Drejtësia e Vonuar Është Drejtësi e Mohuar

Pas vuajtjes në burg prej mëse dy vitesh, pa e ditur gjatësinë dhe rezultatin e rigjykimit të tij të pjesshëm, Ramush Haradinaj është liruar përkohësisht nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Dhoma e Apelit e mori këtë vendim, pasi prokuroria i dha fund rastit të saj në gjykimin e pjesshëm të Haradinajt dhe dy të akuzuarve të tjerë, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, dhe pasi Dhoma mbajti një dëgjim statusor më 2 maj.

Në këtë dëgjim statusor, gjykatësit gjithashtu vendosën të dëgjonin argumentet përmbyllëse nga mbrojtja më 25 e 26 qershor, para së cilës Haradinaj do të kthehet prapë në Hagë.

Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës dhe një komandant i respektuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte liruar nga të gjithat akuzat për krime lufte para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë në Hagë, në vitin 2008.
 
Në një kthim të pazakonshëm, Haradinaj u arrestua përsëri në korrik të 2010-ës, pasi Gjykata e Apelit e bindi Tribunalin se duhej një gjykim i pjesshëm – kinse Prokuroria nuk kishte kohë të mjaftueshme të bindte dy dëshmitarë vendimtarë që të dëshmojnë. Kjo e bëri Haradinajn të akuzuarin a parë ndaj të cilit u rrëzua vendimi për lirimin nga të gjitha akuzat, qysh kur Tribunali u themelua më 1993.

Në dhjetor të vitit 2010, Haradinajt iu mohua lirimi i përkohshëm nga gjykatësit e Apelit të Tribunalit që të ishte me gruan e tij, Anita Muçaj, kur ajo lindi fëmijën e tyre të tretë në janar të vitit 2011. (Në mënyrë befasuese, gjykatësi kryesor Patrick Robinson, i cili pjesërisht nuk ishte pajtuar me rigjykimin, argumentoi se Haradinaj mund të shfrytëzonte lirimin e tij për t’i kërcënuar dëshmitarët). Gjykimi i pjesshëm i Haradinajt filloi më 18 gusht 2011. Gjykimi u ndërpre pak pasi filloi dhe vazhdoi me 13 shkurt 2012 – vetëm për t’u ndaluar sërish, kur njëri prej dëshmitarëve kryesorë të Prokurorisë, një dëshmitar i mbrojtur, nuk u paraqit në gjykatë.

Edhe pse vendimi për ta liruar me kusht përkohësisht Haradinajn është për t’u përshëndetur, megjithatë unë besoj se është koha që ta rivizitojmë rastin e Haradinajt para Tribunalit – të pyesim pse rasti u rihap, dhe pse ka një zgjatje të paarsyeshme të zhvillimit të gjykimit. Kjo e fundit është shkelje e Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut të kërkesave për shqyrtimin a rasteve gjatë një kohe të arsyeshme. Për t’i shqyrtuar këto çështje, është e nevojshme që të rishikojmë historinë e këtij rasti.

Historia e gjykimit kundër Haradinajt

Pas vetëm 100 ditësh në zyrë si kryeministër i Kosovës, Haradinaj dha dorëheqje nga ky post më 2005, iu dorëzua Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, shpenzoi dy vjet në qendrën e paraburgimit në Hagë, dhe një vit tjetër në arrest shtëpiak në Prishtinë para se Tribunali ta lironte më 3 prill 2008, nga të gjitha akuzat për involvim në sjellje të paligjshme, përderisa ai ishte komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Dhoma e Gjykatës vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për eksistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe shfajësoi Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn nga çdo përgjegjësi kriminale nga një organizim i tillë. Brahimaj u gjet fajtor për akuzën e torturës dhe u dënua me gjashtë vjet burg.

