Zhurma e Kambanës së Paralajmëruar në Llapushnik

Një familje e përbërë nga dy besime fetare përbën gjithnjë shembull për tolerancë fetare në botë.
Një e tillë ekziston në fshatin Banjë të Komunës së Malishevës.

Është familja Limaj e cila që katër vjet feston bajramin dhe krishtlindjet katolike.

Dan Limaj bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët janë të krishterë, ndërsa vëllezërit e tij janë myslimanë.

Para katër vjetësh, më 2011, Dan Limaj kishte marrë një rrugëtim të rëndësishëm në jetën e tij.

E kishte marrë edhe djalin me vete. Ishte ndalur te katedralja “Nëna Tereze”, në Prishtinë.
Kishte ndërruar fenë aty. Tashmë ishte pagëzuar si i krishterë bashkë me djalë.

Më vonë edhe dy djem të tij dhe bashkëshortja i ishin bashkuar ndërrimit të fesë.

Dan Limaj që tash ka tërë familjen krishtere, kishte pasur myslimanë babë e babagjysh, vëllezërit e motrat. Familjet e vëllezërve të tij janë myslimanë.

Limaj që u zyrtarizua në katedrale si katolik, kishte filluar të ndihej pjesë e kësaj feje që prej vitit 1997.
Ai pagëzimin në këtë fe e sheh edhe si obligim kombëtar dhe tregon se kjo ka qenë arsye që është zyrtarizuar si i tillë në prag të 100 vjetorit të shtetit shqiptar.

Dan Limaj

“Si familje e ngushtë, ka qenë çdo gjë normale, s’ka pasur asgjë kontestuese. Unë kur të shkoj të dielën në kishë të gjithë fëmijët e vëllezërve vijnë me mu- iu duket gjë e mirë, e kuptueshme,” tha Limaj.

Por përderisa në Banjë të Malishevës nuk ka probleme, rrëfimi i ngjashëm nuk është edhe për 20 banorë të Llapushnikut të Drenasit që u pagëzuan në katedrale në të njëjtën ditë me Dan Limajn.
Në këtë fshat të Drenasit ka nisur pagëzimi në të krishterë që nga viti 2005, kur 35 veta ishin betuar se do t’i përkisnin kësaj feje.

Të dhënat e Kishës Katolike në Kosovë tregojnë se në të gjithë Kosovën brenda një viti rreth 50 veta kalojnë në këtë fe.

Sipas Don Fatmir Koliqit, sekretar i  Kishës Katolike në Kosovë, disa familje janë praktikues të katolicizmit në shtëpi fshehurazi, ndërsa veprojnë si myslimanë jashtë shtëpisë.

Në Kosovë shumica e popullsisë i përkasin besimit islam. Bazuar në deklarimet e udhëheqësve të Bashkësisë Islame të Kosovës llogaritet se janë mbi 90 për qind të këtij besimi.

Arsyeja e kundërshtimit

Në Llapushnik të Drenasit më 22 qershor të këtij viti u bë një protestë, ku u rrënuan muret të cilat planifikonin të shërbenin si rrethojë e varrezave katolike.

Rrënimi i rrethojës te vendi i përcaktuar për varreza

Aty në afërsi planifikohej të ndërtohej edhe Kisha Katolike në Llapushnik.

Mëhalla e besimit katolik në Llapushnik

Një kilometër në afërsi të këtij lokacioni gjenden shtëpitë e familjeve të pagëzuara të krishtera.

Po aq afër gjenden edhe myslimanët që janë shumicë në këtë fshat.

Familja katolike Sopi nuk dëshiron të prononcohet dhe as të xhirohen shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, njëri nga protestuesit, Ramadan Gashi, i cili është edhe përfaqësues i fshatit, tha se komuniteti mysliman në Llapushnik nuk është  kundër kishës apo varrezave të komunitetit katolik.
Ai konteston vendin.

“Ne e kontestojmë me këmbëngulje që të zhvendoset nga kjo pikë. Mos të ndërtohet kisha këtu. Nuk kemi nevojë as për kishë, e as për xhami,” thotë Ramadani duke shtuar se vendi i paracaktuar është zonë ku ka pasur beteja mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe se duhet të kujtohet si i tillë.

