Qejflinjtë e Fjalës

Ajo që më bën përshtypje, në takimet dhe marrëdhëniet e përditshme, është  joserioziteti dhe pakujdesia, a më saktë pavetëdija e mënyrës së komunikimit, kurbanë të së cilës njerëzit bien lehtësisht, në njohjet, takimet dhe kuvendimet e çdoditshme.

Ajo që më bën shumë përshtypje është pikërisht ky joseriozitet dhe kjo paurtësi: paurtësia e paaftësia e komunikimit të njerëzve që kanë ose pretendojnë të kenë një status të ngritur social.

Qejflinjtë e fjalës janë besnik të ëndrrave të tyre, por ka qejflinj që bien viktimë e sovranitetit të tyre.
Nuk është i rastit fakti se një ndër gjërat bazë në të cilat politikanët (duhet të) punojnë janë aftësitë e komunikimit. Sepse të kesh një komunikim efektiv, është ndër aftësitë më të rëndësishme të njeriut, dhe kjo sigurisht nuk vlen vetëm për njerëzit e politikës. Komunikimi është cilësi jete. Cilësi në jetën e secilit, sepse njeriu është përgjegjësi individuale dhe sociale, dhe fjala e secilit është – përgjegjësi e madhe.

Nuk është sekret se udhëheqësit e mirë janë edhe komunikues të mirë. Dhe udhëheqësit më të mirë kanë mësuar se komunikimi efektiv ka aq shumë lidhje me të vërtetën, me autenticitetin, po aq sa fjalët që flasin dhe shkruajnë. Komunikimi dhe udhëheqësia janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. Si mundet një udhëheqës të nxis, të frymëzojë ose të udhëzojë të tjerët nëse nuk komunikon në mënyrë të qartë, të besueshme dhe autentike? (Jo se kjo është vlerë e liderëve shqiptarë, por bie fjala, për liderët kudo që janë.)

Ajo që më bën përshtypje, në debatet e mbyllura, ku shkëmbehen pak fjalë, dhe në debatet e hapura, janë qejflinjtë e fjalës që bien viktimë e pushtetit të tyre. Pse këta qejflinj nuk dinë të komunikojnë butë, qartë, bukur dhe ndoshta edhe me dashamirësi… Pse këta qejflinj nuk mund të jenë të besueshëm e aq më shumë të frymëzojnë? Janë njerëz të mendjes tek e mbrama, me apo pa tapi. Por mbase dashuria e dikujt për intelektualen mund të jetë kaq e rrënjosur saqë disa mund t’i shtyjë edhe ta përjetojnë me lemeri. Lumë ata që e ruajnë elegancën!

Të përdorësh fjalët e falenderimit është edukatë vetjake, shenjë që tregon respektin përkarshi komunikuesit, por fillimisht përkarshi vetes.  Të komunikosh me zë, të komunikosh verbalisht, të komunikosh me shkrim apo në mënyrë vizuele, në telefon, email apo në rrjetet sociale, jo gjithnjë do të thotë vetëm ta përcjellësh informacionin. Komunikimi është më shumë se kaq. Po një pjesë e intelegjencës harrojnë ta ruajnë elegancën, ndoshta edhe ‘monotoninë’ e saj, duke iu nënshtruar një monotonie vulgare.

Ajo që më bën përshtypje është mungesa e elegancës e qejflinjve të fjalës që e harrojnë butësinë e tingujve, tonin e ulur të zërit, buzëqeshjen, fjalët e falenderimit, të mirënjohjes mbase, e mbase-mbase edhe të vlerësimit; mungesa e harresa e elegancës është mosrespekti në një komunikim të rëndomtë ose të parëndomtë.

Kur takoj dikë në rrugë apo komunikoj me shkrim me njerëz të njohur, sapo të njohur a të panjohur më habit jo rrallë kjo paaftësi komunikimi, doza e arrogancës, ndonjëherë paturpësia, mungesa e fjalëve të falenderimit, mungesa e pozitivitetit dhe negativiteti me të cilin janë të injektuar. Secili individ di të komunikojë, në cilëndo fromë, por komunikimi i mirë ose efektiv kërkon respektimin e disa rregullave bazë, krejtësisht elementare, rregulla përkarshi të cilave disa nga njerëzit e intelegjencës ose i mbyllin sytë, ose ose nuk dinë t’i shohin.

Ajo që më bën përshtypje është ky ushqim i paturpshëm i mendjeve të sofistikuara përballë personazheve komunikues. Por çdo gjë nis nga zemra thonë, dhe çdo gjë është zgjedhje individuale. Edhe komunikimi.

Nga zgjedhja individuale te një cilësi nacionale. Pse ndodh që shqiptarët diqysh si në tërësi janë komunikues të dobët? Mendjemëdhenj ndoshta, arrogantë ndoshta, të paditur ndoshta, apo vetëm injorantë në të njëjtën fushë ku edhe qejfet i kanë. E habitshme gjithsesi.

Faktorët mund të jenë të ndryshëm, herë janë të dukshëm, e herë mbeten të fshehur nga shkaktarë të llojllojshëm. Por ndodh që mendja e ndritur, e ardhur kushedi nga ku, ruan mbase me këmbëngulësi atë që e ka mësuar në vegjëli – mosbesimin ndaj vetes fillimisht, ndaj të tjerëve më pastaj, ndaj turbullencës së gjuhës dhe mendjes më vonë. Jeta mund të tregohet mizore me dikë- edhe të jep, po më shumë të merr. Dhe këta barinj të mendjes mund të kenë humbur rrugës diçka, gjithsesi.

Fjalët janë fuqia më e madhe individuale në dispozicion të njeriut. Mund të zgjedhim ta përdorim këtë forcë në mënyrë konstruktive apo në mënyrë rrënuese. Ato kanë energji dhe fuqi të jashtëzakonshme.

Njeriu është përgjegjësi individuale dhe sociale, fjala e tij – përgjegjësi e madhe. Barinjtë e mendjes shqiptare mund të kenë humbur rrugës diçka, gjithsesi.