Sapo Haradinaj u kthye në Kosovë më 2008, Prokuroria apeloi vendimin duke insistuar se ai ishte liruar për shkak se “keqmenaxhimi” i Tribunalit e kishte ndaluar Prokurorinë nga marrja e provave nga dy dëshmitarë kryesorë – dëshmitarë që deklaruan se ishin kërcënuar dhe kishin frikë të dëshmonin. Gjykata e Apelit u përgjigj duke i mbajtur 31 akuzat e lirimit. Mirëpo, në mbështetje të apelit të Prokurorisë, ajo urdhëroi rigjykim të 6 akuzave për vrasje, trajtim mizor dhe torturë në një qendër të supozuar paraburgimi të UÇK-së në Jabllanicë, në pranverë dhe verë të 1998-ës. Gjithashtu Gjykata e Apelit u pajtua që gjykatësit nuk i kishin dhënë Prokurorisë kohë të mjaftueshme që të siguronte dëshminë e Shefqet Kabashit dhe dëshmitarit të mbrojtur, i njohur si “Dëshmitari X”.

Dhoma e Apelit e bëri këtë, edhe pse Haradinaj ishte liruar nga të gjitha akuzat në gjykimin e tij të mëhershëm, megjithëse nuk kishte kurrfarë prove se ai kishte ndërhyrë te ndonjë dëshmitar. Dy vjet më vonë, Haradinaj nuk kishte zgjidhje tjetër pos të kthehej në qendrën e paraburgimit të Tribunalit.

Për mendimin tim, ndjekja e vazhdueshme e Ramush Haradinajt pasi gjykimi i tij i mëhershëm në Hagë konkludoi se nuk kishte prova që e lidhnin atë me ndonjë krim apo viktimë, është problematik nga një perspektivë legale dhe morale. Së pari, nuk kishte arsye se pse ai të mbahej në paraburgim kur ai ka një histori të përgjigjes ndaj kërkesave të Tribunalit dhe nuk ka rrezik që ai të arratisej. Së dyti, problemet legale dhe strukturale në këtë rast janë dokumentuar mirë nga eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Roland Gjoni, në artikullin e tij: “Tribunali: favorizimi i prokurorisë ndaj drejtësisë?” (Open Democracy, 9 gusht, 2011). Gjoni shpjegon se gjykimi i pjesshëm i Haradinajt ishte ikje jo vetëm prej “parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, por edhe në kundërshtim me vendimet e mëhershme të bëra nga gjykata në rastet Dusko Taci (1993) dhe Naser Oric (2009). (Në të dyja rastet, Tribunali ndaloi rigjykimin e një të akuzuari që është shpallur i pafajshëm). Gjoni konkludoi se rrëzimi i vendimit për lirimin nga akuzat në rastin e Haradinajt është baras me “gjykim të dyfishtë” – një sinjal se “Tribunali mund të jetë duke i lakuar parimet themelore ligjore në favor të prokurorisë”.

Presidenti Robinson bëri një vështrim të ngjashëm në mospajtimin e tij të pjesshëm në vendimin e Dhomës së Apelit për ta rigjykuar Haradinajn (Maj 31, 2011, fq.16-17, paragrafi 3): “Në pajtim me parimin e non bis in idem, një person që është gjykuar nga gjykata nuk duhet të vendoset në rrezik të konsiderimit si fajtor për një akuzë për të cilën është liruar, apo të trajtohet si fajtor në çfarëdo mënyre”. Për më tepër, “doktrina e res judicata kërkon që çështjet për të cilat është nxjerrë gjykimi duhet të pranohen si të vërteta… Dhe nuk mund të rigjykohen nga të njëjtat palë në një gjykim të mëvonshëm”.

Robinsoni konkludoi se Dhoma e Apelit dhunoi rregullën e saj se “nuk do të rrëzonte lehtë vendimet bazuar në diskrecionin e Dhomës së Gjykimit”.

