Këshillat e Ambasadores së Turqisë për Historinë e Kosovës

Pyetjet e juaja i mora dhe i analizova. Ju falemiderit sinqerisht për mundësinë që ma keni dhënë për të sqaruar idetë e mia lidhur me një çështje të kësaj rëndësie. Me këtë rast dëshiroj të ndajë me ju që publikimet e juaja i përcjell me interesim si dhe uroj që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Mendova se më e drejta ishte t’iu përgjigjesha pyetjeve tuaja duke i vlerësuar ato në lidhje me njëra-tjetrën dhe si tërësi.

Më datën 6 dhjetor 2012 në TV Mitrovica kam marrë pjesë në një panel të hapur ku ishin prezentë kolegë të mijë diplomatë si dhe historianë nga Serbia e Kosova. Ndoshta edhe mund të më keni hasur në televizion dhe t’ju lind ideja e një interviste të tillë.

Shkurtimisht në program kam theksuar se historia e cila iu mësohet fëmijëve dhe gjeneratave të reja duhet të mbështetet në fakte, se disa historianë duke shpjeguar për të kaluarën mund të kenë interpretime të ndryshme dhe se ky fakt haset në çdo kohë si dhe kam theksuar faktin se gjatë shpjegimit të historisë duhet të mos shprehen apo përdoren ide a fjalë fyese, paragjykuese, fjalë që sjellin konflikte apo urrejtje ndaj popujve apo komuniteteve të ndryshme etnike e fetare. Në program kam theksuar se Turqia vazhdon të punojë në këtë drejtim me vende të ndryshme me të cilat ka një të kaluar të përbashkët, se Turqia përkrah iniciativat e organizatave rajonale e kombëtare si dhe se faktin se kjo është ajo që është e nevojshme për sigurimin e paqes dhe stabilitetit mbarbotëror.

Në anën tjetër kam theksuar edhe se duke e pasur parasysh historinë e Ballkanit, akuzat reciproke të grupeve të ndryshme etnike, fetare, kulturore në Ballkan nuk shpien askund dhe se tanimë ajo çfarë është e nevojshme në rajon është mirëkuptimi reciprok dhe dialogu ndërmjet këtyre vendeve. Në këtë aspekt kam theksuar edhe se historianët, politikanët dhe liderët e opinionit duhet të mundohen që t’i bëjnë të dukshme dhe shembuj anët pozitive të historisë duke i mundësuar kështu të rinjve të Ballkanit multietnik dhe multikulturor që të jetojnë së bashku nën pasurinë e shumëllojshmërisë ekzistuese.

Më poshtë i kam përmbledhur edhe qëndrimet e përbashkëta të atyre të cilët morën pjesë në program:

– Në histori “e vërteta” është e vetme, mirëpo është e ditur se në zbatim të saj mund të ketë versione të ndryshme. Për këtë arsye, të gjithë duhet të pranojnë se gjenden dhjetëra versione të shpjegimit të historisë së përbashkët të Kosovës, Shqipërisë e Serbisë dhe se këto diskutime lidhur me atë se cili është versioni i vërtetë ekzistojnë qe qindra vite dhe mendohet se kurrë nuk do të përfundojnë.

– Ekzistojnë një mori problemesh të ndryshme që burojnë nga e kaluara dhe vazhdojnë të ekzistojnë edhe në politikën bashkëkohore sikur ato lidhur me origjinën dhe nacionalitetin të cilit i përkisnin personalitetet historike të rëndësishme, duke filluar që nga Aleksandri i Madh. Këto probleme janë probleme të cilat i hasin në çdo periudhë edhe historianët edhe politikanët e këtij regjioni.

– Përkundër të gjitha vështirësive Kosova, Shqipëria dhe Serbia, sikur tek shembulli Gjermani-Francë, nuk duhet assesi të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për tu ballafaquar me historinë.

