Rrëfimi i një Myslimaneje të Mbuluar

Dita më e lumtur e jetës sa saj ishte dita kur e mbulua. Kështu e përshkruan vendimin për t’i dhënë lamtumirën daljes pa mbulesë në publik, Vlera Bokshi Ukmata, 29 vjeçare, psikologe, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Mbulimi për të simbolizon kulmin e njeriut me themele të forta, që reflekton obligimin ndaj zotit dhe praktikën e bindjeve fetare të ngulitura thellë. “Isha 15 vjeçare kur nisa ta praktikojë fenë. Jam mbuluar kur i mbusha 21. Ishte dëshirë e imja, që u formua nga njohuritë mbi fenë, kontaktin me librat fetarë e ligjëratat e hoxhallarëve. Derisa jam bindur se dua e kam nevojë ta vë”.

Me Vlerën u takuam në një nga kafenetë e kryeqytetit. Ajo mbante veshur vellon në ngjyrë rozë të çelët, nga modelet që kryesisht mbajnë femrat myslimane në perëndim, hixhabin (term nga gjuha arabe) që mbulon trupin, flokët, pjesën e sipërme të ballit dhe qafën.

Jeta thotë, iu bë e plotë në ditën kur veshi rrobën fetare. Po si është jeta e një gruaje nën mbulesë në shoqërinë kosovare, në të cilën debatet rreth lirisë së fesë, të drejtës për ta shprehur e madje edhe frikës nga islami, ishin e vazhdojnë të jenë të nxehta.

Kosova është shtet i hapur ndaj fesë, por popullsia me shumicë myslimane, konsiderohet  shoqëri jo rrallë refuzuese karshi traditave fetare të islamit, kjo për shkak të traditave nacionale kulturore e fetare të formuara mes Lindjes dhe Perëndimit.

Zgjedhja për të qenë e lirë në besimin e saj i ka kushtuar Vlerës me luftën jo të vogël karshi paragjykimeve të shoqërisë, të rrethit, e madje edhe kundërshtimeve të familjes. Fillimi nisi me frikën e pranimit nga të tjerët. Ajo është e mendimit se shoqëria kosovare dikur ishte më e prirur nga paragjykimi ndaj gruas së mbuluar myslimane, paragjykim i cili në ditët e sotme duket më i zbehur, mbase thotë edhe si pasojë e ambientimit vetanak me pamjen.

“Kam qenë studente kur jam mbuluar. Ka pasur momente që jam ndierë e paragjykuar, megjithëse nuk e thonin hapur, vërehej habia e tyre. E pritën me habi se pse jam mbulu. Mendimi i të shumtëve është se vetëm një femër e padijshme mbulohet, injorante, e derisa unë po shkollohesha, kur vura shaminë rrethi im u habit, njerëzit e afërtë, këtë e kam ndjerë.”

Në jetën e saj nën rrobën fetare ajo ka vënë re se rinia kosovare është më pak paragjykuese, derisa moshat më të pjekura e ato të shtyera thotë se kanë një paragjykim më të madh, si pasojë e formimit në një klimë antifetare, që përshkoi kohën e komunizmit jugosllav në Kosovë.

Frika nga islami

Nga dëshira për të mbrojtur të drejtën fetare prej syve paragjykues deri te ofendimet në rrugë. Vlera tregon se në fillim kur qe mbuluar, derisa ecte rrugëve të  Prishtinës, një burrë e ka pështyer para këmbëve, teksa i thoshte “çfarë na bëtë me këto shamija!” Nganjëherë duket se jemi bërë paranoikë ndaj islamit, thotë ajo.

Vlera flet me siguri të plotë kur thotë se frika ndaj islamit mund të lindë te ata individ që nuk kanë njohuri për fenë islame, njohësit e fesë e besimtarët e devotshëm e dinë mirë se çfarë është islami.

Fajtor për këtë në shoqërinë kosovare ajo i sheh mediat të cilat sipas saj i fryjnë frymës kundër islamit.

Për të shoqëria në Kosovë është shumë e vetëdishme, ajo, shoqëria, e di dhe e ka kuptuar se çfarë media prezanton për islamin është krejt ndryshe nga realja. Këtë e sheh fillimisht si edukim të munguar fetar të shoqërisë: “Mosnjohuritë fetare na kanë sjell në pikë që jemi sot,  flasim kundër fesë pa e njohur. Ata që flasin për terrorizëm nuk e njohin islamin. Nëse ti më sheh mua, ti nuk e sheh islamin, por vetëm mua si një besimtare. Nëse unë bëj një gabim, atë gabim nuk e bën islami, por e bëj unë.

Gjithçka po përgjithësohet. Njerëzit nuk duhet me u bazu në myslimanin si individ, por në parimet e islamit”.

Në mungesën e njohurive, sheh edhe bazën e paragjykimeve, veçimin dhe etiketimin e femrave të mbuluara myslimane si një pjesë “tjetër” e shoqërisë. “Pse unë jam e mbuluar, kjo nuk më bën ndryshe, veçse shpreh bindjet e mia fetare. Ne nuk ndahemi nga pjesa tjetër e shoqërisë, por varet se sa shoqëria është e hapur të më pranojë mua dhe gjithë femrat e mbuluara”.

Ajeti më i cituar Kur’anor për mbajtjen e mbulesës, hixhabit, është surja 24: 30-31. Ftesa i bëhet besimtarëve për përulësi dhe mosekspozim të pamjes fizike. Llojet e vellove variojnë nga ato të mbulesës së kokës, flokëve, trupit e qafës, deri te modelet e hixhabëve që mbulojnë tërësisht trupin femërror, përfshirë dhe fytyrën e sytë.

