Hamleti – të Notosh në Lumin Postmodern

Në sytë e mi, Lumi është një postmodernist, i papajtueshëm me prirjet e mia ideologjike, e që do të pritej të ishte i tillë edhe për ato estetike. Duke qenë vet një i pëlqyes i modernes, gati në të gjitha fushat, nuk është se përshtatem shumë me një postmodernist, të paktën nuk do të duhej, por Lumit nuk i rezistoj dot. S’arrij të notoj deri ne fund të bregut nëpër Lumin që valët nuk i ka vetëm kah rrjedh, por edhe në të kundërtën, që të rrëmben kur ulesh për ta parë ndonjë shfaqje të tij, sidomos këto tri të fundit të teatrit laborator “Loja”.

Mund të them, me kompetencën e një amatori që i pëlqen teatri dhe si dikush që “akuzohet” se i jep teatralitet tavolinave ku rri, si dikush që ka dhënë “shfaqje” para masave, se tash e tutje, unë mund ta vërej punën e Bekim Lumit edhe nëse më bie ta shoh në Kamçatka, ku s’do ta prisja fare atë. E kjo do të thotë, që zotëria në fjalë, ka stil. Të tri shfaqjet e teatrit laborator “Loja”, “Këmisha e Gjakut”, “Dilerat” dhe e fundit “John Cage’s Hamlet” shquhen për një stil estetikisht të pakritikueshëm, përmbajtësisht të thellë dhe politikisht postmodern; Për një stil të gërshetimit të kohëve, përplot simbole që përveçse bukur të gjetura, poashtu kanë kuptim të thellë; Për një stil të përdorimit të teksteve të cilat duan angazhim për t’i kuptuar; Për një stil që politikisht trajton tema në mënyrë postmoderne. Ky është Bekim Lumi i Teatrit Laborator Loja.

Në këtë trajtesë unë do të jap vlerësimet e mia për shfaqjen “John Cage’s Hamlet” të cilën e pash dy herë. Të parën herë veç sa për tu mahnitur dhe të dytën për t’i vjedhë detajet që më kishin ikur herës së parë. Lumi në premierën e shfaqjes na tha se bëhet fjalë për një inspirim të tij nga avangardisti John Cage, një kompozitor amerikan. Dhe se shfaqja në të vërtetë nuk shërbehej me muzikën e tij. Tamam në mënyrë postmoderne. Regjisori ushtron sovranitet të plotë, shpallë kontradikta, shkrin e ndan sipas prirjeve të tij, jo sipas ndonjë rregulli të traditës. Lumi është shërbyer me inovacionin e një avangardisti dhe ka punuar mbi të me një qasje postmoderne. Shkrinë aktorët Bujar Ahmeti e Labinot Raci me vilonçelistin Adorel Haxhiaj dhe tenorin Luan Durmishi.

Nuk më duhet të flas për ngjarjet në shfaqje si informatë pasi besoj secili lexues ka njohuri mbi ngjarjet te Hamleti. Unë do të merrem me momentet kryesore të shfaqjes dhe ato pak detaje simbolike që syri im amator ka arritur t’i kapë.

Ndriçimi në rregull. Violonçelo fillon tingujt. Të gjithë kanë marrë pozicionet dhe shfaqja fillon të marrë trajtën e një ëndrre. “Haaaaamlet!” është thirrja pëshpëritëse që të përkund dhe të merr me vete. Aktorët janë vendosur ballë për ballë por me një distancë mes vete. Të dy mbajnë në duar telefona të zi me numratore rrotulluese! Përnjëherë më kujtohet telefoni i portokalltë në banesën e gjyshes me të cilin luaja për orë të tëra.

Fantazma kësaj radhe e thërret Hamletin në telefon! Na kujton regjisori Lumi që s’ka më shumë se 10 vjet që i përdornim. Pas secilit rrotullim të numrit duhej pritur 1-2 sekonda për të ardhë numratorja në vend. Dialogu është rrënqethës. Krejt zhvillohet në kufirin e pëshpërimës dhe të folurit me zë të ulët, shoqëruar nga lëvizjet më elegante e të përsosura të aktorëve. Asnjë shikim i vetëm i cilitdo pjesëmarrës në skenën e  shfaqjes së Lumit nuk mund të jetë i pamenduar. Edhe tenori Luan Durmishi i është nënshtruar këtij rregulli. Ai është thirrë për të kënduar, por edhe luan. Lëvizë në sallë me elegancën që karakterizon të gjitha lëvizjet e shfaqjes. Kjo lloj paraqitje skenike është karakteristikë e Luanit, ai dhe në performanca të tjera ku më ka rënë ta shoh, gjithnjë ka sjellë edhe pak teatër.

Aktorët disi pa u hetuar i ndërrojnë vendet. Hamleti përsërit tregimin e fantazmës së babait për helmin në vesh që iu hodh tek po flinte. Këtu hyn Labinor Raci, aktori flokgjatë i cili zhvishet shokë e lartë. Mban mbi qafë kafkën që përfaqëson vedkjen dhe bënë lëvizjet që kurrë në jetë nuk kam menduar se mund t’i bëjë një trup mashkulli. Trupi i tij është i një fantazme. Beli më i hollë që mud të jetë menduar në trajtë mashkullore, lëkurë e zbehtë e payndyrë. Mund edhe t’i numërosh vertebrat, mund të vëresh formën e ndonjë organi po deshe. Labinoti fantazmë përdridhet me elegancë. Hamleti flet për efektet e helmit në trup dhe ti mund ta shohësh vuajtjen e trupit. E pabesueshme! Pa asnjë efekt special, me disa lëvizje, me përqendrim prej murgu të Tibetit dhe efekti arrihet në tërësi. Secili e kuptoi ç’ka hequr babai i Hamletit në sekondat e fundit para vdekjes.

