“Fillet e së Drejtës” dhe Gështenjat

Çfarë mund të jetë kjo copë teksti me dy gabime trashanike?!

Gabimi nuk ishte siç është rëndom tek përgjigja, por ishte tek pyetja. Nëse është test, gabimin nuk e kishte bërë studenti por profesori. Së pari, mungon pikëpyetja dhe së dyti fjala “çka” nuk do të ishte në fjalor të shkruar sepse nga klasa e 2-të shpresoj që mësohet të përdoret “çfarë”. E treta, jo “demokracinë” por “demokracia”.

Fillimisht nuk më la shumë përshtypje, por sa harxhoheshin gështenjat, aq më tepër intrigohesha. U bëra kurreshtar të shoh nëse pyetjet tjera kishin probleme të ngjashme. Doli më e keqja që e prisja, të gjitha pyetjet ishin me “çka” dhe jo me “çfarë” dhe së paku një tjetër kishte dy pika ‘:’ në fund në vend të pikëpyetjes.

Dikur u bëra kureshtar për të parë përgjigjet. Nëse profesori ka problem me gjuhën e vet amtare, vështirë se do t’i mësojë studentët diç të dobishme për demokracinë. Gjëja e parë që vërehet është se shumica e pyetjeve kur pyesin përkufizimin e termave, ato kërkojnë përgjigje përmendësh. Për fat të keq, profesorët tanë nuk kërkojnë aplikim të njohurive, por mësimin si bylbyl.

Përveç përgjigjeve përmendësh, më interesoi nëse ky profesor studentëve u jep edhe vlerat e duhura për një temë kaq të rëndësishme siç është sistemi ynë qeverisës. Shihni përgjigjen për të cilën studenti fiton 4 pikë!

Studenti nuk thekson epërsitë e shumta që ka sistemi demokratik. Edhe qeverisja nga shumica vihet në kontekst negativ, si sundim mbi pakicën. Dhe këtë me gjasë e kanë mësuar përmendësh.

Arsyet deri këtu duhej të shtynin secilin qytetar të përgjegjshëm të këtij vendi që të vërë në pah se çfarë gjenerata gjysmake nxjerrin. Nëse tërë këtë deri këtu e “ha pazari”, u irritova skajshmërisht me lehtësinë se si arrin testi me emër dhe mbiemër te shitësi i gështenjave.

Në test shihet emri i studentes dhe nuk ma merr mendja nëse Edona dhe studentët tjerë e dinë se testet hyjnë në punë për gjëra tjera. Mbase profa ka qenë shumë largpamës dhe ka llogaritur që Edona do të duhej të mësonte për shkak të turpit publik me të cilin më vonë do të ballafaqohej.

Por, qarkullimi i testit të mbushur shkel privatësinë dhe në vende tjera është çështje e ndjeshme.

E di që do të thuhet se “çfarë shkeljesh ka këndej, e nuk e vlen të merremi me gjëra të vogla”. Por në thelb, janë pikërisht shuma e këtyre gjërave të vogla që po e shkatërrojnë këtë vend. Kisha edhe vetë pak dilema etike në lidhje me publikimin e anketës, por nëse dikush në UP ka vendosur që testet mund të përdoren për gështenja, tek unë mbizotëroi vendimi për ta bërë këtë publike.

Nuk kisha qëllim që me këtë shkrim të turpëroj askënd dhe e di që nuk e kam turpëruar. Profa tash e tutje mund të ketë kujdes. Mjerë ne ithtarët e gështenjave që tani e tutje kushërinjtë e profave mund të na mbështjellin gështenjat me gazeta, me kopje të ligjeve apo të vendimeve të qeverisë.

Edonës i sugjeroj të ankohet te profa për notë, duke e ditur sigurt se ai nuk e ka kopjen e testit si dëshmi. Vetëm mos i tregoni profës. Çdo të mirë derisa të ha gështenja herën tjetër.

(Autori është drejtor Ekzekutiv i organizatës Demokraci për Zhvillim – D4D)