Luftimi për Pjesën që u Takon

Gjatë konfliktit të Kosovës, policët serbë vranë para syve të saj bashkëshortin e Shyhrete Berishës, Nexhatin dhe katër fëmijët e tyre.

Fëmija i tyre më i vogël qe më pak se dy vjeç, ndërsa më i madhi pas dy muajsh do t’i mbushte 16.

Shyhretja u qëllua në stomak. Ajo u bë si e vdekur dhe e ngarkuan në një kamion krahas trupave të 50 shqiptarëve të tjerë të Kosovës, të vrarë në qytezën jugperëndimore të Suharekës më 26 mars 1999. 

Ajo dhe dy të afërmit e saj, të vetmit të mbijetuar të masakrës, shpëtuan duke u hedhur nga kamioni që po lëvizte. 

Në atë kohë, Shyhretja nuk e kishte imagjinuar se ajo mund të humbiste më shumë sesa bashkëshortin e saj, dy vajzat dhe dy djemtë. Por, që nga ajo kohë, ajo ka humbur edhe shtëpinë e tyre të përbashkët. 

Shtëpia i takonte vjehrrit të saj. Pas luftës, thotë ajo, vjehrra i tha: “Për çfarë të nevojitet shtëpia? Të gjithë i vranë. Është shtëpia jonë tani.”

Historia e Shyhretes është një shembull ekstrem i një problemi që ekziston në të gjithë Ballkanin, megjithëse zakonisht ndodh në një formë më pak dramatike – diskriminimi i grave në rastet e trashëgimisë. 

Në këto shoqëri patriarkale, pronat dhe asetet shpesh u kalohen trashëgimtarëve meshkuj të familjes, duke i përjashtuar gratë, pavarësisht të drejtës së tyre ligjore për të trashëguar. 

Disa zyrtarë dhe aktivistë po përpiqen ta ndryshojnë këtë sjellje përmes kampanjave të reklamave dhe gratë po luftojnë për të drejtat e tyre përmes gjykatave. Por, ato përballen me rezistencë të fortë nga tradicionalistët dhe janë të lodhura nga sistemet e drejtësisë që janë të ngadalta dhe të mbingarkuara me punë. 

Shyhretja thotë se burrat e Berishajve e arritën një marrëveshje gojore në vitin 1997 për ndarjen e pronave të familjes. Nexhati mori një pjesë të një shtëpie të madhe, ku ai dhe familja e tij jetonin. Vëllai i tij dhe më vonë fëmijët e vëllait, morën pjesën tjetër.

Megjithatë, pas luftës, Shyhretja thotë se ajo u kthye në shtëpi dhe e gjeti derën e kyçur. Familja e bashkëshortit të saj refuzoi t’i jepte asaj çelësat.

“E tëra që desha është që ata të më thoshin  se isha e mirëseardhur në shtëpi”, rikujton ajo, gjersa gjendet në shtëpinë e prindërve të saj në fshatin Mushtisht pranë Suharekës. 

Me ndihmën e organizatave ndërkombëtare bamirëse, Shyhretja mori trajtim jashtë vendit për plagët dhe traumën që pësoi. Ajo tashmë jeton në Gjermani, por u kthye në Kosovë këtë qershor për të bërë progres në një padi pranë gjykatës së Suharekës dhe për ta rikthyer shtëpinë e saj. 

Shyhretja duket më e moshuar se sa 52 vjetët që ka. Kur përshkruan kohën me Nexhatin, ajo qesh – por nuk ka buzëqeshje në fytyrën e saj. Ata kishin një jetë të mirë, thotë ajo. Bashkëshorti i saj ishte punonjës në shtëpinë e kulturës të qytetit dhe ata merrnin qira nga dyqanet e vogla poshtë shtëpisë së tyre. Ajo kujdesej për fëmijët dhe shtëpinë. 

Përpjekja për të rimarrë atë shtëpi ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë. Ajo i filloi procedurat ligjore 12 vjet më parë, por avokati i saj nuk u paraqit në gjykatë, kështu që çështja nuk u mor në konsideratë. Një avokat i ri, Ymer Koro, mori përsipër lëndën në shtator 2012.

Koro thotë se ligji është i qartë – për shkak se prona i pati kaluar bashkëshortit të Shyhretes, ajo duhet t’i përkasë Shyhretes tani. “Meqë ajo ishte e martuar në mënyrë të ligjshme, ajo ka të drejtë të trashëgojë”, thotë ai. 