– Duke pasur parasysh përbërjen shumetnike, kulturore dhe fetare të Ballkanit, historianët dhe politikanët të cilët e përdorin historinë si një instrument kanë mbi vete përgjegjësi të mëdha. Në këtë kornizë, do të ishte dobishme që në librat e historisë të rinjve t’u mësohen versionet ekzistuese të shpjegimit të historisë dhe këndvështrime tjera të ndryshme. Në këtë formë të rinjve do t’u lehtësohej kuptimi i veçorive dhe këndvështrimeve plurale në shumë fusha sikurse ato etnike, kulturore, fetare e të tjera në rajon.

– Shpjegimi i historisë së një rajoni që ka një strukturë aq të përzier sikurse ai i Ballkanit nuk është i lehtë dhe duhet të jetë i bazuar në të vërteta historike, prova e dokumente, të cilat jemi në dijeni që sigurohen shumë vështirë. Për këtë arsye, historianët, duke e ditur këtë fakt, nuk duhet të bëhen as gjyqtarë, as avokatë apo dëshmitarë. Edhe politikanët duhet të veprojnë me të njëjtin mirëkuptim dhe duhet të orvaten që të rinjve të rajonit t’ua mësojnë historinë pa urrejtje historike dhe t’i stimulojnë ata të jetojnë në paqe dhe mirëkuptim.

– Franca dhe Gjermania, përkundër historisë së tyre, kanë arritur të integrohen me BE-në dhe tanimë parashohin që t’i përdorin të njëjtat libra shkollore për shkollimin e ultë dhe të mesëm. Ky shembull është tejet i rëndësishëm dhe duhet të përcillet nga të gjitha vendet e Ballkanit të cilat synojnë integrimin në Europë.

Përgjigjja ime e shkurtë në kornizë të atyre të cekura më lartë do të ishte:

Çështja e ndryshimeve të disa stileve të shkrimit të librave të historisë është një temë e cila zhvillohet ndërmjet shumë vendeve që kanë jetuar dhe ndarë një histori të përbashkët. Synimi i saj është që gjeneratat e reja të shikojnë të ardhmen dhe të jetuarit së bashku, me më shumë vullnet, të jenë paqësorë, të mirëkuptueshëm dhe më tolerantë.

Në të vërtetë kjo çështje është një fushë në të cilën punojnë edhe shumë institucione ndërkombëtare (sikurse: KB, BE, UNESCO etj) të cilat synojnë sigurimin e paqes e stabilitetin ndërbotëror dhe ruajtjen e tyre.

Bashkëpunimi ndërmjet Francës e Gjermanisë, dy shtete këto të cilat luajtën rolin thelbësor të formimit dhe organizimit të projektit më të rëndësishëm paqësor – Bashkimit Europian, është padyshim një shembull i mirë për temën në fjalë.

Llojet e tilla të punimeve të cilat synojnë largimin e shprehjeve të pakëndshme në librat e historisë ekzistojnë jo vetëm ndërmjet Gjermanisë e Francës, por edhe shumë shteteve përfshirë edhe vendin tim, e posaçërisht ndërmjet vendeve të cilat kanë raporte fqinjësore.

Në këtë kornizë, Turqia vazhdon kontaktin dhe bashkëpunimin e saj me të gjitha vendet të cilat ndau një histori të përbashkët, përfshirë edhe Kosovën. Lidhur me këtë, punimet e grupit të ekspertëve të ngritur nga Ministria e Arsimit të Kosovës dhe punimet e ekspertëve nga Turqia në ditët e ardhshme do të vlerësohen së bashku, duke u punuar që të mos ketë asnjë paragjykim dhe shprehje fyese ndërmjet popujve miq – popujve të Kosovës dhe Turqisë.

Mendoj se kjo do t’i kontribuojë marrëdhënieve ekzistuese të shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Autorja është ambasadore e Republikës së Turqisë në Kosovë.