Komuna e Drenasit me 3 mars të vitit 2010 e kishe shpallur si zonë me interes të përgjithshëm një hapësirë prej tre hektarësh.

Nexhat Demaku, kryetar komune, thotë se kisha mund të ndërtohet në këtë zonë pavarësisht asaj se në atë vend janë bërë luftime.

“Aty afër është lapidari i një dëshmori të kombit, por nuk duhet me qenë ajo  arsye ose pengesë në realizimin e kërkesës,” thotë Demaku.

Kisha Katolike :Toleranca fetare është e brishtë

Don Fatmir Koliqi, sekretar i Kishës Katolike të Kosovës, thotë se lokacioni është miratuar nga autoritetet komunale pas kërkesës së banorëve të lagjes Sopi.

 “Punët janë pezulluar me  një mirëkuptim të kryetarit të Komunës, por ato do të vazhdojnë pas mbarimit të muajit të Ramazanit,” thotë Koliqi, duke shtuar se fillimisht është paraparë të ndërtohet muri rrethues për varrezat katolike dhe në të ardhmen objekti i kishës.

Don Fatmir Koliqi

Koliqi tregoi se këto familje të gjitha ritet fetare i kanë bërë në shtëpitë e tyre dhe se në të kaluarën kanë qenë krishterë të fshehur.

Ai thotë se kërkesa për pagëzim në të krishterë ka pasur qysh në vitet ‘90.

Pagëzimi para lufte, sipas tij, ka qenë i vështirë, ndërsa pas luftës kisha ka qenë e fokusuar në punë humanitare të sigurimit të ushqimit për njerëzit.

Thotë se këto rrethana kanë bërë që të shtyhet pagëzimi.

Ndërsa thotë se kërkesa për t’u pagëzuar si të tillë ka ardhur qysh në vitet ‘90.

“Procesi i parë (pagëzimi i parë) që është kryer ka qenë në Kravasari dhe i dyti  në Llapushnik. Qysh në vitin 2006-2007 kam qenë vetë i pranishëm kur i kam regjistruar mbi 36 veta të Llapushnikut të cilët kanë qenë të përgatitur për pagëzim,” thotë ai.

Don Fatmir Koliqi, tha se ende ka shumë familje në Kosovë që nuk guxojnë që ta shprehin besimin e tyre, atë që e ndjejnë dhe se shumica prej tyre janë në zonën e Gjilanit.

Ai tha se këto zhvillime që kanë ndodhur në Llapushnik, por edhe protestat e kaluara, lënë që të kuptohet se toleranca fetare në Kosovë është e brishtë.

Ndërsa për Bashkësinë Islame të Drenasit, një lokacion i tillë  nuk paraqet problem, e as vendosja e një kishe ose varrezave të komunitetit katolik në atë rajon.

Madje sipas Eset Bajraktarit, sekretar i Bashkësisë Islame në Drenas, do të ishte mirë që katolikët dhe myslimanët të kishin varrezat e përbashkëta.

“Ne si shqiptarë kemi kultivuar tolerancën fetare në mes vete, pavarësisht pse jemi një komb, i kemi tri komunitete fetare, tri bashkësi fetare dhe edhe kjo do të reflektonte shumë pozitive që ata të vazhdojnë të kenë varrezat bashkërisht me vëllezërit e tyre, fqinjët e tyre, por nëse kjo nuk është e mundur, pse mos t’u jepet një lokacion i përshtatshëm për varreza nga institucionet e Komunës,” thotë Bajraktari.

Por derisa ka mendime për dhe kundër ndërtimit të kishës në Llapushnik,  një banor mysliman i këtij vendi është i vendosur.

Eset Gashi ka një pronë nëpërmjet të cilës kalohet deri te vendi i caktuar për kishë dhe varreza.
Gashi thotë se nuk do të lëshojë tokën e tij për të shërbyer si rrugë për të shkuar njerëzit deri në kishë.