Familja e bashkëshortit të saj tregon një histori tjetër. Kunati i saj, Xhelal Berisha, këmbëngul se prona është në emrin e babait. “Para vdekjes së tij, ai ma la mua me testament”, thotë ai. Shyhretja dhe avokati i saj mohojnë se ekziston një dokument i tillë. 

Xhelal Berisha, ndërkohë ka çelësat e shtëpisë dhe i jep me qira dyqanet poshtë tyre. “Unë i paguaj taksat e pronës, kështu që e marr qiranë”, thotë ai. “I kam thënë Shyhretes: ‘Ti je e mirëseardhur në shtëpi.’ Por ajo refuzon të vijë.”

Duket sikur më në fund ka ardhur koha e duhur që sistemi i drejtësisë të japë vendimin. Por, Shaban Zeqiraj, gjykatësi përgjegjës për çështjen në Gjykatën e Suharekës, thotë se ai është “i mbingarkuar me 800 dosje.” Gjykata zhvilloi më në fund një seancë paraprake në shtator, por çështja mbetet e pazgjidhur.

Koro pranon se sistemi i drejtësisë së Kosovës ka një numër shumë të madh lëndësh në shqyrtim, por mendon se kjo nuk e tregon tërë realitetin. “Gjykatat janë të mbingarkuara, por ato gjithashtu nuk kanë vullnetin për të punuar,” thotë ai. 

Ligji përballë traditës

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një periudhe mbikëqyrjeje ndërkombëtare e cila e pasoi fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999  që i dha fund sundimit represiv të Serbisë.

Neni 7 i Kushtetutës së Kosovës përshkruan barazinë gjinore si “vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë”. 

Sipas ligjeve mbi Trashëgiminë dhe për Familjen, kur dikush vdes, asetet e tij ndahen në mes të anëtarëve të familjes, ku bashkëshorti/ja dhe fëmijët kanë prioritet. Nëse një testament ekziston, ai mund të përjashtojë anëtarët e familjes nga trashëgimia vetëm nën disa kushte specifike dhe asnjëri prej kushteve nuk lidhet me gjininë.

Autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë fushata për të promovuar barazinë gjinore, duke nxitur çiftet të sigurohen që shtëpitë e tyre regjistrohen në bashkëpronësi. Sidoqoftë, shtëpitë shpesh janë të paregjistruara fare dhe kur regjistrohen ato janë vetëm nën emrin e burrit. 

Një video-reklamë e publikuar në shtator nga autoritetet e vendit, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare dhe vendore, shfaq një çift duke e ndarë një copë tortë, duke shikuar televizor në krevat dhe duke e blerë një makinë para se të ulen për të plotësuar dokumentet për shtëpinë e tyre të përbashkët. 

“Njeriun tënd të zemrës mund ta bësh të lumtur  duke ndarë gjithçka me të”, thotë zëri në sfond. “Prona është e të dyve – regjistroni pronën e përbashkët, për të mirën tonë”.

Por, traditat e vjetra vështirë shuhen. Shumë njerëz ende besojnë se prona duhet të trashëgohet në vijë mashkullore bashkë me mbiemrin. Më shumë se 79 për qind e pronave të regjistruara në Kosovë janë nën emra të burrave, sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Në komunitete tradicionale, mosmarrëveshjet për pronësi zgjidhen përmes takimeve të pleqësisë, të përbërë tërësisht nga meshkuj, bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, një përmbledhje zakonesh të lashta shqiptare. 

Ali Pasoma, 58 vjeç, udhëheq takimet për të zgjidhur mosmarrëveshjet në qytezën e Vushtrrisë, rreth 25 kilometra në veri të kryeqytetit, Prishtinë.

“Prona i takon vetëm burrit. Edhe nëse një familje nuk ka djalë, prona u shkon kushërinjve meshkuj”, thotë Pasoma, duke cituar Kanunin, në zyrën e kompanisë së energjisë elektrike ku punon si roje.


Ali Pasoma drejton takimet për të zgjidhur mosmarrëveshjet në qytezën e Vushtrisë në Kosovë.

Pasoma pranon të takohet me një gazetare femër vetëm në rast se një koleg tjetër mashkull është i pranishëm. Ai flet në mënyrë të animuar dhe me zë të thellë, vetullat e tij shtrëngohen njëkohësisht teksa ai mendon, kurse mustaqet e tij të trasha dhe të gjata lëvizin kur ai flet. 