Pastaj dialogjet, a monologjet? – se te shfaqjet e përmendura “fjalimet” e aktorëve janë ndryshe (ato përsëriten nga aktorët, nuk ka posedues të një teksti), vazhdonin nën efektin e një elektriku të dorës që aktorët ia hedhin njëri tjetrit në fytyrë. I njëjti përdoret për ta përmbyllur natën e llahtarshme të paraqitjes së fantazmës duke u pozicionuar në ballë të shfaqjes. Një dritë e bardhë rrethore, lëvizë ngadalë përgjatë sallës dhe duket sikur hëna që ecë në qiell për ta mbaruar udhëtimin e saj deri në agim.
Përnjëherë harku i violonçelistit lëvizë shpejtë dhe jo në mënyrë monotone. Tenori ka ndryshuar stil. Një skenë e “death metal”! Aktorët vrapojnë si yje të muzikës rock në skenë. Ca lëvizje janë sikur të Freddie Mercury-t. “Monotonia” rrënqethëse thyhet. Publiku freskohet.
“Dora e mallkueme” vjen mbi një pjatë me vello të zezë që e mban vrasësi. Në prapavi Hamleti reciton vargje kuranore. Loja e aktorëve prap në një sinkron magjik. Efektet e pluhurit që e fryn Hamleti nga një pjatë krijojnë atmosferë të një situate të pamundshme në realitet.

“Dora e mallkueme” shtrihet të flejë. Hamleti shfaqet me aparat fotografik! Ai nuk e merr hakun e kërkuar nga fantazma e t’j’atit, më parë, ai fotografon. Regjisori Lumi me këtë ndërhyrje origjinale na e kujton pamjen e tmerrshme të para disa ditëve gjatë protestave nëpër rrugët e Prishtinës. Një grua të shtrirë gjërë e gjatë, pa ndjenja, që në vend se të ndihmohej, ajo fotografohej e inçizohej nga kalimtarët. Është mani e njerëzimit sot. Para se të veprojmë për ta ndalur hajnin në shtëpi, është me rëndësi të kemi një foto për facebook. Në njërën anë shoqëri e atomizuar, në anën tjetër nevoja për ta ndarë me publikun çdo gjë.

Tash Hamleti ka punë me nënën e tij. Kompleksi i Edipit e bënë të duket i çakërdisur. E do, bëhet fëmijë kur e përmendë, pastaj i ngjallet urrejtja për atë që ajo ka bërë. E megjithatë regjisori Lumi i sjell në dyluftim. Këtu ka dy momente me shumë rëndësi.

1. Aktori Labinot Raci vendoset prap në një pozicion të vështirë estetik. Ai e ka ndërruar vetëm kësulën, por ai duket mbretëreshë e plakur. Pa asnjë pikë makijazh, madje duke pasur mjekërr. Thjesht, flokët e tij të gjatë ia mbulojnë fytyrën. Ky është një moment i rëndësishëm regjisorial. Regjisori mund ta merrte një aktore, por jo, ai ndonëse ka realizuar një shfaqje postmoderne, e ruan atmosferën e kohës së Shekspirit. Në atë kohë gratë nuk lejoheshin të luanin në teatër, ndonëse shumë personazhe ishin gra. Ato luheshin nga burrat. Ndërsa sot, me shumë sukses një djalë i ri e luan një mbretëreshë të moçme.

2. Ai vjen me një tabelë shahu dhe figurën e mbretëreshës në skaj. Gjetje brilante e regjisorit.Ka “dyluftim” megjithatë. Bujari Hamlet zhvillon luftë në dy fronte. Me veten, dhe me nënën. Shpërthen loja e Bujarit kur ai nxjerrë figurën e bardhë të mbretit legjitim – babait të vet. Pastaj të zezën të axhës mbret. “A ke sy?” e Bujarit Hamlet ta ngjethë mishtë. Ai i bërtet një figure shahu mbretëreshë, aq seriozisht, aq bindshëm, sa ke përshtypjen se figura do t’fillojë të qajë. Ai është aktor që përveç talentit i ka kushtuar punë lojës së vet. Tamam çka i duhet një aktori që premton shumë. Ai pat shkëlqyer te shfaqja “Dilerat”, kësaj radhe rrezonte me rrezet e veta.

Dy figura të bardha mbi një tabelë shahu, një figurë e bardhë mbretëreshë dhe një figurë e bardhë mbret; një figurë e zezë mbret poashtu. Mbretin e bardhë legjitim e kthen në anën e zemrës në xhamadanin që ka veshur, të zezën e shkallmon nëpër sallë. Kafka Vdekje vendoset mbi tabelë dhe e shoqëron nënën e Hamletit… Fillon lufta e Hamletit me axhën.

Tenori Durmishi po nxjerrë tingujt më të mirë. Ai po merr pjesë në shfaqje me lëvizjet aq mirë të menduara. Aktorët, vilonçeloja e bardhë, tenori, ne, të gjithë në ekstazë. Hamleti e fiton luftën si Pirroja, me shumë humbje. “Të tjerat janë heshtje”… deri në duartrokitjet që na nxjerrin nga ëndrra.