Në Kërkim të Gjurmëve të Pasluftës

Një kërkesë e një studenti para gjashtë vjetësh bërë dekanit të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në  Pejë çoi në nisjen e një prej rasteve më të mëdha gjyqësore në vend në fushën e arsimit.

Xhevat Bakraqi, dekani i atëhershëm tashmë i ndjerë, kur kishte kontrolluar dokumentet e studentit që bëri kërkesë kishte vërejtur se certifikata e tij e diplomës ishte e falsifikuar.

Ai më 8 dhjetor të vitit 2009 kishte lajmëruar autoritetet policore në Pejë.

Ai  paraqiti rastin në policinë e Pejës më 8 dhjetor 2009.

Në mesnatën e 8 dhjetorit të këtij viti i ishte vënë zjarri arkivit të këtij fakulteti.
Policia e Pejës doli në vendngjarje dhe konkludoi se zjarrvënia ishte e qëllimshme, por konstatoi se shkaktuesit nuk kanë lënë gjurmë që mund të çojnë në kapjen e tyre.

Lënda vazhdon të jetë e hapur në Prokurorinë e Pejës ku kallëzimi penal i dorëzuar nga policia pret që të trajtohet nga një prokuror.

Megjithatë, denoncimi i bërë nga Bakraqi çoi në gjurmimin e veprimeve të periudhës së pasluftës që ndodhën në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.

Gjashtë vjet zgjati procesi gjyqësor në rastin e dyshimeve për parregullsi në ish -Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.

Përfundimisht shumica e falsifikimeve  të kryera u parashkruan për shkak se kaloi kohë e gjatë.
Gjykata dha veridiktin e saj në janar të këtij viti që rezultoi me asnjë zyrtar të dënuar.

Ish-dekani i këtij fakulteti Ali Sylqa, ish asistentja e tij Muradije Gjikolli, ish sekretari i fakultetit Minush Hoxha, ish zyrtarja për shërbime të studentëve Zekije Vokshi dhe ish studenti i asaj kohe Blerim Zeka u shpallën të pafajshëm  dhe u liruan nga akuzat për shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Ndërsa me gjashtë muaj dënim me kusht u dënua vetëm Valdet Hoxha, ish shefi i atëhershëm i personelit.

Minush Hoxha ish-sekretar dhe Ali Sylqa ish-dekan në Fakultetin e Biznesit të Pejës akuzoheshin se kanë falsifikuar dokumente duke nënshkruar dhe vërtetuar ato me vulë zyrtare dhe se në mënyrë të kundërligjshme i kanë marrë paratë e pagesave të rregullta të studentëve për provime në këtë fakultet.

Për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe shpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit,  ngarkohej edhe Valdet Hoxha, ish-shefi i referentëve në këtë fakultet e ish-zyrtarja Zekije Vokshi.
Pjesë e këtyre aktakuzave ishin edhe ish -studenti Blerim Zeka e ish-arkivistja Miradije Gjikolli të cilët u liruan nga akuzat.

Ferid Gjikolli, avokat i ish-dekanit Ali Sylqa, konsideron se akuza ndaj klientit të tij ka qenë jo mirë e formuluar.

“Ky proces ka shkuar si i tejzgjatur. Ka qenë lëndë voluminoze, ka pasur shumë të akuzuar dhe vepra të ndryshme, mendoj se lëshimi kryesor ka qenë nga Prokuroria, sepse prej fillimit një akuzë e tillë e ngritur ka qenë jo e formuluar mirë.  Prokuroria ka intervenuar disa herë në përmirësimin e akuzës, akuza nuk ka qenë e konkretizuar dhe nuk dihej identiteti i asnjë studenti,” u shpreh Gjikolli.

Gëzim Kollçaku, avokati i Zekije Vokshit, tha se e kishte pritur këtë epilog të gjykimit.

“E mbrojtura ime Zekije Vokshi është akuzuar për disa veprime të cilat janë parashkruar, e gjithashtu për disa veprime për të cilat në atë kohë e njëjta ka qenë ne pension,“ sqaroi Kollçaku.

E avokati i të dënuarit të vetëm  Valdet Hoxhës, Flamur Kelmendi, tha se ka qenë një proces i rregullt që ka zgjatur shumë.

“Ka qenë një lëndë voluminoze e cila e ka pasur ecurinë e vetë dhe në fund ka ardhur te situata se vetëm Valdet Hoxha ka qenë fajtor për një falsifikim. Sipas meje çdo gjë ka shkuar mirë,” u shpreh Kelmendi.

Avokati Mustafë Radoniqi i cili në këtë proces e ka mbrojtur  Minush Hoxhën nuk deshi të komentojë për ecurinë e këtij procesi.

Hetimet e reja 

Derisa gjyqi ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë për dyshimet e ngritura para gjashtë vjetësh, problemet me këtë fakultet në Pejë nuk kanë të ndalur.

Prokurorja Saide Gashi është duke u marrë me këtë që nga viti 2011 kur edhe ngriti aktakuzë e cila u hodh poshtë nga Gjykata Themelore e Pejës në fillimit të vitit 2015.

