezultatet nuk sollën as dëshmi të reja për mendimin e analistëve si Fareed Zakaria që vazhdimisht thonë se shpenzimi shtetëror në edukim e rritë cilësinë. Për shembull, qeveria e ShBA-ve renditet e 5-ta në botë për nga shpenzimi publik (për nxënës) në edukim, por nxënësit amerikanë vazhdimisht mbesin në mesin e tabelës. As katër qeveritë e para që shpenzojnë më shumë se ShBA-të nuk renditen në top 10 për nga cilësia. Në anën tjetër, edhe pse mungojnë të dhënat e hollësishme, këto 10 vende të para shpenzojnë më pak se vendet tjera në listë sipas Bankës Botërore. Gjetjet e OECD-së tregojnë gjithashtu që vetëm 30% e dallimeve në cilësi ishin të lidhura me shpenzimet shtetërore në edukim, kurse qeveritë e vendeve të suksesshme të Azisë Lindore, si Koreja e Jugut, shpenzuan nën mesataren e OECD-së. Finlanda është i vetmi përjashtim sepse nxënësit janë të suksesshëm kurse shteti shpenzon shumë në edukim, por edhe këtu rezultatet janë në rënie viteve të fundit.

Performanca e dobët e vendeve ku shteti shpenzon shumë është e shpjegueshme edhe përtej dëshmive empirike, që tregon se pritjet e tilla kanë qenë të pabaza që në fillim. Ekonomisti i Harvardit, Lant Pritchett, i cili ka punuar në vendet në zhvillim, shkruan në librin e tij Rilindja e Edukimit: Shkollimi nuk është Mësim (The Rebirth of Education: Schooling Ain’t Learning, 2013, f. 113):

“Në shumë shkenca fizike ka fakte të forta fizike, si masa e protonit apo neutronit. Ne e dimë që nëse një atom ka saktësisht një proton më shumë se atomi tjetër, masa e tij do të jetë më e madhe me po aq dallim, në Keni, Indi, apo Tenesi. Por gjithçka e rëndësishme në edukim ka të bëjë me qeniet njerëzore—si studentë, si mësues, si prindër, si kujdestarë—e qeniet njerëzore nuk janë të reduktueshme në fakte fizike sepse kanë shpresa, brenga, identitete, dëshira, shije, motivime. Qeniet njerëzore zgjedhin. Kështu që ndikimi në mësim duke e shtuar një mësues në klasë nuk është sasi e fiksuar, si masa e protonit, por përcaktohet nga sjellja e njerëzve. Studimet që masin ndikimin e intervenimeve siç është zvogëlimi i madhësisë së klasave apo shtimi i resurseve apo rritja e pagave të mësuesve nuk tregojnë ndikimin e madhësisë së klasës – ato tregojnë që nuk ekziston një ndikim i tillë si madhësia e klasës.”

Pra shpjegimi i Pritchett, me të cilin pajtohem, është që edukimi nuk i ngjanë një fabrike të cilës duke ia rritur inputet ia rrit outputet në mënyrë të fiksuar, ashtu siç e shohin fatkeqësisht planifikuesit shtetërorë në departamentet e edukimit. Përkundrazi, edukimi është një proces i ndërlikuar ku faktori njeri luan rolin kryesor dhe ku inputet më të vlefshme janë kërkesat dhe brengat e prindërve, të cilat në sistemet publike të edukimit rrallë herë merren parasysh meqë mësuesit i japin më shumë llogari atij që ua siguron pagat: shtetit.

Në anën tjetër, ndoshta testi nuk duhet të merret edhe aq afër zemrës. Për shkak se shkollat nuk i përgatisin nxënësit për botën e vërtetë, shkruan Gregory Ferenstein në Tech Crunch, rezultatet e cilësisë në edukim nuk përkthehen patjetër në fuqi ekonomike. Sipas tij, vetëmohimi, inteligjenca e pagdhendur, dhe kreativiteti janë faktorët që përcaktojnë studentin dhe punëtorin e suksesshëm—asnjëra nga këto nuk mësohet në shkolla. Për Ferenstein, nuk është e habitshme pra që ShBA është forca më dominante ekonomike dhe inovative në botë edhe pse prej vitit 1964 asnjëherë nuk është renditur lartë në testet edukative ndërkombëtare.

Ndoshta mësimi që mund të nxjerrim është që konkurrenca në sferën e edukimit është e mirëserardhur meqë sjellë përfshirjen e prindërve në vendimmarrje, kurse këtë nuk e bën intervenimi shtetëror i cili është rigjid dhe i njëtrajtshëm. Por, në të njëjtën kohë, duhet ta kuptojmë që shkollimi formal nuk është përcaktuesi i vetëm i suksesit në zhvillimin e kapitalit njerëzor.