Dhoma e Apelit Gaboi kur thirri një rigjykim të pjesshëm

Gjykatësit e Apelit vendosën që rigjykimi i pjesshëm ishte i nevojshëm, pasi që Prokuroria i bindi ata se Shefket Kabashi dhe “Dëshmitari X” ishin kërcënuar gjatë gjykimit fillestar – dëshmitarë që e kishin kundërshtuar UÇK-në gjatë luftës. Mirëpo atëherë, Dhoma shkoi një hap më tej në favor të Prokurorisë kur u pajtua të lejonte dëshmitarë të rinj – jo vetëm dy dëshmitarët nga gjykimi i parë – që të dëshmojnë dhe gjithashtu për të lejuar dyshimet që të qëndronin në aktakuzë që nuk kishin kurrfarë lidhjeje me gjashtë pikat. Edhe nëse nuk ka arsye tjera përveç kësaj, racionalja për rigjykimin e Haradinajt meriton shqyrtim më të detajuar. Siç ka argumentuar Roland Gjoni, Tribunali nuk duhej t’ia jepte Prokurorisë “një mundësi të pafund për të përmirësuar një rast të dobët dhe për ta rigjykuar një person që tashmë është liruar nga të gjitha akuzat”. Duke bërë një gjë të tillë, ajo “ka vendosur një hije të madhe përmbi aftësinë e Tribunalit për dhënë drejtësi”.

Në fillim të rigjykimit të pjesshëm në gusht të vitit 2011, prokurori Paul Rogers deklaroi se UÇK-ja ishte “forcë legjitime” kur luftoi për pavarësinë e Kosovës nga Serbia më 1998 dhe 1999, porse kishte përdorur “mjete ilegale” kundër kundërshtarëve serbë, romë dhe shqiptarë. Për ta mbështetur këtë deklaratë, ai solli Shefqet Kabashin, i cili dyshohet të ketë qenë roje burgu në kampin e Jabllanicës. Mirëpo, në një prapakthim për Prokurorinë, Kabashi, dëshmia e të cilit duhej të ishte në qendër të gjykimit, refuzoi vazhdimisht të dëshmonte, sikurse kishte bërë në dy raste gjatë gjykimit të parë. Kabashi gjithashtu kontradiktoi deklaratën e tij të mëhershme ndaj hetuesve të Tribunalit. Ai mohoi se ka ekzistuar kampi i Jabllanicës: “Nuk ka pasur burg në Jabllanicë”, tha ai.

“Unë mund të betohem për këtë”. Kabashi u deklarua fajtor për kundërshtim të gjykatës dhe u dënua më 16 shtator 2011 me dy muaj burg.

Siç kishte argumentuar mbrojtja në “Përmbledhjen e paragjykimit në emër të Ramush Haradinajt” (paragrafi 27) në korrik 2011, Prokuroria nuk mund të thoshte se Jabllanica ishte bazë e UÇK-së, sepse ishte pushtuar të paktën tri herë nga forcat serbe gjatë periudhës operative të padisë. Edhe pse kishte konflikt të armatosur mes serbeve dhe shqiptareve gjatë periudhës në lidhje me gjashtë aktakuzat, “nuk kishte ndonjë hakmarrje të orkestruar nga UÇK-ja kundër popullatës civile serbe, ose kundër civilëve të ndonjë grupi tjetër etnik”. Për më tepër, as Dhomat e Gjykatës të Tribunalit e as Prokuroria nuk kishin sugjeruar se ndonjë fushatë e tillë ekzistonte në ndonjërën prej rasteve të mëparshme në lidhje me Kosovën, gjatë gjykimeve të komandantëve serbë (paragrafet 29 dhe 30).

Mbrojtja më tej tha në përmbledhjen e saj para gjykimit se nuk kishte prova të besueshme se Haradinaj kishte marrë pjesë në keqtrajtim, apo se dinte për një gjë të tillë (paragrafi 41), dhe se UÇK-ja në rajonin e Dukagjinit ishte “organizatë e re dhe e papërvojë” që punonte për të organizuar mbrojtje si përgjigje ndaj sulmeve serbe (paragrafi 43).