Në rrugët e Kosovës me shumicë myslimane, popullata ekspozohet me veshje standarde jofetare. Mundësia për të parë një femër të mbuluar deri 15 vjet më parë ishte e rrallë, derisa numri i femrave në rrobën fetare është shtuar dekadën e fundit. Modeli i përhapur në Kosovë është kryesisht modeli i vellos myslimane që mbulon trupin, flokët dhe qafën.

Dyert e mbyllura për punësim

Velloja ka prejardhje kulturore më parë se fetare, dhe derisa shumica e grave myslimane e vënë hixhabin për arsye fetare, gra të tjera zgjedhin ta vënë si një shprehje e identitetit të tyre kulturor. Karshi simbolikës dhe refuzimit të të tjerëve ndaj kulturës islamike.

Refuzimin më të madh për shkak të mbulimit të saj Vlera e ndien kur çështja vie te punësimi. Nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe punësimin në to, ajo ka provuar se mbulesa është një arsye e fortë për t’ia mbyllur derën, duke e refuzuar.

Nga dhjetëra konkurse në të cilat ka aplikuar, nuk ka marrë asnjë ftesë për intervistë. Vlera është psikologe me një përvojë katër vjeçare në profesion në dy organizata joqeveritare, po tash e një kohë është e papunë. “Kam aplikuar për psikologe të shkollës, mësimdhënëse të psikologjisë, po megjithë kriteret që i përmbush, asnjëherë nuk jam ftuar për intervistë. Institucionet janë të mbyllura për femrat e mbuluara, sepse mbulesa është stopi i parë që punëdhënësi ia vë një gruaje të mbuluar”. Ajo tregon se ka aplikuar edhe në institucione të tjera private dhe organizata të tjera joqeveritare, po as ato nuk i hapën derë. “Shpesh them, në humor e ironi, se ndihem si person me aftësi të kufizuara. Bindjet fetare nuk e bëjnë njeriun të paaftë për punë!”.

Gruaja e mbuluar thotë se do të luftojë vazhdimisht për të drejtën e saj për punësim, pa lejuar asnjë kompromis që ia privon të drejtën fetare. Ajo flet për padrejtësinë që punëdhënësit e bëjnë ndaj femrave të mbuluara, duke u vënë si kusht të parë punësimi zbulimin e kokës dhe moslejimin e kryerjes së riteve fetare gjatë orarit të punës. Në çdo vend pune mund të gjendet vendi dhe koha për faljen, këtë mund ta tolerojë secili punëdhënës, thotë ajo.

Izolimi i grave në veshjen fetare

Gruaja e cila dikur dilte me flokët zbuluar, thotë se kur nis ta praktikosh fenë, fillimisht duke pasur frikë nga mospranimi i të tjerëve, nis dhe e paragjykon vetveten. “Edhe unë e kam mbajt mbyllur në fillim, isha e re e kisha frikë, kështu bëjnë edhe shumë të tjera në fillim, sepse kanë frikë pikërisht nga gjykimi i rrethit. Është ikje nga vetvetja, e cila gradualisht vjen duke u eleminuar”.

Të mbulosh flokët nuk do të thotë të izolohesh nga mospranimi, por t’i bësh të tjerët të kuptojnë që mospranimi vjen nga frika e tyre për të pranuar atë që qëndron thellë në ndërgjegjen e tyre. Vlera së pari ka kaluar nëpër kundërshtimet e familjes, për të gjetur përkrahjen e bashkëshortit.

Thotë se siç ajo nuk e gjykon asnjeri për veshjen, do të donte që edhe të tjerët të mos e bëjnë. Për mendjet e hapura mendon edhe kur flet për përdorimin e shamisë në shkollën kosovare, qoftë për nxënëse e qoftë për mësimdhënëse.

“Nëse një femër e mbuluar nuk lejohet në shkollë, është mosarritje për edukimin e saktë të femrave, sepse në momentin që e ekspozon femrën e mbuluar para fëmijëve, ata i thyejnë paragjykimet. Por nëse atë e izolon, vetë sistemi arsimor edukon me paragjykim”. Vlera thotë se Kosova, si një shoqëri e hapur duhet t’i lëjë fëmijëve lirinë që vetë të gjykojnë fenë e femrën e mbuluar, pa imponuar dhe pa e refuzuar femrën me mbulesë fetare.

Në frymën e edukimit islam i rrit dy fëmijët e saj, djalin dhe vajzën. Detyrën e saj si nënë e përkthen që në vegjëlinë e tyre t’i edukojë me kulturën fetare, por zgjedhjet e të cilëve më vonë në praktikat fetare, do të jenë krejtësisht individuale. “Kur të rritet vajza ime ka përgjegjësi vetë para zotit, dhe atëherë është e lirë me vendos. Njerëzit mendojnë se ne i imponojmë fëmijëve, por nuk është e vërtetë”.

Debatet vazhdojnë në nivele shoqërore e shtetërore, në vende të shumta perëndimore ashtu edhe në Kosovë, rreth ndalimit ose jo të veshjes në publik të burkës, nihabit, perçes dhe të tjera vellove që mbulojnë fytyrën me origjinë etnike e kulturore, debat që është përkthyer në frazën “Betejë për të drejtat e për lirinë e grave myslimane”.