Bunkerizimi i Interesimeve të Debatit Kosovar

Edicionet e gazetave, lajmeve nëpër televizione, blogosfera dhe ai pak “prodhim” i akademisë vazhdon të jetë përmbajtja e proceseve brenda mitrës provinciale të Kosovës.

Ky diskurs ka krijuar një situatë, sipas së cilës, duket se gjithçka fillon dhe përfundon në Kosovë. Ajo që ndodhë “jashtë” Kosovës përmendet, analizohet vetëm nëse ka të bëjë direkt me ne, ose nëse i shërben korit të çjerrjes nacionaliste.

Diskursi publik, i prirë sidomos nga gazetat ditore, vazhdon të jetë i super-foksuar në politikën ditore protokollare të vendit. Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me profesionalizmin dhe “paanshmërinë” e mediave, sa me perceptimet e asaj çka është e rëndësishme dhe çka përbën lajm, diskutim, agjendë e debat. Ka të bëjë me botëkuptimet dhe dijet e shumë redaktorëve të këtyre mediave. Për shembull, qoftë gazetat që thirren si profesionale e të pavarura, qoftë ato që ashiqarshëm bashkëjetojnë me oborrtarët e kryeministrit i trajtojnë ngjarjet politike ditore në Kosovë me tituj dhe referenca gati apokaliptike. Por rrallë (me fare pak përjashtime) gjen në brendi të tyre analiza ose debate të thelluara për atë që dhe si ndodhë përreth nesh. Në diskursin publik shoqëror, para asaj orvatje, më shumë hapësirë u jepet deklaratave boshe që e ndotin shëndetin publik, të lëshuara ta zëmë në degën e AAK-së në Ferizaj, apo komenteve të mjera të personazheve të zakonshëm si Astrit Haraqija, Kamishi e Azem Syla.

Këto ngjarje monopolizojnë hapësirën fizike të letrës së gazetave dhe debatit në shoqëri. Duke qenë thellësisht arkaike e lokale, vejnë nën hije edhe zhvillime historike që ndodhin me fqinjët tanë përreth. Për shembull, kriza ekonomike në Greqi dhe pasojat sociale e identitare nuk janë pjesë e ‘lajmit’ si të tillë thuajse po ndodhin në Ugandë.

Akoma më shqetësuese është mungesa e debatit dhe njohurive për ngjarjet që ndodhin në vendet e ish-Jugosllavisë. Me përfundimin e luftës, në Kosovë është krijuar së pari një amnezi kolektive për “bashkëjetesë” me këto hapësira dhe është ndërtuar një barrierë konceptuale për të mos u marrë me asgjë që rezonin Jugosllavi, Jugosferë apo për dikë Jugonostalgji. Është e çuditshme që zgjedhjet në Serbi janë mbuluar aq përciptazi dhe nuk janë debatuar pothuajse fare. Qeveria, presidenca dhe institucionet tjera shtetërore edhe në vitet në vijim do të vazhdojnë të injorojnë ngjarjet politike në Serbi “për arsye të njohura”.

Por për opinionin publik dhe debatin në shoqëri është e shëndetshme e edhe e nevojshme të përcillen dhe të diskutohen ngjarjet politike në Serbi. Së pari, shoqëria kosovare nuk e ka luksin të jetë indiferente nëse Daqiqi apo Jovanoviqi do të jetë Kryeministër i ri i Serbisë. Për më tepër raportet e Kosovës me Serbinë për subjektivitetin e së parës vazhdojnë të jenë (në versionin më elegant) “të papërfunduara”, dhe si rrjedhojë është më mirë të dihet dhe të debatohet çka po ndodhë pak kilometra më larg ‘Zanzibareve’.

Duhet të nënvizohen lufta kundër krimit të organizuar dhe ndryshimet në situatën mediatike që Kroacia po e bënte furishëm në vitin 2008. Apo, lëvizjet shoqërore dhe civile të minoritetit hungarez në Vojvodinë në vitin 2009. Në retrospektivë, është folur pak (dhe flitet) për atë çka ndodhë në Bosnjë e Hercegovinë (përpos disa lajmeve që bëhen kryetituj edhe në gazeta prestigjioze ndërkombëtare) kur dihet sa shumë ngjashmëri historike, politike, strukturore ka Kosova me Bosnjën. Dhe për më tepër kur në vazhdimësi rithuhet se Kosova po shndërrohet në një Bosnje të dytë (në kuptimin e shtet-formimit). Shtoja këtu edhe mungesën e kontaktit fizik me hapësirat ish-jugosllave (përjashto Maqedoninë dhe Malin e Zi), del se shoqëria e sotme kosovare, në raport me popujt e ish-Jugosllavisë, sikur i ngjan më tepër shqiptarëve të izoluar të Enver Hoxhës.

Në kuptimin më praktik, kosovarët kanë një memorie kolektive për ish-jugosllavët (të mirë a të keqe) që është këputur diku kah fundi i viteve të 80-ta dhe nuk janë nxitur për ta lidhur më atë. Kjo memorie kolektive flet për sllovenët që ishin ndryshe nga të tjerët, për kroatët e detit dhe parqeve të bukura kombëtare, e për boshnjakët si specialistë të byrekut.

Bunkerizimi i debatit në atë që ndodhë vetëm në Kosovë (ose vetëm në hapësirat shqiptare) është i frikshëm edhe më tepër për shkak të perceptimit se shoqëria kosovare nuk shquhet për traditë të leximit apo për kureshtjen e njohjes. Kjo trajektore betonizon “ekzistencën” brenda mitrës, rrit vetëkënaqësinë me ‘normalen’ e përbashkët dhe pamundëson njohjen e të ndryshmes e tjetrës, apo qoftë edhe të të kundërtës. Mosnjohja ndërkaq çon në të moskuptuarit e tjetrit dhe rrjedhimisht mospranimit të tij.