Prandaj, nuk kishte prova të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe ata thanë se kishin shumë dyshim se ndonjë evidencë e re do të shfaqej në rigjykim që do të jepte baza adekuate të mjaftueshme për rrëzimin e vendimit në gjykimin e parë.

Ndërkohë, akuzat se Sheqet Kabashi dhe dëshmitari i mbrojtur ishin kërcënuar, nuk u konfirmuan kurrë. Siç i ka thënë avokati kryesor i Haradinajt, Ben Emmerson, Rachel Irwinit të Institutit për Raportime në Luftë dhe Paqe më 19 gusht, 2011, “përveç disa thashethemeve, nuk ka sugjerime se z.Haradinaj kishte qenë ndonjëherë përgjegjës për kërcënimin e dëshmitarëve, në mënyrë direkte, ose indirekte”. Emmersoni shtoi se në rastin e Dëshmitarit X, nëse ai vendos të dëshmojë në rigjykimin e pjesshëm, ai “do të ekspozohet si gënjeshtar dhe një që ka gënjyer nën betim”. Por, në një goditje tjetër ndaj rastit të Prokurorisë kundër Haradinajt, dëshmitari X, dëshmia e të cilit duhej të ishte arsyetimi për rigjykimin e pjesshëm, nuk u paraqit në gjykatë në shkurt 2012. Kjo rezultoi në ndaljen e gjykimit deri në një njoftim tjetër nga gjykata.

Nuk është e çuditshme që rigjykimi i Ramush Haradinajt kë bërë që shumë shqiptarë, të mos përmendim edhe disa ekspertë ligjorë dhe të të drejtave të njeriut në gjithë botën, që të humbin besimin ndaj Tribunalit. Në Kosovë gjerësisht besohet se rigjykimi përben pozicionim politik të perëndimit ndaj Serbisë. Ky është një problem që duhet të shqyrtohet, mirëpo i pandarë edhe nga pranimi se Ramush Haradinaj kurrë nuk do të arrestohej sërish, të burgosej sërish, pa lejen e heshtur të të gjithë aktorëve të Kosovës së pasluftës, duke përfshirë këtu edhe Qeverinë e Kosovës nën Hashim Thaçin.

Beogradi i suksesshëm në largimin e Tribunalit nga misioni i saj fillestar

Robert Churcher, specialist i pasluftës që dëshmoi në gjykimin e komandantit të UÇK-së në Hagë, këmbënguli që “zyrtarët serbë kanë qenë duke i dhënë Prokurorisë prova të rrejshme qysh në fillim” dhe se ai e nënçmon faktin se gjykata ka qenë e gatshme ta pranonte atë. “Si një gjest pacifikues ndaj Beogradit”, tha ai, “prokuroria po përpiqet që ta rigjykojë rastin Haradinaj prej fillimit”.

Deri në një masë, Tribunali ka qenë bashkëfajtor për shkak të fushatës së suksesshme propagandistike të Serbisë kundër UÇK-së, që nga përfundimi i luftës së Kosovës në qershor 1999.

Përderisa themelimi i Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ishte një hap i rëndësishëm në vënien para drejtësisë të atyre që janë të përgjegjshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ballkan, fatkeqësisht në bashkëpunim me elemente proserbe në Bashkimin Evropian, Beogradi ka qenë i suksesshëm në largimin e Tribunalit nga misioni i tij fillestar i adresimit të krimeve të bëra në ish-Jugosllavi.

Në këtë proces, ka kontribuar në krijimin e një barazimi fals mes kryesve të krimeve dhe viktimave, në luftërat e Ballkanit në vitet 1990-të.

Për të përmbushur nevojën për t’u parë si etnikisht i balancuar, Tribunali i ka hedhur të gjitha palët në luftërat e Ballkanit si përgjegjës të barabartë, edhe pse Serbia i filloi të gjitha luftërat dhe forcat ushtarake dhe paraushtarake të Milosheviqit ishin përgjegjëse për 90 për qind të krimeve të bëra. Që të jemi të sigurt, incidente sporadike të tmerrshme ndodhën edhe në anën kosovare, por asgjë që e bën moralisht të barabartë UÇK-në me Serbinë.