“Unë nuk mund t’i jap pronën e familjes sime bashkëshortit të motrës – dikujt me mbiemër tjetër. Nëse diçka e keqe u ndodh atyre (motrës dhe bashkëshortit të saj), unë do t’i mbroj dhe do t’i ftoj të rrinë në shtëpinë time. Por, nëse duan të marrin pronën time, ata nuk janë të mikpritur ta vizitojnë shtëpinë time”, tha ai. 

Më herët, gjatë asaj dite, Pasoma pati drejtuar një ceremoni në të cilën një çift i ri pranoi të ndahej. Madje edhe ajo ceremoni ilustron edhe një herë traditat patriarkale në bashkësi të tilla. Secila palë përfaqësohej nga dhjetë burra dhe rasti u vendos nga katër burra të tjerë. 

Varfëria luan rol po ashtu

Faktorët ekonomikë luajnë gjithashtu një rol në përjashtimin e grave nga trashëgimia. Prindërit kanë kaluar tradicionalisht shtëpitë e tyre te djali më i vogël për ta mbajtur shtëpinë të paprekur në vend që ta ndajnë. Mendohet se ashtu djali dhe familja e tij do t’i mbajë dhe do të përkujdeset për ta në pleqëri.

Në një nga vendet më të varfra në Evropë, ku rreth 30 për qind e popullsisë jeton me më pak se dy euro në ditë, një sistem i tillë luan rolin e kujdesit shtetëror për të moshuarit, kujdes që është pothuajse inekzistent në Kosovë. 

Valbona Salihu, drejtoreshë ekzekutive e “Norma-s”, një grup që përkrah të drejtat e grave në Kosovë, thotë se organizata e saj ka zbuluar raste të familjeve që kanë hequr gratë nga lista e trashëgimtarëve kur regjistrojnë një akt vdekje – në përpjekje për ta mbajtur të gjallë praktikën e diskriminimit. 

Nga ana tjetër, disa gra refuzojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për trashëgimi nga e cila,  sipas ligjit mund të përfitojë çdo trashëgimtar. 

Edhe kur gjykatat vendosin në favor të së drejtës për gruan që ajo të trashëgojë, realiteti mund të jetë më i komplikuar. 

Dy vjet më parë, bashkëshorti i një 30 vjeçareje që jetonte në veri të Kosovës vdiq nga ataku kardiak. Gjykata vendosi që gruaja të ishte trashëgimtarja ligjore e një apartamenti të regjistruar në emër të bashkëshortit, i tha ajo BIRN-it nën kushtin që emri i saj të mos përdorej në këtë artikull.

Dhënia me qira apo shitja e apartamentit mund t’i kishte dhënë asaj të ardhura shumë të nevojshme. Por, prindërit e burrit refuzuan të pranojnë vendimin e gjyqit. Ata vazhdojnë të jetojnë në këtë pronë, ndërsa ajo i rrit dy fëmijët e saj në një apartament me qira. 

Një mori institucionesh e kanë për detyrë që të sigurohet se Kosova i respekton të drejtat e grave, përfshirë Agjencinë për Barazi Gjinore, e cila ka 17 të punësuar, si dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Megjithatë, asnjë prej këtyre trupave nuk është në gjendje të japë statistika se sa gra kanë ngritur padi për trashëgimi përmes gjykatave. 

Grupi i Avokimit “Norma” ka mbledhur statistika të tilla drejtpërsëdrejti nga gjykatat. Hulumtimi i tyre tregon se gratë i drejtohen gjykatave për trashëgimi – por shumë më rrallë sesa burrat. Një raport nga grupi që analizoi të dhënat e gjykatave nga viti 2008 deri në vitin 2009, zbuloi gjithashtu se burrat kanë tri herë më shumë gjasa të trashëgojnë sesa gratë.

Haxhi Gashi, një profesor i të drejtës civile në Universitetin e Prishtinës, thotë se mungesa e statistikave zyrtare reflekton dështimin e institucioneve të shtetit për t’i kushtuar vëmendje çështjeve të trashëgimisë. Megjithatë, ai beson se qytetarët po informohen gjithnjë e më shumë. 