Ajo tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ka bërë ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Pejës për lirim nga akuza të gjashtë të akuzuarve për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Përveç deponimit të kësaj ankese, prokurorja tregoi se janë duke u zhvilluar hetime të reja që kanë në fokus ish-Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.

Sipas Gashit hetimet e reja po kryhen për rastet për të cilat është konstatuar që janë të regjistruar të paligjshëm dhe që kanë marrë dokumente nga Fakulteti i Biznesit pas luftës në vitin 2000.

“Ka hetime të reja rreth regjistrimeve të paligjshme dhe atyre që kanë marrë dokumente nga Fakulteti. Jam duke u informuar edhe nga institucionet e tjera që i kanë identifikuar këto diploma dhe po më njoftojnë. Hetimet vazhdojnë edhe për personat që kanë përfituar diploma në mënyrë të kundërligjshme,” u shpreh Gashi.

Ajo komentoi edhe raportimet në media se janë dhënë mbi 500 diploma false.

“Nuk bëhet fjalë për mbi 500 diploma false, por për mbi 500 studentë të regjistruar në mënyrë të jashtëligjshme, jashtë konkursit”, theksoi Gashi.

Prokurorja thotë se megjithatë ka dyshime se janë dhënë diploma false, por mohon se janë dhënë në mënyrë masive dhe në këtë numër që përmendet.

Ajo tha se ka qenë në kontakt me Rektoratin e këtij fakulteti, i cili e ka njoftuar për dyshimet që kanë pasur.

“Unë prej Rektoratit kam pasur përgjigje zyrtare që këta njerëz ( të dyshuarit për regjistrim të jashtëligjshëm) nuk figurojnë në arkivat e tyre, përveç dy personave. Dy kanë dalë që janë të regjistruar, ndërsa 503 jo”, tha Gashi.

“Personalisht i kam dërguar Rektoratit shumë lista, jo vetëm për këta 503 vetë, por këta persona nuk kanë figuruar fare në arkivat e Rektoratit”, shtoi Gashi.

“Në Pejë janë bërë regjistrime jashtëligjore”

Lidhur me nisjen e hetimeve të reja nga Prokuroria e Pejës është deklaruar edhe Inspektorati i Arsimit.
Ky organ ka verifikuar të dhënat që ndërlidhen me dyshimet për regjistrime të paligjshme në këtë fakultet.

Fadil Kelmendi, udhëheqës i Inspektoratit të Arsimit në Pejë, përmend numër më të madh sesa vetë prokuroria lidhur me regjistrimin e studentëve jashtë rregullave.

Ai tha se janë 522 kandidatë të regjistruar jashtë konkursit, derisa prokuroria theksoi se janë 503 të regjistruar jashtëligjshëm.

Por ai zbuloi se diçka nuk ka ecur si duhet në vetë procesin e regjistrimit të studentëve.

“Regjistrimi i kandidatëve për vitin akademik 1999-2000 është bërë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të asaj kohe”, u shpreh Kelmendi.

Sipas tij, në shumicën e rasteve dokumentacionet administrative si certifikata të notave e vërtetime për transferime të lëshuara nga institucionet përkatëse janë bërë në kundërshtim me ligjin duke përdorur dokumente zyrtare të rreme dhe duke i vërtetuar notat e falsifikuara.

Kelmendi deklaroi se do të vazhdojnë inspektimet për të verifikuar dyshime tjera që ka ky inspektorat.

“Për 155 kandidatët e diplomuar të cilët janë transferuar nga universitetet tjera, e për të cilët nuk është i qartë shkollimi paraprak, do të bëhet edhe një tjetër inspektim”, u shpreh Kelmendi.

E ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se është pritur që të dilet me një raport të tillë, pasi që edhe vetë Ministria ka qenë dyshuese në këtë rast.

“Raporti do t’i dorëzohet  Qeverisë, Parlamentit, Komisionit Parlamentar që të ketë të vërtetën institucionale”, u shpreh  ministri Bajrami më 10 prill të këtij viti në një konferencë shtypi ku u prezantua raporti i Inspektoratit të Arsimit të Pejës.

Minush Hoxha, ish -sekretar i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit, tha se është e pamundur që të jetë një numër kaq i madh i të diplomuarve në mënyrë të kundërligjshme duke komentuar publikimet e mediave se 503 veta ishin diplomuar në këtë mënyrë.

Kjo, sipas tij, mund të vërtetohet nga listat e mësimdhënësve të cilat kanë shpëtuar pa u djegur në vitin 2009 kur u dogj arkiva e këtij fakulteti.

“Shumë nga profesorët i kanë poseduar listat në të cilat kanë qenë të evidentuar studentët që kanë kaluar provimin te profesori përkatës,” thotë Hoxha.

Ndërsa nuk komenton nëse bëhet fjalë për të regjistruar jashtëligjshëm.

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” Naser Mrasori nuk deshi të komentojë lidhur me këtë rast, me arsyetimin se ky universitet është krijuar në vitin 2011 dhe nuk ka të bëjë asgjë me ato që kanë ndodhur në ish-Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.