Siç ka thënë nëpunësi i mëhershëm ligjor i Tribunalit dhe drejtori i projekteve të organizatës jofitimprurëse “Jo Paqe Pa Drejtësi”, Niccolo Figa-Talmanca, para hapjes së gjykimit të parë të Haradinajt, “ne jemi duke e parë përpjekjen e keq-udhëhequr të Tribunalit që të ndjekë penalisht të gjitha grupet – serbët, kroatët, boshnjakët dhe kosovarët – në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh shkallën e krimeve të bëra”, dhe rezultati është “një përpjekje për të rishkruar historinë dhe për të mohuar masën e vërtetë të përgjegjësisë për tmerret e luftërave të Ballkanit”.

Nëse qëllimi është të arrihet paqe e qëndrueshme në Europën Juglindore, atëherë komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të jetë pjesë e krijimit të një versioni revizionist, ku viktimat e terrorit të Millosheviqit rivendosen si kryerës të krimeve. Nuk ka kurrfarë dyshimi se ata që kanë bëre krime duhet të mbahen përgjegjës. Mirëpo duke i sjellë të akuzuarit e UÇK-së si Ramush Haradinaj në Tribunal, komuniteti ndërkombëtar ka ndihmuar në krijimin e një versioni revizionist të historisë, ku viktimat e fushatës së Millosheviqit kundër shqiptarëve, rivendosen si kryerës të krimeve. Rigjykimi i Haradinajt, pasi ai u lirua nga të gjitha akuzat, e vë barrën për prova në anën e gjykatës për ta mohuar këtë.

Pasi Kosova ende s’ka sovranitet si shtet, besoj se Tribunali i Hagës, nën presion për t’u dukur si politikisht i balancuar, dhe në një përpjekje për ta bindur Serbinë që të dorëzojë komandantët serbë të Bosnjës Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq, gjë që e ka bërë, besonte se duhej ta burgoste sërish Ramush Haradinajn. Mirëpo duke e bërë një gjë të tillë, e ka braktisur misionin historik të saj për t’i sjellë drejtësi viktimave të luftërave ballkanike. Qeveria e ShBA-së, tani në një fushatë të fundit për të zgjidhur konfliktin mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe për ta lënë Ballkanin në duart e BE-së, e ka mbështetur de facto këtë pozicion. Mirëpo, konflikti shqiptar-serb nuk mund të zgjidhet në këtë mënyrë.

Siç shkroi Ramush Haradinaj më 1 dhjetor 2001, në një artikull ne The Wall Street Journal Europe, pak para se te zgjidhej kryeministër nga Parlamenti i Kosovës: “[…] jam i lumtur për pjesën që kam luajtur në mbrojtjen e popullit tim nga Slobodan Millosheviqi dhe kriminelët e tij, dhe jam i gatshëm që të mbroj veprat e mia kundër kritikave dhe shpifjeve”.
 
“Prandaj unë e mirëpres shqyrtimin e veprave të mia gjatë luftës nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi… Dhe besoj se e vërteta dhe drejtësia do të fitojnë. Megjithatë, çdo përpjekje – nga Tribunali me motivet më të mira, apo nga të tjerët me më të këqijat – që moralisht ta barazojnë terrorin e sponsorizuar nga shteti i Milosheviqit me veprat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, vetëm se do t’i bëjë detyrat që janë para Kosovës edhe më të vështira.
Se tani nevoja është që të shikojmë para e jo prapa, që të krijojmë një shtet gjithëpërfshirës, demokratik, e të pavarur, një shtet që respekton të gjitha të drejtat e qytetarëve dhe që është i drejtë dhe tolerant”.

Shirley Cloyes DioGuardi është Këshilltare për Çështje të Ballkanit në Ligën Qytetare Shqiptare-Amerikane

(Përkthimi: Luan Mazreku)