“Çdo ditë ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e trashëgimisë po rritet”, thotë ai. Gashi thotë se ai do të ndajë pronën e vet në mënyrë të barabartë mes vajzës dhe djalit. 

Fehmije Gashi-Bytyqi, një avokate 49 vjeçare nga Prishtina po ashtu po e thyen  traditën. Ajo nuk trashëgoi asgjë nga prindërit e saj, por qysh tash i ka blerë një apartament vajzës së saj, e cila është vetëm 10 vjeç. 

“Unë desha të jem një model për dy djemtë e mi; desha t’u mësoj atyre se prona duhet të ndahet në mënyrë të barabartë”, thotë ajo. 

Burrat kanë prioritet gjithandej Ballkanit

Në Kosovë, ku më shumë se 90 për qind e njerëzve janë myslimanë, favorizimi i burrave në rastet e trashëgimisë shpesh lidhet me islamin, si dhe me Kanunin. Megjithatë, praktika e tillë i kapërcen kufijtë fetarë dhe politikë në Ballkan. 

Për shembull, ka pothuajse tri herë më shumë meshkuj sesa femra që zotërojnë prona në Mal të Zi, ku shumica janë të krishterë ortodoksë. 

Dy vëllezër, Milan dhe Jovan Stijepoviq dhe shoku i tyre, Vesko Razhnatoviq, që të gjithë mes të 40-tave dhe të 50-tave, punojnë së bashku në një restorant të vogël në fshatin Dujeva, rreth 20 kilometra larg nga kryeqyteti malazez, Podgorica. 

Që të tre shprehën krenari se kanë vetëm djem. Jovani gjithashtu potencon se motra e tij nuk trashëgoi asnjë pronë nga familja. Ai foli për mbiemrat e familjeve njësoj si në Kosovë. Në bashkësitë tradicionale, supozohet që vajzat do të martohen dhe do të ndryshojnë mbiemrat, duke i marrë mbiemrat e bashkëshortëve. 

“Nuk mund të kem njerëz me mbiemër tjetër në shtëpinë time. Zoti na la këtë traditë dhe ne e morëm atë”, thotë Jovani. 

Ligji i Malit të Zi u jep grave dhe burrave të drejta të barabarta. Por, sikurse në Kosovë, gjykatat e Malit të Zi janë kritikuar shpesh se zgjasin shumë deri sa të zgjidhin kontestet e trashëgimisë. 

Ibrahim Smajloviq, një gjykatës në Gjykatën Themelore të Podgoricës, thotë se ka një “tendencë në rritje të grave që çojnë në gjykatë çështje mbi trashëgiminë familjare”. Por, nuk ka statistika zyrtare mbi këto çështje. 

Në Maqedoni, diskriminimi në trashëgimi i prek njëkohësisht maqedonasit etnikë, të cilët janë në përgjithësi të krishterë ortodoksë dhe përbëjnë 63 për qind të popullsisë dhe shqiptarët, të cilët janë në shumicë myslimanë dhe përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë. 

Pronarët e patundshmërive në Maqedoni janë pesë herë më shumë meshkuj sesa femra. 

Spasena Surlovska, e cila është 78 vjeçe dhe jeton në fshatin Ljubanci, jo larg kryeqytetit, Shkup, kishte punuar në një furrë buke bashkë me bashkëshortin e saj të ndjerë. Kur shtëpitë që ajo i trashëgoi nga bashkëshorti do të ndahen, më shumë do të shkojnë për djemtë – pavarësisht se ajo shpenzon më shumë kohë te shtëpia e vajzës. 

“Ka qenë traditë prej vitesh, edhe pse vajzat përkujdesen më shumë për prindërit sesa djemtë”, shpjegon Surlovksa.


Spasena Surlovska, një e ve në fshatin maqedonas të Ljubancit, thotë se më shumë nga pronat e familjes së saj do të shkojë tek djemtë. 

Ajdin Salihu, një hoxhë 34 vjeçar nga Haraçina, një fshat shqiptarësh rreth 20 minuta larg me makinë nga Shkupi, thotë se tradita vendase dikton që gratë të mos trashëgojnë pronësi, edhe pse kjo “është kundër vullnetit të Zotit, kundër Kuranit dhe kundër shtetit”.

Kur pyetet se çfarë do të bëjë ai me familjen e tij, ai thotë se nuk dëshiron të parashikojë të ardhmen, por shtoi: “Nuk është turp të ruash traditën dhe ne nuk mund t’u shpëtojmë traditave. Unë kam një shtëpi dhe mendoj se do t’ia jap djalit tim.”

Sidoqoftë, Jovo Vangelovski, një gjykatës në Gjykatën Supreme të Maqedonisë, pohon se gjërat po ndryshojnë. “Efekti më i madh në këtë situatë ka ardhur nga gratë e arsimuara,” thotë ai. “Kjo ka pas një ndikim të madh në kapërcimin e vlerave tradicionale dhe në pranimin e sundimit të ligjit.”

Përtej Ballkanit – rasti i Britanisë

Nuk është vetëm Ballkani vendi ku gratë kanë luftuar për të trashëguar. Në Britani, megjithëse gratë e martuara fituan të drejtën për trashëgimi 144 vjet më parë, diskriminimi në trashëgimi vazhdon të mbetet problem, veçanërisht në disa komunitete  myslimanësh.

 Në dhomën e çajit në Dhomën e Lordëve, derisa në sfond tingëllojnë lugët mbi filxhanët e porcelanit, baronesha Kerollajn Koks, 77 vjeç, thotë se ajo dëshiron të bëhet zë i grave myslimane të Britanisë  të cilat përballen me diskriminim në divorc dhe trashëgimi.

Ajo thotë se ekzistojnë rreth 80 gjykata të ligjit islamik Sheriat në Britani të cilat refuzojnë të respektojnë ligjet e Britanisë kur vjen puna te trashëgimia. Ajo ka paraqitur një projektligj  për t’i shpallur gjykatat paralele ilegale. 

“Ata (komuniteti mysliman) duhet të respektojnë ligjet e këtij vendi dhe ligjet e demokracisë”, tha ajo. 

Ajo e vendos filxhanin e çajit në tavolinë, duke ngulitur shikimin e saj me sytë e saj të kaltër të thellë dhe shton: “Në Mbretërinë e Bashkuar drejtësia është në anën e grave dhe ato duhet ta përdorin atë”.

Diskriminimi kundër grave është gjithashtu një problem në një pjesë shumë të ndryshme të shoqërisë së Britanisë – në aristokraci. Në viti 2013, Britania miratoi Aktin për Trashëgiminë e Kurorës, duke i dhënë fund praktikës që i jepte trashëgimtarëve meshkuj prioritet në ngritjen në fron. Por, vajzat e fisnikëve të Britanisë ende nuk kanë të drejtë të trashëgojnë titujt e prindërve të tyre. 

Viktoria Lambert, një gazetare e shëndetësisë që ka fituar çmime dhe që është gjithashtu një konteshë si bashkëshorte e kontit të Klankartit (Earl of Clancarty), po bën fushatë për ta ndryshuar këtë situatë. Ajo mbështet një ligj parlamentar që do të vendoste barazinë ligjore në ligjet për trashëgiminë e titujve të fisnikërisë. 


Viktoria Lambert, kontesha e Klankartit, e mbështet një ligj në Parlamentin e Britanisë që do të lejonte vajzat të trashëgojnë titujt e fisnikërisë.

Lambert ka një interes të fortë personal, për shkak se fëmija i vetëm i saj është vajzë, Rovena, e cila nuk mund të trashëgojë titullin e familjes. Por, ajo argumenton se ndryshimi i ligjit do të ketë ndikim shumë më të gjerë, duke i dërguar një mesazh të fortë familjeve kudo që vijojnë të diskriminojnë gratë. 

“Nëse ne mund të ndryshojmë traditën, ajo do të ndryshojë shoqërinë”, tha Lambert në një kafene në qendër të Londrës. 

Një përpjekje e mëhershme për të ndryshuar ligjin nuk u miratua në parlament, por Lambert këmbëngul se lufta do të vijojë. 

“Kjo ka të bëjë me drejtësinë,” tha ajo. “Unë nuk mund të ndalem – është koha për t’u modernizuar.”

E njëjta dëshirë për drejtësi i udhëheq gratë të cilat e bëjnë betejën në rrethana shumë të ndryshme në cepin tjetër të Evropës – duke përfshirë Shyhrete Berishën, në përpjekjen e saj me Gjykatën e Suharekës dhe me familjen e bashkëshortit të saj të ndjerë. 

“Për aq kohë sa kam vetëdije, nuk do të dorëzohem”, tha Shyhretja.